Nga B.Jashari/.-Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesuar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, mori pjesë në takimin e radhës në Bruksel për çështjet e zhbërjes së strukturës ilegale të sigurisë të ashtuquajturës “Mbrojtja Civile”.
Nga Brukseli, në komunikatën e sapodërguar të Qeverisë së Kosovës bëhet e ditur se, në këtë takim u bisedua për të gjitha veprimet që duhet të merren lidhur me zhbërjen e plotë dhe efektive të kësaj strukture ilegale sipas marrëveshjes së arritur që nënkupton ndërprerjen e veprimtarisë, mbylljen e lokacioneve të veprimit dhe dorëzimi i uniformave dhe pajisjeve operative të tyre sipas rregullave ndërkombëtare.
Gjithashtu u bisedua për integrimin e individëve serbë, që dëshirojnë të integrohen në institucionet e shtetit të Kosovës. Delegacioni i Kosovës shprehu gatishmërinë për procesin e integrimit në institucionet të ndryshme qeveritare në përputhje me kornizën ligjore të Republikës së Kosovës duke i respektuar kriteret ligjore dhe kualifikimet shkollore.
Në komunikatën e Qeverisë kosovare theksohet se zhbërja dhe integrimi duhen të ndodhin sa më shpejtë dhe se ky do jetë një kontribut për vendosjen e ligjit, rendit dhe stabilitetit në këtë pjesë të Kosovës.
Me këtë proces i jepet fund prezencës së strukturave ilegale serbe të sigurisë dhe së bashku me procesin e zhbërjes së plotë të strukturave ilegale policore, ligjërisht dhe praktikisht përfundon praktika e ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë, në sferën e sigurisë.
Bashkimi Evropian rikonfirmoi përkushtimin për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Brukselit për normalizim, e cila si parim ka mosndërhyrjen e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës