• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ZOTI E BEKOFTË MIKUN TIM ARISTOKRAT!

April 10, 2017 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Tetove/

Një ditë në pazar më zunë veshët shprehjen: I ka dalë puna çatall. Jo vetëm se m’u duk interesante, por edhe më intrigoi të rrëmoj në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, ku për fjalën ÇATALLOHEM gjeta këto shpjegime: 1. vet. veta III. Ndahet më dysh duke iu hapur majat anash, hapet fort në të dy anët; bigëzohet. Çatallohet druri. 2. vet. veta III fig. Prishet; ngatërrohet një punë për shkak të grindjeve. U çatallua puna. 3. fig. Kapem me dikë, grindem me dikë.

Sa herë më mungon inspirimi për të “shkarravitur” për ndonjë ngjarje, aq herë më duhet të takohem me mikun tim me mendje prej aristokrati. E kërkova në mejhanen e tij të preferuar. Nuk e gjeta. Kamerieri që ishte paksa i përgjumur dhe që kishte vënë bythën pas banakut, më tha: Ka ditë që nuk duket këtejpari. E pyeta. Po me ç’sebep nuk frekuenton mejhanen! Ma ktheu, nuk i ka shlyer borxhet a faturat. Ku ta gjej, se! Hokatari i lagjes sonë më tha: Do ta gjesh te lulishtja e qytetit. E zbulova. Ishte shtrirë në cep të bahçes pranë shtëpisë së tij, ashtu njësoj si Ali Pashai duke thithur nargjilenë, ndërkaq në dorën e djathtë mbante një çetele (shkop ose copë druri e lëmuar, që dikur përdorej si mjet për të mbajtur llogaritë midis blerësit e shitësit), se pse e mbante atë çetele, nuk ma kapi fiqiri. Mu duk se sillej në mënyrë të matur. Perceptimi më doli kryekëput i pavlefshëm, thjesht i gabuar. Edhe kësaj here ishte shndërruar në tapë. Pasi u përshëndetëm, më tha: “A, përsëri erdhe, pa më thuaj, ç’dert ke!” Ia ktheva: Do më japësh idenë për shkrimin e radhës që do t’ua dedikoj lexuesve dhe miqve të mi të rregullt, të ndërgjegjshëm dhe seriozë! “Aha, ti që vepron e sillesh si plak matuf, paske miq të dashur, të kujdesshëm e të vetëdijshëm!? Hajde mendje, hajde!” Ore, do më japësh idenë, o do iki! Heshtje varri. Nuk e vazhdova, nga frika se po ma vë bishtin e dhelprës. Po, çuditërisht, lëre që mori pamje tjetër, por kësaj radhe nuk më kushtëzoi, andaj nuk kërkoi atë “lëngun e sertë prej Skrapari”. Ma ktheu: “Të lus, do më kursesh e do më lësh rehat, sepse sot nuk jam në të mirat e në terezi”. Unë këmbëngula në kërkim të përgjigjes së vonuar. Miku, si mik, fillimisht ia futi një ulërime të thekshme dhe pastaj më tha: “Do ta fal gjysmën e idesë, me kusht nëse m’i prek salltanetet e mia (eh, këto salltanete, mos vallë i ka vendburim gjipsi), ashtu njësoj si ca politikanë kamikazë që ua prekin a lëmojnë herdhet e kryeparëve politikë të tyre, të HUQUMATIT dhe të DOVLETIT!” Eh, ç’e bleva shtrenjtë belanë me paratë e mia. Thashë me vete, a ia vlen të shfrysh dertin për një ide të vjetër. Iu përgjigja: “Do t’i prek zarzavatet e tua të thata, veç ma jep idenë”. Ma ktheu: ”Pa ma thuaj parimin themelor, mbi të cilin do ta ndërtosh shkarravinën e radhës”. I tregova. Më tha: “Fillimisht do të shkruash për fukarenjtë dhe për varfërinë që i ka kapur për fyti, do të shkruash për budallain e fqinjit, tek i cili sa herë vijnë për vizitë mysafirët e nderuar, aq herë detyrohet ta mbulojë me njëqind plafe e jorganë…, do të shkruash edhe për politikanin tonë axhami, i cili kur nuk ka gjë të mençur për të thënë, sekretet e shtëpisë ia degdisë në vesh armikut apo partisë që e injoron, që e sikteris dhe së fundi që ia ngul së prapthi, do të shkruash pak edhe për mua!”. Ore qerrata, ki parasysh, gati një e treta e vështrimit më shkoi për ty. “Hajde se nuk u bë kiameti…, vazhdo të shkruash për disa vetëflijues politikëbërës të një partie politike këtejpari, shkruaj  për ata politikanë kalamaj dhe axhaminj të Debar Maallo-s, gjyshërit e të cilëve dikur në kohërat e njëmendjesisë, te Ura e Gurit (Sulltan Mehmetit II) të Shkupit, shisnin fara luledielli. Do të shkruash për politikanët të cilët nuk i takojnë fisit tonë, pikërisht për ata që të shqetësojnë, do të shkruash për nacionalistët, për kleptomanët, piromanët, për makiavelistët e recidivistët e rrezikshëm të këtij HUQUMATI, mos harro të shkruash edhe për ata që në Evropë duan të shkojnë me gomarë prej Ballkani, që u ka rënë leshi, për ata politikanë që trokasin në dyer të mbyllura dhe të gabuara, shkarravit edhe për ata që veshin e majtë e kruajnë me dorën e djathtë, shkruaj edhe për ata që çorbën e përgatisin pa fruta deti, në këtë shkrim tëndin futua edhe atyre që s’kanë shpatulla politike, futua edhe atyre që mëtojnë të frekuentojnë hapësirat e kështjellës së diplomacisë evropiane…, ngulua edhe atyre që i kanë shumë merak paratë bojëjeshile, futja edhe atij KOKËMADHIT, atij shtrembëruesit të organit më të lartë ligjvënës, atij që ka marrë çehren e koqe dembelit, futua atyre që kanë  probleme me diarre dhe miopi të theksuar politike, sidomos atyre që e zaptojnë me orë të tëra halenë, atyre që hiç nuk u ha palla se jashtë njerëz presin në rend për të njëjtin hall. Bëj kujdes të mos ma futësh mua!” I thashë: Mos ki dert se nuk do ta fus, a sa për të ngulmen nuk e di. Në fund të kësaj “çatallosje”, sikur donte të më thoshte: “Që kur unë isha një njeri me sjellje qytetare, që kur unë isha shehërli prej patrioti dhe aristokrati, që kur unë kisha kostum prej kadifeje, që kur unë mbaja këmishën e qëndisur, këta mbanin opingat e stërgjyshërve të tyre, këta nënkëmishën e mbanin nën brekë…, që kur unë bëja atdhetarizmin, këta sot lëre që urinojnë shtrembër, por edhe shtiren sikur bëjnë politikë leshi”. Nuk desha ta pyes se me ç’fjalor do të duhet ta shkruaj këtë shkarravinë…, e dija paraprakisht përgjigjen e tij: “Sipas një rregulli të caktuar, opinionet, vështrimet, analizat po edhe editorialet shkruhen me standardin e gjuhës, meqenëse ti nuk je i standardit, atëherë përdori të folmet krahinore edhe ato otomanizmat tuaja të fiksuara!”

Fabulistët klasikë thonë se dikur dhelprës i kishte marrë flakë bishti dhe turravrap kishte bërtitur: “Ikni se u kall dynjaja!” Ata që kishin rastisur atypari kishin thënë: “Moj, ty të është kallur bishti e jo dynjaja”. Se dhelprës a do t’i kallet bishti, unë nuk e di. Zoti e bekoftë mikun tim aristokrat dhe “dhëmbëzat e çeteles” së tij.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Aristokrati, Fadil Lushi, Zoti

Kushtetuta, Zoti dhe Krenaria e Shqiptarit

May 2, 2013 by dgreca

Nga Eleni Laperi/

Para pak kohësh dëgjova një ligjëratë të aktorit të madh italian Roberto Benigni. Tema e ligjëratës ishte kushtetuta e Republikës Italiane. Më zgjoi kureshtje nisma e artistit për të komentuar kushtetutën e vëndit të tij dhe më bëri shumë përshtypje kur ai e cilësoi si ‘kushtetuta më e bukur në botë’. Më lindi dëshira të shoh në se kishte të drejtë, apo ligjërata e tij ishte thjesht një ngazëllim nacionalist. Po më erdhi edhe turp që deri atëherë nuk e kisha lexuar kushtetutën e vendit tim. Vendosa, pra, ta gjej e të lexoj edhe parimet themelore të Kushtetutës sonë, që të mësoja se si janë shkruar principet themelore, mbi të cilat ngrihet shteti ynë demokratik. Unë kam edukim artistik e ndoshta ndokush mund të mendojë se artisti nuk mund të japë gjykime për drejtësinë apo politikën. Kurse unë mendoj se të gjithë ne, si qytetarë të Republikës së Shqipërisë duhet të heqim dorë nga indiferenca, aq më tepër kur Kushtetuta është shprehje e vullnetit tonë, sepse nis me fjalët: ‘Ne, Populli i Shqipërisë…’. Që gjykimi im të ishte sa më i plotë, lexova edhe parimet themelore të kushtetutës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Konfederatës së Zvicrës, të Republikës Italiane dhe të Republikës Franceze, për të krahasuar mënyrat si janë shprehur me fjalë, mbi letër, themelet e atyre shteteve prej njerëzve të mënçur të këtyre vendeve. Nga aq sa lexova, u binda se Benigni kishte të drejtë. Po u trishtova nga ajo që lexova në hyrjen dhe parimet themelore të Kushtetutës sonë.

Para se të shtjelloj pse u trishtova me kushtetutën tonë, dua të shpjegoj pse mendova se kishte të drejtë Benigni për kushtetutën italiane. Hyrja në kushtetutën e një shteti, parimet themelore të saj të njohin me dëshirat e një populli, me largpamësinë e përpiluesve të saj për llojin e shtetit që duan të ngrenë dhe vendin që zënë qytetarët në atë shtet. Kur lexova parimet bazë të kushtetutës së Republikës Italiane, mbeta e befasuar që në nenin e parë, nga emocioni dhe kujdesi me të cilin janë zgjedhur fjalët dhe thelbi i fjalive: L’Italia è una Repubblica democratica, fondata sul lavoro./ Italia është një Republikë demokratike e themeluar mbi punën! A ka gjë më të bukur se puna në jetën e njeriut? A nuk është ajo burimi i të gjitha të mirave? Më pas lexon se puna, qytetari, shkenca, kultura, historia janë parësore për interesat e atij shteti. Ata burra që shkruan nenet e asaj kushtetute, jo vetëm kanë qënë të mësuar e me kulturë, po e kanë dashur pa kufi e pa kushte vendin e tyre. Sepse nuk kanë harruar të shkruajnë se detyrë parësore e shtetit është jo vetëm mbrojtja e trashëgimisë historike e artistike të kombit, po edhe mbrojtja e pejzazhit të vendit të tyre! Nga ana tjetër gjuha e përdorur, fjalët e parimeve themelore të kushtetutës italiane janë të zgjedhura me shumë kujdes, duke treguar jo vetëm thjesht, me qartësi dhe rrjedhshmëri  mendimin juridik, po duke nxjerrë në pah edhe bukurinë e gjuhës së Dantes.

Thuhet shpesh se gjuhës ne i japim forma të reja, e përpunojmë, po edhe ajo na jep ne një formë të re. Gjuha gjithnjë ka patur rëndësi të madhe në jetën e një populli, jo vetëm për të ruajtur kulturën e traditat e kombit, po edhe për ta mbajtur të bashkuar një popull. Fuqia e një gjuhe kalon nëpër shekuj duke na sjellë deri në ditën tona bukurinë e mendimeve të njerëzve të mëdhenj. Thonë se Napoleoni kur hyri në Itali, ndërkohë që ngado vendosi si gjuhë frëngjishten, lejoi vetëm në Firencen e Dantes të përdorej gjuha italiane.

Gjuha e përdorur në Hyrjen dhe Parimet Themelore të Kushtetutës sonë ishte gjëja e parë që shkaktoi trishtimin tim. Hyrjen për në kushtetutën tonë e mendoja një shprehje të qartë, të rrjedhshme të dëshirave të shqiptarëve në shekuj, të shkruar në një shqipe të pastër, të bukur, si poezi të pavdekshme, sepse tashmë ishim të lirë në rrugën drejt demokracisë. Kishim të drejtë e mundësi të ëndërronim e të ndërtonim nga e para një shtet të ëndrrave tona. Të paktën në letër. E mendoja të ishte gërshetim i fjalëve më të bukura të të dy dialekteve kryesore të shqipes, për të shprehur edhe një dëshirë të munguar të gegnishtes. Sepse mendoja se hartuesit e saj do kishin qënë njerëzit më të zgjedhur ndër shqiptarët. Po ja që ajo është e gjatë, e paqartë, plot me fjalë të huaja dhe me përsëritje të kota, që nuk i shtojnë tekstit asnjë vlerë, veç e bëjnë më të ngatërruar. Po e sjell më poshtë Hyrjen e Kushtetutës sonë, të marrë nga faqja e Kuvendit të Shqipërisë:

‘KUSHTETUTA E REPUBLIKES SE SHQIPERISE

Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë , me përgjegjësi për të

ardhmen, me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universal e, me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerances dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe të personalitetit njerëzor, si dhe për prosperitetin e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien, kulturën dhe solidaritetin shoqëror, me aspiratën shekullore të popullit shqiptar për identitetin dhe bashkimin kombëtar, me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit,

VENDOSIM KETE KUSHTETUTE’

 

Hyrja në kushtetutë nis me fjalët: Ne, Populli i Shqipërisë… Mbase këtë lloj hyrjeje e kanë marrë prej Kushtetutës amerikane: ‘We the People of the United States… / Ne populli i Shteteve të Bashkuara…’ Po në Sh.B.A. fëmijët i mësojnë që në vitet e para të shkollës parimet themelore të kushtetutës amerikanë dhe ngjarjet historike të vendit të tyre, nëpërmjet lojrave apo vënieve në skenë të pjesëve letrare. E cili prej shqiptarëve, përveç ligjvënësve e disa politikanëve, e ka lexuar frazën ‘Ne, Populli i Shqipërisë’ në kushtetutën tonë? Ndoshta duhet menduar si të bëhet i njohur ky dokument për Ne, Popullin e Shqipërisë. Ndoshta vetëm ashtu edhe ne mund të themi një ditë me gojën plot se ‘Ne, Populli i Shqipërisë’, jemi të vetëdijshëm për historinë tonë…

Që në pjesën e parë të frazës së Hyrjes së Kushtetutës sonë ka një kontradiktë, e cila më ra në sy edhe mua, që jam ateiste. Shkruhet: ‘Ne, Populli i Shqipërisë, krenarë dhe të vetëdijshëm për historinë tonë, me përgjegjësi për të ardhmen, me besim te Zoti…’ Nuk mund të deklarojmë në hyrje të Kushtetutës sonë se jemi ‘krenarë’, po edhe ‘me besim te Zoti’, pasi këto dy gjëra përjashtojnë njëra-tjetrën. ‘Krenaria’ në të gjitha fetë është në listën e mëkateve kryesorë, si mëkat që lind mëkate të tjerë. Sipas Kur’an-it, krenaria është një mëkat, i cili duhet dënuar me rreptësi dhe vëndi i krenarit është në Ferr. Ndër mëkatet kryesore vendoset krenaria edhe në Bibël, i quajtur edhe prej saj si më i rrezikshmi ndër të shtatë mëkatet:  zemërimi, lakmia, përtaci, krenaria, epshi, zilia, dhe gryksia. Për budistët krenaria cilësohet si një prej pesë helmeve. Ndërsa hebrejtë e rendisin ndër veset më serioze, ndërkohë që përulësinë e kanë ndër virtytet më të lartë. Krenaria cilësohet si një mëkat i neveritshëm prej të gjitha besimeve. Ndoshta prandaj në asnjë prej kushtetutave që lexova nuk e gjen fjalën ‘krenari’. Ndërsa ne, gjithë hipokrizi, e vëmë që në rradhën e parë të Kushtetutës sonë, duke e bërë të qartë padashur se hartuesit e saj jo vetëm nuk besojnë në Zot, po nuk kanë njohuri për besimet fetare të popullit shqiptar. Si individë të vdekshëm ne mund të shprehemi herë pas here se ‘jemi krenarë’ për diçka, po nuk mund të shkruhen këto fjalë, krahas shprehjes ‘me besim në Zotin’, në dokumentin që përfaqëson themelin e shtetit tonë, besën e popullit tonë. Si për të shtuar ndjesinë e pasigurisë dhe të papërgjegjësisë, më pas thuhet ‘me besim te Zoti dhe/ose te vlera të tjera universale’, duke e lënë të papërcaktuar në se ne, populli shqiptar, kemi apo nuk kemi besim te Zoti.

E gjithë hyrja e Kushtetutës sonë duket si një tekst i përkthyer me ‘Google translate’. Teksti është i mbushur me fjalë të huaja, me fjalë që përsëriten, duke bërë që mendimi i shprehur të mos jetë i qartë. Në të shkruhet:… ‘vlera të tjera universale (që mund të shkruhej në shqip:të përbotëshme), me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social (që në shqip mund të ishte: shoqëror), për të garantuar (shqip: siguruar) të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, me frymën e tolerances (shqip: zëmërgjërësisë, apo durimit) dhe të bashkëjetesës fetare, me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit (pse jo shqip: denjësisë) dhe të personalitetit (vlerave) njerëzor, si dhe për prosperitetin (shqip: mirëqënien, begatinë) e të gjithë kombit, për paqen, mirëqenien (fjalë e përmendur më parë me fjalën ‘prosperitet’), kulturën dhe solidaritetin (shqip: mbështetjen) shoqëror, me aspiratën (shqip: dëshirën)…’

Dhe si për të theksuar më shumë këtë ndjesi të mungesës së kulturës dhe mosrespektimit të gjuhës shqipe, teksti i hyrjes në Kushtetutë mbyllet me fjalët : …’Vendosim këtë Kushtetutë’.

Ndoshta e kanë marrë nga teksti i kushtetutës amerikanë:  and establish this Constitution for the United States of America. Po ndër kuptimet në shqip të fjalës ‘establish’ janë edhe fjalët ‘themeloj’ apo ‘krijoj’, të cilat do të shkonin më shumë në këtë rast me logjikën e gjuhës sonë.

 

Pastaj vijnë 14 nenet e Parimeve themelore të kushtetutës, të shkruara e renditura në frymën e paqartë të Hyrjes, ndonjëherë të paplota (thuhet: ‘Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare’, po nuk përcaktohet përpara kujt!?). Ka zgjatje të panevojshme, të cilat mbase mund të shtjelloheshin në nenet e kushtetutës. Nuk dua t’i marr në analizë një e nga një parimet themelore. Po nuk mund të mos them se ndjehet në to sa pak rëndësi kanë dëshirat e qytetarit të  Republikës së Shqipërisë, të drejtat e tij, liria e tij, edukimi e shëndeti i tij, trashëgimia kulturore, historike e gjeografike. Parimet themelore të kushtetutës sonë në përgjithësi janë të përqëndruara në politikën. Në to ndjehet ndikimi i madh i ideologjisë së vjetër, kur partia ishte ‘mëma e të gjithëve’ pra gjëja më e rëndësishme në jetën e qytetarëve shqiptarë; ‘dashurinë për partinë’ na e ushqenin dikur me çdo formë e mjet. Përsëri sot partitë janë aq të rëndësishme te ne, sa të drejtat e tyre bëhen pjesë e parimeve themelore të shtetit tonë. Ky fakt të forcon bindjen se ke të bësh me një shtet, i cili kujdeset së pari për politikanët e jo për qytetarët dhe tokën shqiptare. Se përse do ishte e nevojshme që neni 9 për Partitë dhe tri nënpikat e tij të renditeshin në parimet themelore të kushtetutës, kur në hyrje të saj dhe në nenin 3 thuhet se janë: …garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut…, gjë që nënkupton edhe të drejtën për t’u organizuar në parti politike apo grupime të formave e ngjyrimeve të tjera. Në Hyrjen dhe në Parimet Themelore të Kushtetutës sonë çimentohen ëndrrat e politikanëve, në vënd që të vihen themelet e dëshirave të popullit shqiptar.

 

Duke krahasuar parimet themelore të kushtetutave: amerikane, italiane, zviceriane e franceze, mund të shohësh qartë mbi çfarë baze janë ngritur themelet e atyre shteteve:

Për popullin e Shteteve të Bashkuara të rëndësishme janë: bashkimi, mirëqënia e përgjithshme me sigurimi i bekimit prej Lirisë për sot e për të ardhmen.

Themeli mbi të cilin vendos të ngrihet shteti italian është  puna, e drejta e qytetarit për ta patur. Shteti zvicerian ngrihet mbi lirinë e qytetarëve të tij: ‘…duke e ditur se vetëm ata që e përdorin lirinë e tyre mbeten të lirë, se fuqia e një populli matet me mirëqënien e antarëve më të dobët…’.

Për francezët themelore janë të drejtat natyrore, të patjetërsueshme, të shenjta të njeriut. Kushtetuta e tyre mbështetet ende në parimet bazë, të vendosura që në Deklaratën e të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit të 26 gushtit 1789. Mosnjohja, harresa apo përbuzja e atyre të drejtave janë shkaqet e vetme të fatkeqësive publike dhe të korrupsionit të qeverive, thuhet  në të.

 

Kur mbarova së lexuari Hyrjen dhe Parimet Themelore të Kushtetutë së Republikës të Shqipërisë, mendova: Pse, vallë, Hyrja e një dokumenti të tillë është shprehur me një gjuhë e mendim kaq të varfër? Na mungojnë specialistët e ligjeve, na mungojnë gjuhëtarët, na mungojnë njerëzit largpamës? Nuk na mungojnë as shembujt në renditjen e dëshirave të shqiptarit prej Sami Frashërit, Vaso Pashës, Nolit, Fishtës, etj. Kur mendova ta lexoj kushtetutën tonë, isha e sigurtë se do ishte ajo gjë që na kishte munguar në shekuj dhe në gjysmë shekulli në diktaturë. Isha e bindur se do gjeja të shprehura bukur në të dëshirat e mëdha të shqiptarit për liri, për demokraci e mirëqënie. Kohë hartuesit kanë patur, besoj, pasi nuk kanë qënë nën trysninë e ndonjë pushtuesi apo të ndonjë tragjedie tjetër, si në 1912, kur u hartua Deklarata e Pavarësisë sonë. Po tani mund të them se hartuesit e saj, ashtu si hartuesit e Deklaratës së Pavarësisë, sikur kërkojnë të të bindin se këta ‘burra’ të kombit tonë nuk i shqetëson nxjerrja në pah e urtësisë, kulturës, dijes e dashurisë për kombin e vendin. Ata sikur nxitojnë e gjithnjë shqetësohen vetëm të ‘jenë ata në krye’, ‘të jenë të parët’. Se edhe dokumenti i paçmuar i Pavarësisë sonë u shkrua shpejt e shpejt në një fletë fletoreje, fare shkurt, i pamenduar më parë, vetëm në një kopje, e cila nuk dihet ku është!

Kur mbaron së lexuari Hyrjen dhe Parimet Themelore të Kushtetutë së Republikës të Shqipërisë, mendon: mbi cilat themele ngrihet shteti ynë sot? Dhe mund të thuash vetëm këtë: në themel të tij janë interesat e politikës! Këto interesa, indiferenca apo mosdija e popullit na e ka lënë vendin tonë, qytetarin e Republikës së Shqipërisë larg punës, larg dijes, kulturës e mirëqënies së tij. Na kanë lënë me sytë ngulur te tribunat e partive politike, me shpresën se ndokush prej tyre do nisë të mendojë për ne, qytetarët / taksapagues, që i mbajmë mbi shpinë, me krenarinë e paarsyeshme, e cila na shtyn përditë në mëkate të tjera. Arsyeja pse mbetemi vend i varfër, pse jemi popull i politizuar që në barkun e nënës është e shprehur në kushtetutë. Sepse ‘Ne,: Populli i Shqipërisë, jemi krenarë dhe/ose aspak të vetëdijshëm për historinë tonë, me pa-besim te Zoti, pa përgjegjësi për të ardhmen’!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: eleni laperi, krenaria e shqiptarit, Kushtetuta, Zoti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT