• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Xhevair Lleshi:NE PËRJETOJMË ZHVLERËSIMIN E NDRITUR TË LIBRIT

June 2, 2017 by dgreca

Intervistë me shkrimtarin dhe botuesin Xhevair Lleshi, Mjeshtër i Madh/

1-xhevair-lleshi-zyrePYETJE: Jeni prej vitesh në tregun e botimeve, por cilat janë vështirësitë me të cilat përballen sot shtëpitë botuese?

Xhevair Lleshi- Vërtet e ke? Pse, paska në Shqipëri shtëpi botuese? Jo, këtu nuk ka asnjë vështirësi! Po, ka njerëz të mërzitur, që nuk duan t’i shohin me sy librat, ka shkolla që kanë vënë gardhin urdhërues te dera e tyre kundër librave (se përse venë në shkollë fëmijët, hajde merre vesh!), por ka edhe libra të neveritur! Mësues që nuk kanë lexuar kurrë një libër! Tamam ka ardhur koha e zhvlerësimit të njeriut të ditur! Pa hile! Rritje biologjike dhe rrënim. Një pështirosje e pa treguar! Ja, këtë ndjen sot! Dhe ti më flet për të mjerat shtëpi botuese, ose për ata që lypin, hiqen zvarrë, presin e përcjellin ngushëllime për vdekjen e librit, tallje, gjuha e drunjtë përjashta, tregim me gisht, teknologji që po ecën turravrap bashkë me kallajin e dukjes njerëzore, thotë një poet. Një shëmti e  bujshme dhe e përbindshme, të tilla janë institucionet pa libra, bibliotekat që kanë harruar librat, libraritë shqiptare që nuk i pranojnë librat e shkruara nga shkrimtarët shqiptarë. Paskajshmërisht e hidhur, vetmi tronditëse, një gjendje e mynxyrshme,  ngujim i tmerrshëm. Dhe kompjuteri, ndërkohë, mrekullia e paskajshme, qeshet e qeshet si e zënë nga kolera e vjetër që rron në forma moderne. Dhe, fundja, kjo ndodh se njeriu është bërë i pasjellshëm në lirinë e demokracisë, me mendjen te zakoni i vjetër dhe me dëshirën e çmendur tek shthurja instinktive. Dhe, dihet kultura (pale libri i gjorë!) ka ikur për dhjamë qeni. Me librat nëpër këmbë, duke i shkelur për qejf, lozin trimërisht bigamia, incesti, pedofilia, gruaja e legalizuar si prostitutë, droga, urrejtja patologjike për njeriun e thjeshtë. Njeriun e zakonshëm, siç cilësohet nga të pazakonshmit, që mjerisht na drejtojnë. Fundja në këtë mjerim, le të botosh edhe libra… Apokalips urban, e ka quajtur Markuse, mungesën dhe trajtimin kështu të librave.

 – Një situatë që vijon problematike dhe për ju nuk ka ndryshim?

Xhevair Lleshi- T’i ndajmë gjërat: ti flet për të jetuar apo për të përparuar, për të ecur me kokën lart në biznesin tënd? Hm. Isha nxënës në maturë kur lexoja fshehur romanin e madh të Hygoit: Viti Nëntëdhjetë e tre. Ndjeja dhe nga kjo rrëqethesha e shqetësohesha magjishëm: po shihja njeriun mendjeftohtë, dialogun e fuqishëm, rebusin e pazgjidhur kurrë të gjakut, mosnjohjen, guximin e çartur, krimin, prerjen e kokave, flakën e pushkëve, vdekjen magjike, irracionalitetin e mrekullueshëm, absurdin e bukur. Dhe sot ja ku jemi: me shumë seks të nxehtë dhe pa dashuri. Njerëzit sikur nxitojmë të vdesin, duke mallkuar nënën që i solli në jetë? Sot ne vegjetojmë si në mitrën e nënës! Ah! Ç’mrekulli do të qe! Dhe nuk do ta dëgjoje më për librin, botimin, shitjet, lodrat, s’do t’ia dije ç’bëhej jashtë, s’do të kishe katrahurë rrotull, s’do dëgjoje për askënd që të të kallte frikën. Se punët janë mirë e tu mirë, apo jo? Jo, jo! Zvetënim, Tv, iPhone, iPod, Galaxy, civilizim i allasojtë (pa libra, domethënë me aq shumë libra që flenë nëpër librari, që shteti e ka humbur vulën (që mos iu duktë kurrë ajo vulë!) për librat, bibliotekat i ka kthyer në ahure, që nuk kujtohet asnjëherë t’u japë libra falas nxënësve dhe… policëve për kulturë, falas… FALAS? Ç’thua o i marrë! Mishmash trushkulës! Trysni e papërballueshme nga e Keqja! Kopeja e njerëzve ecën mbrapsht pa orientim. Marramendje e bukur, fasadë përndritëse, obezitet i mrekullueshëm, fytyra me temperaturë që shkëlqen. E kush do t’ia dijë më? Autistë të ngopur me këtë jetën tonë të lumtur, engjëj që s’bëjnë dot pa mëkate, të sëmurë mendorë kaq të bukur dhe simpatikë që të ngashënjejnë, paraplegjikë që luftojnë kundër monstruozitetit njerëzor (!), diçka e bryllët dhe po aq e neveritshme. Dhe ne flasim për situata problematike! Kuje e zezë! Ne jemi të kredhur në gjiriz. Një shtëpi botuese që pi sisë në gjoksin e ministrisë së arsimit, boton me tre emra të ndryshëm (që të fshihet si struci!) tekstin e anglishtes. Dhe e fiton. Pra, sot kemi tre «shtëpi botuese» të një njeriu me tre tekste «të ndryshme»! Dhe të gjithë ngrohen nën këtë diell. Shëmti dhe kutërbim i hatashëm. Dhe me që është fushatë zgjedhore, ky numërohet një sukses i madh! Kultura është bërë shpresa që zbrazet si trasta që s’mban më brenda as bukën e përditshme!…

 – Botuesit dhe Ministria e Kulturës, kjo e fundit si ka ndikuar gjatë këtyre viteve me politikat e saj?

Xhevair Lleshi- Pse, vërtet ju mendoni se ka politika të Ministrisë së Kulturës? Ministria duhet të ishte pranë çdo shtëpie, ku mblidhen mbrëmjeve njerëzit e familjes dhe ndodhen gjithnjë me veten e tyre para gjithçkaje. Këtu fillon çdo gjë: ose pranë kolltukëve të rehatshëm duke rrëkëllyer ndonjë gotë, ose flasin andej-këtej, lënë mënjanë ngjyrën e ditës dhe sikur harrojnë rruzullin e dehur. Pra politika kulturore është kudo: në familje, në rrugë, në institucione, në filma, libra, përkthime, në zyra dhe në vetë ministrinë tonë të dashur. Unë për vete si botues e kërkoj ku të mundem dhe në 26 vitet e mia si botues nuk e kam gjetur dot…

Ndryshe do ta kisha nxjerrë trishtimin, vuajtjen, dhimbjen, dashurinë, apo ndoshta do marrosesha pas grave të bukura! Dhe ndoshta kaq do ishte e mjaftueshme dhe një mrekulli. S’ka një zgjidhje, qoftë dhe sa për të thënë, për këtë mjerim të fshehur. Je i lënë pas dore. Gjeje vet zgjidhjen. Jemi bërë papritur eremitë të gotës dhe seksit, pa e vrarë fare, pa ndonjë parandjenjë, pa mistikë! Sepse tek ne njerëzit urrehen ose neveriten. Pale për kulturë që s’bëhet fjalë. Kap ç’të kapësh, rrëmbe ç’të rrëmbesh, s’ka më kohë, bëj kujdes të mos biesh në sy, dhe kujtdo luaja fenë!…

Politikat kulturore? E ku ka të tilla? Ik more tutje! Dhe mundësisht hidhja kësaj bote. Cilës botë? Asaj ku rrojnë fëmijët tanë? Ja, kjo nuk sillet më nëpër mend. Kjo! Aty ku rrojnë nënat tona? Kronikat e zeza e jetës sonë? Apo librat? Njëri më i pacipë se tjetri. Me tirazhe qesharake, shkuar për karton, të trëndafiltë, të mynxyrshëm, jashtë kohës sonë. Atje, tek librat e pëlqyer, pa fare politika kulturore është  krimineli i sotëm, pinjolli i tanishëm i velur i internetit, i dehuri xurxull prej lirisë, të gjitha gjërat që eglendisen jashtë kontrollit, banditi i dashuruar, vulgariteti dhe arroganca. Po mirë, pa na e thuaj ti ç’duhet të bëjmë! Eh! Ta dinim ne, ohu, ishim bërë ministra me kohë! Vulgu i mendjes hipën në pushtet, ekranizohet, bëhet kurdoherë me moral, i bën të vetat fëlliqësitë dhe banalitetet, madje edhe gajaset, lë mendtë dhe paratë (ou, ta marrsha të keqen!), dhe tani në fushatë zgjedhjesh as qesh e as trishtohet dhe end përplot ëndrra dhe sigurisht e ndjen veten të huaj në këtë botë! Kjo të jetë, thua ti?… Nuk e di.

 – Ministria e Kulturës ka krijuar një fond përkthimi, fond për krijimtarinë letrare. Në gjykimin tuaj si është kjo mbështetje?

Xhevair Lleshi- Në kaosin e përveçuar shqiptar, në ankthin e pashterur të krijimtarisë, në terrorin e përditshëm të librit rend frika mos e merr vesh Ministria e Kulturës, frika mos shkruan libër kryeministri…,  frika mos zhvillohet gara e «titanëve» të politikës që shkruajnë ndonjë libër dhe rrëmbejnë thërrimet. Tek ne realisht mungon institucioni i Kulturës. Jo Ministria e Kulturës që s’bën asgjë, jo! Ajo është qyp i shpuar qindarkash. Ditën numëron kacidhet, natën shyqyr fle, ndonjëherë tund ndonjë rreckë aktiviteti. Po. Ministria e Kulturës. Ajo është. Po ne, or miq, s’kemi kulturë. Familja po shkoqet trembshëm, hiri i lirisë fryhet si tullumbace që merr sytë protestuesve. Dhe librat shfryjnë qeset e parave dhe ulin dënimet e privatësisë. Dhe të gjithë duan të bëhen shkrimtarë, hajdutët nuk vjedhin më, aftësia ka filluar të ushqehet prej ryshfetit. Mos more! Ç’po na thua! Fonde ka dhe ti na i quan thërrime! Mirëpo qesen e zbrazi flladi që fryn për fresk… Dhe libri bëhet i ankthshëm, sepse krijimtaria letrare dhe përkthimi janë në evazionin fiskal, batërdia e të shkarrashkruarit sjell erë lufte. S’ka mbështetje për letërsinë shqipe. Dhe kjo duhet të jetë indirekte: librat që çon shteti në bibliotekat publike dhe të shkollave (aty ku mësohet!). Para, miq, ka vetëm për zotërinjtë e kamur që për fat s’paguajnë as taksa.Kultura tek ne është rrumpallë. Dhe mësuesi/ja i/e letërsisë s’merr dot frymë nga librat, ndonëse në reanimacionin ku dergjet i jep ushqim Shteti ynë dhe Ligji. O ç’shtet që kemi! Vaj medet, thotë kryeministri ynë, për kulturën. Dhe kjo bëhet kryefjalë e Kulturës për kohën e re! Po bien fort fanfarat e festës së librave. Qeveria ka hapur thesin!….

  – Ju jeni shprehur dhe kundër projektligjit për librin që ka publikuar Ministria e Kulturës në faqen zyrtare. Jeni shprehur kundër Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, për ju ku duhet të kishte pasur vëmendje puna me këtë projektligj, pra çdo do donit ju si autor por dhe si botues?

Xhevair Lleshi- Në këtë katrahurë kulturore dhe sidomos të Librit, ku varfëria po luan në skenën tragjike të mjerimit, ç’idealizëm kërkohet prej nesh? Të bëjmë të tjera therori? Jo, ka vdekur koha për therori. Histeri e çuditshme që shfren. Po. Unë jam kundër atij Ligji që nuk e mbron gjuhën dhe letërsinë shqipe, që nuk i mbron shkrimtarët shqiptarë, që hedh baltë mbi ta, sepse ne për fat kemi shkrimtar kryeministrin dhe dy a tre nga oborri kryeministror. Kaq mjafton. Se ato libra sigurisht të bëjnë të lumtur e të pasur. Dhe ne duhet të jemi të lumtur, apo jo! Kjo flet shumë për varfërinë. Dhe në varfëri s’i ndihet kakërrima Librit! Në kokrrat e misrit, megjithatë, janë gdhendur shkronjat e alfabetit. Tespihe që i tregon si anekdotë të jashtëzakonshme kryeministri përmes përrallave që mahnitin edhe fshatarët e luginave, që dëgjojnë sypatrembur e… të frikësuar, me aq tharm artistik sa të bie të fikët. Ne jemi dishepuj modernë të kulturës që mungon, të librit me shumicë që fle gjumin e lemerisur nën freskun e mrekullueshëm të qeverisë… Jemi në besën e saj, apo jo?

 – Me këto probleme që ju folët ku e shikoni sot ndihmën e ministrisë për librin shqip dhe autorët shqiptarë?

Xhevair Lleshi- Pse, mirë unë, po as ti nuk e sheh? E tmerrshme, e kemi kaq me bollëk dhe nuk e shohim! Ndihma e fortë, trysnia e talenteve të mëdha, etërit e lavdishëm të Librit, të pushtetshmit që kërkojnë mëshirë, mikpritja tradicionale që s’di pse i fut hundët te Libri, fresku i Fustanellës pranë shtëpisë muze të Kadaresë, besa e pafalshme e ministrave, falja e tmerrshme e popullit! Ç’janë këta burra që na çojnë zbathur të kullosim te Rilindja Kombëtare, të punojmë nëpër humbëtira kurrë të imagjinuara, të vetmuar humbameno, larg nga bota aktive e Kulturës dhe e Librit, me kthinat plot me libra edhe në gjuhë të tjera! Zhukat e moçalit dhe gjembaçët e djerrinës oshtijnë. Ja këtu, për fatin tonë të madhnueshëm, është fshehur ndihma e Shtetit tonë për Librin! Kush ka sy e shikon, kush ka veshë e dëgjon!

Në ministrinë e kulturës të flasin me zhargon rruge (kujtoni «Të mjerët»!), mezi zbythen edhe me delikatesë para provash heroike të ndihmës për librin, është shpallur në kërkim shkërdhatëria e krijimtarisë artistike dhe shprehjet e kulturës së lartë të Librit. Edhe morali, nëse vërtet ekziston. Neronët e Librit janë në fuqi, si njerëz të jashtëzakonshëm që i japin mundësi jete e kulture njerëzve të zakonshëm…

            Intervistoi Julia Vrapi

Filed Under: Interviste Tagged With: perjetojme, Xhevair Lleshi, zhvleresimin e librit

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT