• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETERSI-DY TREGIME NGA SHKRIMTARI ZYHDI MORAVA

October 9, 2015 by dgreca

Zyhdi Morava u lind në fshatin Grace të Devollit, më  14 mars 1946. Per motive politike u  internua nga Tirana  në fshatin Yrshek. Për të njëjtat motive më 1978 dënohet  me 8 vjet burg. Dënimin e vuajti në Spaç. Pas përmbysjes së diktaturës komuniste fillon të punojë për krijimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura. Gjithashtu, në këto vite ushtron profesionin e gazetarit dhe shkruan vazhdimisht në gazetën “Sindikalisti”,”E vërteta” dhe “Republika”. Mbas vitit 1991 ka botuar shumë libra, si në gjininë e poezisë, ashtu edhe të prozës. Në morinë e veprave të tij mund të përmenden novela “Hingëllimat e shiut”, ndërsa nga romanet më të njohura janë: “E zhdukura”, “Burri i të dashurës sime”, “E veçanta e një dashurie”, roman i cili u vlerësua me çmimin kombëtar “Penda e Argjendtë”, si romani më i mirë për vitin 2005. Po atë vit Zyhdi Morava u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artisteve (LSHA), të cilën e drejtoi për gati dy vjet. Në vitin 2006 Zyhdi Morava dekorohet nga Presidenti i Republikës, me titullin “Mjeshtër i Madh”./

TREGIM  PER VETEN

  Një të diel me diell, vërdalloseshim në oborrin e burgut. Komisari i tij Pjetër Cara dhe kartelisti i burgut Tahit Dava, një burrë i thatë dhe i zi,  hynë mes nesh. Befas ky i fundit thirri:

 – I dënuar!

  Si shumë të tjerë, edhe unë pashë andej nga erdhi zëri.

 – Ti, – drejtoi gishtin  nga unë komisari.

“ Ç’dreqin  kanë, mendova. Ç’duan prej meje? ”

  U afrova pa ulur sytë, pa përpëlitur qepallat. U ndenja përballë, hijerëndë. Isha më i gjatë e më i fuqishëm  se ata, por… isha i burgosur…

  I pari foli komisari, ftohtë, prerë.

  – I dënuar, pse mban mustaqe?

  – I kam patur, që kur isha i lirë.

  – S’është e vërtetë, – tha  burri i zi. Edhe zëri  i tij m’u duk i tillë.

 – Ti që ke dokumentat, – i thashë, – hapi dhe do shohësh se fotografia ime është me mustaqe.

 – Sidoqoftë duhet t’i heqësh., – tha komisari.

 – Jo, – u thash unë.

 – Këtu urdhërojmë ne, – u çorr zëri i zi.

 – Nuk i heq!

 – Do të bëjmë ne t’i heqësh..

 – Këtu ju jeni Qeveria, – u thashë,- kokën mund të ma hiqni, por mustaqet jo.

 – Do e shohim, – tha komisari.

 – Do e shohim, – thashë unë.

 – Po, po, do ta shohësh, – tha zëri i zi, kërcënues. Dhe ikën.

 Rreth meje u mblodhën  shokët, të habitur, të shqetësuar. Kërcënimi qe i

hapur. Kaloi një javë. Erdhi rradha e qethjes. Kur u ula në karrigën e berberit, dyshova se mos … Nga pasqyra shihja fytyrën si prej dhelpre të berberit, një i burgosur i vjetër, spiun dhe pederast.

 – Po të „shpëtoi“ dora  dhe „pa dashje“ m’i pret mustaqet, – do të të vras si qen, – i thashë egër.

 Nga karrigia e tij, ku mbetën flokët jo më të gjata se një centimetër, u çova buzagaz.

 – S’kam kolonjë,- tha.

 Fytyrën e lava me ujë.

 Kaloi dhe një javë. Dalëngadalë po e harroja kërcënimin kur…një mbasdite, tellalli i kampit, spiun dhe ky, thirri.

 – Zyhdi Morava në takim!

 Mbas pak minutash kalova portën e vogël prej dërrase. „Porta e vogël“ ishte kufiri i të burgosurit me personelin e komandës. Atë portë kishte të drejtë ta kalonte tellalli dhe ndonjë spiun tjetër. Sapo ngjita shkallët e gurta  e dola te sheshi  i vogël, hodha sytë te porta e  burgut me kangjella, e hekurt, tej së cilës, nëna ime  e veshur me të zeza, e mpirë, e trembur, e lodhur, me sytë e vegjël  që i ndrinë nga gëzimi, pa nga unë, buzëqeshi. I ngazëllyer u nisa drejt saj. S’na ndanin as dhjetë metra kur nga njera prej dhomave të takimit special, dolën ata të dy, komisari dhe kartelisti. Ma prenë udhën.  

 – Të ka ardhur nëna, – tha komisari.

 – E shoh, – iu përgjigja.

 – Po deshe ta takosh, shko hiq mustaqet.

 Më erdhi ta pështyja. Nëna ime kacavjerrrë te hekurat  e portës, dukej si një lutje  e dhimbshme, lutje e gjallë.

 – Nuk do e takoj, – dhe në qofshi burra, i thoni pse s’do e takoj.

 Ua ktheva shpinën me rrëmbim. Atë çast dëgjova kujën e nënës. Diçka m’u këput përbrenda.  Nuk  i thonë më kot,  të këputet shpirti! Logorinte si të më kishin vrarë. S’kishte faj. Do kthehej mbas asaj rruge të gjatë e të lodhshme pa e takuar djalin, pa ia puthur sytë, pa ia nuhatur erën, pa i thënë një fjalë e një porosi. Pat ardhur mbushur me shpresë, do kthehej si trastë e zbrazur. Ç’të bësh, moj nënë, ç’të bësh, tët bir e ka mbërthyer ferri!    

  Pas gjysmë ore  më thirrën pësëri.

 – Takoje, takoje.- më thanë ftohtë, egër.

 U vërsula drejt saj dhe ashtu nëpërmjet hekurave kryq, ia mora duart, ia putha, pastaj fytyrën, flokët, s’kisha  të  ngopur. Ajo qante dhe qeshte.

  – Po hiqi, o bir, këto  të shkreta mustaqe!  

 – Mos nënë, mos ma kërko këtë.

 – As për hatrin tim?

 – Për ty mund të bëj çdo gjë, moj nënë, po kësaj rradhe s’po të dëgjoj. S’është fjala thjesht për mustaqet.

 – Kam frikë, o bir, kam frikë! Kushedi  ç’do të bëjnë!

 – Agjë më tepër nga ç’më kanë bërë, asgjë,- dhe ia putha duart.

  Polici që ndodhej i pranishëm gjatë takimit, tha me zë prej guri:

  – Takimi mbaroi.

  E pashë në sy me urrejtje. Kishin kaluar vetëm tri minuta nga dhjetë që ishte koha normale e takimeve.

   – Na lër dhe pak, – e luti nëna.

  – Mos e lut moj nënë!  Dhe, po deshe, mos ecë më, mos!

  – Më merr malli, o bir!

  – Duro, siç durojnë të gjithë.

  – Po unë jam nënë…

  – E di, e di, po mos eja, po më deshe… mos eja…

  – Ndjeja se po përlotesha.

  – Takimi mbaroi, – përsëriti polici.

  E putha nënën fort, duke e lutur dhe një herë të mos vinte më, mora trastën  me ato pak ushqime që i kishte hequr nga goja për të m’i sjellë mua dhe me hap të shpejtë, pa kthyer kokën, me sytë që më digjnin, kapërceva portën e vogël.  

 Tani është natë, dimër, bie shi, Nëna s’është më. Dëgjoj erën si rënkon e përpëlitet nëpër drurë dhe më ngjan si rënkimi i saj. Më pushton një dëshirë e  marrë të dal nëpër natë, të shkoj në varreza  te varri i saj, të bie përmbys, ta  pushtoj me krahë e mes lotëve t’i them se për ato pesë vjet që na ndanë për së gjalli, nuk qe faji im, s’qe faji im, jo nënë, s’qe faji im!

                                            

Tiranë  6  12  1990

                                     ——————–

–                                                                     

                    1200 kokë burra

 

   Hëm! U bë gati një orë që ju dëgjoj të shani gratë. U ngarkoni të shkretave aq e aq faje dhe vetë përpiqeni të dilni të larë, pa kuptuar se në fajet e tyre

keni pjesën tuaj. Sa dopio u bënë? Dhe prapë grate! Shumë volle kundër tyre ti, Maks, dhe sytë të mbetën të gjunjët e zbuluar të asaj vajzës ulur te tryeza përballë. Si the, si? Te vështrimi yt është dëshira që ka etje, që do të pijë dhe sytë i rrinë te një shishe konjaku? Shuarje etjeje? Vetëm kaq? Jo, miqtë e mi, jo, s’mund t’ju dëgjoj më.

  Asnjëri prej jush s’ka qenë në burg. Fat për ju. Asnjëri prej jush s’e ka njohur urine. Gjynah që s’e njihni! Uria është mrekulli, sepse, sapo e shuan atë, mendon se jeta është fort e bukur! Vështrojeni femrën si të doni, s’ka rëndësi, unë e shoh si liri. Po, femra është sinonim i lirisë.   

  Mes malesh të lartë ngrihej kampi i të burgosurve. Poshtë maleve, në fund, rridhte një përrua që verës thahej. Përrua i shteruar është shpirti i burrit pa gruan. Mbi kokat tona, disa hektarë qiell ndërronin ngjyrë sipas stinës. Ndërsa brenda telave me gjemba vetëm burra, burra, burra kokëqethur. Të rinj, të pjekur, të moshuar, pleq. Sy meshkujsh plot zjarr, të qetë, ëndërrimtarë, të platitur, të plakur, me sklepa. Koka dhe sy mashkullorë, që, duke i parë çdo ditë ndieje të të thahej e të ronitej ajo kënga e bukur e dashurisë për jetën, të cilën ta ndez e ta harlis prania e femrës.

  1200 meshkuj, 1200 koka të qethura, 2400 sy mashkullorë, 1200 pantallona, 2400 këpucë burrash…burrash…burrash… Edhe malet, edhe qielli qenë mashkullorë. Edhe ajri vinte era mashkull…Dhe vazhdimisht, tej telave me gjemba, bariste zbathur, flokëshpleksur, fustangrisur, e bukura dhe e dashuruara prej të gjithëve: LIRIA.

  Zgjatnim buzët, zgjatnim duart e gishtrinjtë e dëshirave ta përkëdhelnim e ta puthnim që të harronim sadopak burgun, por dhe gishtat e dëshirave, edhe duart, edhe buzët, na përgjakeshin nga telat me gjemba dhe nga vështrimi i ftohtë e mashkullor i ushtarit që rrinte në vendrojë.

  Pa le kur vinte vjeshta! Era sillte prej malit përballë aromën e këndshme të një bime, që, deshe s’deshe, të kujtonte shijen e verës dhe të zgjonte me forcë e këmbëngulje dëshirën për praninë e  femrës. Në një ditë të tillë, me një diell të grisur nga telat me gjemba, i thashë mikut tim:

  – Më vjen të ulërij.

  – Edhe mua, – tha ai.

  Prej akacies në oborr pikonin fletët e verdha, të vogla, si gjuhëza flake.

 – Si ditët tona, – i thashë.

 – Që na shkunden nga pema e jetës, – plotësoi ai.

 – Kot, – vazhdova, – pa kuptim.

 – Pa dashuri, – tha zemërhekur ai- tmerr, pa dashuri!

 E pashë me dhimbje atë djalë simpatik. Një vajzë që kishte patur, prej kohësh nuk i shkruante më. Natën vonë e dëgjova të ngashërehej. Flinim pranë. U ktheva andej. Pat rënë përmbys, i dridheshin supet.

  – S’qajnë burrat, – i thashë  duke e shkundur nga supet.

  -Mos përdor të tilla shprehje idiote,- tha duke kthyer nga unë sytë e përlotur, kam parë të qajnë drurët prej vetmisë, e jo madje njeriu. Jo, jo, me lotët e mi s’qan burri. Një javë më parë, e pe vetë, më mbajtën tri orë në pranga sepse kundërshtova policin. M’i shtrënguan ato pranga deri në fund.   Më dhimbinin  kockat, m’u enjtën, e prapë s’qava. Përkundrazi, buzëqeshja. Këta lot që sheh s’janë të burrërisë sime, po të shpirtit tim. Më qan dashuria, dashuria e munguar, e uritur…

  – Fli –i thashë- dhe bëj dashuri në ëndërr.

Ai psherëtiu dhe s’foli më.

 Ca ditë më pas, e diel qe, një diel e përkëdhelur, e zbutur nga drita e diellit, ndërsa rrija shtrirë në shtratin tim të drunjtë, me duar nën kokë e me mendjen larg, tek dashuria ime, të cilën s’e pata parë prej një muaji, dëgjova zërin e mikut tim që më thërriste prej oborrit. Ç’kishte ai?

 Ndërkaq, u shfaq në derë e më bënte shënjë me dorë me duar e me sy. Me ata sy që i vezullonin me një ndriçim që nuk ia kesha parë deri atë çast.Qe aq entuziast e dukej aq i gëzuar sa, një çast, mendova se mund të ishte  hapur dera e burgut dhe, o burra, kush të hidhej në krahët e lirisë. Shkova pranë dritares së hapur, atje ku rrinte ai.

 -Vështro, – më tha- e ndeu krahun.

Tej telave me gjemba e syve të ftohtë të ushtarit, tek udhëza që shkonte bri përroit thuajse të tharë, ato çaste po kalonte një vajzë e veshur ndryshe nga malësoret, me fustan të hollë e të freskët, mëngëshkurtër. Qe e gjatë, e re, me gërshetë të zi, e vetëdijshme për rininë, bukurinë, për lirinë e saj . Dhe më të vetëdijshëm  atë qendrim e bënin 2400 sy që patën dalë në oborr dhe hidhnin përmbi vajzën dritën e shprtrave të etur për dashuri, për grua.

 Pas pak u fsheh te kthesa. 1200 shpirtra psherëtinë. Edhe imi. Qe femra që kaloi aq pranë  dhe na rrëmbeu mendimin,

  Dhe për aq kohë sa ndenja atje, dy herë në ditë, në mëngjes e pasdite vonë, ajo do të kalonte tek udhëza bri përroit, e ne, të burgosurit, kokëqethur, veshur të gjithë njëlloj, me sytë plot zjarr, ëndërrimtarë a të qetë, me sy të shuar a të lodhur, të mplakur e me sklepa, e thithnim, deheshim, hutoheshim, harronim vuajtjen, jetonim lirinë! Me sytë tanë bashkoheshin edhe ata të ushtarit në vendroje.

 Cila qe? Si quhej? Ç’ëndrra kishte? Ç’dëshira?

 Kurrë s’e mësuam. Dhe s’na duhej. Herë pas here kthente kokën nga ne dhe buzëqeshte.  Na buzëqeshte ne, të burgosurve, të gjithëve…

 Dhe një mbrëmje, buzëdimri, kur pëgatiteshim të flinim, miku im, befas, tha me zë të lartë:

– Unë e dua atë.

– Edhe unë, – tha fqinji tjetër.

– Edhe unë, – tha dikush me rrëmbim.

– Edhe unë, – tha një poet.

– Edhe unë,- tha një plak.

– Edhe unë!…  

Dhe tani, ju lutem, mos e shani më femrën! Të paktën, në sytë e mi mos e shani!          

                                           ———————

 

Marr nga libri  “TREGIMET E BURGUT.”

Botim i vitit 2006

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: LETERSI-DY TREGIME NGA SHKRIMTARI, ZYHDI MORAVA

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT