Papa Françesku priti sot në Vatikan, presidentin e SHBA-ve, Barak Obama. Është hera e parë, që këto dy personalitete botërore takohen. Vizita e parë e Obamës në Vatikan është ajo e korrikut 2009, gjatë së cilës u prit nga Benedikti XVI.
“Welcome” (Mirëserdhët). Papa Françesku e priti edhe Barak Obamën me thjeshtësinë, që e karakterizon. Presidenti amerikan u përgjigj: “Faleminderit. Është mrekulli, që ju takoj”. Në çastin e bisedës private ndërmjet të dyve, të pranishëm, vetëm përkthyesit. Biseda zgjati rreth 50 minuta. Më pas, ceremonia e shkëmbimit të dhuratave dhe paraqitja e anëtarëve të delegacionit amerikan e takimi i tyre me Atin e Shenjtë.
Presidenti i SHBA-ve mbërriti në Vatikan rreth orës 10.15, i shoqëruar nga një kortezh i gjatë makinash, ndërsa zona pranë Shën Pjetrit ishte blinduar nga policia. Në Oborrin e Shën Damazit, kreun e Shtëpisë së Bardhë e priti imzot Genshvajn, prefekt i Shtëpisë Papnore. Së bashku me Obamën, edhe kreu i diplomacisë amerikane, Xhon Kerri, që në janar pati takuar Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin. Pikërisht me të bisedoi Obama, pas audiencës me Papën.
Komunikata e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë saktëson: “Bisedimet e përzemërta mundësuan shkëmbimin e opinioneve mbi disa tema të aktualitetit ndërkombëtar, me urimin që në zonat e konfliktit të respektohet e drejta humanitare dhe e drejta ndërkombëtare, për një zgjidhje me negociata ndërmjet palëve. Në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe e të bashkëpunimit ndërmjet Kishës dhe shtetit, u fol mbi çështjet me rëndësi të veçantë për Kishën Katolike në SHBA, si ushtrimi i lirisë fetare, e drejta për jetën dhe e kundërshtimit për hir të ndërgjegjes, si edhe tema e reformës së emigracionit. Në fund, u shpreh impenjimi i përbashkët për çrrënjosjen e trafikut të qënieve njerëzore në botë”. (Kortezi:Radio Vatikani)