• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VIRON KONA, PER TE TRETEN HERE NE SUEEDI

August 9, 2013 by dgreca

Viron Kona dhe “Zonja nga Borås”/

Shkruan: Sokol Demaku/

Përshëndetje miq suedezë dhe shqiptarë!Ja ku mbërrita për herë të tretë në Suedi.Prej dekadash, që në moshë të re, e kam pasur vazhdimisht ëndërr ardhjen në Suedi, në këtë vend të rrallë dhe të mrekullueshëm. Me ndihmën e miqve të mi suedezë e shqiptarë, e përjetova dhe u përkunda në këtë ëndërr, tashmë ndihem brenda saj, pranë zemrave dhe shpirtit suedez, bashkëkombësve të mi shqiptarë, mes miqsh që i dua vëllazërisht.Duke dashur të shpreh nderimin dhe mirënjohjen, krahas dy librave të mëparshëm:“Bukuri suedeze” dhe “Për Ju, miqtë e mi!”, kësaj here po ju kushtoj librin “Zonja nga Borasi”, ku kam përmbledhur disa nga krijimet e mia me motive nga Suedia dhe Shqipëria.Faleminderit!/Autori/

Duke u mbështetur në atë se gjatë leximit të librit më të ri të Viron Konës ”Zonja nga Borås”, lexuesi do ketë mundësi që vet, në bazë të mendjes së tij të shëndoshë, të bëjë ca krahasime mes realitetit shqiptar dhe atij të vendit nordik, pra, të Suedisë mike, siç e quan autori këtë vend skandinav.Ç`është e vërteta, në jetën shqiptare, ne hasim në gjëra të cilat, këtu në Suedi, as që mund të paramendohen se ekzistojnë, e autori, përmes përshkrimeve në tregimet e tij mundohet që lexuesit shqiptar t`ia përshkruaj dhe servoj në mënyrë që, edhe ky, të ketë njohuri mbi njerëzoren, të bukurën, respektin dhe ndjenjën. Këto gjëra, edhe për autorin ishin të panjohura deri me një kohë, kur ai vet, me këmbën e tij, shkeli tokën e Vikingëve dhe u bind në kulturën, traditën dhe sjelljen njerëzore të pasardhësve të vikingëve, suedezëve të sotëm.

Përmbajtja e tregimeve të këtij libri të V. Konës, me sa mundemi ne me konstatua është produkt i përjetimeve të autorit e, herë – herë edhe i refleksioneve nga ajo çka ai ka vërejtur, shijuar  në këtë tokë të ftohtë, me njerëz me zemër të madhe, në Veriun e largët, ku sot jetojnë numër i konsiderueshëm bashkëkombësish. Nëse kihet parasysh përmbajtja  artistike e librit, mënyra e të ndërtuarit të shprehjeve dhe paraqitjes së ngjarjeve të krijuara bukur në detajet artistike, me fakte dhe ngjarje reale të përjetuara nga jeta e përditshme  gjatë qëndrimit të autorit në Suedi, bashkëbisedat me miq shqiptarë si dhe suedezë e, të gjitha këto, të paraqitura në vargun tregimtar të Viron Konës janë një thesar për lexuesin. E kjo është një vazhdimësi krijuese e mirëfilltë e Konës sa i përket miqve të tij në Suedi, sepse ky është libri i tretë me radhë që ky ai ua kushton suedezëve dhe shqiptarëve në Suedi.

Viron Kona është bërë i njohur këtu me librin e tij për fëmijë “Bubulino”,  i cili, në mbështetje të Qendrës Kulturore Shqiptare “Migjeni” në Borås, u përkthye në suedisht, ku edhe u bë e mundur që Viron Kona të lexohet edhe në suedisht nga suedezët dhe shqiptarët që jetojnë në këtë vend nordik.

Por, në fillim, do të ndalemi tek elementi kryesor i jetës dhe zhvillimit të njeriut, tek kultura. E,  duhet ditur se kultura ka një gjerësi të jashtëzakonshme në jetën e përditshme. Si gjithkund në botë, edhe në Suedi kultura nënkupton jetën e tërësishme që zhvillohet në këtë vend. Rëndom kultura suedeze llogaritet si kulturë perëndimore dhe më saktë si kulturë nordike.

Në kuptimin më popullor kultura kuptohet si shprehje e veprimeve të dukshme dhe atyre që përjetohen si muzika, ushqimet, veshja, sjellja, biseda, ndenja, ecja, të gjitha këto janë elemente, të cilat kanë një ndikim në jetën e njerëzve.   Është   interesante se, në kuptimin shkencor dhe shoqëror, kultura thekson dallimet në vlera, në norma dhe institucione.

Një nga definimet për kulturën suedeze thekson se ajo është “Shuma e të gjitha shprehjeve të përfituara kulturore që ekzistojnë ose kanë ekzistuar tek komuniteti suedez i definuar në mënyrë historike në Suedi”. Mënyrat e definimit se çka mund të quajmë kulturë suedeze janë të diskutueshme edhe sot e kësaj dite ndër ekspertët dhe studiuesit e kësaj fushe.

Siç duket të gjitha këto që i përmendëm me lartë kanë lënë vragë në kujtesën e shkrimtarit gjatë kohës së qëndrimit të tij në këtë vend nordik dhe ato kanë gjetur vend në librin e tij.

Viron Kona e fillon librin e  tij “Zonja nga Borås” me tregimin kushtuar botanistit të njohur suedez Karl Line, të cilin tregim e pagëzon “Karl Line dhe mësuese Olga e botanikës”.

Përmes këtij tregimi autori do të shpje­gojë lidhjen e ngushtë, mes mendimit të njeriut dhe luleve, e këtë e vërejmë si më poshtë, “Mendimet dhe fjalët e urta e të shprehura bukur e me ndjenjë, e zbukurojnë shpirtin, njëlloj si lulet që zbukurojnë mjedisin, shkollat dhe shtëpitë tona”.

Por është interesant se autori që në fëmijërinë e tij ka ca njohuri për njerëz të mëdhenj në Suedi, të cilët kanë bërë zë dhe kanë ndihmuar njerëzimin me punën e tyre dhe të arriturat që ata kanë bërë në jetë. Kjo është pra lidhja që mësimi ka me realitetin, sepse që në kohë pra është ditur në Shqipëri për botanistin suedez Karl Line, pastaj fizikantin suedez  Anders Celsius. Por sot autori i kësaj buqete tregimtare shkel në truallin e  këtyre njerëzve të mëdhenj dhe, në përshkrimin që ai bënë, të duket se ai komunikon me Linen dhe Celsiusin. Ky tregim thënë drejt është sa narrativ por edhe edukativ e pedagogjik,  me kombinim të  shqiptares dhe suedezes, sepse qëllimi i tij në bazë të përshkrimit të ngjarje që autori u bënë na del me vlera të gjëra edukative. Përmes llojeve të  luleve ai na jep një “leksion” edukativ:

– Kjo këtu, është lule bonbone, se të vjen “ta hash” si një bonbone. Kjo tjetra, lule zjarri, se ka formën si të zjarrit. Eh, ja ku po krekosen mbreti dhe mbretëresha e luleve: trëndafili dhe karafili ! Shikoni, shikoni se sa rëndë qëndrojnë? Gjithë madhështi, sikur janë ulur në fronin mbretëror. E mbajnë kokën lart dhe kërkojnë që të gjithë t`u binden. Ja edhe zambaku donzhuan ! Si shumë po përkëdhelet kjo manjola bukuroshe, me këtë fisnikun tulipan ! – Pastaj vijonte: – Kjo mimoza, që shikoni këtu, dhurohet zakonisht për festën e grave. Kjo kacavjerrësja, me emrin edera, dhurohet për miqësi. Lule irisi, sjellë lajme të gëzueshme për ne. E shikoni margaritën? Kjo simbolizon zemërgjerësinë, mirëkuptimin, që ta falim shoqen dhe shokun, kur gabon pa dashje. Për lule borën, shpresoj se e dini, ajo është lulja e parë e pranverës.

Se shqiptarët dhe Shqipëria ka kohë që kanë pasur  njohje me suedezët dhe Suedinë, është më se e sigurt, e këtë e mësojmë dhe nga penda e autorit, i cili edhe vet përjetoi diçka interesante, trishtuese për kohën, dhe lehtësuese në kohët e hershme të rinisë së tij bashkë me shumë bashkëkombës. Në vazhdim të leximit të “Zonja nga Borås” do hasim në tregimin e thurur për mrekulli me titull  “Promeksi, suedez na shpëtoi nga pushkatimi politik”. Është koha kur në Shqipëri ndërtoheshin vepra të mëdha pune, vepra jetësore që vendi të ecte përpara, këtu e pesëdhjetë vite më parë. Ishin këto fitore pune të shoqërisë shqiptare. Ishte koha e ndërtimit të hekurudhës për në Librazhd. Një ndodhi e bëri të vetën gjatë kohës kur punohej. Personazhit të tregimit, pa dashje i kishte humbur broshura me fjalimin e  të parit të vendit, me fjalimin e tij, që ishte “dokument sekret” e rreziku ishte nga dënimi për këtë gabim që nuk kishte asfare rëndësi, por, koha…!!!

E, siç duket, autori për mrekulli gjen shkasin dhe arsyen që ky gabim (faj i rëndë për atë kohë) të mos të ketë ndikim askund, e, krejt kjo, falë Suedisë e suedishtes.

“… atë çast, u mbusha me një ndjenjë të re mirënjohjeje, e cila, kësaj here, ishte për suedezët, që banonin në Veriun e Largët të Rruzullit Tokësor. Veç ndihmës që i jepnin Shqipërisë për lehtësimin e punës në hapjen e tuneleve me makinerinë shpuese “Promeks”, ata e “shpëtuan” mjeshtër Sadikun, por edhe mua, nga “pushkatimi politik”…

(Fragment nga tregimi)

Se liria është ëndërr e çdo njeriu, e çdo kombi e populli, këtë e dimë të gjithë, por është interesante se sa ne dhe të tjerët respektojmë këtë. Autori me qëndrimin e tij në vendin Nordik, sa vjen e inspirohet nga shumë gjëra të cilat tek ne mungojnë dhe janë në defiçit. Ai edhe pse është mysafirë, edhe pse është vetëm një vizitor në këtë truall që ne  i themi “të ftoftë”,  por me ngrohtësi nga zemra sepse këtu liria është çdo kund, këtu liria e fjalës, të menduarit, shprehjes dhe bërjes është ABC e jetës. Kjo është sa imponuese për autorin në tregimin e tij të radhës “Kur të lirë ishin vetëm zogjtë”. Shohim se njerëzit u kanë zili  zogjve, u kanë zili sepse ata mund të lëvizin e fluturojnë ku ata duan dhe dëshirojnë.

“Dikush u shpreh, se, i bëhej që ata tinguj vinin nga qielli, teksa, unë, në ato çaste solla ndërmend xhelozinë e fshehtë dhe të vjetër ndaj zogjve, që gëzonin aq lirshëm lirinë, që mund të venin e të vinin nga të donin, në të gjithë hapësirën qiellore, detare dhe tokësore të rruzullit tokësor…” (Fragment nga tregimi)

Dhe, në përfundim të tregimit, autori thotë:  Liria ka krahë të artë e të fuqishëm. Ajo nuk është vetëm e zogjve…

Autori i   “Zonja nga Borås” vetë-ndjehet thuajse si një banor i këtij qyteti, ai ka krijuar miq suedezë dhe shqiptarë këtu, nga të cilët në çdo kohë është i mirëseardhur. Ai ndjehet shumë mirë në mesin e këtyre njerëzve sa human e paqedashës, këta njerëz të cilët kanë ndjenjën dhe mirësinë që t`i dalin në ndihmë çdokujt kur është nevoja. Ai është mahnitur nga vizita dhe shëtitjet e tij në qytetin Borås. Pamja impozante e vet qytetit, ngrehinat me stilin e posaçëm, origjinale të ndërtimit, janë karakteristike për qytetin Borås. Këtë do e hasim te tregimi “Tregtari i bronztë”, ku autori na jep një përshkrim fantastik të historisë së qytetit Borås me kohën e fillimit të zhvillimit të industrisë tekstile këtu dhe, sot, një industri moderne bashkëkohore, që ka mbuluar tregun botëror. Ai, në shëtitjet që bënë në mjedise të qytetit,  në parqe, rrugë, sheshe  dhe pranë institucioneve has në skulptura të vendosura në vende të dukshme  e, ku, mund të konkludojmë se Borås është edhe qytet i skulpturës. Personazhi i tregimit “Tregtari i bronztë”, mori një dhuratë nga mikpritësit suedezë, e cila për të është shumë e çmueshme: një skulpturë e vogël  e “tregtarit borsar në bronz”, e cila, për pak nuk u bë shkaktar  i një problemi me autorin, por, kësaj radhe, jo se ishte bërë ndonjë gabim politik, por se shtatorja e tregtarit borsar ishte në çantën e dorës të udhëtarit.

Kur do të largohesha për në Shqipëri, e futa skulpturën e vogël në çantën time të dorës. Mund ta futja edhe në valixhen e madhe të bagazheve.

-E po, – thashë me vete, – kjo skulpturë, nuk është bagazh, është një vepër e rrallë arti, është simbol i qytetit të Borasit…

Çanta ime, lëvizi bashkë me të tjerat në aparaturën e kontrollit. I qetë, lëviza të kaloja matanë, por, papritmas, nga aparati i kontrollit u përhap sinjali i alarmit. Punonjësit e doganës panë njëri – tjetrin dhe përqendruan vështrimet mbi transportierin lëvizës, ku dukej çanta ime e dorës. Pastaj, ato vështrime, u drejtuan tek unë me dyshim e shqetësim.

“-Çfarë ke brenda në atë çantë?”

Aparatura kishte “zbuluar” brenda çantës sime të dorës, “Tregtarin prej bronzi”. Punonjësi i doganës, më bëri me shenjë të afrohesha te kasa ku ndodhej çanta dhe, më tha në mënyrë urdhërore:

-Hape!

Ndërkaq, tek punonjësit e tjerë, vura re gatishmëri.

E hapa qetësisht çantën dhe, e nxora ngadalë skulpturën e mbështjellë. Mbështjellja prej rrobe, m`u duk se krijoi edhe më shumë alarm në sytë e doganierëve…

Që të krijoja një atmosferë të qetë dhe të sigurt, bëra buzën në gaz dhe e hapa qesen natyrshëm. Nxora skulpturën e “Tregtarit të Borasit” dhe ia tregova punonjësit të doganës. E ngrita pakëz lart, që ta shikonin edhe doganierët e tjerë, por edhe udhëtarët, që ndodheshin ato çaste përqark meje.

Një fllad buzagazi i menjëhershëm u përhap nëpër sallë.

-Fute në çantë! – më tha me zë të butë punonjësi i doganës, duke marrë frymë i lehtësuar dhe duke buzëqeshur.

“Në doganën e Austrisë dhe, më pas në atë të Shqipërisë, shihja me kënaqësi, sesi “Tregtari i bronztë”, kalonte lirshëm në transportierët e doganave, por tashmë si një “tregtar” i njohur me imunitet ndërkombëtar. Ai kalonte serbes, me pamjen e atij që di se çfarë bën dhe ku shkon, duke shpërndarë gjithandej, në qytete e shtete të botës, përvojën e tij të vyer, duke i mësuar njerëzit sesi të zhvillojnë ekonominë e familjeve, të qytetit dhe të vendit të tyre. Për këtë kishte një dëshmi tepër bindëse, qytetin e tij të lindjes, Borasin  e Suedisë, qytetin e bukur në kodër”.

(Fragment nga tregimi)

Rrallë herë kam pasur fatin të njoh një temperament të këtillë të pasionuar pas ngjarjeve interesante dhe me vlerë për letërsinë, duke shkruar tregimet e tija aq mjeshtërisht dhe me një kreativitet që lexuesit i japin  kënaqësi në lexim. Ai, sa unë shoh këtu, frymon duke jetuar përmes shkrimeve, përmes përshkrimit të ngjarjeve, përmes njerëzores  duke kërkuar të deshifrojë përmbajtjen e brendisë së vlerave, motiveve dhe ideve, por sidomos ato rrugë që shpien nga konkluzionet e ekzistencës së disa rrënjëve të përbashkëta njerëzore pa marrë parasysh se në cilën hemisferë të tokës njeriu jeton dhe frymon.  Dua ta them edhe këtë se në ditët e sotme nuk është e lehtë të gjesh një të tillë, që të ketë shëtitur kaq shumë, gjithmonë i qetë, i ngadalshëm, me shumë krenari në punën e tij dhe të sjellë në truallin e tij aq shumë mendime dhe ide njerëzore qëllim mira, të cilat do gjejnë vend dhe shprehje besoj tek gjeneratat  e reja, të cilat kanë nevojë për këtë kreativitet, sepse duhet të ndjejmë respektin dhe të rikthejmë edhe ne traditën e të parëve tanë që ishte në nivel me traditat e kombeve të zhvilluara.

Është shumë largpamës në shkrimet e tij dhe shpreh ndjenjën se edhe në Shqipëri do vij dita dhe të gjithë do ndjehen të barabartë, do jenë të njëjtë. Sa bukur e përshkruan autori këtë ndjenjë në tregim e “Zonja nga Borås”, duke u mbështetur në thëniet e të madhes suedeze, Selma Lagerlof (“Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgerssonit”)

Aka e porosit Nilsin: “Të lutem Nils mos harro të flasësh me njerëzit për ne “kafshët”. Thuaj njerëzve që të lënë edhe pak vend për ne, natyra është shumë e madhe dhe ka vend për të gjithë. Një pyll ose një liqen më shumë, nuk do u kushtojë asgjë. Të mos të na vrasin ose lëndojnë. Për këtë mesazh, do të isha shumë mirënjohëse”.

Kam shpresën dhe duhet të them se edhe tek ne, dhëntë Zoti, që në këtë vend të varfër, të gjejmë forcë dhe mendje që këto që shohim në vendet me kulturë të lartë, e cila edhe nuk na mungonte, por e tretëm nuk di si, të marrim atë çka ne kemi nevojë dhe ta kultivojmë në shpirtin tonë shqiptar. Pra me shpresë se edhe tek ne do gjejnë gjuhë të përbashkët jo vetëm shpendët, por edhe njerëzia!

Po binte muzgu kur mbërritëm pranë një liqeni ujë-ndritshëm, ku fluturonin lirshëm dhe në qetësinë e tyre tufa me pulëbardha dhe llojshmëri zogjsh…

Edhe kafshët e shpendët dinë t`i dallojnë miqtë e tyre. Mbase, tek vështrimi yt, shpendët gjetën diçka të përafërt ose të ngjashme me vështrimin vezullues, të butë e të ngrohtë të zonjës së tyre, që u kujdes aq shumë, që i deshi aq shumë…  Atë vështrim ata e njohin mirë, sepse e shohin thuajse përditë tek sytë e ngrohtë e dashuronjës të banorëve të Borasit.

(Fragment nga tregimi)

Rrugëtimi retrospektiv, madje i vëmendshëm, me shumë kujdes nëpër jetën dhe punën e përditshme të pasardhësve të vikingëve dhe bashkëkombësve tanë të cilët jetojnë dhe frymojnë në këtë mënyrë si edhe mikpritësit e tyre do ketë efekt pozitiv edhe në trungun tonë ku, edhe libri në fjalë, por edhe dy librat e ma hershëm do jenë një inspirim për gjeneratat që janë dhe që do vinë në mënyrë që të krijojmë një ambient çfarë autori përshkruan këtu në “Zonja nga Borås”, pra që edhe ne, nesër të marrim frymë lirshëm.

Viron Kona  beson në sinqeritetin e njerëzve, në dashurinë mes tyre, e adhuron të vërtetën dhe ka besim e ndjenja se edhe në truallin shqiptar mund të kultivohen lirshëm vlerat e vërteta njerëzore.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Sokol Demaku, Viron Kona, Zonja nga Borasi

Zonja nga Boråsi promovohet në Boras të Suedisë

April 23, 2013 by dgreca

Në librin ”Zonja nga Boråsi”, autori Viron Kona, nuk mbetet thjesht vetëm shkrimtar në këtë rast, por del edhe si studiues i mirëfilltë, duke ilustruar dhe zbuluar në mënyrë faktike ngjashmëri të kulturës dhe traditës suedeze me kulturën dhe traditën shqiptare.

 Nga Hysen Ibrahimi/

Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi “Papa Klementi XI Albani” /

Libri i radhës, i titulluar ”Zonja nga Boråsi” i shkrimtarit tonë të mirënjohur Viron Kona, që kryesisht i kushtohet qytetit të Boråsit, është një libër që përveç se trajton tema interesante për të gjithë lexuesit si suedezë, ashtu edhe shqiptarë, ai na bën nder edhe neve shqiptarëve mërgimtarë në Suedi. Duke e ditur dhe njohur shkrimtarin tonë z. Viron Kona, duhet nënkuptuar se libri duhet të ketë një vlerë të përmasave miqësore, që ka nxjerrë në dritë vlerësimin e miqësisë së dy popujve siç jemi ne shqiptarët dhe suedezët. Autori, me librin e tij të titulluar ”Zonja nga Boråsi”, vijon një kapitull të ri marrëdhëniesh kulturore, duke korrensponduar përmes shkrimeve me trajtim miqësor në mes dy vendeve –  Shqipërisë dhe Suedisë.

Temat të cilat trajtohen nga autori Kona, paraqesin tërësinë e mundësive të bashkëpunimit, kështu që e ardhmja e këtyre popujve me fisnikërinë dhe humanizmin që kanë në shpirtin e tyre, sidomos në fushën e kulturës dhe të traditës, janë dëshmi të forta për vazhdimin e miqësisë. Vetë autori, i ka përjetuar të gjitha këto kur ka qenë për vizitë në Suedi. Duke hasur në një kulturë të lartë të popullit mik suedez, shkrimtari Viron Kona është inspruar dhe stimuluar për të shkruar për këtë miqësi, për artin suedez dhe vlerësuar atë, sepse arti në brendinë e tij është fisnikërim, sikurse është edhe vetë populli mik suedez.

”Zonja nga Boråsi”, është libri i katërt i këtij autori shqiptar që ka temë ose lidhje të ngushtë me Suedinë. Ai vjen pas librave: ”Men kära Bubulino” (Eh, more Bubulino!) i cili është përkthyer në gjuhën suedeze në vitin 2011; Në vazhdim janë të njohur librat e botuar në vitin 2012 ”Bukuri suedeze” dhe “Për Ju, miqtë e mi”.

Viron Kona, vazhdon me shkrimet e tij, kushtuar mërgimtarëve shqiptarë dhe popullit mik suedez. Në librin e tij ”Zonja nga  Boråsi”,  ai ka dëshmuar se, është një fillim i mbarë i lëvrimit të kulturës dhe traditës edhe në fushën e letërsisë, duke hapur horizonte të reja të bashkëpunimit, që identifikohen gjatë vizitave.

Gjatë leximit të këtij libri, hasim formën e bukur të përpunimit të ngjarjeve, temave, hasim në përshkrimin e përjetimeve të  autorit në Suedi, më konkretisht në Borås, ku dominon përvoja e shkëlqyer e këtij shkrimtari. Me një mjeshtri të rrallë, ai  ka përshkruar përjetime të këndshme, duke prekur disa sfera, të cilat lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me shpirtin e njeriut…

Po, cili është kriteri i zgjedhjes së temave e personaliteteve të cilat autori e aplikon në këtë libër? Viron Kona, nuk përqendrohet të marrë dosido vetëm personalitete historike si dekor, vetëm për të shkruar një libër, sikurse është rasti kur ai potencon dy shkencëtarë suedezë me famë botërore siç janë Karl Linne dhe Anders Celsius. Por, ai bën një përzgjedhje tejet bindëse dhe këtu shihet se zotëron mirë pendën, kur në përpjekjet e tij për të identifikuar realitetin, ai ia del me sukses. Kriteri i tij është realiteti, sepse figurat gërshetohen me aktualitetin e përditshmërisë, me veprimtarët e traditës dhe kulturës. Duke pasur parasysh modestinë e tij, ai gjithherë ngjarjet i paraqet në veten e parë, që bëhen interesante për lexuesin.

Në librin ”Zonja nga Boråsi”, Viron Kona, nuk mbetet thjesht vetëm shkrimtar në këtë rast, por del edhe si studiues i mirëfilltë duke ilustruar dhe zbuluar në mënyrë faktike me të drejtë ngjashmëri të kulturave dhe traditave suedeze me kulturën dhe traditën shqiptare. Mund të themi se, libri në fjalë, ka aso përmbajtjeje dhe aso konstatime të argumentuara, sa që lirisht mund të përdoret si libër shkencor, sepse përfshin e trajton disi në mënyrë komparative disa veçori shumë interesante të dy kulturave, të dy popujve – suedez dhe shqiptar, me argumente, duke bërë një shtjellim të veçantë, gjithnjë falë aftësisë dhe prirjes së shkrimtarit dhe studiuesit Kona për t`i parë, shtruar dhe analizuar këto çështje interesante të kohës.

Ne, mërgimtarët e Suedisë, e po ashtu edhe Shoqata e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Suedi “Papa Klementi XI Albani”, e vlerësojmë lart këtë vepër të të nderuarit Viron Kona dhe, në përditshmërinë e veprimtarinë tonë do të shërbehemi me këtë libër, e, edhe me librat e tjerë që trajtojnë tema për Suedinë dhe miqtë e dëshmuar suedezë, sikurse është për shembull edhe libri “Miku i madh i shqiptarëve, Ullmar Qvick” (Monografi)” i autorit Prof. Fetah Bahtiri, pastaj romane, poezi, tregime, fjalorë të shkrimtarëve tanë si: Sadulla Zendeli-Daja, Riza Sheqiri, Hamit Gurguri, Remzi Basha, Ibrahim Abedini etj.

E përgëzojmë nga zemra, shkrimtarin, studiuesin, mikun tonë të madh, vëllaun tonë të dashur Viron Kona, për këtë libër me vlera të larta, të cilin po e promovojmë sot këtu, duke shpresuar se ai nuk do të ndalet me kaq, por në të ardhmen do të na dhurojë edhe vepra të tjera me brumë e tematika të ngjashme, për çka komuniteti shqiptar që jeton e vepron në Suedi me miqtë suedezë gjithnjë ka nevojë dhe për çka ne e falënderojmë me admirim.

Urime dhe përgëzime !

Borås/Suedi, më 30 mars 2013 (Ne foto:Pamje nga salla e promovimit)

Filed Under: Kulture Tagged With: Hysen Ibrahimi, ne boras, promovohe, Suedi, Viron Kona, Zonja nga Borasi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT