Nga Sulejman GJANA/
“Mbreti vodhi floririn dhe paret e shqiptarëve” është ky refreni që republikat në radhë (dikatoriale, socialdemokrate dhe kriptokomuniste) kumbonin herë me zë “në akuta” e herë me zë belbacak, për 70 vite më radhë.
“Historianët”, “politologët”, “politikanët”, “filozofët”, “intelektualët” dhe shumica e krijesave të komunizmit alla-shqiptar të formuar në “shkollat” dhe “universitetet” enveriste, kanë mbajtur iso. Kori i mjeranëve.
Por sot nuk është më një këngë kundra mbretërisë së Ahmet Zogut, por një kaba qaramane që të bezdis veshin kur e ridëgjon për të satën herë sidomos nga goja e atyre që vazhdojnë t’i shërbejnë ideologjisë, kastes, rrjeteve dhe klaneve që shkatërruan shqipërinë dhe themelet e identitetit të kombit tonë. Ndërsa heshtja e këtij soji të pasoj sharlatanësh dhe manipulatorësh kundrejt krimeve që i bënë komunistët dhe neokomunistët pasurisë së Shqipërisë dhe Shqiptarëvet, është shurdhuese dhe e pa tolerueshme. Sot duhet kthyer shikimi pas…
Refreni: Mbreti Zog ka vjedhur floririn dhe paret e shqiptarëve”…
Rast ky unikal në botë ku “vjedhja” ndodh me vendim të organeve përkatëse, me proces-verbal dhe akte konform dispozitave ligjore. Aq më tepër kur floriri i “vjedhur” shpenzohet (po me proces-verbal dhe dokumentacion të arkivuar) në shërbim të të “vjedhurit”…
Refreni: Mbreti Zog ka vjedhur floririn dhe paret e shqiptarëve”…
Enveristet vodhën floririn (madje edhe atë me vlerë numizmatike) nga “bejleret dhe agallaret” e Mbretërisë Zogiste. E më pas e derdhën këtë flori në statuja prej bronzi, shtepi prej parafabrikati, statura prej allçie, bunkera të çimentuar dhe… në depozita bankare në Zvicer e gjetke. Madje binjakëzuan edhe lekun me dinarin dhe…floriri shqiptar mori rrugën Tiranë-Beograd. Më pas erdhën titanët, bijtë e enveristëve, kriptokomunistët, bijtë e bllokut që e çuan floririn, devizat dhe lekun shqiptar në zgrip. Terapia e shock-ut ishte vepër e një biri që babain e kishte kokekëmbë bllokmen.
Nëse Shqipëria kishte akumuluar një sasi marramendëse pasurie gjatë 11 viteve të Mbretërisë, çfar pasurie duhet të ishte akumuluar gjatë 45 viteve të diktaturës komuniste dhe pse nuk dëgjohet zëri i sharlatanëve për vjedhjen e kësaj pasurie dhe për shpenzimin e saj në dëm të Shqiptarëvet?
Refreni: Mbreti Zog ka vjedhur floririn dhe paret e shqiptarëve”…
Sudja dikur deklaronte shkallëve të pallatit ku ‘merrte e jepte para me thase’ : “nuk e dini ju se ne jemi komunistë, skemi lidhje me të deklasuarit” (vetëkuptohet, kur Sudja ishte “Shën Sudja e shqiptarëve të ’97-ës). Rrapush Xhaferi mbante mbi tavolinë paret e shqiptarëve dhe nën të, portretin e Enverit. Edhe ai i bëri rrush e kumbulla paret e shqiptarëve.
Nëse Shqipëria dhe Shqiptarët kishin fituar lirinë dhe kishin përqafuar armikun kapitalist dhe ekonominë e tregut, përse u lejua edhe njëherë “shtetëzimi” i pasurisë së akumuluar për 5 vjet dhe pse nuk dëgjohet zëri i sharlatanëve për vjedhjen e kësaj pasurie dhe për shpenzimin e saj në dëm të Shqiptarëvet?
Refreni: Mbreti Zog ka vjedhur floririn dhe paret e shqiptarëve”…
Në fillim të mijëvjeçarit të ri, mushkat e Krrabes mbartnin mbi shpinë floririn e shqiptarëve dhe thesari i shtetit u zhduk “pa nam, pa nishan”…dhe sigurisht pa fletë-dalje por me garancinë e mbylljes së çështjes dhe të…gojëve!
Nëse krimi i shumëfishtë që lidhet me të njëjten vepër penale e zbeh objektin parësor të krimit (pra kur sasia që e shkaktoi krimin humbet rendësinë dhe vlerën e saj) duke rritë shkallën e dënimit, pse nuk dëgjohet zëri i sharlatanëve për vjedhjen e kësaj pasurie dhe për shpenzimin e saj në dëm të Shqiptarëvet?
Refreni: Mbreti Zog ka vjedhur floririn dhe paret e shqiptarëve”…
Sot kemi mbërritur tek i fundit që s’po njeh fund. Fullani…i Bankës së kusarëve me kollarë të ngjyrosur sipas ngjyrës së siglës që merr-e-jep pushtet. Partitë politike ‘më të mëdha’ në vend, po kërkojnë tí japin ‘share’ aksioneve politike të Fullanit sa majtas aq edhe djathtas. Në fund të fundit janë në të drejtën e tyre demokratike të artikulimit të qëndrimeve politike, por…kabaja qaramane dhe heshtja shurdhuese vazhdojnë…
Refreni: Mbreti Zog ka vjedhur floririn dhe paret e shqiptarëve”…
Frengjishtja ka një shprehje idiomatike “maison de tolérance” (shtëpi publike, bordello)… Prej këtej në shqip mund të thuhet troç fare: “në shëpinë publike nuk mund të flitet për moral”.
Dhe shtëpitë publike të djeshme e të sotme vazhdojnë avazin: “Mbreti Zog ka vjedhur floririn dhe paret e shqiptarëve”… Sepse “e përdala të bën të përdalë”- thotë populli ynë.
Në këto rrethana, për të mos u përballur nesër as me ndonjë kaba qaramane as me një heshtje shurdhuese të sharlatanëve, Fullani do të bënte mirë të jepte dorëheqje.
Ndërsa refreni do të vazhdojë derisa populli shqiptar të zgjohet nga gjumi dhe heshtja në të cilat e kanë vënë melodia e saj.
* Kryetar i Partise Levizja e Legalitetit