
Roland Gjini
Marin Haxhimihali*
Taq (Dhimitër) Buda është një personalitet i njohur në fushën e farmaceutikës, por edhe patriot dhe politikan i Elbasanit, i gjysmës së parë të shekullit XX. Lindi në vitin 1869 në lagjen Kala të këtij qyteti, lagje me tradita patriotike dhe arsimdashëse, dhe ndërroi jetë në vitin 1941. Vitet e para të shkollimit i kreu në vendlindje, arsimin e mesëm në Manastir, asokohe qendër e vilajetit me të njëtin emër, më pas, arsimin e lartë për farmaci e ndoqi dhe e përfundoi në Athinë, në vitin 1892. Po këtë vit kthehet në Elbasan, duke qenë farmacisti i parë i specializuar dhe i arsimuar jo vetëm për këtë qytet, por në tërë trojet shqiptare. Vetëm dy javë pas kthimit në vendlindje, Taqi (sikurse e thërrisnin elbasanasit dhe ky emër i mbeti në vazhdimësi), u caktua të punonte si inspektor arsimi në shkollat e qytetit, por kjo punë nuk i solli asnjë kënaqësi. Ai shet pronën e trashëguar dhe hap një farmaci që bëri emër, sepse kishte shërbim modern dhe barna të efektshme, melheme (pomada që i bënte vetë), etj. I pajisur me eksperiencën e trashëguar prej të atit, i cili ishte mjek, si dhe me një diplomë me rezultate të shkëlqyera nga Fakulteti i Mjekësisë së Athinës, Taq Buda filloi ta ushtronte profesionin e farmacistit në Elbasan që nga viti 1894.
Farmacia ka qenë përballë Hamamit. Në katin sipër Reshiti, çiraku, grumbullonte dhe ndihmonte në përgatitjen e barnave. Poshtë ishte pritja e klientëve dhe një holl ku rrinin shpesh dhe mjekë që lëshonin recetat, si dr. Miraku etj. Farmacia, e quajtur “Shëndeti”, u pajis me barna që vinin nga Italia, ku T. Buda kishte marrëdhënie me një bazë grosiste të njohur në Bari, me pronarin e së cilës familja e ruajti miqësinë deri pas Luftës II Botërore. Letrat dhe kartolinat dërgoheshin me siglën e shtypur enkas sipër: “Farmacia Shëndeti Taq Buda-Elbasan”. Farmacia në qendër të pazarit ishte moderne për kohën, nëse i besojmë përshkrimit të një udhëtari austriak në një revistë vjeneze.
Në vitin 1897, Taq Buda martohet me Elena Kasapi (Xhufka) në një dasëm të madhe që u bë në shtëpinë e re, të sapondërtuar të Budave në qendër të qytetit. Gjatë viteve të regjimit komunist kjo shtëpi u shtetëzua dhe u kthye në Degën Ushtarake të Elbasanit. Sot është prishur dhe mbi trallin e dikurshëm të saj është ndërtuar një pallat shumëkatësh. Një rastësi fatlume bëri që dasma e tij të përjetësohej nga peneli i Edith Durham, e cila ishte mikeshë në shtëpinë e Budave, që i vizitonte sa herë kalonte nga Elbasani gjatë udhëtimeve të saj nëpër viset shqiptare. Nga kjo martesë u krijua një familje e gjerë me pesë djem (Herakliu, Stasi, Mihali, Aleksi, Sofokliu) dhe tri vajza (Athinaja, Liria, Roza).. Pra, Taq Buda është edhe babai i akademikut të njohur elbasanas, Aleks Budës. Situata e qëndrueshme ekonomike i dha mundësinë Taq Budës që të shkollonte gjashtë prej fëmijëve të tij, katër djem e dy vajza, me shpenzimet e veta. Po ashtu, ai ndihmoi financiarisht edhe familjarë të tjerë, si për shembull të mbesën, vajzën e vajzës së madhe, Enerieta Dodbiba nga Elbasani, e cila gjithashtu ka ndjekur 4 vjet Gjimnazin e Tiranës.
Taq Buda nuk spikat vetëm si një farmacist i suksesshëm. Ai ishte gjithashtu një luftëtar i rradhëve të para për pavarësinë e Shqipërisë, për alfabetin e gjuhës shqipe si dhe për autoqefalinë e Kishës ortodokse shqiptare, pas vitit 1921 u bë edhe një politikan aktiv në Parlamentin shqiptar. Kishte njohje me patriotë shqiptarë të klubeve të ndryshme që u hapën në Elbasan, menjëherë pas shpalljes së Hyrietit (1908), sidomos me ata të shoqërisë “Bashkimi” ku bënte pjesë. Këto klube, u bënë vatra të përhapjes së shkollave dhe arsimit shqip, ndërsa shtëpia e Budave, në një dokument të vitit 1907, përshkruhet si “çerdhe subversivësh”, ku bëheshin plane kundër pushtimit osman e kundër helenizimit të Shqipërisë.
Më 14-22 nëntor 1908, Taq Buda merr pjesë si delegat e përfaqësues i Elbasanit në Kongresin e Manastirit. Ai ishte partizan i përdorimit të alfabetit latin dhe ju kundërvu hapur përpjekjeve për ta shkruar shqipen me alfabetin grek. Këtë e dëshmon më së miri letra që T. Buda, më 27 gusht 1908, tre muaj para se të shpallej platforma për shkrimin e shqipes në Kongresin e Manastirit me dy alternativat e saj, i drejtonte gazetës Alithia (E vërteta) të Selanikut. Aty i kundërvihej me argumenta grupimit të quajtur “Shqiptarët Ortodoksë të Selanikut dhe të fshatrave përreth”, të cilët donin ta shkruanin shqipen me gërma të alfabetit grek.
Më 2-9 shtator 1909, si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”, T. Buda merr pjesë si delegat i Elbasanit, në Kongresin e Elbasanit, ku u propozua midis të tjerash hapja e së parës shkollë që do të përgatiste mësues, të cilët do të përhapnin diturinë jo vetëm në Elbasan, por në mbarë viset shqiptare. Që nga ai moment Taqi u bë njëri nga financuesit kryesorë të kësaj shkolle. E çmonte vlerën e arsimit edhe si atdhetar, sepse nëpërmjet tij, si të gjithë rilindësit, mendonte që do të çelej një perspektivë e mirë për Shqipërinë.
Taq Buda është firmëtar i Pavarësisë së Elbasanit me grupin e parisë së qytetit në nëntor 1912, tri ditë përpara shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë, të nxitur nga përparimi i ushtrisë serbe drejt Elbasanit. Ka bërë pjesë, madje dhe e ka drejtuar grupimin politik “Pleqësor” të Shefqet Vërlacit, fillimisht si pjesë e Partisë Popullore (1921) pas formimit të Këshillit Kombëtar nga Kongresi i Lushnjes dhe një vit më pas (1922) ai së bashku me përkrahësit e Vërlacit, kaluan në Partinë Përparimtare. T. Buda ka qenë gjithashtu dy herë deputet në Parlamentin shqiptar: më 5 prill 1921 u zgjodh në Këshillin Kombëtar, kurse më 27 dhjetor 1923, sërish deputet në Asamblenë Kushtetuese. Ndërkaq kishte abstenuar më 2.12.1922 në votëbesimin ndaj qeverisë së Zogut. Edhe pas vitit 1922 vazhdoi të bënte pjesë në grupimin politik të Shefqet Vërlacit “Pleqësorët”. Ky pozicionim i tij pranë Vërlacit nuk kishte të bënte me ndonjë pakënaqësi të tij ndaj Aqif Pashë Elbasanit, për të cilin ruante respekt e vlerësime, por me familjen Vërlaci kishte një miqësi familjare të trashëguar. Ndërsa në planin politik, mendojmë se ndoshta fakti që “Pleqësorët”, apo “Përparimtarët”, ishin për një regjim politik në formën e republikës, e kishte joshur atë, pasi dihej që ai zotëronte një kulturë perëndimore. Një arsye më shumë mund të ketë qenë edhe fakti që Shefqet Vërlaci ishte pro italian, vend me të cilin Taq Buda kishte interesa jetësore ekonomikë, pasi qyteti i Barit ishte furnizuesi kryesor i barnave të farmacisë së tij.
Në parlamentin e parë legjitim, të formuar nga zgjedhjet popullore, Taq Buda luan një rol tepër aktiv. Pas zgjedhjes si deputet në pranverë të vitit 1921, ai u caktua anëtar i Komisionit për Punët e Administratës e të Ushtrisë. Mori disa herë fjalën në parlament (Këshillin Kombëtar), duke ngritur probleme nga më të ndryshmet. Kështu, në një seancë parlamentare ai ngriti problemin e ndërtimit të Urave mbi lumin Shkumbin në Qukës dhe të urës së Ali Beqarit. Duke qenë profesionalisht i lidhur me mjekësinë, në një diskutim të tijin u ndal në çështjet e sigurimit të ndihmës dhe të ushtrimit të lirë të detyrës së mjekut, sidomos për ata që janë përgatitur apo po përgatiten jashtë vendit: “Në vend që t’i jepet një hovë përparimit të kësaj dege, përkundrazi, i vëmë një palë pranga, që jo vetëm të mos mundi të përparojë, por ta shtyejë për ma poshtë… Për me i dhanë një encuragemente (inkurajim) studentave që ndodhen jashtë dhe që studiojnë në këtë degë. Se i përket nderit, shëndetit, jetës e dinjitetit të popullit shqiptar”. Në fushatën e zgjedhjeve për Asamble Kushtetuese të vitit 1923, Taq Buda u vu në krye të grupit elektoral “Pleqësorët” që mbështeste Shefqet Vërlacin. Ishte në listën e kandidatëve për deputetë të Asamblesë në radhët e këtij grupi. Ky grup i fitoi zgjedhjet e dhjetori për Asamble Kushtetuese dhe mes 10 deputetëve të Elbasanit, njëri ishte Taq Buda.
Vijoi të jetë aktiv në jetën politike shqiptare edhe pas dhjetorit të vitit 1924, pra pas riardhjes së Ahmet Zogut në pushtet. Tërheq vëmendjen fjalimi i tij në Parlament gjatë diskutimit të Statutit të Republikës Shqiptare në fillimin e vitit 1925, ku T. Buda ishte i vetmi deputet që kundërshtoi sanksionimin në statut të nenit që vendoste si kryeqytet të Shqipërisë Tiranën. I ndërgjegjshëm se shumica e kolegëve tashmë e kishte vendosur Tiranën si kryeqytetin e ardhshëm të Shqipërisë, T. Buda e merr fjalën duke u shprehur: “i sigurue se forca e arsyes nuk tremet nga forca e shumicës gishtit”. Gjatë ushtrimit të funksioneve parlamentare, Taq Buda mbajti edhe postin e kryetarit të Odës ekonomike në parlament. Në këtë kuadër, hartoi edhe një raport për qeverinë ku konstatohej shfrytëzimi që i bëhej krahut të lirë të punës në Shqipëri nga kompanitë e huaja, sepse “s’ka ligje të posaçëm që të rregullojnë punëtorin me atë që jep punën”. Të njohura janë gjithashtu debatet e tij në parlament në lidhje me projektligjin për shërbimin shëndetësor dhe farmaceutik si dhe propozimi i argumentuar për shpalljen e Elbasanit kryeqytet.
Në vitin 1925 është përsëri në listën e kandidatëve për deputetë të Elbasanit, por fakti që këtë rradhë ai nuk fitoi, e bëri që të tërhiqet nga pjesëmarrja aktive në politikë për një farë kohe. Rikthehet përsëri si politikan në prill të vitit 1939, duke u përfshirë në listën e delegatëve të Elbasanit për në Asamble Kushtetuese, përkrah kryeministrit proitalian Shefqet Vërlaci.
Një aspekt tjetër ku Taq Buda ka qenë mjaft aktiv lidhet me autoqefalinë e kishës ortodokse shqiptare. Më 1922 ai është përfaqësues i Shpatit në Kongresin e Beratit, ku u shpall autoqefalia e kishës shqiptare. Më 1929 është përsëri delegat i Shpatit në Kongresin II të Autoqefalisë në Korçë. Në prag të këtij kongresi, firma e Taq Budës figuron krahas atyre të Lef Nosit, Dhimitër Papajanit e Kov Delianës në telegramin përshëndetës që populli i Elbasanit i dërgonte kongresit. Elbasani shquhej për harmoni fetare, banorët e qytetit kishin miqësi të sinqerta e përpiqeshin ta ndihmonin njëri-tjetrin në çdo rrethanë, pa bërë asnjë diferencim fetar. Në këtë kuadër duhet parë edhe miqësia me shumë e shumë familje të tjera elbasanase pa dallim feje, ku dallohej miqësia me familjen e Shefqet Vërlacit, të cilin Taqi e vlerësonte për disa qëndrime e mendime, sipas tij, të spikatura.
*Dr. i shkencave Marin Haxhimihali është nipi i Prof. Aleks Budës dhe stërnipi i Taq Budës.