• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Ilir Meta telegram ngushëllimi Vatrës e familjes Balaj për ndarjen nga jeta të Zef Balaj

April 15, 2022 by s p

Presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta i dërgoi një telegram ngushëllimi Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA dhe familjes Balaj për ndarjen nga jeta të vatranit e patriotit Zef Balaj. Në telegramin e ngushëllimit ndër të tjera Presidenti Meta shkruan: “Me hidhërim të thellë e mësova lajmin e dhembshëm të ndarjes nga jeta të Zef Balaj, veprimtarit të devotshëm, patriotit të përkushtuar, me kontribut të vazhdueshëm dhe të jashtëzakonshëm për demokratizimin e Shqipërisë, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve kudo që jetojnë në trojet e tyre. Zef Balaj ishte personalitet me kontribute të mëdha në bashkimin e shqiptarëve të Amerikës dhe krijimin e miqësive në mes të popullit shqiptar dhe atij amerikan, si dhe zhvillimin e tyre në të mirë të kombit tonë” thuhet në telegramin e ngushëllimit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë z.Ilir Meta.

Filed Under: Featured Tagged With: Ilir Meta, Zef Balaj

NJOFTIM NGA FAMILJA E ZEF BALAJ

April 15, 2022 by s p

SHËRBIMET FUNERALE, TË HËNËN DHE TË MARTËN, MESHA DHE CEREMONIA E VARRIMIT TË MËRKURËN ME 20 PRILL 2022.

Familja e Zef Balaj njofton se shërbimet funerale për të dashurin e tyre do të organizohen në dy ditë; të Hënën dhe të Martën në Shtëpinë Mortore- 945 E Main St, Shrub Oak, NY 10588Ditën e Hënë, 18 Prill 2022, homazhet do të zhvillohen nga ora 4 pm deri në 8 pm.Në ditën e dytë, e Martë 19 Prill 2022, nga ora 2 pm deri në 9 pm.Mesha e Dritës do të organizohet ditën e Mërkurë, 20 prill, duke filluar në orën 11 am në Kishën “Zoja e Shkodrës” në adresën: 361 W Hartsdale Ave, Hartsdale, NY 10530.Pas Meshës kortezhi do të zhvendoset në varrezat e familjes Balaj, që ndodhen në adresën: “Gate of Heaven”, 10 West Stevens Ave, Hawthorne, NY 10532.***. ZEFIThe funeral details are as follows- 1st day Monday 4/18 funeral wake from hours 4pm to 8 pm2nd day Tuesday 4/19 hours 2-9pm. Mass at Our Lady of Shkodra on Wednesday 4/20 at 11am.

Filed Under: Politike Tagged With: Zef Balaj

SHUHET VATRANI DHE PATRIOTI I MADH ZEF BALAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI

April 14, 2022 by s p

E nderuar familja Balaj

I çmuar dhe i pa harruar miku ynë i parajsës Zef BALAJ

Ikja jote e shpejtë na ka trishtuar pa masë. Një largim fizik që na shemb në shpirt. Të gjithë kemi humbur një mik, shok, vatran, patriot, familjar e veprimtar të pa zëvendësueshëm. Zoti i merr gjithmonë të mirët afër vetes, ti ishe i mirë dhe i veçantë, fisnik, zemërbardhë e shpirtmadh.Bashkë punuam e vepruam për 30 vite në të gjitha proceset patriotike, demonstratat, protestat, lëvizjet, ndihmat për komunitetin e kombin, 60 vjet ishe aty duke dhuruar për kombin tonë e komunitetin tonë. Nga Washingtoni e Institucionet e Shtetit Amerikan, te Liga Shqiptaro-Amerikane e deri te Vatra, ti ishe në krye të veprimtarive, pa u ndalur për asnjë moment. Në emër të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës VATRA, në emër të të gjithë vatranëve të Shqiptaro-Amerikanëve e të familjes sime ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta e më të dhimbshme familjes BALAJ për humbjen e vëllaut tonë Zefit.Të gjithë bashkë si vatranë e komunitet, jemi pranë familjes Balaj, familjarëve e miqve në këto momente trishtimi, lamtumire e humbje të madhe.Lusim Zotin në këto ditë të shenjta Pashkësh për shpirtin e të shtrenjtit tonë Zef Balaj.

Pushofsh në paqe e përjetësi o i pa harruar Zef Balaj.

I pikëlluar

Pranë jush dhe me nderime

Kryetari i VATRËS

Elmi BERISHA

Filed Under: Featured Tagged With: Elmi Berisha, Zef Balaj

ZEF BALAJ NDËRROI JETË, VATRA NGUSHËLLON FAMILJEN

April 14, 2022 by dgreca

-FAMILJA, MIQTË, VATRANËT, KOMUNITETI-DHIMBJE PËR IKJEN E ZEF BALËN, I CILI NDËRROI JETË TË MËRKURËN, 13 PRILL 2022, I RRETHUAR ME DASHURI NGA FAMILJA E TIJ-

NGA DALIP GRECA

 Dita e Mërkurë, 13 Prill 2022, na e mori Zef Balën.Në mesditën e djeshme, ish kryetari i Vatrës Dritan Mishto më telefonoi duke më paralajmëruar se Zefi po kalonte caste të vështira. Ai kishte marrë një telefonatë nga familja se gjendja shëndetsore e Zefit ishte rënduar.Kisha 10 ditë që nuk kisha mundë të flisja në telefon me Zefin dhe iu luta Dritanit nëse ishte në gjendje të komunikonte t’ma mundësonte bisedën. Por ishte vonë. Zefi nuk i kishte hapë sytë. I kishte dëgjuar zërin.Kur doli nga shtëpia e Baljave në Çapakua, rreth orës 4 e 30 Pm, Dritani më shkroi:”Ësthë e pamundur telefonata. Ai është pothuaj i tretur.Zoti qoftë më Të!

       Më pas komunikuam sërish me Dritanin.Më tha se po kalonte çaste e fundit. Një ndjenjë dhimbje ma pushtoi shpirtin. Ndërsa prisjan lajmin, Dritani më shkroi në orën 7 e 30 të mbrëmjes:Zefi ndërroi jetë!E ngushëllova për humbjen e mikut të tij dhe timin.

Më pasë nisëm komunikimet me vatranët dhe ngushëlluam njeri-tjetrin: Fillimisht më telefonoi Presidenti i nderit i Vatrës, z. Agim Rexhaj, i cili sapo kishte komunikuar me familjen.Pas tij kryetari i Vatrës z.Elmi Berisha.Ngushëlluam njeri-tjetrin. Komunikimet vijuan me editorin e Diellit Sokol Paja,që ndodhej në Pensilvani, me Idriz Lamaj, Asllan Bushatin e të tjerë. Të gjithëve na ka tronditë ikja e Zef Balaj. Ai nuk mundi ta fitonte betejën me sëmundjen e rëndë, betejë që vazhdoi për nëntë muaj.

Duke i përcjellë ngushëllimet familjes, miqëve dhe të gjithë vatranëve, lutemi për shpirtin e Zefit-Pushoftë në Paqe!

  Në pritje të informacioneve nga familja, po përcjell historinë e arratisjes të familjes Balaj në kohën e diktaturës komuniste, 71 vite të shkuara, histori që ka përmasat e legjendës, histori që ma ka treguar vetë Zefi.

                          *** 

Në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951 familja Balaj përkujtonte në Mëzi të Pukës, në vendlindje, festën e Martirëve- Apostuj: Shën Pali e Shën Pjetri, që është e shenjtë për Fisin Kabashi.Pikerisht naten e shenuar nisi historria me permasat e legjendes. Ndoshta mrekullia ndodhi nga që apostujt e morën në mbrojtje këtë familje fisnike për ta shpëtuar nga rrethimi komunist dhe për të realizuar ëndrrën e  lirisë amerikane.Edhe pse për dy net shtëpia u mbajt e rrethuar nga Forcat e Ndjekjes,familja Balaj, e ndihmuar nga nacionalistët e arratisur në mal, ia arriti që ta çajë rrethimin pa viktima….Të gjashtë pjestarët e familjes dolën shëndosh e mirë edhe pse ranë në pushkë…

        Në kujtesën e Zef Balaj, aso kohe një fëmijë 9 vjeçar, ngjarja ka ndodhë kështu: Familja Balaj në Mëzi të Pukës po përgatitej për të festuar Festën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit. Familja e madhe po mblidhej bashkë,kishin ardhur edhe vajzat e dhëndurët. Njëri djalë i familjes, Pjetri, ishte roje pyjesh aso kohe.Ndërsa kthehej për në Mëzi atij i çon fjalë dhëndri, Jak Mirakaj, që të merrte të shoqen, vajzën e Balajve në Iballë dhe do të takoheshin për festë në Mëzi. Pjetri dhe motra udhëtojnë për më shumë se dy orë prej Iballe. I ka zënë nata në Arest-Miliska. Ecin nëpër terr. Diku në qafë  Grie,afër shtëpisë Balaj, Pjetrin e ndalin  ushtarët e Mbrojtjes. Pasi e verifikojnë se kush është e urdhërojnë: Motra të shkojë në shtëpi, ndërsa ti na duhesh, do të qëndrosh sonte me ne për një detyrë të veçantë!

Për Pjetrin nuk kishte zgjidhje tjetër, urdhëroi motrën që të shkojë në shtëpi dhe vetë qëndroi me ta. Komandanti, duke e konsideruar Pjetrin të sigurtë, njeri të besuar,i tregon se atë natë në Mëzi pritej të vinin diversantët për tu furnizuar me ushqime.  

Madje ai ka treguar edhe planin që kanë hartuar:-Do të rrethojmë shtëpinë, bazën ku ata do të shkojnë dhe do t’i kapin në befasi ose do t’i vrasim. 

Pjetri tronditet por nuk e jep veten, ndërsa komandanti flet për shtëpinë, që do të rrethojnë. Fillimisht Pjetri nuk e di se bëhet fjalë për shtëpinë e tij.Kur e mësoi,heshti dhe nisi të mendojë se si do të dilte nga kjo situate e rëndë. I duhet të durojë, të duket i qetë dhe të presë momentin për ta ndihmuar familjen. Ushtarët e mbrojtjes i afrohen shtëpisë dhe qëndrojnë para saj, në distancë nga hyrja, përrreth gardhit.

-Ja kjo është shtëpia-, thotë komandanti.

Pjetri guxon dhe e pyet: A e keni verifikuar mirë se mos nuk është e saktë informata? A është kjo shtëpia ku do të vijnë diversantët?

-Po po, thotë komandanti, pse po dyshon?

Pjetri nuk e jep veten. Mirë që nuk ia shquanin fytyrën në errësirë se i ishte bërë meit. Një luftë e brendshme zhvillohej në shpirtin e tij duke menduar rrethimin, ardhjen e mysafirëve të malit…Situatën në të cilën do të ndodhej familja dhe ai vetë…

Po i thotë edhe një herë komandantit: -Ndoshta ata që ua kanë dhanë informatën, kanë dashtë me u çorientuar, se kjo që kemi rrethuar s’mund të jetë bazë për diversantët, ajo është shtëpia ime.

– Kemi urdhër të rrethojmë këtë shtëpi, thotë komandanti prerazi. 

Pjetri ka heshtë sërish… është ulë me komandantin nën hijen e manit dhe po mendohet. Dikur po i thotë:- Me sa shoh kemi për të qëndruar gjatë këtu. A po më lejon të hyj në shtëpi dhe të sjell ca mish ferliku që është gati për festë e ca raki se na griu urija?

–  Mirë i thotë komandanti,- shko, por kujdes, asnjë fjalë….

Pjetri sapo hyn i afrohet vëllait Gjelosh dhe i tregon me një frymë për rrethimin jashtë shtëpisë. Shtëpia ishte e mbushur plotë, ishin aty edhe tri vajzat e shtëpisë me burrat e tyre, dhëndurët e familjes Balaj.

– Po po, e mora vesh, po i thotë i qetë Gjeloshi, ma tregoi motra Lusha, dhe shton: dy kaçakë(diversantv siç i quante sigurimi) do të vijnë sonte për furnizim me ushqime. Kjo dihet, jemi njoftuar. Do të ikim me ata, por lusim Zotin që të mos bien në pushkë me ata që na kanë rrethuar.

– Po si do t’ia bëjmë?- e pyet Pjetri. Po sikur të vjnë ata të malit dhe të bien në rrethim?

Bëhej fjalë për Pashk Ademin, Nua Lush Mirakaj e të tjerë që priteshin nga çasti në çast.

-Shohim e bajmë,ata do të vijnë, është e sigurtë se kanë nevojë për ushqime, po ti shko që të mos tërheqësh vemendjen e komandantit. Shpejt e shpejt u lidh fjala: Kush të shpëtojë, takimi në Bjeshkë…

Pjetri merr mish e raki dhe kthehet tek forcat e mbrojtjes. 

Ndërsa jasht hahej mish e pihej raki, kanë ardhë fshehtazi për furnizime njerëzit e malit,duke lëvizur barkazi përmes arës me misër dhe kanë hyrë nga dera e pasme e shtëpisë. Ishin Pashk Ademi edhe Nush Lush Mirakaj.

   Gjeloshi, pasi i ka furnizuar me ushqime, u thotë që të ktheheshin sa më shpejt, që të mos tërhiqnin vëmendjen e ushtrisë që e mbante të rrethuar shtëpinë. Ata lanë vendin e takimit për të nesërmen në darkë,në bjeshkë dhe  largohen pa ra në sy.

Kur ka ra drita komandanti i ka thënë Pjetrit: Shko ti Pjetër fli e shlodhu se na duhesh natën tjetër prapë. Ata nuk erdhën deri tash, por jam i sigurtë se do të vijnë natën, thotë komandanti.

Shkoi Pjetri. Natyrisht që nuk mund të flinte. E diskutuan me Gjeloshin se si do të vepronin. Koha nuk priste.Patjetër duhej vepruar shpejt. I pyetën dhëndurët dhe motrat se kush ishte gati me dalë në mal e me u arratisë.Kush nuk kishte mundësi për shkak të lidhjeve familjare, gjendjes shëndetësore, e gjendjes së familjeve, duhej të largoheshin menjëherë, pa u kompromentuar, pa ra në sy të pushtetarëve komunistë. Nue Marashi prej Fierze, që ishte martuar me njërën nga vajzat e shtëpisë Balaj, thotë se nuk mund të arratisej. Edhe Palok Marku, dhëndri tjetër, tha se nuk kishte mundësi të arratisej.

-Ju, u thotë Gjeloshi dhe Pjetri, duhet të largoheni sa më shpejt, që të mos u zërë nata këtu se, ndryshe iu piu e zeza. Mos u bëni pjesë e arratisjes tonë.

Familja Balaj qëndroi atë ditë në shtëpi duke kryer secili punët e veta normalisht. Në mbrëmje sapo nisi terri, kanë lënë sofrën e festës shtruar, dhe kanë dalë e janë ngjitë në bjeshkë, pa ra në sy të askujt. Në Bjeshkën e Dardhës u takuan me kaçakët e Pukës dhe të Mirditës.

Nga ana tjetër forcat e mbrojtjes kanë mbërritë pak ma vonë, pa e lajmëruar Pjetër Balën dhe e kanë rrethuar shtëpinë njësoj si natën e mëparshme. Kanë ndarë detyrat mes ushtarëve dhe po presin të sigurtë se atë natë nuk do të dilnin bosh. Janë të sigurtë se “mysafirët” e malit do të vinin. Komandanti kishte thënë se ndoshta informatori kishte ngatërruar natën e ardhjes së tyre. Pritën ashtu në heshtje të thellë deri në mëngjes kur ra drita. Bagëtia nisi të blegërinte. Pulat po zbisnin nga kotecët.Qetësi… Asnjë lëvizje njerëzish…Asnjë frymë e gjallë njerëzore…Komandanti vetë në krye urdhëron ushtarët dhe nisen drejt shtëpisë të shohin se çfarë po ndodh brenda saj. Kur hapën dyerët e mësuan të vërtetën. Sofra ishte shtruar, plot me ushqime. E kuptuan se familja është larguar gjatë mbrëmjes, pak më përpara se ata të vendosnin rrethimin. Menjëherë u dha urdhëri për zënien e shtigjeve nga mund të kalonin. Caktuan një fshatar që t’i merrte bagëtitë për t’i dërguar në qendër të lokalitetit, në Iballë. Familja, nga maja e bjeshkës,ku po qëndron e fshehur, po i sheh bagëtitë që ecin varg të shoqëruar nga bashkëfshatari i tyre Mëzias. Nxehet Pjetri dhe bën gati pushkën: – Do ta vras,- thotë.

-Jo ia kthen Gjeloshi, nuk është ai fajtori. Atë e kanë detyrua, harroji bagëtitë, të shpëtojmë njerëzit…

  Në zonë ishte dhënë alarmi. Forcat e Mbrojtjes kërkonin gjithandej. Masa e parë që morën ishte bllokimi i Vaut të Dardhës, ku mendohej të kalonte Drinin familja e arratisur. Për rreth tre javë familjes i duhej të qëndronte në mal e fshehur. Ushqimet u mbaruan pas dy javësh. Nuk kishin rrugë tjetër veçse të ushqeheshin me lende dushku, kujton Zefi.

Ndërsa forcat e Mbrojtjes po i kërkonin, luftëtarët e Pashk Ademit, përgatisnin mbartjen e familjes dhe shpëtimin e saj duke menduar për ta nxjerrë përtej kufirit. Pal Bib Mirakaj, Gjon Gjinaj, Marka Zef Ndreca, rreth 20 luftëtarë janë bashkuar, kanë marrë edhe familjen Mhilli dhe të dyja familjet i kanë përgatitë për të kaluar Drinin në vaun e Dardhës, ndërkohë që luftëtarët e tjerë nacionalistë vazhduan rezistencën në bjeshkë me forcat e ndjekjes, duke siguruar murin mbrojtës.

Zefi, që aso kohe ishte një fëmijë 9 vjeçar, kujton se nacionalistët kanë marrë me vete edhe një viç(tek shtëpia Mhilli) dhe pasi e kaluan Drinin mbërritën në Qafë të Zogajt të Gjakovës dhe atje e prenë viçin dhe e gatuan për të shuar urinë.

-Aty, thotë Zefi, kam pa se si zihej viçi në plëncin e vet, pa pasë nevojë për enë kuzhine.

Në kujtesën e Zefit ka mbeti momenti i kalimit të kufirit. Ishte natë. Qetësi që trembte jo vetëm atë që ishte fëmijë, por dhe të rriturit. Pal Bibë Mirakaj u ka dhënë udhëzime se si duhej të kalohej kufiri dhe ka bërë përpjekje për t’u larguar frikën të vegjëlve. Ai porosit të vegjlit që të kapeshin përdore me të rriturit dhe të mos i lëshonin.Ai i parapriu të vegjëlve për ndonjë përplasje me forcat e kufirit, duke u thënë se ne bëjmë edhe lojra e qesim pushkë… Ju, nëse dëgjonin ndonjë të shtënë, të mos frikësoheshin por shtrihuni përtokë dhe prisni.…Pikërisht në një moment të atillë, kur kanë plasë krismat, Zefi nuk është shtrirë batrkas, por ka ecë përpara me Pjetër Smajlin. Ka humbë për një moment, kur të tjerët kanë qëndruar në vend. Nëna jep alarmin se nuk po e gjenë. Kthehet pas Pal Biba dhe i merr ata që kishin mbetë pas dhe i bashkon të gjithë bashkë, duke I gjetur edhe Zefin me Pjetrën.

… Kështu shpëtuan nga forcat e ndjekjes dhe u dorëzuan në postën më të afërt…. 

I çuan në Kosovë në Bobajt e Brokës, prej andej i lëvizën disa herë. Në Kosovë qëndruan 10 vjet. Familja u dërgua në kampin famkeq të Gerovës, nga ku u arratis së bashku me familjen Perpepaj. Nga Kosova në Itali(ku qëndruan dy vjet) e prej andej në Amerikë. Kur arritën në Amerikë familja Balaj përbëhej prej 11 vetash, sot janë rreth 70. Në Kosovë lanë një pjesë të dhimbjes, dy fëmijë të Pjetrit dhe një të Gjeloshit, të cilët vdiqën foshnje të parritura…Ja kjo ishte historia që familaj Balaj e kujton gjatë çdo feste të Shën Palit e Shën Pjetrit! Një histori për të mos u harruar, me të cilën ushqehen brezat! Një histori me përmasat e legjendës, që përcjell mesazhin se mrekullitë ekzistojnë…. 

     ***.

Zefi sapo erdhi në Amerikë punoi fort. Bënte dy, ndonjëherë edhe tri punë. U vendos në Bronx, ku dhe kostoja e jetës ishte me ulët dhe mundësitë për punë më të mëdha.Dalëngadalë e zuri veten, vuri pasuri me djersë. Bleu ndërtesën e parë, pastaj të dytën, të tretën, të katërtën me radhë.U vendos me shtëpi në një zone te shtrente, ne Chappaqua, ku jeton edhe sot familja. Pasurinë nuk e kurseu për çështjen kombëtare. Para pesë dekadash u anëtarësua në Vatër. Agim Rexhaj, president nderi i Vatrës, më tregoi se u takua me Zefin në vitin 1985 dhe ishte ai që e çoi drejt Vatrës. Dhe që nga ai moment nuk u nda më prej saj. Zefi, përherë bujar ishte ndër ata që dha shumë për Vatrën, siç dha edhe për  dekada edhe për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e cila e kishte pjesë të bordit të saj, por edhe Vatra e kishte zgjedhë në bordin drejtues. Para se të sëmurej, Zefi ishte anëtar i kryesisë së Vatrës, njëri prej vatranëve më të respektuar. Ai u nderua nga Vatra me Mirënjohjen e Artë për 50 vitet e tij në Vatër. Zefi ishte një nga donatorët e mëdhenj të ndërtimit të Katedrales“Nënë Tereza” në Prishtinë siç ishte donatorë për shumë kisha dhe faltore të feve të tjera në vendlindje dhe në SHBA. Të shumtë janë shkrimtarëtdhe artistet që kanë prekur bujarinë e Zefit, i cili i ka sponsorizuar pa kursim.Zefi ishte nje patriot i perkushtuar qe e donte shume Atdheun dhe ndihmoi sa mundi.

Familja humbi njeriun e dashur dhe Vatra e Liga Qytetare -Shqiptaro-Amerikane, si dhe komuniteti shqiptar në SHBA, humbën aktivistin e shquar.Ngushëllime familjes dhe miqëve.

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, nderroi jete, Zef Balaj

TRI GJENERATA NË FESTËN E DY SHENJTËVE

June 29, 2021 by dgreca

TRI GJENERATA TË FAMILJES BALAJ NË FESTËN E DY SHENJTËVE, SHËN PJETRIT E SHËN PALIT/

Të hënën e 28 Qershorit, në mjediset luksoz të Royal Regency Hotel në Yonkers New York, tri gjeneratat e Familjes së madhe Balaj ishin mbledhur për të festuar festën e Shën Pjetrit e Shën Palit. Kjo është një festë e shenjtë për besimtarët katolikë, edhe për viset shqiptare. Kisha Katolike e kremton me solemnitet Shën Pjetrin e Shën Palin Apustuj, të cilëve Jezu Krishti u besoi lartësimin e Kishës Katolike. Ajo kremton dy njerëz që u persekutuan për vdekje, shënohet në literaturën kishtare katolike. Shën Pjetri e Shën Pali, para se të ktheheshin në shenjtë, ishin njerëz të zakonshëm; një peshkatar e një çadërpunues. Jeta e tyre përfundoi tragjikisht për shkak të urrejtjes kundër mesazhit që përfaqësonin, mesazh që nuk e mohuan deri në flijim të jetës.

Kisha Katolike e kremton festën e shën Pjetrit e Palit Apostujt çdo 28-29 qershor. Besimtarët u janë mirënjohës Shenjtëve sepse me gjakun e tyre mbijetoi dhe lulëzojë Kisha në shekuj. Dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës. Trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa ai i Shën Palit, në Bazilikën Ostienses në Romë.

   Familja e madhe  BALAJ,kurrë nuk ka heqë dorë nga festimi i festës së Dy Shenjtëve, edhe në vendlindje, edhe në Kosovë kur u arratisën për t’i shpëtuar përndjekjes komuniste, edhe në Itali ku qëndruan pak kohë, ndërsa në Amerikë festimi ka qenë përherë masiv, me shumë pjesmarrës.

Zef  Balaj, që ishtë në krye të festës këtë 28 qershor në Royal Regency, beson fort se fisi Balaj do ta vijojë edhe në brezat e ardhshëm t’i nderojë dhe të lutet për shënjtët. Fisi Kabashi, fis që i përkasin Balajt, e kanë të shenjtën festën dhe besojnë se festa dhe lutjet e ndihmojnë.

Zefi kujton se 70 vite të shkuara, në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951, familja pasi ka kremtuar Shenjtët në vendlindje, në Mëzi të Pukës,edhe pse e rrethuar, ka arritur që ta çajë atë dhe ka marrë rrugën e vështirë të arratisjes. Ai mendon se ishte dhe besimi tek shenjtët që ata si familje, në grup, me të rritur e fëmijë, arritën që të dilnin gjallë nga kufiri me tela me gjemba i Shqipërisë komuniste me ndihmën e grupit të nacionalisëtve që i komandonte Kolë Bib Mirakaj. Madje Zefi, fëmijë 8 vjeçar, në errësirën e natës e humbi përkohësisht familjen gjatë arratisjes, por Zoti, thotë ai- më bashkoi sërish.Ndoshta, mrekullia ndodhi nga që Apostujt e morën në mbrojtjen familjen fisnike.

Festa e 28 Qershorit e organizuar mbrëmjen e së Hënës kishte mbledhë të tri gjeneratat e familjes, pasardhës të  të ndjerit Gjelosh Balaj, të Pjetrit, dhe më të voglit të vëllezërve, Zefit. Janë rreth 100 pjesmarrës në këtë festë. Zefi i shoqëruar nga i biri Davidi, nipi Valentini dhe dom Nikolin Pergjini, u urojnë mirëseardhjen.

 Davidi si përfaqësues i gjeneratës së dytë, përcjell mesazhin e vazhdimsisë në emër të fisit Balaj dhe ndjehet i gëzuar që të tri gjeneratat e përjetojnë së bashku festën e Shenjëtve.

 Dom Nikolini ndez Qiririn dhe bekon darkën. Ai Lutet dhe uron familjen Balaj që festa t’i ndihmojë.

Zef  Balaj i drejtohet pjesmarrësve me urimin e përvitshëm, duke shprehur gëzimin dhe shpresën se të tria gjeneratat do të vijojnë ta çojnë më tej traditën e trashëguar.

Përveç familjes së madhe Balaj, miqëve të tyre, të ftuarit e festës, ishim dhe ne tre vatranë: Agim Rexhaj-President nderi i Vatrës, Asllan Bushati-ish nën/kryetar i Vatrës dhe shkruesi i kësaj kronike. Z. Rexhaj na tregoi se ai ka 30 vjet që e ndjek familjen Balaj në festën e  Dy shenjtëve dhe ka përjetuar gëzimin e tyre.

Gjatë darkës u servirën ushqime të shumëllojta dhe pije, ndërkohë që të rinjët dhe fëmijët, kërcenin nën ritmin e valleve tradicionale shqiptare!(dg)

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Nata e 2 Shenjteve, Zef Balaj

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT