Nga Mehmet BISLIMI /Zvicer/
Në mëdyshje: nga t’ia filloj më parë në mënyrë që të mos i futem në hak zotit Pllana si intelektual, si luftëtar i devotshëm, pa dyshim, mbi të gjitha si zë i parë i lirisë së shumëpritur!?
Do filloj nga të “tre”. Pa dyshim me barrën e frikës mbi supe, nëse do t’ia dal apo jo, që të ngërthej në këtë shkrim gjithë atë që është për t’u thënë, gjithë atë që duhet për ta thënë dhe gjithë atë që nuk është thënë deri më tani, pra kjo është çështja: Ta themi apo ta vrasim të vërtetën e madhe për njerëzit dhe veprimtarët e dalluar!?
Mendoj se e kemi borxh ta themi të vërtetën e madhe- në këtë mënyrë, ne kryejmë një obligim kombëtar e mbi të gjitha moral, çlirojmë shpirtin tonë nga Satani, dhe vetëm atëherë kur themi të vërtetën, do ndihemi të lirë, duke ua dhënë hakun meritorëve!…
Prof. dr. Nusret Pllana si luftëtar
Nuk do të zgjatëm shumë, ngase përkushtimi i secilit, sa do modest që të jetë, fletë vetë, flet me gjuhën e vet, flet me gjuhën e fakteve, flet arsyeshëm dhe gjërave iu thotë në emër të vet. zoti Pllana, ishte ndër të parët që pushkën e lirisë e kishte pjesë së përditshmërisë së tij, që nga dita kur fillojë lufta çlirimtare e deri atë ditë kur e drejta jonë për të jetuar të lirë triumfoi!
Dua ta kap vetëm një segment të jetës së tij. 2000 vjet rrugëtim të shqiptarëve nën pushtim, 100 vjet nën Serbi! Me përkushtimin më sublim të bijve tanë më të mirë – luftëtarëve të lirisë të cilët vdekjes i thanë – plaç!, në mesin e tyre edhe shumë dëshmorë të kombit (përkulemi përjetësisht para tyre), një grup intelektualësh, atdhedashës e liridashës, para së gjithash në krye me atdhetarët: z. Ahmet Qeriqi, z. Nezir Myrtaj, z. Martin Çuni, z.Ismet Sopi, z. Nusret Pllana, z.Habib Zogaj, z.Valdet Hoti, z.Fatmir Dugolli, z.Riza Berisha, z. Gazmend Elshani, z. Bajraktaraj e dhjetëra të tjerë – për të mos u hy në hak se do bëj mëkat të pafalshëm para sakrificës së tyre sublime, atë botë nga zemra e tokës shqiptare, nga malet e Berishës, së bashku me pushkët e para, kumboi edhe zëri i parë i lirisë:
“Këtu ju flet Kosova e lirë!”…,dhe kaq; nuk kishte nevojë për më shumë, për shqiptarët e zhuritur për liri, për më se një shekull nën pushtimin e egër serb, të kuptojnë se bijtë e tyre triumfuan, triumfuan mbi robërinë e zezë!
– Ky zë, kaq i fuqishëm, kumboi maleve, fushave, luginave dhe kreshtave të Kosovës, kumboi fort, duke pushtuar zemrat e liridashësve që nëpër istikame kishin vënë shpatullat e tyre të njoma për të mbrojtur atdheun tonë të dashur.
– Ky zë kumboi fort, kumboi fuqishëm sa dridhi themelet e Beogradit zyrtar.
– Ky zë, së bashku me pushkët e lirisë prishi përgjithmonë gjumin e Satrapit të Ballkanit, duke e përcjellë atë duarlidhur deri në Hagën e largët, nga ku nuk do të kthehet më.
– Ky zë kumboi fuqishëm në veshët e tij, fuqishëm, fuqishëm, mbase edhe më shumë se bubullimë e goditjeve të Forcave aleate të NATO-s, që ia dridhen edhe dheun nën këmbë,
derisa ai u dorëzua me flamur të bardhë!- Këtu ju flet Kosova e lirë!…, kjo nuk ishte pak, kjo nuk guxon të harrohet, kjo iu dha krih luftëtarëve të lirisë dhe popullit tonë të përvuajtur.
Po kush ishte ky zë me këtë vokal kaq të ëmbël, kaq të fuqishëm, kaq burimor, kaq autokton, kaq burrërorë, kaq shqiptar, me kaq ngjyra të bukura lirie, ky zë me këtë timbër të padëgjuar ndonjëherë më parë?! Po, ky ishte zëri i papërsëritshëm i zotit Nusret Pllana, i cili nga zemra e maleve të Berishës, mburojë me trupat e gjallë të Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, çau këmishën e zezë të robërisë shekullore, fuqia e të cilit kishte burimin tek pushkët e lirisë, tek zemrat djaloshare të luftëtarëve, tek zemrat e krisura të nënave, të motrave, të nuseve dhe të fëmijëve tanë që në mbamendjen e tyre u rriten me këtë zë. Ata sa herë që duan të kujtojnë shëmbëlltyrën e prindërve, të bijve dhe të vëllezërve të tyre, të rënë dëshmorë – po prapë dëgjojnë, për kushedi të satën herë, po këtë zë:
…“Këtu ju flet Kosova e lirë!”…
Nusret Pllana, si luftëtar, dha aq sa ishte në mundësinë e tij, si qindra luftëtarë të tjerë të lirisë, që ofruan jetën e vet në prehrin e atdheut- të gatshëm të vdesim si me le!…
Dhe nuk ka njeriu ç’t’i falë më shumë lirisë së atdheut veç jetës së vet! Këtë e bënë bijtë tanë, bijtë e lirisë, bijtë e shqiptarisë – si pakkush. Ata u buzëqeshin rrezeve të lirisë së këtyre tokave, që u shtrinë deri rrëzë maleve të Karadakut, ku Presheva, Medvegja e Bujanoci me rrethinë, po presin diellin e lirisë, po presin zërin e radios së shqiptarëve të lirë e të bashkuar! Po, pa më të voglin dyshim, të vetëdijshëm se aspiratat tona shekullore në tërësinë e tyre, nuk janë realizuar ende – mbetet shumë për t’u bërë e për t’u dëshiruar… Nga ky këndvështrim, zoti Pllana vari pushkën e lirisë mbi syrin e frëngjisë së kullës prej guri, dhe nuk e braktisi atë asnjëherë, pa dyshim, as kur mori në dorë një “pushkë” tjetër, pra ai mori penën e artë, dhe me të filloi luftën e re për të gjurmuar krimet makabre që pushtuesi gjakatar serb kishte bërë mbi shqiptarët duarthatë!
Profesor Pllana, i vetëdijshëm se borxhi ndaj atdheut nuk ishte kryer, ai me zell të madh prej intelektuali e atdhetari iu rrek një misioni tjetër po aq të vështirë, duke ia parashtruar vetes detyrë: të zbardhen e të denoncohen publikisht krimet që i bëri Serbia pushtuese e gjakatare mbi shqiptarët, për të zhveshë më tej enigmat e përgjakura shekullore nga thellësitë e nëntokës- atje ku i kishte futur e fshehur pushtuesi serb, me qëllim për t’i fshehë gjurmët e krimit para opinionit ndërkombëtar.
Duke u kthyer në fillim të shkrimit, që ishte edhe motivi i qasjes sime – për të bërë një shkrim modest me rastin e prezantimit të librit të prof. dr. Nusret Pllanës, që bëri para disa ditësh në Singen të Gjermanisë, ku mërgimtarët e shumtë ishin bërë një me kureshtjen, për të parë dhe dëgjuar folësin e parë të Radio Kosovës së Lirë!
Më tej, prezantimi i librit për të mos u hequr modest, ngase libri “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844 – 1999” i zotit Pllana, tani më është promovuar që sa kohë, ai tani ka marrë dhenë, që nga Gjermania, Franca, Italia, Zvicra, Austria, Hungaria, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Kanada, Amerika e deri në Australinë e largët. Me këtë rast, veç tjerash u dha edhe dokumentari: ”Pas 2000 vjetësh rrugëtim”, që u prit me një interesim të jashtëzakonshëm.
Për aq sa mund të them për librin, me gjithë dëshirën për të thënë më shumë, i vetëdijshëm se nuk do t’ia arrij dot, por nuk do të më linte vendi rehat pa shkoqitur diçka, diçka fare të vogël, diçka të bukur, diçka domethënëse.
Nuk ka qenë e lehtë për autorin që t’i futej një pune kaq të madhe si kjo, një pune kaq të rëndë e të mundimshme si kjo, pa dyshim një pune kaq të dobishme e krenare si kjo, të cilën zoti Pllana e ka bërë në shërbim të popullit shqiptar, i vetëdijshëm për pengesat dhe rreziqet e mundshme që do t’i haste gjatë rrugëtimit të tij, i vetëm fillikat, pa mbështetje të duhur, as logjistike, as materiale dhe as “artileri-ke”… I vetmi, siç e tha edhe vetë autori, ishte bacë Adem Demaçi, i cili zotin Pllana e kishte trimëruar, dhe kaq!
Ç’është e vërteta ky libër kishte thartuar hundët edhe administratës së UNMIK-ut, të cilët librin e zotit Pllana e shihnin si nxitje të urrejtjes nga njëra anë, por si për habi e më shumë paradoksale; UNMIK- nga ana tjetër, krimin serb që ishte ushtruar mbi shqiptarët nuk e shihte si nxitje të urrejtjes!, zoti i madh e toka trash- thotë populli ynë.
Ky libër nuk është thjesht sa për t’i thënë libër, sa për të shkruar dhe sa për të numëruar një libër më shumë në bibliotekat shqiptare dhe pa dyshim, botërore një ditë- jo! Libri i zotit Pllana: “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, është mbi të gjitha një dokument me vlerë të pallogaritshme për kombin tonë, është një akuzë publike para opinionit ndërkombëtar për krimet që shteti serb i ka bërë përgjatë e më shumë se një shekull e gjysmë kundër shqiptarëve liridashës e duarthatë, është dëshmi e kohës për krimet makabre të një gjenocidi të paparë, të ushtruara me një egërsi të papërshkrueshme, madje as në kohërat biblike, që pushtuesit e Serbisë fashiste, në kohë të ndryshme, por në vazhdimësi, me metodat e tyre më të egra i kanë ushtruar mbi popullatën shqiptarë duarthatë.
Këto krime Serbia i kishte fshehur prapa dyerve të rënda çeliku, të kyçura nën shtatë dryna, në bodrumet e arkivave të veta, ku pretendonte ta fshihte të vërtetën e tmerrshme. Kjo e vërtetë po priste një dorë të fortë, si ajo e zotit Pllana, për t’i shqyer ato dyer dhe për të nxjerr në dritë atë realitet sa të hidhur aq edhe të tmerrshëm, duke i vënë ato krime para drejtësisë njerëzore në rend të parë, po aq edhe para ndërgjegjes së bashkësisë ndërkombëtare.
Pa dyshim, madhështia e një vepre qëndron për faktin e thjeshtë, se ajo pasqyron realitetin, prandaj për zotin Pllana ka qenë sa e vështirë për ta bërë këtë vepër, aq edhe e lehtë!?
E lehtë, ngase zoti Pllana nuk ka pasur kokëçarje për t’i gjetur muzat frymëzuese, për të trokitur në portën e imagjinatës (e cila nuk vjen kur të duash ti) për të krijuar gjëra të paqena, gjëra të improvizuara, personazhe të imagjinuara, prurje të rrejshme, argumente të falsifikuara dhe të paqëndrueshme, fakte të zbehura e të tjera gjëra të shpifura, jo, prandaj…
Po, e rëndë, e rëndë ishte për zotin Pllana nxjerrja në dritë e kësaj vepre…
E rëndë ngase autori është dashur të përballej me një realitet të tmerrshëm, me pamjet e trupave të masakruar të fëmijëve, të grave, të pleqve, me plagët e pashërueshme mbi 100-vjeçare të popullit tonë të cilat ende po kullojnë gjak!… Ishte shumë e rëndë të përballeshe me ato pamje makabre… Po aq e rëndë ishte për t’i thyer ato dyer të hekurta prapa të cilave fshihej krimi… Po, e saktë, më se e saktë, ishte shumë e vështirë t’i nxjerrësh nga nëntoka serbe e krimit gjithë ato krime mbuluar me errësirë, për të ju dhënë atyre shpirtrave engjëllorë nga një copë qiell të kaltër lirie, ku ata do të fluturonin pavarësisht se me shumë plagë në shtat, ata në fluturim e sipër, në hapësirat e këtij libri do të dëshmojnë shëmtitë dhe egërsitë primitive të një shteti e veprimi barbar që mbanë emrin e një pushtetit gjakatar- Serb- Serbi!
Ky libër së bashku me këto fotografi, që flasin në të gjitha gjuhët e popujve liri e paqedashëse, fotografi këto që do të trokasin në çdo derë të botës së civilizuar, në çdo derë të diplomacive të mëdha, duke kërkuar drejtësi dhe vetëm drejtësi – me besimin se një ditë do të dënohet e denoncohet krimi, në mënyrë që drejtësia të mos hiqet stërkequr e zvarrë tërë jetën!
Më bërjen e këtij libri zoti Pllana sikur ka lehtësuar shpirtin e tij, dhe kurdo që të ikim në botën e përtejme, zoti Pllana do ta ketë shpirtin më të lehtësuar për punën që ka bërë në shërbim të drejtësisë, do të prehet i qetë ngase denoncoi krimin, krimin e paparë që Serbia gjakatare në vazhdimësi e kishte bërë mbi shqiptarët liridashës! Ky libër me sa zë që ka; kërkon drejtësi, ky libër është dëshmi e një kohe të pakohë, e një çmendurie njerëzore e shtetërore që mban vulën e krimit të shëmtuar serb. Ky libër është një akuzë publike që i bëhet krimit, i cili për të vërtetën e hidhur flet me zërin e vet. Ky libër do t’i hyn në shërbim drejtësisë dhe kombit tonë, pa dyshim dhe asaj ndërkombëtare.
Ky libër duhet të shpërndahet kudo në shtetet e botës, duhet të përkthehet në të gjitha gjuhët e botës, duhet të trokasë në të gjitha dyert e botës, duhet të vrasë ndërgjegjen e fjetur e të gjithë atyre që nuk ngritën zërin e arsyes kundër krimit!
Krimi duhet të denoncohet, krimi duhet të dënohet kudo dhe kurdo që ka ndodhur!