Dega e VATRES në Jacksonville, Organizon me 13, 14 dhe 15 Maj, 2016, Festivalin Tradicional Shqiptar në Surfin Somboeros, buzë oqeanit. Janë ftuar Degët simotra të Vatrës në Tampa, Fort Lauderdale dhe Orlando,si dhe personalitete të jetës social kulturore, politikës dhe religjioneve fetare, si z. Edmond Brahimaj alias “Baba Mondi”, me cilësinë e Kryetarit të Kryegjyshatës Botërore, dhe prof. Nusret Pllana nga Kosova, këngëtarë nga mëmëdheu, grupe valltarësh në Diaporë, etj…/
****
Kryetarja e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, shkrimtarja dhe publicistja Raimonda Moisiu ishte në fund të prillit mysafire në degën e Vatrës në Jacksonville. Znj. Moisiu, e cila ndodhet prej disa javësh në Jacksonville, Florida, u prit në një takim mbresëlënës nga Bordi drejtues i degës së Vatrës, në qytetin e bukur dhe historik të Jacksonville.
Ky takim u organizua nga Kryetari i Degës së Vatrës, Jacksonville, Adriatik Spahiu. Ishin të pranishëm në takim Bordi Drejtues i kësaj dege: Nën/Kryetari Rexhep Gabrica, Sekretarja, Diana Male dhe anëtarët e bordit; Lavdie Mato, e cila është edhe Drejtoresha e Shkollës së Parë Shqipe në Jacksonville, Florida, bisnesmeni Sandër Martini, Hasan Hakrama, bisnesmeni, Gjon Lleshi, dhe kandidatët për anëtarë bordi, bisnesmeni Indrit Këllezi dhe pinjolli i familjes legjendare, kombëtare, heroike dhe historike Jashari, Bastri Jashari.
Kryetari i Dega Vatra, Jacksonville, Florida, z.Adriatik Spahiu, duke i uruar mirëseardhjen, znj. Moisiu, dhe pasi bëri prezantimin e saj me bordin, – u shpreh se ndjente kënaqësi të vecantë të prisnin një personalitet të letrave shqipe, artit dhe kulturës shqiptare në Diasporë dhe më gjerë, por edhe me cilësinë e Kryetares se SHSHSHA-së. Në një atmosferë të përzëmërt dhe mbresëlënëse enthusiazmi dhe optimizmi, Kryetari i Degës, z. Spahiu bëri një paraqitje të veprimtarive dhe aktivitetin e kësaj dege që prej themelimit e deri më sot. Z. Spahiu u shpreh se ka qenë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi me anëtarët e bordit, vatranët e thjeshtë dhe komunitetin e biznesit shqiptaro-amerikan në Jacksonville Florida, që me punën e tyre të palodhëshme mbështetin fuqishëm shpirtërisht e materialisht, si burimin e cdo idealizmi dhe kanë mundësuar realizimin me sukses dhe përfaqësimin më mbresëlënës, interesant dhe historik, në shtetin e Floridës, por edhe më gjerë në Diasporën shqiptare, jo vetëm për ndjenjat atdhetare, patriotike e kombëtare, por edhe për unifikimin dhe promovimin e vlerave tona kombëtare dhe identitetit shqiptar, zhvillimin ekonomik e kulturor, ruajtjen e gjuhës amëtare,kulturës e traditave shqiptare e patriotike, integrimin e identitetit shqiptar krahas kulturave të tjera në tokën amerikane. Në fjlaën e tij, z.Spahiu mes të tjerave u shpreh se; Për një mision të vecantë kombëtar e historik jemi në Organizimin e Festivalit Tradicional Shqiptar, -i cili do të zhvillohet për herë të parë në Jacksonville, Florida, nga Dega e Vatra ,-për tre ditë me rradhë, në dt 13, 14 dhe 15 Maj, 2016, në Surfin Somboeros, buzë oqeanit. Aktiviteti do të jetë shumëdimensional ku janë ftuar Degët simotra, të Tampa, Fort Lauderdale dhe Orlando,personalitete të jetës social kulturore, politikës dhe religjioneve fetare, vecmas me praninë e z. Edmond Brahimaj alias “Baba Mondi”, me cilësinë e Kryetarit të Kryegjyshatës Botërore, dhe prof. Nusret Pllana nga Kosova, këngëtarë nga mëmëdheu, grupe valltarësh në Diaporë, etj. Aktiviteti do të promovojë bisnese të kategorive të ndryshme nga kompani bisnesi shqiptaro-amerikane që operojnë në shtetin e Floridës, rrethinat e tij dhe në tërë Amerikën. Secili anëtar i bordit shprehu mendimi dhe ofruan ndihmën e tyre morale dhe financiare për mbarëvajtjen dhe realizimin e këtij Festivali thënë ndryshe Manifestimi Madhështor të Identitetit Shqiptar në Floridën e bukur amerikane.
Në fund znj. Moisiu falenderoi Degën Vatra, Jacksonville, Florida, për pritjen e ngrohtë. Ajo tha se ndjehej e nderuar dhe shprehu kënaqësinë që ndodhej mes vatranëve të Jacksonville, me cilësinë e Kryetares së SHSHSHA-së, por edhe si një zë femëror krijues, intelektual e qytetar, si bashkëkombase e juaj, duke vlerësuar ndihmesën, bashkëpunimin dhe bashkëveprimin mes kyesisë dhe Bordit drejtues të Degës Vatra, Jacksonville, Florida.
Në fund u shtrua një darkë tradicionle shqiptare në restorant “Roma”, me pronar shqiptarin, z. Gasper Lukaj. U trokitën gotat e verës dhe u ngritën dolli, ku nuk munguan edhe fotot.