• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shtëpia muze e artistit shkodran

September 24, 2017 by dgreca

1 shtepia e zef

Nga Pjeter Logoreci/Vjene/

Gjatë shetitjes në qytetin verior të Shkodres, syrit të vizitorit nuk i shpëtojnë ndryshime të shumta në rrugët kryesore të qytetit (që tashti janë të gurta), po ashtu edhe në stilin e ngjyrën e fasadave të reja, të rikonstruktuara apo të përshtatura nga arkitektët, në mes tradicionales dhe modernes.  Në rrugicat e ngushta që degëzojnë nga shetitorja në drejtim të periferisë, vazhdojnë, aty këtu, të qëndrojnë në këmbë mure të lartë, të mbuluar me shermashek apo lule vile, karakteristike për shtëpitë qytetare shkodrane. Dyer të vjetra e të mëdha prej druri, mbyllin oborre të mbushur me trëndafila e lule të shumëllojshme e shumëngjyrash, apo ndonji cardak karakteristik i cili “vuan” nga  pesha e kohës apo nga mungesa e banorëve, të cilët kanë emigruar.

SONY DSC
Ndërsa pres kafen e mëngjezit, në një lokal pothuejse në pikën zero të qytetit,  më kuriozon “misteri” i një shtëpie tradicionale catia e së cilës shihet pas murit të lartë me gurë zalli në krah të kafenesë. Kjo ndertesë, e cila mban mbi kurriz peshën e dy shekujve, është foleja ku lindi dhe u rrit ylli i skenës teatrore, aktori shkodran Zef Jubani. Shtëpia edhe pse me vlera të mëdha etnografike, historike e arkitekturore, sot, nuk është një muze i hapur për të gjithë, por një banesë normale private, pjesë e inventarit të objekteve me vlerë dhe të mbrojtura të qytetit, qysh prej viteve 60-të.Përballja me derën e madhe të oborrit dhe avullinë e lartë shekullore, deshmitare të shumë ndryshimeve historike në qytet, më zgjuan dëshirën që ta vizitoj këtë shtëpi, që të shkruaj dicka për të sjell në kujtesën e bashkëqytetarëve këtë vlerë pothuajse të lënë në harresë. Edhe më përpara kam shkruar për disa shtëpi karakteristike të Shkodres, të ciIat i kam njohur privatisht në periudha të ndryshme të jetës, si: shtëpinë e Pashko Vasës, shtëpinë e familjes Ceka apo atë të Gurakuqit. Kësaj here, i shoqëruar nga të zotët e shtepisë, nipat e aktorit Zef Jubani, Cini dhe Viktori (të cilët i falenderoj miqësisht), pata mundësinë të përjetoj momente të bukura e krenari për këto vlera që Shkodra ka trashëguar nëpërmes këtyre familjeve në zë.

Shtëpia Muze Zef Jubani/

SONY DSC

Shtëpia Muze Zef Jubani, që gjindet në rrugën kryesore të qytetit ose në rrugicën Ndoc Coba, ka një histori afro 200 vjecare dhe është ndërtuar për ti shërbyer familjes shkodrane të Zef Mesit. Sipas familjareve, tregëtari Mati Mesi (pasardhësi i Zefit), i cili vazhdoj traditën e familjes së tij,  bënte tregëti me shumë vende në rajon. Ai ishte një burrë me kulturë përendimore pasi ishte i shkolluar në Venezia. Përvec se tregëtar, Matia njihej dhe si koleksionist i librave dhe fotografive me vlerë të cilat i blinte gjatë udhetimeve të tija jashtë vendit. Ai zotëronte disa gjuhë dhe instrumenta muzikorë dhe ishte ndjekës e pjestar i ahengut dhe grupeve muzikore shkodrane, ku më vonë do të bënte pjesë dhe dhëndrri i tij Cin Jubani. Pas vdekjes në moshë të re (nga zemra) të Matisë,  vajza e tij e vetme Roza, nëna e aktorit Zef Jubani, u martua me Cin Jubanin që vinte nga një familje e mesme qytetare, i cili e trashëgoj shtëpinë në fjalë.

Që në pamje të parë kuptohet se për mirëmbajtjen e shtëpisë nuk është bërë shumë nga shteti. Vetëm pullazi i shtëpisë është rikonstruktuar nga ndërmarrja e Monumenteve të Kulturës në vitin 2005-së, por në pjesët e mbrendëshme edhe pse ka disa probleme, nuk është punuar. Kati i sipërm i ndërtesës ka 5 dhoma të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën nëpermes një cardaku i cili deri nga fillimi i shekullit të kaluar ishte i hapur, por për nevojat e familjes është mbyllur dhe përdorur si sallon. Sipas kujtimeve të piktorit të madh Simon Rrota në ditarin e tij, shkruhet se pas termetit të vitit 1905, u bë e domosdoshme riparimi i shtëpive. Shumë familje shkodrane duke parë nga ana praktike shfrytëzimin sa më të mirë të hapsirave të shtëpive (edhe si pasojë e rritjes së fëmijëve), mbyllen hapsirën e stërmadhe të cardakut duke e ndarë atë në siperfaqe të banueshme e dhoma për familjarët.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Rindërtimi vazhdonte gjithnji, por jo ma me atë stilin e vjetër, e nevoja e madhe për ambiente bani me transformue shtëpitë, tue mbylle cardaqe të kotme, tue hjekë musandra e trapazana (Musandra: rafta të mdhej në qoshe të dhomës për me vendose dyshekë, jorgana, shilte, jastëke etj., gjana për fjetje. Trapazan: lloj mensolete druri e gdhendun qi zente pjesën e sipërme të nji faqe muri, përmbi musander, për me vendosë rraqe të ndryshme qi ka shpija, faqja e përparme e mbyllun me drrasë bojë të mbylltë të gdhendun), qi nuk nepshin kurrfarë dobije. “

Në një pikturë të varur në sallonin e shtëpisë me autor  vëllaun e aktorit, Mati Jubanin, vërehet pamja e plotë dhe origjinale e ndërtesës, ashtu sic ishte ndërtuar në fillim, ku për tu ngjitur në katin e sipërm shërbente një shkallë me gurë të latuar me harqe e qemerë.

Kati përdhes është ndërtuar për të shërbyer si bodrum ose ahur dhe komunikon me pjesën e banuar me një shkallë të mbrendëshme. Ahuri është i ndarë në disa pjesë, për ti mundësuar familjarëve vendosjen e objekteve të përdorimit shtëpijak, ushqimeve, pijeve, e sendeve të tjera. Në mes mureve të lartë, gjëlberon një oborr i mbushur me lule dhe pemë, ku dikur nuk mungoni dhe objekte të tjera si: kulla e sanës, jerevija, pusi apo lugu për larjet e rrobave.

Pesë dhomat (odat) e shtëpisë janë: oda e zjermit, oda e bukës e tri oda gjumit, të gjitha të stolisura me punime druri (lisit apo qershije) të gdhendur. Nga druri i gdhendur janë: raftet e murit (musandrat), kapaket e dritareve, pjesët e sipërme të murit (sergjijat) dhe tavanet ku varen ndricues plot elegancë, të një cilësie të lartë, të prodhuar në perëndim. Dy nga odat janë paisur me oxhakë të bardhë tradicional të punuar me mjeshtri në gips. Po ashtu nuk mungojnë objekte të tjera karakteristike si djepi në dru të gdhendur e ngjyrosur me motive të ndryshme  ku u rriten të gjithë fëmijët e familjes, por edhe arka e pajës prej drurit me motive të pikturuara.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Dishmohet që punëtorët që ndërtuen këto shtëpi ishin muratorë ose mjeshtra dibranë të cilët ishin shumë të njohur. ….Këto ustallarë ishin të veshun me dollama (veshje kombëtare, në formë pantallonash të gjana deri pak nën gju), me fesa tanuz në krye (fesa të kuq ngjyrë të mbylltë, jo të naltë, me nji tufë ngjyre blu të mbylltë qi ishte e kapun në majën e nji kordoni jo të trashë në të njajtën bojë si tufa), këpucë të kuqe. Karakteristika më e madhja e tyne ishte qeseri qi e mbajshin në brez. Ata ndërtojshin shtëpijat krejtësisht, pa inxhinier, ashtu në stilin e tyne (si i shohim edhe sot). Mjaftonte qi i zoti i shtëpisë tu diftonte dishirin dhe sasinë e odave, për me pasë nji shtëpi të ndërtueme. Ndër ustallarët që më bien ndër mend mue janë kenë të famshëm, ustah Jashari, ustah Muharremi, ustah Isaku, të cilët ishin teknikë të mirë në ndërtim muresh edhe me latue gurët me mjeshtri të madhe. Ndër katolike janë kenë vetëm Zef Marndreu, Pjeter Gjura, Lazer Sekuj, Mark Dibrani.

Duket se të parët tonë i kanë dhanë randësi të madhe dyerve të oborrit tue shpenzue shumë për punimin e gurëve (të latuem) e të harqeve të bukur, qi sot napin karakteristikën ma të madhe kur i shohim rrugës. Gjithashtu dyert i kanë ba të gjana sa me hi qerrja për cdo nevojë qi ishte p.sh. me shti arkën e nuses, dru zjerrmi, bastan, rrushin prej vneshtet etj.

…nji kujtim i mirë që ka mbetë ndër shtëpijat shkodrane janë punimet me daltë, të bame prej dibranëve tonë sidomos prej mjeshtrit qi ia mbaj mend emnin: Dan Celiketa, i cili ka punue shtëpinë të Sahati i Inglizit, të Lord Pagjot-it. Këto punime gdhendje në dru paraqiten shumë të bukura dhe ekzakte në pikpamje të vizatimit si dhe simetrike si në tavane, trapazana, rafta, dyer. Kto lloj punimesh gjinden ndër shumë shpija të vjetra të Shkodres megjithëse stili i tyne perkon i gjithi me stilin Arab, Persian, Turk Oriental, me nji fjalë nji Bizantinizëm i plotë, qi me kohë vendi jonë i bani për vedi, i edukuem në atë mënyrë mbasi kishin kontakte të ngushta me popuj në kohnat e Turkisë.

Familja Jubani, e cila gëzonte reputacion të mirë dhe kulturë e shkollim përendimor, bëri ndryshime cilësore duke futur elementë dhe objekte moderne në hapsirat e banesës së tyre. Vëndosja e dyerve, dritareve, orendive cilësore e të kushtueshme të firmave të njohura europiane, i dha shtëpisë pamjen e një epoke e kulture tjetër,  ndryshe nga stili oriental i banesës dhe ambienteve për rreth shtëpisë. Familja pat kontakte dhe miqësi me përsonalitete të vyer. Pjestarët e familjes kujtojnë që shpesh ndër odat e mëdha të shtëpisë, ku mblidheshin miq e të njohur, shfaqej film, ndigjohej muzikë e diskutohej për të rejat kulturore të kohës.

Edhe mjeshtri Simon Rrota në kujtimet e tija, shkruan për ndryshimet, modernizimin e ambienteve të mbrendëshme të shtepijave karakteristike të Shkodres.

…disa prej familjeve pasanike, tue kenë se shkojshin në Venedik (Venezia), mundoheshin me stilizue jetën me ndoj send tjetër qi shifshin atje si p.sh. ndonji pasqyrë të madhe me korniqe stilit barok etj. …Por ma vonë, të rijtë qi delshin jashtë për studime e panë vedin se sa mbrapa ishim prej popujve tjerë, athere filluen me ba martesa “alla franca”, me stolisë odat me mobilje, me ndërtue shpija moderne, tue lanë menjanë musandrat e trapazanat e tue marrë nji drejtim tjetër e ma të përparuem, simbas kohnave qi jetojmë sot.

Një vlerë tjetër e shtëpisë muze Jubani është se në këtë shtëpi lindi me 2 dhjetor 1910 Artisti i Popullit, aktori  Zef Jubani, i njohur si Harpagoni shqiptar. Zefi ishte fëmija i katërt i Cinit dhe Rozës Jubani. I rritur në një ambient familjar ku muzika, letërsia e arti ishin pjesë e jetës, Zefi u bë një nga korifejtë e skenës teatrore shqiptare duke arritur kulmin me realizimin e roleve më të vështirë nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në një nga odat e shtëpisë muze ruhen shumë objekte me vlerë muzeale që përfaqësojnë aktivitetin në skenë të këtij personaliteti, trofe të ndryshëm, dekorata, fotografi historike e artistike, dëshmi e tituj nderi. Por, ndër objektet e vecanta që i perkasin jetës së tij artistike është paruka që ai mbajti kur luajti në mënyrë brilante, në teatrin e Shkodres, rolin e Harpagonit si dhe titulli ARTIST I POPULLIT, i shoqëruar me medaljen perkatëse. Në qëndër të dhomës, në mes të ralikeve të familjes, më tërheq vemendjen një bust i aktorit i punuar me mjeshtri nga artisti shkodran Kolec Ljarja. Për ato që e kanë njohur Zef Jubanin, ngashmëria është e përkryer. Ndërsa, mbi dyshemenë e vjetër, përballë Zefit – Bust, bri oxhakut karakteristik oriental, i ruajtur në mëndyrën më të mirë të mundëshme, ndodhet  djepi-shtrat ku u rritën pjestarët e familjes së Cinit, ndër to edhe Zefi.

Në muret e odës varen perlat e fisit, foto të vjetra, që janë historia e familjes e që duhet të jenë nga fillimet e fotografisë Marubi. Më e hershmja është ajo Zef Mesit me grue,  më pas Matia i biri i Zefit me grue Ninen (viti 1878) dhe me familjen e tij e ndjekur nga fotoja familjare e Cin Jubanit me Rozen e fëmijet (ndër to edhe aktori Zef Jubani). Natyrshëm, po e mbyll këtë shkrim, duke pasë bindjen e krenarinë, që në Shkoder qytetaria jeton, në shumë familje të cilat janë dhe mbesin elitare, për kulturën e traditat familjare që trashëgojnë.

Vjene, me 18.09.2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: Pjeter Logoreci, Shtepia muze, ZEF JUBANI

I PAPËRSËRITËSHMI I SKENËS SË TEATRIT TË SHKODRES ARTISTI ZEF JUBANI 1910-1958

July 6, 2014 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/
Artisti i madh i skenës së teatrit të Shkodres, aktori i papërsëritëshem i Shek. XX, Zef Jubani, ka lé në Shkoder në vitin 1910 dhe ka vdekë në vitin 1958.
Aty nga viti 1952, ishe fëmijë kur një shok i imi Nikolin Prendushi na çoji në një shtëpi të vjeter shkodrane, në rrugicen e kinema Verorës, tek Cin Jubani. Pritja e asaj familje bujare na dha shkas me shkue edhe herë të tjera… Shtëpia kishte një oborr të madh dhe me pemë frutore. Kalonim orë tue luejtë n’ atë ambjent të bukur e terheqës.
Një ditë porsa mërrijtëm na doli tek dera axha i Cinit, aktori i teatrit Zef Jubani, dhe na drejtoi nga një pemë e madhe me fiq… Poshtë kishte ndertue Ai vetë disa vija uji, ku kishte vue edhe disa anije të vogla prej druni që dukeshin se po lundronin nder ata vija lumejsh mbi të cilat, me shumë kujdes ishin vendosë edhe dy ura. Nga një cep i atyne vijave Zefi hidhte ujin me një kovë dhe kalimi nder kthesa tue marrë me vete edhe anijet e vogla, krijonte një lojë aq të kandshme per moshat tona, sa Zefi na dukej se edhe Ai tashti, ban pjesë në shoqninë tonë. Ishte knaqësi e madhe kur qeshej me shpirtë!
Gjithnjë mendonte per një tjeter lojë të panjohun prej nesh! I dashtun, i pritun, i palodhun dhe dashamirës tej mase e shpesh, edhe “moshatarë” me né!
Mbas pak vitesh, mërrijta me kuptue se kush ishte në skenen e teatrit Ai Artisti që lonte tre ase kater vjet perpara me ne fëmijët në oborrin e shtëpisë së Tij! Shfaqja e parë që e kam pa në skenë Zef Jubanin, asht kenë “Koprraci” i Molierit… As atëherë, as sot, nuk mund të pershkruej emocionet që u sillte gjatë shfaqjes spektatorëve shkodranë!
Ndoshta, pershtypjet tona që nuk kishim pa shka bahet nder skenat jashta vendit tonë, asnjëherë nuk do të percaktojnë kush ishte aktori Zef Jubani? Ndersa, nga shumë intelektualë të njohun si Profesorët Simon Rrota, Gasper Ugashi, Kolë Ashta, Don Mark Hasi etj., që kanë pa edhe skenat e teatrit t’ Italisë, kam ndigjue pothuej nga të gjithë se: “Po të ishte artisti Zef Jubani nder skenat e tyne, dhe të lonte rolet që ka luejtë si aktor në Shkoder, Ai do të lente gjurmë të Pavdeksisë së Tij edhe nder skenat e tyne atje!”
Vlersimet per rolet dhe interpretimet e Zef Jubanit, pothuej nuk kanë mungue…
Po, nuk besoj, se mund të kishte ngja në një tjeter vend t’ Europës, që dy ditë para se të inaugurohej një teater i ri nder ata qytete, me vdekë në skenën e atij teatri një artist kaq i madh sa Zef Jubani, dhe mbas dy ditësh teatrit të rij me i vue emnin e një prej shkrimtarëve që nuk besoj se ka mendue me kenë ndonjëherë “artist”!?
Migjeni si shkrimtar ka vlerat e veta, dhe as nuk kam nder mend me i analizue ata, po, në skenen e teatrit të qytetit të Shkodres, nder ata “germadha” që kanë mbetë deri nder ditët tona, janë krijue vepra të mëdha, janë interpretue dhe kanë lanë gjurmë aty artistë që nuk i vijnë kurrma Shkodres, janë trashigue brez mbas brezi të gjitha ato vlera që nuk po persëriten asnjëherë, dhe mbi të gjitha edhe pse temelet e artit teatral në Shqipni ishin të vueme mbi Gurët e Rozafës Ilire, prapseprap “antishkodranizmi” i terbuem nuk u denjue me nderue me Emnin e Zef Jubanit, as teatrin e ri… Kjo nuk asht pakujdesi ase imponim, po asht injorancë e shartueme me fanatizem!
Ata ngjarje që po “lulzojnë” në Shkoder, janë shumë tronditëse!
Po Rinia Shkodrane, a do të pajtohet neser me veprat e baballarëve të vet?!
Nuk besoj! Bashkia e Shkodres nuk asht “hotel”…
Zgjohuni! Veni Emnat e Nderuem aty ku duhet!

Melbourne, Korrik 2014.

Filed Under: ESSE Tagged With: Fritz radovani, I PAPËRSËRITËSHMI, I SKENËS SË TEATRIT, TË SHKODRES ARTISTI, ZEF JUBANI

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT