Nga Gani QARRI/
Siç është tanimë e njohur për gjithë opinionin e gjerë, dialogu me Serbinë në Bruksel edhe pse i ndërmjetësuar nga BE, gjatë tri viteve me radhë, me vet pëlqimin e palës kosovare, pothuajse tërësisht vazhdon të zhvillohet vetëm për çështje të brendshme të Kosovës dhe ndërhyrjen e Serbisë në rregullimin territorial të vendit tonë.
Helmut Schmidt,(1918-2015) kancelari që sapo ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare, thuhet se shquhej jo vetëm për politikë, por edhe për publicistikë e filozofi.
Megjithëse sa i takon çështjes së Kosovës, për të cilën SHBA dhe NATO, në mars të vitit 1999, intervenuan me forcat e tyre ajrore, ai do të deklaronte, se; “Të udhëhequr nga SHBA,kinse kanë thyer të drejtat ndërkombëtare dhe rezolutat e Kombeve të Bashkuara,” në kohën kur ishte kancelar, Gjermania përjetoi zhvillim të hovshëm si në ekonomi ashtu edhe në të gjitha fushat tjera.
Por me gjithë aftësitë e mëdha drejtuese dhe sukseset e pamohuara në qeverisje, atëbotë, mediat siç e thotë edhe vet Schmidt, me vetëdije, mbulonin dobësitë e tij dhe zmadhonin të arriturat në përmasa të pabesuara.
Ndaj, personalisht i pa-pajtuar asnjëherë me veprimet e tilla jo realiste, në një lexim të kohëve të fundit, të cilin e ofruan të filmuar televizionet gjermane, ish kancelari për sjelljen e pahijshme të medias, thotë:
“Dobësitë mi mbuluat me një metodë shumë të rafinuar, kurse lavdinë ma zmadhuat në mënyrë tejet të tepruar ”
Po në gjendjen çfare e kanë sjellë sot, qeveritarët tanë Kosovën,a është e mundur, që njeriu të mos pyes se çka në të vërtetë mund të thonë politikanët kosovar nesër, në shërbim të të cilëve janë vënë shumica e mediave të shkruara dhe ato audio-vizive, kur kihet parasysh mjerimi udhëheqës dhe korrupsioni e kriminalizimi i politikës që ka goditë kaq pamëshirshëm mbi popullin dhe vendin tonë.
Mbi Kosovën e mjerë, me politikanët më të shantazhuar në Ballkan dhe Evropën gjithandej.
Emra të lakuar disa herë nëpër mediat e huaja me kushedi sa dosje në sirtar,të cilët ndoshta përditë kërcënohen me shpalosjen e tyre, ndaj dhe pranojnë e nënshkruajnë çdo gjë që u vihet përpara, mbi tavolinën e “bisedimeve”, për shpëtimin e prapanicës së vet.
Nga gjendja që po kalon vendi dhe faktet e cekura e të pacekura në tërësi, krijohet bindja se përveç parave të majme dhe kërcënimeve të mundshme, nuk ka asnjë arsye tjetër të shëndoshë, që edhe më tej, mediat e shitura e të manipuluara si dhe ato të mirë-paguara , të tregohen ende jo vetëm plotësisht të dëgjueshme por edhe kaq të “palodhshme” për t`ua mbuluar atyre tradhtitë e dyshuara, dështimet e gjithanshme dhe dobësitë e panumërta, në mënyrë aq të rafinuar si dhe fryjnë artificialisht lavdinë e shpifur, në mënyrë kaq të ekzagjeruar, sa të shkojnë deri aty,që ti shpallin ata edhe “heronj” e burra “të pazëvendësueshëm të kombit”!?
Derisa në kohën e tragjedisë dhe barbarive millosheviqiane që kishin mbuluar vendin tonë, SHBA dhe NATO, të vetëdijshëm për pengesat që mund të nxirrnin Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit, anashkaluan edhe OKB, për të intervenuar e ardhë në ndihmë popullit shqiptar dhe shpëtimit të tij, në Kosovën e pushtuar nga krimet serbe, heronjtë e vetëshpallur të “fitores në pjatë”, sot shesin kaq lirë dhe pa asnjë dhembje njerëzore as kombëtare tokat e Kosovës dhe pjellin gangrena e krijesa të paqena kanceroze me fuqi vendimmarrëse, kushtetuese dhe ligjore, brenda trupit të tkurrur të shtetit tonë, edhe ashtu të zvogëluar deri në minimum.
Nga aksionet e tyre “harakiri” për vendin tonë, ta veqojmë qoftë edhe vetëm një, krijesën fantazmë të njohur si “zajednica” serbe, e cila po u aprovua në Kuvend, sapo të marrë edhe bekimin ligjor, ajo pa vonesë dhe me siguri të 100%, menjëherë do të shndërrohet në barrikadë antishqiptare, do të stërkeqet shpejt dhe kthehet rrufeshëm në rrezik të përhershëm shtetëror për Kosovën si “kalë troje” i Serbisë brenda territorit tonë kombëtar e shtetëror.
Këtë e di mirë edhe zonja Ulrike Lunaqek e cila jo vetëm se u pajtua plotësisht me vendimin për pezullim të përkohshëm por edhe shtoi me të drejtë dhe tërësisht e bindur, se nëse vendos Gjykata Kushtetuese, atëherë duhet të ndryshohen pjesët e marrëveshjes që nuk janë në harmoni me Kushtetutën e vendit.
Por, siç kemi rastin të shohim kohët e fundit, pikërisht pikat që dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e popullit dhe shtetit të Kosovës, vazhdon ti mbrojë me këmbëngulje dhe mbështes me egoizëm të pakuptueshëm e shkatërrimtar politika e përçudënuar shtetërore, duke kërkuar vazhdimin e bisedimeve të tilla edhe më tej me Serbinë!?.
Kjo ndodhë në momentet kur vet zonja Lunaqek deklaroi se edhe për atë personalisht, mbetet problematike, sidomos pjesa e marrëveshjes në të cilën thuhet se; “vetëm serbët mund të emërohen në pozita të caktuara udhëheqëse”, gjë që edhe me ligjet e BE-së, nuk guxon të ndodhë në një vend “multi” etnik, siç vazhdon të cilësohet Kosova.
Por kështu dhe kaq qartë nuk janë shprehur ende edhe qeveritarët e shantazhuar të Kosovës,madje ata deklarojnë se duan gjithsesi ti vazhdojnë bisedimet me Serbinë!
Kujtojeni vetëm faktin e përsëritur, të cilin e kemi mësuar disa herë nga përvoja e hidhur e historisë së luftërave të mëhershme ballkanike për okupim, se si shteti dhe qeveria serbe edhe kishat e manastiret ortodokse në Kosovë i shndërruan në baza agjenturore dhe zyra strategjike ushtarake, për pushtimin e tokave tona.
Ndaj, merreni me mend se çfarë poligoni ushtarak dhe shtrirje agjenturore do të rrjetëzoj Serbia në Veriun e vendit, sapo të aprovohet në Kuvend “zajednica” dhe i gjithë veriu të kalojë nën sundimin alien të saj.
Megjithatë dhe përkundër të gjitha dështimeve të shumanshme, korrupsionit, mosfunksionimit të gjyqësorit, kapjes së sistemit të drejtësisë, skandalet në arsim e universitete, nepotizmit në administratë e diplomaci, emigrimit masiv dhe varfërisë së pafund e deri te shitjet mijëra hektarëshe të tokave tona në emër të demarkacionit me shtetet fqinje, qeveritarët nuk u ngopën ende tërësisht.
Madje, edhe federalizmi i brendshëm me republika serpska apo “zajednica”, si krijesë kurrë e paqenë as në kohën e krajlave dhe komunizmit jugosllav,në këto troje, por që nën udhëheqjen e Qeverisë Thaçi, i erdhën si “dhuratë” Kosovës, qeveritarët aktual e ndoshta edhe votuesit e tyre, nuk i mbushi mend.
Siç duket, akterët e gjithë këtyre fatkeqësive, nuk i kthjelloi edhe dështimi në UNESCO dhe as pezullimi i “zajednicës” nga Gjykata Kushtetuese.
Fatkeqësisht, asnjë nga këto fakte të turpshme, nuk u kthyen në shembuj vetëdijesimi për ta, që më në fund, si pushtetar të dështuar, të japin dorëheqje.
Të gjitha këto, prodhuan një arrogancë të paturp dhe shtytje të “dëshpruar” për vazhdimin e qeverisjes së tyre makabër, kundër së cilës ka filluar të shprehë pakënaqësinë dhe deklarohet hapur edhe diplomacia perëndimore, ngase edhe 15 vite pas çlirimit, bartësit e politikës së kriminalizuar, edhe më tej nuk po e lënë këtë vend të shohë dritë dhe kthehet normalitetit.
Madje, derisa njohësit vendor të zhvillimeve politike por edhe ata evropian e ndërkombëtar si zonja Lunaqek, me të drejtë vlerësojnë se sjellja e Serbisë është jashtë çdo logjike të përmbajtjes së marrëveshjeve të Brukselit, vetëm politikanët e shitur e të shantazhuar shqiptar, ende nuk duan të kuptojnë asgjë, madje as tradhtitë e mundshme që ata me apo pa vetëdije i shkaktuan këtij vendi dhe dështimet e një pas njëshme, me të cilat e sollën Kosovën në këtë gjendje.
Çuditërisht, njerëz të tillë, nga të cilët po i zihet fryma këtij vendi, kanë fytyrë dhe guxim që edhe më tej të deklarojnë me këmbëngulje se pa marrë parasysh dëmet që i kanë shkaktuar Kosovës, përfshi demarkacionet e dyshimta me vendet fqinje dhe pjelljen e republikës serbe si “zajednica” brenda territorit tonë, me çdo çmim, do ti vazhdojnë bisedimet me Serbinë.
Edhe po të mos kishte ndodhur fare falja, apo ndoshta edhe shitja e dhjetëra mijëra hektarëve tokë FYROM-it, më herët dhe Malit të Zi tani, ata të paktën në këto momente dështimi dhe turpërimi para vendorëve dhe ndërkombëtarëve, vet duhet t`ia vejnë gishtin kokës dhe të mendojnë seriozisht se për çfarë arsye, në të vërtetë i duhet medoemos Serbisë e ashtuquajtura “zajednic” në Kosovë, kur dihet se serbët edhe ashtu kanë aq shumë të drejta të pakufizuara në vendin tonë, sa jo vetëm pakicat tjera por edhe vet populli shumicë shqiptar nuk i ka.
Për çka tjetër do ti nevojitej Serbisë, kjo krijesë e paqenë asnjëherë në veriun e vendit tonë, ku serbët do ta kenë të vetëm pushtetin absolut, përpos shndërrimit të kësaj pjese të atdheut të tkurrur të shqiptarëve, në një bazë të madhe agjenturore e ushtarake serbe brenda territorit të Kosovës, për ripushtimin e tërë vendit tonë edhe ashtu të vogël, në një të ardhme të mundshme nga Serbia.
Ndaj pas dështimit për pranim në UNESCO, dhe pezullimit të përkohshëm të “zajednicës”, Kosova përveçse ka nevojë që ti ndalojë menjëherë bisedimet, ajo duhet edhe ti rishikojë urgjentisht të gjitha marrëveshjet e deritanishme me Serbinë, të cilat jo vetëm se në masën më të madhe nuk ishin fare bilaterale, por ato pothuajse tërësisht, u zhvilluan për çështje të brendshme të Kosovës.
Sjelljet arrogante të udhëheqësve më të lart serb, janë në kundërshtim të plotë edhe me parimet e integrimeve evropiane. Ata jo vetëm pengojnë integrimin e Kosovës, kudo që munden dhe arrijnë, por vazhdimisht edhe dirigjojnë se për çfarë duhet të bisedohet në Bruksel.
Madje, duke shfrytëzuar paditurinë dhe shantazhin e udhëheqësve të frikësuar kosovar, udhëheqësit serb nuk lejojnë pothuajse asnjëherë, futjen në agjendë të çështjeve bilaterale të cilat do ti shërbenin edhe popullit të Kosovës dhe njohjes reciproke me Serbinë.
Për aq më keq, përpos humbjes së shumë territoreve, nuk ka asnjë shembull tjetër në rajon e më gjerë, si vendi ynë, të ketë edhe “zajednica” apo asociacione njëetnike, brenda vetes si shtet “multietnik”, siç vazhdon të cilësohet (padrejtësisht) Kosova.
Asnjëra nga shtetet fqinje, Serbia, Mali Zi apo FYROM, nuk u kanë dhënë kurrfarë autonomie as asociacioni, pakicave shumë më të mëdha, në shtetet e veta.
Bullgarët, turqit e grekët sado qoftë numri i tyre, përfshi edhe shqiptarët si populli numër dy në FYROM, pas “popullit shtet formues” sllavomaqedon, nuk kanë asnjë asociacion të tillë apo të ngjashëm.
P.sh. në vet Serbinë e sotme, përveç shqiptarëve, puna e të cilëve, kudo ende vazhdon të mbetet tabu dhe trajtohet si “sui generis” as myslimanët e Sanxhakut, kroatët, hungarezët, rumunët, romët e shumtë apo edhe bullgarët në trevat kufitare me Bullgarinë etj., nuk kanë kurrfarë asociacioni, në formë as përmbajtje me “zajednicën” serbe që ajo kërkon me këmbëngulje ta formoj në Kosovë.
E duke pasur parasysh përvojën e hidhur okupuese në të kaluarën dhe orekset e mëdha e të pashëruara serbe për pushtim edhe sot, agresioni i Serbisë mbi vendin tonë, nuk mund të përjashtohen fare as në të ardhmen, kështu që pikërisht në zonën veriore të sunduar nga “zajebnica” e saj, ajo me siguri për fillim, parasheh krijimin e heshtur të agjenturave policore e më vonë edhe përgatitjen e hapur të terrenit për vendosjen e furishme të bastioneve ushtarake, por jo assesi shndërrimin e saj, në “fushë pajtimi” ndërmjet të dy popujve apo zhvillimin e atraksioneve ndërshtetërore sportive, aty.
Për fat të keq edhe Tom Yozdgerd, drejtor i departamentit amerikan për Ballkanin Perëndimor, në emisionin “Ora e Bugajskit”, transmetuar nga RTK, tha se kur flitet për Serbinë, duhet të kihet parasysh, kisha, “historia” etj,mirë or i uruar, po ç`histori na paskan melezët sllavo maqedonë, të cilët nuk u japin jo vetëm asociacion por as të drejtat më elementare, kombëtare e njerëzore, popullit autokton shqiptar, apo edhe pakicave bullgare, rome, turke e greke të cilat ekzistojnë atje, kur dihet se FYROM, u krijua nga Tito, pas Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ka kurrfarë tradite as historie të veten kombëtare, përveç asaj që vjedhë nga popujt fqinj.
Ndaj, është vërtetë e pakuptueshme se, për çfarë arsye vetëm Kosova, e cila përkundër humbjes së aq shumë territoreve që nga viti 1877,duke filluar nga Nishi e Toplica dhe Sanxhaku deri dje shqiptar, sot dënohet që edhe brenda kufijve të tkurrur të këtij pak territori të vizatuar pa dashjen tonë, patjetër të krijoj edhe një “zajednicë” serbe për bllokimin total të funksionimit normal edhe të këtij grim shteti të rrudhur përdhunshëm nga të gjitha anët.
Dihet nga të gjithë, vendorë e ndërkombëtar, se “Zajdnica” serbe me një porosi nga Serbia, mund të stërkeqet aq shpejtë e lehtë, sa që, sa qelë e mbyllë sytë, të kthehet në fantazmë të papenguar të interesave serbo-ruse, brenda vendit tonë, në Kosovën e vrarë pas shpine nga “heronjtë” e “luftës dhe të paqes” së dyshimtë.
Këto nuk janë kurrfarë fshehtësish, madje, analisti serb Dushan Janjiq, menjëherë pas vendimit të UNESCO-s, i bindur se autoritetet e Kosovës tanimë kanë hapësirë edhe më të kufizuar për refuzimin e pretendimeve serbe, deklaroi publikisht se Serbia duhet ta shfrytëzojë edhe këtë rast dhe në emër të “trashëgimisë kulturore e fetare”, të hap edhe dy tema të reja, si ai mbi pozicionin e Asociacionit të Komunave serbe dhe atë të kishës ortodokse në Kosovë.
Mjerisht, në anën tjetër, po-ashtu është fakt i pamohueshëm, se për të gjitha fatkeqësitë që kanë goditë atdheun tonë të vogël, e me siguri edhe për dështimin e fundit për pranim në UNESCO, fajet pa asnjë dyshim, u takojnë përfaqësuesve të padenjë të vet Kosovës, nga të cilët u pështirosën aq shumë edhe shtetet demokratike të Azisë si Japonia e Koreja Jugore por edhe Polonia evropiane, sa që për të shprehur ironinë e madhe dhe frustërimin e pafund ndaj politikanëve të kriminalizuar kosovar, megjithëse na kanë njohur para shumë vitesh si shtet, ato tani refuzuan të japin edhe votën e vet për pranim të Kosovës në UNESCO.
Por, pas pengesave të pashembullta dhe skajshmërishtë agresive të Serbisë, e cila përkundër obligimit nga marrëveshja e 19 prillit të vitit 2013, për mos pengimin e Kosovës në rrugëtimin e saj për integrime ndërkombëtare, vazhdimisht vijon të shkelë me të dy këmbët, jo vetëm mbi marrëveshjet e Brukselit, por edhe mbi politikën e BE-së, për fqinjësi të mirë, duhet ndërprerë bisedimet shterpe me të.
Kosova jo vetëm se duhet pezulluar menjëherë dialogun e pakuptimtë por edhe të rishqyrtoj seriozisht të gjitha marrëveshjet me një vlerësim detal ligjor e kushtetues, si dhe të mos i rifilloj ato pa ndryshimin e sjelljeve arrogante të politikanëve serb dhe paqësimin e plotë të qasjes agresive të Serbisë ndaj Kosovës.
Përndryshe, nën këto kushte, është i pamundur zhvillimi normal i bisedimeve të mëtejme, derisa vet Marrëveshja e Brukselit e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 19 prill të vitit 2013, në pikën 14 të saj , thotë: “Palët pajtohen që të mos e pengojnë njëra tjetrën për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare”, por Serbia nga fillimi deri në fund e bënë të kundërtën.
Siç dëshmoi edhe rasti i fundit, ajo vazhdimisht vijon ta pengojë me arrogancë dhe bllokoj kudo që arrin, anëtarësimin e Kosovës, në cilën do organizatë dhe instancë ndërkombëtare.
Madje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të Asociacionit të Komunave Serbe, drejtori i zyrës për Kosovën Marko Gjuriq, përmes një paraqitjeje në Radio Televizionin e Serbisë, shkon aq larg me arrogancën e vet, sa që përpiqet jo vetëm ta urdhërojë “Prishtinën” që ta zbatojë formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, sikur kjo të ishte “bahqe e babës” së tij, por edhe kërcënon Kosovën, se; Serbia nuk do të heshtë dhe qëndrojë duarkryq!?
Për aq më keq, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq, shkoi edhe më larg dhe vetëm sa nuk i shpalli luftë të hapur Kosovës, duke e deklaruar këtë në mënyrë të tërthortë, kur tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas tij, dashka të thotë, hiq më pak se kërcënim për stabilitetin rajonal.
Por, pasi që Diplomacia e Kosovës është e mbushur me nepotizëm dhe militantë politik, Serbisë as pas këtyre zhvillimeve dhe kërcënimeve skandaloze, nuk ka kush ti përgjigjet me kohë dhe si duhet.
Politika e mbi 100 mijë qytetarëve të ikur, brenda një viti, në vend të reagimit ndaj kërcënimeve më të reja serioze të përfaqësuesve të shtetit serb, përmes zëdhënësit të “prontove” deklaron se si në PDK nuk e njohin dorëzimin, madje le të kërkojë kush të dojë, se përkundër të gjitha dështimeve, zëvendëskryeministri e Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi as zëdhënësi i tij Petrit Selimi, nuk do të japin dorëheqje.
Ndaj ,në vend të përfundimit, nuk mund të mos pyes njeriu me trishtim, se; athua deri kurë do të durojë ky popull i ynë fatkeq,pse duhet të toleroj mbulimin e tradhtive të mëdha dhe fshehjen e dështimeve të pa fund të kësaj kaste të kriminalizuar politikanësh. Edhe sa vite, do tu duartrokas shpikjeve manipulative dhe thurjes së lavdive të pa qena për heronjtë e rrejshëm, pa largimin e të cilëve nga udhëheqja vendore, populli dhe shteti i Kosovës, kurrë nuk do të lirohet nga krimi i organizuar, korrupsioni, varfëria e izolimi as përjetojë ligj e rregull të brendshëm si dhe përparim e aprovim të merituar ndërkombëtar. Zot shpëtoje këtë vend dhe popull nga udhëheqës të tillë.