Kur Enver Hoxha na paska qenë antifashist, pse nuk u arrestua edhe ai për në Ventotene, kur shume patriote te tjere u degdisen atje …?
Opinion nga Zyba HYSA/
Të kthehesh pas e të ecësh me mend nëpër rrugën e historisë, sipas historisë që na është mësuar nëpër shkolla, sigurisht që mbetesh pa mend, se nuk mund të konceptohen mendërisht ngjarje dhe data të ndërtuara në bazë skenareve politikë të mirëmenduara për t’ia rrëfyer një populli foshnjor, si gjyshet përrallat të vegjëlve për t’i vënë në gjumë.
Dhe nuk qe pak, për rreth 45 vjet dëgjuam përrallën e komunizmit që do na e sillte Partia e 41 –it , por ajo përrallë na vinte në gjumë e zgjoheshim me kazmën e lopatën në dorë dhe me trastën me bukë të misërt që se hanin as derrat.
Unë i bazohem parimit tim të së vërtetës: Për çështje kombëtare nuk ka parti polike, por ka patriotë që udhëheqin luftën për liri e pavarësi.
Sigurisht që populli ynë, më shumë se çdo popull në ballkan është ndeshur dhe përleshur dhëmb për dhëmb me pushtues barbarë dhe pushtues dhelpërakë. Pushtuesit barbarë kanë qenë sllavët dhe grekët, të cilët jo vetëm e kanë grabitur mizorisht popullin, por edhe kanë kryer vrasje masive për të shfarosur. Ndërsa pushtues dhelpërakë kanë qenë turqit, austriakët, italianët dhe gjermanët, të cilët me “dashamirësinë” e tyre, vendosnin pashallarë shqiptarë, bile deri dhe deputetë në parlamentin turk dhe më pas pushtuesit e radhës ngrinin dhe qeveri shqiptare që të nxirrnin gështenjat nga zjarri me dorën tonë.
Kohët kanë evoluar dhe armiqtë tanë kanë ndryshuar taktikat e tyre, por asnjëherë strategji: zhdukje të shqiptarëve dhe pushtim të trojeve me anë të popullimit me serbë dhe grekë nuk ka reshtur kurrë. Ajo vazhdon deri në ditët e sotme me një strategji në bashkëpunim të fshehtë të gjithë armiqtë tanë shekullorë, marrëveshje që ne i shohim dhe i ndjejmë vetëm kur na pritet një copë truall, kur na merret një pjesë det, kur bashkohet autostrada Durrës – Nish dhe maunet “kosovare” me mallra serbë hyjnë e dalin pa doganë, portet tona janë pushtuar nga anije të huaja dhe asnjë anije jonë nuk duket gjëkundi, kur tenderat i fitojnë firma greke, serbe, maqedone, italiane, si të mos kishte në Shqipëri njerëz që dinë të organizojnë e punojnë, kur nëpër dyqanet tona shiten fundërrinat e shteteve fqinje dhe prodhimet tona groposen, kur në pushtet vijënë e shkojnë mbështetës të armiqve tanë, kur nuk përkrahen njerëzit e ditur dhe të mençur, por vihen në poste drejtues njerëz pa nivel, që mund të manipullohen lehtë të punojnë kundër vendit të tyre pa e kuptuar se çfarë po bëjnë, apo njerëz pasardhës të antishqiptarizmës.
Po unë doja të thosha se si e shikoj sot PKSH?
Nuk e di nëse është e vërtetë që Enver Hoxha po rikthehet ne varrezat e dëshmorëve, bashke me disa shokë të tij, po nëse është e vërtetë, shqiptarët duhet të përgatiten sërish një katastrofe të radhës e dihet, përsëri jemi të humbur!
Luftrat heroike të popullit tonë janë udhëhequr historikisht nga patriotë të vërtetë, për të mos shkuar shumë larg, po përmend Luftën e Vlorës të vitit 1920, e cila bëri të mundur të mos coptohej edhe më kjo Shqipëri që kemi sot.
Më pas, sërish patriotët shqiptarë pa i dhënë vetes ngjyrime politike të kuqe apo të zeza, por në ngjyrat e flamurit kuq e zi filluan të organizojnë luftën për liri, se gjithmonë patriotët shqiptarë kishin për qëllim të vetëm mbrojtjen e atdheut të tyre, nuk prisnim të vinin misionarë të huaj për t’u drejtuar shtëpinë, kush u ndihmua nga të huajt vërtet bëri karrierë, por nuk ka mbrojtur interesat e popullit dhe të vendit tonë. Po të ecim më pas filluan të organizoheshin në rang kombëtar forcat patriotike për çlirimin e Shqipërisë, që nuk kishin emër politik dhe nuk ishte nevoja për emër, por për një qëllim.
Kjo vërehetohet qartë se Italia fashiste arrestoi dhe burgosi në Ventotene (nga fundi i vitit 1940)kokat e patriotizmit shqiptarë, në një kohë që zgjimi i popullit për t’u hedhur në luftë ishte kryer më së miri. Në këto situata, pak të çuditshme, por që na çojnë të besojmë për një strategji të përbashkët me Jugosllavinë, se Italia fashiste nuk arrestoi asnjë komunist, por u la shesh veprimi për të korrur punën dhe përpjekjen e patriotëve për ta hedhur popullin në luftë gjoja për liri dhe bashkim kombëtar.
Është për të theksuar, se përderisa Enver Hoxha na paska qenë antifashist, pse nuk u arrestua edhe ai për në Ventotene???
Për ta dëmtuar këtë lëvizje, Italia fashiste terhoqi dhe manipuloi duke u dhënë para disa personaliteteve në qeverinë “Shqiptare” të asaj kohe dhe ata që nuk mund të bëheshin vegël e pushtuesve i burgosi duke e lënë popullin pa mbështetje dhe udhëheqje. Pikërisht në këtë kohë përhapet komunizmi në Shqipëri, grupet komuniste, deri u krijua edhe PKSH në 8 nëntor 1941.
U krijuan të gjitha struklturat e partisë dhe të ushtrisë Nacionalclirimtare e në këtë kohë lirohen nga burgu patriotët e vërtetë të Ventotenes, të cilët përsëri dolën në ilegalitet.
Ishte e kuptueshme që populli u gënjye lehtas për të shkuar me partinë komuniste, edhe ata dolën me idenë e një lufte për liri dhe bashkim kombëtar, se në fillim nuk shpallën luftë të hapur nacionalistëve që kishin krijuar besim në popull.
Fytyra e vërtetë e të ashtuquajturit komunizëm, por në të vërtetë nën atë maskë fshihej serbizmi, doli, kur me ndihmen e misionarëve jugosllavë, u arrit prishja e Marrëveshjes së Mukjes dhe shpallja e vëllavrasjes…
Pasi mori pushtetin Partia Komuniste, filloi të spastronte radhët nga patriotët, të cilët nuk i duheshin më e në vazhdim ekzekutonte ata që e donin vendin dhe popullin. Vrau, burgosi dhe internoi gjithë patriotët shqiptarë, apo më mirë të them gjithë bijtë e familjeve fisnike dhe patriote ndër shekuj, vrau dhe persekutoi dhe mjaft nga radhët partizane e të Partisë Komuniste, por që kishin në shpirt çështjen shqiptare, ai vrau patriotët e çdo krahu.
Për të mos bërë shumë histori me data e me fakte, se kam shkruar shpesh, por nga çfarë kam lexuar dhe studiuar nga shkrime të ndryshme dhe dokumenta arkivore… Partia Komuniste Shqiptare, vetëm emrin kishte kështu, ajo ishte pjesë e Partisë Komuniste Jugosllave, krejtësisht antikombëtare. Ajo parti solli një shtet serb me qeveritarë shqiptarë, ku sapo diktohej ndonjë që ishte patriot, e shpallte tradhëtar dhe ekzekutohej. Kjo mbeti legale derisa u spastruan patriotët dhe siguruan këtë e më pas për farsë u prishën me jugosllavët, por marrdhëniet ekonomike nuk u prishën kurrë, se nuk ishte nevoja më për ideollogji, ajo e ngriti flamurin, tashmë shtetet e dy vendeve ishin vetëm për marrëdhënie ekonomike, për të cilën luftohet me pushkë e me ideollogji. Punonim, ndërtonim, fitonim me pikatore, se “ndërtonim komunizmin në rrethim” dhe “hidhnim valle në gojë të ujkut”, për këtë të dytën më se e vërtetë, po nuk hidhnim valle, por kafshoheshim nga dhëmbët e ujkut, të pa roba në trup, të pa ngopur një herë me bukë, të pa pushuar dhe një ditë djele, duke ndjerë kafshimet dhe duke hedhur fajin njëri – tetri e jo “ujkut” gojëmadh.
Krijimi i asaj partie solli dramën më të madhe të kombit tonë, dramë që pjell dramë pas drame për shqiptarët edhe në ditët e sotme.
Ne jemi një shtet i pavarur, po në të njëjtën kohë jemi të varur kokëposhtë nga padronët e politikanëve tanë. Jemi një vend i pavarur, por për fat të keq këtë pavarësi e paguajmë me një shfrytëzim të dyfishtë: nga krajlat tanë dhe nga të huajt.
Si përfundim, ne vetëm qeverinë e Ismail Qemalit kemi pasur shqiptare dhe të Fan Nolit, ndërsa, më vjen keq ta nxjerr nga goja këtë fjalë, por ne kurrë nuk kemi pasur qeveri për të parë zhvillimin e vendit në dobi të popullit. Qeveritë tona janë bandideske, terroriste, diktatoriale dhe shfrytëzuese deri në palcë të popullit.
Një grusht njerëz në mes të Europës, në shekullin XXI mendojnë për mbijetesë, ku shteti, pasues i diktaturës komuniste, as që e di e as do ta dijë, se sa shtetas ka dhe as që do të dije se ka punë dhe kur e nxjerr nga puna as do të dije se si do të ushqehet ky njeri, shkurt: ne jemi në dorë të armikut dhe në mëshirë të fatit.
Dhe populli “kënaqet” me lajmet bombastike për “forcën dhe vitalitetin e qeverive tona”, që kurrë nuk u morën seriozisht me zhvillimin e vendit, po me punësimin e mbështetësve të tyre, qofshin kriminelë, injorantë apo antikombëtarë, me lehtësimin e firmave të huaja duke e nxjerrë vendin në treg me ligjin “Shqipëria 1 euro” për shfrytëzim skllavi të popullit dhe ku ishim, asgjëkundi, ku do shkojmë , në rrjedhë lumi…
Eh, o popull sa më dhimses/ Kurrë nuk shkove atje ku nisesh/ Vetëm tradhtia s’të lë të ngjitesh/ E pse lufton, prapë gremisesh…
MISET E PYLLIT
Fabul nga ZYBA HYSEN HYSA/
Tregojnë një herë e një kohë, se tek një lëndinë e vogël, që ndodhej mes një pylli me lisa të lartë, një bletë kalonte nga një lule tek tjetra, për të thithur nektarin magjik, prej të cilit do të gatuante mjaltë.
Si çdo ditë, e pushtuar nga puna, nuk e tërhiqte as bukuria e lëndinës dhe pemët që kishin kërrusur kokat për të parë nga afër dallgëzimin e barit të njomë dhe për të ndjerë aromën dehëse të luleve shumëngjyrëshe. Edhe fluturat krahëshkruara kishin kohë që fluturonin mbi kokat e luleve dhe tashme ngjanin si pjesë e këtij mjedisi. Papritur bleta gjendet pranë një fluture që nuk ia kishte parë syri tjetër herë. La punën për një çast dhe i foli me mirësjellje.
– Mirdita flutur bukuroshe!
– Mua, po më flet ti, moj e shëmtuar?! – foli ajo gjithë përbuzje. – E ke parë veten te pasqyra?! Besoj se trembesh! Ha, ha, ha…!
Bleta shtangu dhe mendoi: “Vërtet do jem kaq e shëmtuar?!”
Ajo kurrë s`kishte pasur kohë të rrinte para pasqyrës e të kundronte veten, ndaj uli kokën, por kur pa thesin me pjalm, harroi përbuzjen e fluturës dhe filloi të kalojë tek lulet e tjera për të vazhduar punën.
-S`pati guxim të më kthehej, se e tillë ishte… Shikoni
sa e bukur jam unë! Kot nuk fitova “Mis fluturën!”- foli ajo duke vazhduar vallëzimin e saj të zakonshëm.
Duke dëgjuar mburrjet e fluturës, lulet u shqetësuan. Kur kaloi pranë “Mis lules”duke u spërdredhur, ajo e ndali një çast dhe i tha:
– Boll u lavdërove! Edhe unë jam “Mis lulja”, por kurrë nuk kam vepruar kështu. Gjithë shoqet e mia i kam dashur dhe i dua. Po të mos ishin ato, nuk do të organizohej spektakli e unë nuk do kisha provuar suksesit tim.
– Moj lule e bukur, unë nuk po shaj fluturat e tjera, por atë kurrizdalën!
– Vërtet nuk i shan, por mburrjet e tua i kanë bezdisur dhe asnjëra s`të rri më pranë.
– Mos e kalo bisedën tek shoqet, ato vetë janë ziliqare për suksesin tim, por edhe ti je e bindur, se bleta ngjan e shëmtuar…
– Mos guxo të shash bletën, mikeshën tonë, se do u them shoqeve të mia që të mos pranojnë mbi petalet e tyre e kështu, kurrë s`ke për të ndjerë aromën e pjalmit tonë. Ne nga ti veç të këqija kemi!
– Çfarë të këqijash keni nga unë?!
– Ti veç na rëndon e na prish petalet, se poshtë tyre lëshon vezët dhe ne kujdesemi dhe nxjerrim vogëlushet e tua.
– E mirë, mirë, unë s`po shaj juve. Ju dua, ndaj kam ngritur folenë e vogëlusheve të mia, por bleta duket e shëmtuar! – tha ajo prapë.
– Jo vetëm që nuk ngjan e shëmtuar, – ndërhyri lule Delja që kishte dëgjuar gjithçka, – por ajo që e bën të dashur për ne ka të bëjë me faktin e pamohueshëm, se punon shumë… Gjithë ditën nuk merret me vallëzime si ti, por mbledh nektarin dhe bën mjaltin, të cilin njerëzit e përdorin si ilaç për të shëruar sëmundje të ndryshme.
– Ajo ka shumë vlera për ne, – u dëgjua nga larg zëri i lule Vjollcës, – se bën pllenimin tonë dhe kështu ndihmon me krijimin e frytit dhe farës.
– Edhe unë kaloj lule më lule, – tha flutura me mburrje.
-Eh, moj flutur, – tha lule Kaçja, – kur del ti shumë pemë e kanë mbaruar lulëzimin e kanë formuar kokrrat…
Biseda vazhdoi gjatë. Flutura u mërzit shumë nga kritikat dhe iku e zemëruar me lulet. Shkoi tek foleja e saj dhe filloi të mendonte se çfarë duhet të bënte që t`ia kalonte bletës. “Hë, e gjeta! – mendoi. -Do të marr një shportë e pa dalë dielli, do të shkoj tek lëndina dhe do mbledh gjithë pjalmin e kur të vijë bleta të mos gjejë fare.” Me këto mendime e zuri gjumi. Kur dëgjoi gjelin e parë, u ngrit shpejt, mori shportën dhe përmes errësirës, shkoi tek lëndina. Kudo qetësi. Pemët, bari, lulet, kafshët… ishin gjumë. “Më mirë kështu!”-mendoi. Qëndroi mbi një lule, por ajo kishte mbyllur petalet dhe priste diellin që ta zgjonte. Mbi të rëndonin bulëza vese, që edhe ato prisnin flladin t`i rrëzonin për të falur vlagë tokës. Flutura nuk e dalloi vesën, ndaj sa preku mbi të, shkau dhe vesa ra mbi flatrat e saj, të cilat u lagën dhe nuk e mbanin më mbi ajër. Ra mbi tokë dhe shporta s`di se nga u rrokullis. Filloi të rënkonte nga plagët.
– Çfarë më bëre kështu moj syzezë? Tani s`mund të fluturoj më, – fliste dhe lotët i rridhnin rrëke.
– Kush qan? – pyeti syzeza duke fërkuar sytë.
– Jam flutura, e bukura e pyllit…
– E de , e, mos qaj, se kur të dalë dielli, flatrat tua do të thahen dhe do të fluturosh prapë, – ia ktheu lulja qetë – qetë dhe mbylli sërish petalet e fjeti.
Flutura u struk edhe më fort nën bar nga të ftohtit dhe frika se mos e shikonin të shëmtuar.
Dielli doli dhe jeta fillojë të gjallërohet. Bleta shkoi lule më lule, mbushi thesin me pjalm dhe u kthye për tek zgjoi. Sapo e pa bletën që u largua, flutura shkoi me shpejtësi dhe u struk tek foleja e saj. Vendosi të rrinte larg tyre disa ditë, derisa lulet të harronin grindjen.
Të nesërmen ajo dëgjoi bilbilin, të fliste me zërin e tij të ëmbël dhe të lartë: “Dëgjoni me vëmendje! Nesër nga ora dhjetë organizohet spektakli “Mis punëtori dhe punëtorja e pyllit”. Si tek çdo spektakël, edhe nesër vishuni bukur dhe merrni me vete prodhime tuaja më të mira.” Kaq tha bilbili dhe fluturoi anëve tjera të pyllit.
E nesërmja erdhi bashkë me shqetësimin e të gjithëve për tu prezantuar sa më mirë. Gjithë kafshët, insektet, bimët, lulet, filluan të mendojnë për prodhimet e tyre. Disa e ndjenin veten të pa denjë për spektaklin, por të paktën do të kënaqeshin si spektatorë, ndaj lanë kullotën, shëtitjet dhe u nisën drejt skenës së pyllit. Vetëm bleta punëtore nuk e kishte pasur mendjen dhe nuk kishte dëgjuar lajmin, ndaj, si zakonisht mori thesin dhe shkoi tek lëndina.
– Bletë, bletë, – thirri “Mis lulja”, kur e pa që ajo filloi punën, – eja se do të shkojmë tek spektakli pyllit.
– Unë nuk jam e bukur për të marrë pjesë …
– Nuk e paske marrë vesh? Sot organizohet për të shpallur fituesin e “Mis punëtori, a punëtorja”, prandaj shko tek kosherja dhe vishu bukur, se po të pres.
Ajo nuk e zgjati më bisedën, por fluturoi dhe kur arriti, la thesin dhe veshi fustanin prej mëndafshi ngjyrë mjalti dhe filloi të kundrohet tek pasqyra. U mahnit me bukurinë e saj. “Do marr një qyp me mjaltë për të vlerësuar prodhimin tim”,- tha dhe u nis fluturim për tek lulja. Kur arritën tek skena e pyllit, kishin ardhur të gjithë dhe aroma e lules e bukuria e bletës i detyroi të kthejnë kokën me habi. “Po kjo krijesë kaq e bukur që po vjen me “Mis lulen, cila do të jetë?”-mendoi flutura që rrinte e fshehur pas një gjetheje. Bleta gjithë elegancë, shkoi tek skena, la qypin dhe shkoi tek lulja.
Spektakli ishte i mrekullueshëm. Krahas konkurruesve, morën pjesë të ftuar si: bilbili, kompleksi i kafshëve, thëllëza… kërcyen sorkadhet dhe ketrat, u prezantuan me akrobaci majmunët e plot gjëra tjera, ku shpesh ndërpriteshin nga duartrokitjet e spektatorëve. Dhe ja, erdhi çasti i shumëpritur. Tek skena doli sorkadhja e bukur dhe ftoi ariun, “Mis zgjuarsinë e pyllit”, për të shpallur fituesit.
– Shoqëruesen e parë të misit e meriton…, dallëndyshja, që me punë artistike ndërton folenë e saj tek ballkonet e njerëzve.
– Faleminderit, faleminderit, – tha ajo mes duartrokitjesh të zjarrta.
– Shoqëruesi i dytë, Qukapiku, që me sqepin i tij , si daltë , sulmon krimbat dhe ndërton fole për zogjtë tek trungu i pemës.
– Faleminderit për vlerësimin , – tha ai përmes ngazëllimit.
– Dhe tani titullin e “Mis punëtores”e merr … bleta, që me mjaltin e saj kënaq insekte, kafshë dhe njerëz, bile unë vdes për mjaltin e saj, – bëri shaka ariu.
Të gjithë shpërthyen me duartrokitje, kur bleta doli tek skena me fustanin e saj të gjatë me ngjyrën e mjaltit, që nën rrezet e diellit farfuriste dhe përhapte vezullim magjik.
-Bleta, bleta, bleta…., thërritnin të pranishmit mes duartrokitjeve e brohoritjeve.
“Bleta?!”- mendoi flutura dhe nga hutimi u shkëput nga gjethja ku ishte fshehur dhe ra prapët duke u përpjekur që të kthehej mbarë. Një brumbull shkoi pranë dhe e ngriti.
-Faleminderit, brumbull! –i tha ajo tashmë e penduar për mburrjet që kishte treguar nga dita që kishte fituar çmimin “Mis flutura”
-S`ka gjë flutur e dashur, por ti eja më pranë të shohësh, se sa e bukur duket bleta sot.
Vërtet miset ishin të bukura, por misi i sotëm, kishte një bukuri që buronte jo vetëm nga pamja e jashtme, por edhe nga brenda shpirtit të saj. Flutura u entuziazmua shumë. Hoqi kurorën e saj dhe me të tek duart, u drejtua nga skena, mori mikrofonin dhe tha:
– Unë jam “Mis flutura” dhe ky çmim bëri që të vetëkënaqem dhe ta quaj veten më të bukur nga gjithkush. Të më falin shoqet e mia, që nuk i kam përfillur aq sa duhet, sidomos bleta, se para dy ditësh e kam ofenduar me fjalë të rënda. Sot mësova, se ata që punojnë dhe prodhojnë gjëra të vlefshme, janë më të bukur se ne, që natyra na ka falur vetëm bukuri trupore, ndaj e dashur bletë, kjo kurorë që ka një vit që e kam mbajtur unë, të përket ty, se s`kam parë bukuri të tillë gjatë jetës sime, – foli ajo dhe i afroi kurorën e saj.
Faleminderit flutur e dashur, por ajo kurorë të takon
ty, se kur të pashë tek lëndina, u mrekullova aq shumë, saqë për herë të parë, lashë punën dhe të fola. Ti nuk kishe faj, mbase unë ashtu dukesha, se kurrë nuk jam kujdesur për veten. Sot krahas vlerësimit që më dhanë, mora dhe një mësim të madh, që krahas punës, të gjejmë kohë të vishemi mirë e të argëtohemi, ja kështu si sot. Edhe një herë, faleminderit flutur, faleminderit dhe komisionit për çmimin e madh, “Mis punëtorja e pyllit”! Tani, siç jemi, uluni tek sheshi të provoni mjaltin tim, që shoqet e mia e kanë vendosur mbi gjethe. Spektatorët shpërthyen me duartrokitje të furishme duke thirrur: bleta, bleta, bleta…
Që nga ajo ditë bleta vazhdon të mbajë kurorën e “Mis punëtores” dhe ne themi: “Punon si bletë!” për të vlerësuar e njeriut që punon.
E FTUAR NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT; ZYBA HYSEN HYSA
“NJË KRAH DRITË…”, CIKEL POETIK NGA ZYBA HYSEN HYSA/
PATINAZH MBI AKULL…/
Edhe mbi akull,/
Unë luaj patinazh mrekullisht,/
Në majë – hapat e mia,/
Që prekin faqet rrëshqitëse,/
Si një fllad pranvere shkarazi mbi degë,/
Unë mbjell pranverë,/
Përmes plasaritjeve,/
Si xham kristal të akullit,/
Çelin burbuqet e shpirtit,
Aroma e tyre,
Deh dhe rrëmben në krahët e mi,
Imazhin tënd,
E salla,
Kthehet oazë…
Ti,
Nuk di nëse më rrotullon,
Edhe në vallëzim patinazhi,
Unë me hap – flladin tim,
Ndjehem mirë,
Edhe kur vallëzoj mbi akull…
Pas dimrit,
Ka pranverë…!
NJË KRAH DRITË…
Në rrugëtimin
E udhëve të pjerrëta e të errëta,
Që përfundonin me hone,
Shpesh,
Një rreze dritë si vetëtimë,
Më shumë më verbonte,
Se më ndrinte…
Hapat hidhja…
Si një i verbër, kontrolloja udhën,
Me shkopin e intuitës,
Herë,
Pas një zëri,
Që pa e ndjerë dilte nga shpirti
E jehonën e dëgjoja përkarshi…
Ç’udhë e gjatë,
Udhë,
Ku asnjë nuk u bë krah,
Që të mbështetesha të mos bija,
Asnjë dorë nuk u dha,
Që, kur bija, të çohesha…
Pa pritur,
U shfaq një krah drite,
Që s’e kam krah të mbështetem,
As dorë të më ngrejë,
E kam dritë…
E kam dritë,
Për shpirt!
DHE STINET NGATËRROHEN…
Ka raste Maji nuk vjen fare,
Flladi nuk çel përmbi degë,
Nuk dëgjohet,
As këngë e zogjve nëpër brezare,
As dallëndyshja,
S’gjen dot folenë…
Shpërbëhen stinët,
Të katra në një,
Emrat e tyre si në tornado,
Aqsa dëgjohen… mbeten pa zë…
Raste të tjera…
Ku Maji vjen veçse pak ditë,
Me afshin e Majeve qe s’i la era,
Fryn fllad – flladi,,
Tërbohet pranvera,
Brenda gji – oazës – shpirt…
Tani… thonë që kalendari,
Shënon Qershorin – Verë,
Porse… Maji mbërthyer në degë,
Nuk do të kalojë…
Diçka që ia do shpirti,
S’e ka arritur,
Dhe nuk pushon,
Nën lutje fjalësh,
Ashtu si Marsi Shkurtit,
Disa ditë hua,
Qershorit – Verë i kërkon…
Prapë stinët ngatërrohen…
Kudo shikohet anomali…
Ashtu si njerëzit që dashurohen,
Dhe stinët… presin,
Një ditë të bien,
Në dashuri…
LEJLEKET
Sa herë lexoja tregime… poezi me lejlekë,
A përrallat që nëna më tregonte për ta,
Se ç’pësonte qenia ime, bëhej me fletë,
Ëndërroja jetën… si foletë e tyre… lart…
Kurrë nuk më kanë pëlqyer kanarinat,
As cër… cër – retë e trumcakëve në ferra,
Tmerrohesha, kur dëgjoja të klithnin grifshat,
Të mos përmend më, fluturakët harabela…
Dallëndyshet më sillnin ngazëllim pranvere,
Por trishtim më linin… kur larg shtegtonin,
O zot i madh, qyqen e dëgjoja me dhembje,
Më trimëronin shqiponjat, kur lart fluturonin…
Sot që vitet kanë rendur me mua, pa mua,
E zgjuar apo, në gjumin e detyruar letargjik,
Përherë si lejlekët folenë e tyre, kam luftuar,
Me thonjtë e mi jetën ta nxjerr lart në dritë…
Pse të fsheh burim dritën tënde mistike,
Që ne e emërtojmë me fjalën, Dashuri,
Më jep krahë e kthehem në masë drite,
Si lejlekët jetoj mbi tokë, atje… në lartësi…
NUK MUND TË URREJ…
Si s’ më mësove… që dikë të urrej,
Urrejtjen, o nënë, thoshe, mos e afro,
Të ligut, ligësinë, me mirësi t’ia kthej,
Veç të fshehtat, më këshilloje, mos i trego…
Të ligun… më mirë ta mbash ngjitur,
Në afërsi dhe vështrimin e syve i dallon,
Në ligësi … shkëlqejnë si ujk i uritur…
Në zhgënjimet e tij, suksesin tënd shiko…
NË MË KE TË SHTRENJTË,
MBRO TË SHENJTËN TIME
U këputet filli hyjnor i nënës,
Fiket drita e diellit, e hënës,
E shpirti im në errësirë,
Stalaktit i ngrirë…
I ndjen baba këto drithërime,
Kjo zemra ime si gjethe në erë,
Në më ke të shtrenjtë,
Mbro të shenjtën time,
Ku vite më parë,
Aty më strehove,
Për të më sjellë në jetë….
UNIVERSE…
Në universin tim treten,
Ashtu si floku i borës mbi det,
Miliarda të tjerë universe,
Veç universi ynë nuk u tret…
Çdo gjë në bote është e gjallë,
Papandehur gjallësia shteron,
Dashuri, e pse je veç një fjalë,
Je universi… që veç frymon…
ZJARRMI E UJEZUAR
Si vallë s’u çmall vala me bregun?
Është keq kur uji përfshihet në flakë,
Zjarrmi e ujëzuar kalon edhe zhegun,
Vala tërbohet e kthehet në dallgë…
Sulet drejt bregut ti hidhet në qafë,
Magjia e tij e shndërron në shkumë,
Vala nga dallgë, kthehet stërkalë,
Stërkalat – lot malli… det i pagjume.
FEMRA SHQIPTARE…
Kush me dëshirë të fal liri?!
As nëna foshnjës, për perëndi!
Ndaj gjithsecila, me thonj të zhvatë,
Rrjetën e dhunës që ka përqark!
Sa kohë të ketë pushtet mashkullor,
Dyfish e shtypur do të jesh në jetë,
S’ke pse e quan veten të gjorë,
Por ngriu… lufto me dinjitet!
LUMI SHKUMBIN…
Shkumbin…
Rrjedhën ndoqa,
Mbi shkrepa… hone,
Bashkë me ty,
Përgjakur… sfilitur…
Shkrep me shkrep… kokën goditur…
Çfarë s’ndjeva… çfarë s’pashë,
Gjer në prehrin… e detit rashë…!
Si varke mbi valë u preha pak,
Por vala me valën u bënë bashkë,
Në dallgë,
Mbi dallgë,
Nën dallgë nuk rashë…!
FEMRA…
Është e brishtë…
Natyra kështu e krijoi,
Për të thyer ashpërsinë e burrit,
Por jo burrërinë…!
Fali pak burrëri,
Të veshë me brishtësi!
EJA…
I kam kënduar dashurisë me zë bilbili,
Edhe ku përjetësisht e dënuar me burg,
Më shfaqeshin peizazhe lulesh… tërfili,
Ndër pyje simfoni zogjsh… gurgullima çurg….
Nuk më lodhi kënga… s’ishte këngë vaji…
Dashurinë s’e pengojnë telat me gjemba,
Ajo vjen e hyn mistershëm tek ne, si ajri,
Është ajri që frymon dhe jeton zemra!
Eja, pra, të besoj, se vërtet është dashuri,
Më pas, le ta lidhin, ta burgosin për jetë,
Se prangat, dashuria, këput si magji…
Udhën për tek zemrat e merr si shigjetë!
NGJYRAT E JETËS…
Ngjyra gri, nuk më pëlqen, por dua,
Grinë e jetës, si të grindtë ta jetoj…
Dhe ngjyra e zezë, duhet pranuar,
Që të çelurat ngjyra të dallojmë…
E zeza, grija, bashkë me nuancat,
Zgjojnë brenda nesh shqetësim,
I falem shqetësimit… maten forcat,
Drejt të çelurat ngjyra të arrijmë…
Nëse e zeza, grija… nuancat krejt,
Nuk do të ishin pjesë e jetës sonë,
Të çelura ngjyra… nuk do të ketë,
As jeta… jetën, s’do ta gëzojë…
Historia shqiptare ngjanë si një film, ku sekuencat kryesore janë prerë…
Libri Dr. Lavdosh Ahmetajt: “Shqipëria – Konferenca e Paqes në Paris dhe delegacionet shqiptare – (1918 – 1921)”, një libër me shumë dritare, nga mund të shohësh historinë e vërtetë në këndvështrime të ndryshme, por që shpesh piqen në një pikë…
Shkruan: Zyba Hysen Hysa/
Historia e Shqipërisë këto 100 vitet e fundit ngjanë me një film, ku sekuencat më të rëndësishme janë prerë, personazhet kryesorë janë vrarë, ose detyruar të emigrojnë dhe kaq… filmi vazhdon pa këto personazhe, sikur të mos kishin ekzistuar fare dhe si kërpudhat pas shiut dalin në skenë personazhe të padëgjuar dhe historia, herë nuk kuptohet, herë del me dy histori, ku në një anë ka patriotë e në anën tjetër ka tradhtarë… Nuk e di, mbase gaboj, por nuk i vura vulën, një mendim… thjesht një mendim që më lindi pasi studiove librin e Dr. Lavdosh Ahmetajt “Shqipëria” – Konferenca e Paqes në Paris dhe Delegacionet Shqiptare – (1918 – 1921)
Unë pata fatin të kem në dorë një libër me shumë dritare, ku munda të shoh historinë e vërtetë në këndvështrime të ndryshme, por që shpesh takoheshin në një pikë, gjatë viteve 1019 – 1921, periudhë nga më të rëndat dhe më të trazuara që ka pasur vendi ynë. Autori, përmes hulumtimeve të ndryshme, bëri që të futesha në rrjedhën e librit me dëshirë për të mësuar gjëra që na ishin mohuar, apo na ishin paraqitur nga historia të cunguara, e pse doja të përpija librin, nuk rendja dot, ai të mbërthente dhe herë pas here, qëndroje në meditim dhe kurrsesi nuk mbeteshe pa marrë në shpirt dhembjet e plagëve të Atdheut, plagë që nuk janë mbyllur ende…
Të lexosh këtë libër, është sikur të rikthehesh gjallërisht në atë periudhë historike dhe ajo që më ka ndodhur mua (besoj kujtdo që e lexon do t’i ndodhë), kërkon të kapesh pas fakteve të vërteta, t’i lidhësh ato me fijet e dukshme dhe të padukshme të kohës e të dalësh në përfundime sa tragjike për atë kohë, po aq aktuale për periudhën në të cilën kalon vendi ynë, apo gjithë kombi ynë shqiptar, saqë shpesh mendon: “Ato ngjarje kanë ndodhur dikur, apo po ndodhin sot?”
Ajo që bie në sy në këtë libër, ishte se në një kohë që patriotët shqiptarë, vazhdues të platformës së Ismail Qemalit, bënin përpjekje të jashtëzakonshme për të bashkuar trojet Etnike Shqiptare, shtetet e Mëdha Evropiane bënin plane për ta zhdukur nga harta edhe atë Shqipëri të vogël, që u la nga gllabërimi i 1913, pra shtrohej problem i ngutshëm; nëse do të mbijetonte Shqipëria e viteve 1913, apo do të ribëhej copëtimi i saj mes shteteve tjera si Italia, Greqia, Serbia, Mali i Zi?? Dhe, duke qenë kjo një shqetësim i jashtëzakonshëm, një shqetësim, ku shkaktar ishin fuqitë e mëdha të Evropës, herë – herë edhe të Amerikës, kjo mendoj, ishte e qëllimshme, që patriot shqiptarë të hiqnin dorë nga Shqipëria natyrale, pra nga bashkimi i trojeve etnike, mbi bazën e etnisë, jo të fesë, se rrezikohej heqja fare nga harta e Botës.
Shpesh ndaloja dhe konsultohesha me faktet dhe doja të nxirrja një përfundim, se pse na ndodhte një gjë e tillë? Ku kishim gabuar ne shqiptarët? Pse Evropa nuk na përfillte e vazhdon të mos na përfillë? Dhe si përfundim: Si do jetë fati i kombit tonë?
Në veprimet e hershme dhe të tashme, shtetet e Mëdha të Evropës, sillen me shqiptarët, ashtu si u soll Enver Hoxha (dorë patën përsëri shtetet e Evropës) pas Marrëveshjes së Mukjes me intelektualët dhe patriotët shqiptarë. Dhe dihet që arsyeja kryesore ishte të linin popullin pa kokë, ta sundonin popullin lehtë. Po kështu vepron Evropa me Shqipërinë dhe shqiptarët, për ta lënë Evropën pa kokë, që ta sundojë më mirë, se shqiptarët që ata i shajnë aq shumë, si “të pa aftë për qeverisje”, por historikisht shumë shqiptarë kanë qeverisur mrekullisht edhe nëpër qeveri të shteteve të përparuara të botës, na quajnë “të pazhvilluar”, ku shqiptarët janë dalluar në të gjitha fushat më të përparuara të shoqërisë njerëzore, na quajnë deri “me bisht”, në një kohë që shqiptarët janë përshtatur mrekullisht edhe në shtetet më të zhvilluara të botës e japin ndihmesën e tyre në përparimin e atyre vendeve (“me bisht” janë akoma diplomatët evropianë që ndërtojnë politikat e tyre, mbi bazën e veprimeve primitive të Serbisë, pushtojnë me grumbuj dheu të vendosura në veri të Kosovës), na shajnë që “s’’kemi histori”, ku historia jonë është më e lavdishme se historitë e tyre, se lufta dhe përpjekja jonë shekullore nuk ka qenë pushtuese si e tyre, por vetëmbrojtëse dhe shpesh mbrojtëse edhe për shtete tjera… pra e them me plot gojën, që veprimet antishqiptare, janë njëkohësisht antieuropiane, antinjerëzore dhe kundër qetësisë dhe paqes në Ballkan, Evropë e më gjerë.
Shtetet e mëdha të Evropës nuk lozin vetëm me ne, ato vetëm “kompozojnë melodinë” dhe në këtë valle të rrezikshme përfshihen shumë shtete, gjoja që ajo i mbron, apo u jep ndonjë kafshatë nga Shqipëria (se di që shqiptarët janë të matur, por vetë Evropa i con në katastrofa e gjakderdhje), por në këtë mënyrë ajo i mban nën diktat dhe i shfrytëzon më mirë, pra jep një dhe merr pesë, por në krye të kësaj valleje, jemi ne, shqiptarët që na qëllojnë pa mëshirë, nuk na kanë dhënë mundësi të ngremë kokën dhe të kërcejmë vallen tonë, vallen e zhvillimit shqiptar.
Ekzistenca e mendimeve dhe ideve të ndryshme për probleme të ndryshme të zhvillimit shoqëror ka pasur, ka dhe do të ketë, se vetëm përmes kësaj përplasje të mendimeve dhe ideve, vetë koha nxjerr më të mirën e mundshme për t’u realizuar, por të fabrikosh mendime dhe ide nga më të shumtat dhe të shumëllojshme për një çështje që kërkon zgjidhje jo duke shpalosur ide, por duke bashkëpunuar për ta realizuar idenë madhore që ka udhëhequr e po udhëheq edhe sot Bashkimi i Trojeve Etnike Shqiptare. Kur një komb nuk është bashkuar, nuk ka si zhvillohet, kur një komb nuk është i bashkuar, nuk ka pse dalin 100 ide që kundërshtojnë njëra – tjetrën, gjoja se përshtaten me kushtet historike që kalon vendi ynë.
Evropa dhe mbarë bota, akoma udhëhiqet me mendësitë e para 100 vjetëve për çështjen shqiptare dhe kjo për arsye se ne shqiptarët nuk bëjmë propagandë me të huajt, por grindemi me njëri – tjetrin dhe kjo ka sjellë si pasojë mosmarrëveshje deri në vëllavrasje. Në librin e Ilir ikonomit “Pavarësia – Udhëtim i paharruar i Ismail Qemalit”, me të drejtë thuhet se në atë kohë ishte më e lehtë të merresh vesh me të huajt, sesa shqiptarët me njëri – tjetrin(Kjo sepse të huajt paguanin para marramendëse për këtë përçarje). E njëjta gjë ndodh edhe sot. Ku ishim, ku jemi dhe ku do të shkojmë kështu? Ky hendek midis shqiptarësh e ka origjinën të hershme, por për fatin tonë të keq, ai vazhdon të thellohet me dorën tonë, por me projektin e të huajve, aq shumë, saqë edhe kur kemi interesa te njëjta, bëhemi kundërshtarë. Edhe sikur të jemi në grindje me njëri – tjetrin e të hyje një shqiptarë për t’i ndarë, apo pajtuar, kurrsesi nuk pranojnë, po erdhi një i huaj, nuk ka nevojë që të diskutohet gjatë, por një fjalë thonë dhe “mbaron” konflikti mes nesh, por përherë mbaron duke fituar i huaji. Në librin Adem Demacit “Libër për Vetmohimin” autori e ironizon këtë sjellje mes shqiptarësh duke na dhënë disa burra që rriheshin me njëri – tjetrin dhe shkojnë komshinjtë për t’i ndarë “Mosni bre bura! Ndaluni vëllezër!” por asnjë nuk i dëgjonte, veç vazhdonin grindjen. Më pas vjen një kalimtar dhe kur i shikon gjithë gjak thirri në serbisht: “Stani!” dhe u tundi gishtin, por që të mos e njihnin që ishte shqiptar ikte, por gishtin e tundte me kërcënim… dhe ata ndaluan në çast.
E thashë këtë më shumë për të bindur veten, por edhe lexuesin, se ne, shqiptarët me atë drejtësinë dhe bujarinë tonë që e kemi në gjak, kalojmë shpesh herë në naivë, nuk i kuptojmë qëllimet e tjerëve, nuk kuptojmë dhelpërinë e diplomacisë së shteteve të mëdha, që flasin me gjuhën e mashtrimit dhe, kur e shikojnë që të bënë për vete, të joshin me para dhe po u shite, nuk e ke më veten në dorë, je bërë vegël e para dhënësit e kështu, të huajt e kanë fituar betejën, pa qenë prezent, se ne, shqiptarët luftojmë me njëri – tjetrin.
Autori i shkoqit ngjarjet deri në transparente dhe portretet e figurave të asaj kohe, dalin si në dritë të diellit. Nuk dua të them se Esadi ishte tradhtar, apo patriot, se po t’i vësh në peshorë, si qeveria e Esad Pashës dhe ajo e Durrësit, me Turhan Pashën, apo të Qeverisë së Përkohshme të Sulejman Delvinës, këto ishin qeveri që financoheshin nga të huajt; njëra nga Serbia, Franca dhe Greqia, ndërsa tjetra nga Italia dhe dihet, këto qeveri do të mbështetnin pikëpamjet e pronarëve të tyre. “Kështu në gazetën “Albania”, më 27 shkurt 1919, nr. 46, faqe 1, Gramenua tërhiqte vëmendjen lidhur me qëndrimin që kishte ndaj Turhan Pashës. “Telegrafi na lajmëroji që edhe Turhan Pasha u prit në Këshillin e Lartë të Paqes që të tregojë se cilat janë kërkimet mbi të drejtat e Shqipërisë. Shqiptarët mund të gëzohen për këtë punë, por neve aspak nuk gëzohemi, se këta njerëz janë vegla huaja dhe nuk mund të flasin siç e do interesi i Shqipërisë, po qysh t’i urdhërojnë të zotët e tyre, në të cilët u shtinë”. (faqe195)
Pak rëndësi ka se cila ishte “pro” Shqipërisë, për një Shqipëri të “pavarur”, ndaj se si e kanë emrin këto qeveri nuk pritet ta them unë, historia e ka treguar tashmë dhe autori nuk ka lënë hije fare për këtë problem, por unë dua të ndalem pak në delegacionin e Partisë Politike të shqiptarëve të Amerikës, delegat i së cilës ishte caktuar Ismail Qemali, por do dëshiroja që kjo figurë madhore e popullit shqiptar, si ndër kryesoret që mbështeste bashkimin e trojeve etnike shqiptare, qëllim që kishte dhe ky delegacion në Konferencën e Paqes në Paris, të ishte trajtuar më gjerë, pavarësisht se ai nuk arriti të merrte pjesë, se u helmua. Unë nuk i bëj kritikë librit të Dr. Lavosh Ahmetajt, se qëllimin e tematikës së tij ai ia ka arritur, por në përfundim të këtij studimi, vetvetiu lind pyetja: Si nuk u shqetësua një historian shqiptar për të hedhur dritë në vdekjen tragjike të njeriu më të madh që ka pasur kombi ynë shqiptar, pas Skënderbeut? Unë nuk marr përsipër të bëj rolin e hetuesit, apo të historianes, megjithëse po të më krijohej mundësia financiare, nuk do lija skutë të botës pa gërmuar dhe pa gjetur shkakun e helmimit të babait të kombit tonë, Ismail Qemalit, por me kaq sa kam lexuar në histori, në librin e Ilir Ikonomit dhe tashme në librin e Dr. Lavdosh Ahmetajt, aludoj se vrasja e Ismail Qemalit (helmimi) ka qenë kushti kryesor që Esad Toptani të merrte pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, si i vetmi personalitet shqiptar me aftësi të rralla diplomatike dhe që ishte i përlyer me shtetet në të cilën pretendonin territoret shqiptare. Unë mendoj se libri i Dr. Lavdosh Ahmetajt, pa i thënë këto fjalë që thashë e ka vërtetuar katërçipërisht mosmarrëveshjen e shqiptarëve, se nuk kishte pse në Konferencën e Paqes në Paris të shkonin disa delegacione për të përfaqësuar Shqipërinë, ky qëndrim i shqiptarëve, ishte zgjidhja e Konferencës, megjithëse Konferenca u tregua “bujare” që ruajti kufijtë e 1913 – ës.
“Në një letër që Ismail Qemali i kishte dërguar Mihal Gramenos në ShBA, i tërhiqte vëmendjen se çasti që po kalonte Shqipëria ishte shumë kritik, prandaj duhej veprim energjik dhe i shpejtë. Kauza kombëtare do të pësonte dëme të mëdha, nëse shqiptarët nuk do të kryenin detyrat e tyre si shërbyes të Atdheut…. Ismail Qemali nga Madriti, në fillim të tetorit 1918, tërhiqte vëmendjen se “Detyra jonë imperative (urdhëronjëse) është sot t’i vihemi punës pa mëri dhe pa përtim për të nënë themelitë e të drejtave tona politike dhe për t’i vulosur me vulën e Konferencës së Paqes” … nga Shqipëria të zgjidheshin gjashtë delegatë që të bashkoheshin me delegatët e Amerikës, “të nënë në Paris për t’i propozuar Konferencës kërkesat dhe të drejtat e Shqipërisë”. Ai ishte i mendimit që këta delegatë të kishin në krye një kryetar dhe tre sekretarë dhe të gjendeshin në kohë në Konferencën e Paqes dhe të ishin të “prikosur me dituri për çështjen kombëtare për të bërë propagandë” (faqe 141)
Ku do ishim ne sot po të mos ishte vrarë Ismail Qemali dhe po të ishte realizuar platforma e tij politike për çështjen kombëtare, se ai ka qenë personalitet që mbronte me ndershmëri këtë çështje, ai kurrë nuk mund të bënte tregti me fatet e kombit, siç bënte Esad Toptani, apo “Toptanët” që na kanë sunduar më pas.
Po të meditojmë fare pak, na shkon në mendje kundërshtia e Esad Toptanit, që pa u shpallur Pavarësia dhe kultura e Ismail Qemalit, një kulturë politike që duhet ta kenë zili dhe sot politikanët tanë, e fton atë në përbërje të qeverisë së tij, duke e emëruar Ministër të Punëve të Brendshme.
Asnjë marrëveshje, asnjë ide, asnjë mendim, nuk e justifikon të qenit marrëveshje, ide, mendim, nëse bie në kundërshtim me interesat tona kombëtare. Kush hyn në bisedime me shtetet tjera dhe nuk mbron idenë e parealizuar të Bashkimit tonë Kombëtar, ai është i përfshirë kokë e këmbë në llumin e tradhtisë së interesave të popullit shqiptar. Historia e Shqipërisë ka treguar që krahas patriotëve, janë “shquar” më shumë patriotët e pushtuesve, apo dhe të armiqve tanë shekullorë dhe kështu, patriotët e vërtetë nuk qëndronin nëpër poste qeveritare e s’kishin si të qëndronin, por nga dora kriminale e bashkëpunëtorëve të armiqve të Shqipërisë ata ekzekutoheshin.
Duke e menduar kështu, ne, shqiptarët, kurrë nuk duhet të presim zgjidhjen e çështjes shqiptare nga shtetet e mëdha të Evropës me dëshirën e tyre, por as me forcën tonë, se ato janë bërë të mëdha nga shfrytëzimi i shteteve të vogla, nga copëtimi dhe nga ngatërresat që u bëjnë këtyre shteteve, duke përfituar pasuri marramendëse, ashtu siç kanë vepruar edhe me politikanët dhe patriotët tanë duke u mashtruar se “Do ndihmojmë në bashkimin kombëtar”, po duam këtë apo atë shpërblim, gjë që autori Dr. Lavdosh Ahmetaj e ka pasqyruar mrekullisht në këtë libër të çmuar do të thosha, se është shkollë për politikanët dhe patriotët shqiptarë në ditët e sotme. Kështu Anglia për të mbështetur qeverinë e paligjshme të Esat Toptanit, në një kohë që Esadin e cilësojnë si një figurë të padëshirueshme, më vonë ajo e pranoi. Ja si do ta paraqiste autori: “… Esad Pasha i dërgoi një letër Willsonit dhe Bellfurit, ku i përshkruante shërbimet e tij gjatë luftës dhe me anë të së cilës kërkonte të drejtën e tij si një udhëheqës i popullit shqiptar dhe njëherësh që të kryesonte një delegacion në Paris. Përpara se t’i përgjigjej letrës së Esadit, diplomatët amerikanë morën një informacion të hollësishëm dhe shumë të fshehtë nga Londra. Witehall (qeveria britanike) e përshkruante Esadin si një figurë shumë të padëshirueshëm” (faqe 224)
Politika e jashtme amerikane, e pse në disa momente të rëndësishme të vendit tonë kanë qenë vendimtare, ajo asgjë nuk bën pa u konsultuar me shtetet e Mëdha të Evropës.
Dihet, që si amerikanët, apo shtetet e mëdha, çdo vlerësim për politikanët dhe patriotët shqiptarë e bënin se sa janë ata të përfshirë në “tollovinë” e tyre, por jo si faktor shqiptar, Esadin e shihnin të pa përpunueshëm, sepse ai aleancat i kishte me francezët dhe serbët, po kështu edhe me Grekët e për arsyet e tij karrieriste, ai mendonte që Pogradecin t’ia jepte Serbisë dhe Korçën Greqisë, gjë që ishte në përputhje me francezët, kështu mbyllej rrethi dhe Anglia nuk kishte asnjë interes dhe ç’ishte më e rëndësishmja, asaj i prishej “vija melodike”, se nuk do kishte më mundësi të dirigjonte Evropën. “Konflikt i cili do të conte në dobësimin e luftës kundër lëvizjes turke… sepse ajo kërkonte që nëpërmjet ushtrisë helene të cilën donte ta kishte sa më të fortë dhe sa më të përqendruar. Kjo kishte bërë të mundur që në momentin e fundit, Anglia e kundërshtoi pushtimin e Korçës nga trupat greke. Esad Pasha ishte edhe kundër interesave shqiptare, edhe interesave angleze e për pasojë, edhe amerikane. Po çfarë ndodhi më vonë? Pse u pranua delegacioni i qeverisë së Esad Pashës?
Këtu lindin pikëpyetjet e historisë e pikëpyetja më e madhe, është vdekja e Ismail Qemalit, me anë të së cilës mendonin se do varrosej aspirata e shqiptarëve për liri dhe bashkim kombëtar. Në faqen 231 thuhet: “Po ashtu edhe Filipsi, i cili jepte deklaratë delegacionit amerikan, vinte në dukje se vetëm duke e penguar Esad Toptanin që të mos merrej me çështjen shqiptare, mundej që të arrihej bashkimi i Shqipërisë… Ambasada amerikane në Londër përgjigjej se Esadi ishte person “i cili kthen nga fryn era”… ndërsa ambasada amerikane në Paris përgjigjej se qeveria franceze e shikonte Esad Toptanin si të pa rëndësishëm… ai nuk kishte mbështetje në Shqipëri, por ishte ai që kishte mundësuar tërheqjen e trupave serbe nëpër Shqipëri nga Korfuzi.”
Mendoj, se po të ndjekësh hap pas hapi Esad Pashën në marrëdhëniet e tij me Ismail Qemalin, po të zbulosh lëvizjet e tij diplomatike, (gjë që autori i pasqyron mrekullisht) ku një fakt parësor është dhe pranimi në Koherencën e Paqes në Paris, në mos 100%, por pa gisht nuk është në vdekjen e Ismail Qemalit. E vrau ai, apo i paguari i tij (ai ka vrarë shumë tjerë) kjo pak rëndësi ka, rëndësi ka të dihet dhe të zbulohen deri në detaje rrethanat e këtij krimi me pasoja të rënda për kombin tonë e këto rrethana shpalosen në dritë të diellit nga autori Dr. Lavdosh Ahmetaj në këtë libër me vlera të vlefshme për historinë e vërtetë të Shqipërisë.
I uroj suksese autorit dhe shpresoj që të ndjekë fijet që ka kapur në këtë libër e të mbledhë për së mbari fakte të vërteta historike, me to dhe me shumë vepra tjera të autorëve tjerë seriozë, të thuret HISTORIA E SHQIPËRISË. Të mos e lëmë shkrimin e kësaj historie në duart e botës, por të përveshim mëngët për ta thënë ashtu me të mirat dhe të këqijat që i kemi bërë vetes, jo për të fajësuar njëri – tjetrin, se asnjë nuk mund të fajësohet për gabimet e të parëve, por duke njohur gabimet, duhet të jemi të kujdesshëm në hapat që hedhim, sidomos në politikë, se një gabim politik, nuk përmirësohet lehtë, se ai është si një helm me efekt të ngadalshëm…
Vlorë, më 25. 05. 2013