
Fatmir Konja/
“V”-ja e gishtave u bo gërshan “, tha Albin Kurti në një takim me zgjedhësit gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit. E kishte fjalën për aktet e qeverisë së drejtuar prej tij kundër korrupsionit. Ndoshta ishte edhe një përgjigje ndaj komenteve mediatike se në periudhën para zgjedhjeve nuk po i ndaheshin nga dora lopata dhe gërshërët për të përuruar investimet e kryera nga qeveria e drejtuar prej tij. Simbolika e gërshërëve iu bashkëngjit në këtë mënyrë simbolit “VV” për të fituar “500k “. Me gjasë u pëlqye nga votuesit e bindur të partisë së tij, por votuesit e pavendosur nuk i shkuan pas fijes euforisë dhe mujsharisë së Kurtit, i cili kërkoi gjithçka ose asgjë. Nga ana tjetër, Kurti dhe Vetëvendosja, të ardhur në pushtet me fitore plebishitare katër vite më parë, i kishin përdorur “gërshërët” rregullisht kundër çdo mundësie bashkëpunimi me kundërshtarët politikë, deri edhe për çështje thelbësisht të interesit shtetëror, ku spikat çështja e koordinimit me përfaqësuesit ndërkombëtarë lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Revanshi i Kurtit, i yshtur nga numrat në Kuvend, nuk u la asnjë hapësirë përpjekjeve të partive të tjera politike për t’u dëgjuar dhe për të kontribuuar në këtë fazë të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Jo vetëm kaq, po edhe në momente kritike të marrëdhënieve edhe ashtu të tendosura me kancelaritë perëndimore, nuk ndërmori asnjëherë një konsultim të sinqertë me faktorët politikë të vendit. Në këtë kontekst, Kurti bëri copash me “gërshërët” e tij edhe kostumin e dikujt që nga baza e zgjedhësve të Vetëvendosjes thirrej “Albin baba”, duke mos i respektuar, e shpeshherë duke i tallur kundërshtarët politikë. Pikërisht për shkak të kësaj sjelljeje, edhe pse ka marrë dyfishin e votave të partisë së dytë në radhë, partitë opozitare janë bërë bllok kundër tij dhe asnjëra prej tyre nuk po jep asnjë shenjë se mund të hyjë në bisedime për të ndërtuar një qeveri me Kurtin kryeministër. Sikur të mos mjaftojë kjo, përfaqësuesit e kancelarive perëndimore duket se nuk kanë ndërmend të mbështesin krijimin e një qeverie të re të drejtuar nga Kurti, për të mos thënë se ka prej tyre që po përcjellin mesazhe që e minojnë këtë mundësi. Tanimë, shumë më gjerë se në rrethet politike apo diplomatike, po përpiqet të zërë rrënjë ideja se një qeveri e re me kryeministër Albin Kurtin nuk do të shihej si partnere e besueshme as e Brukselit, e as e Uashingtonit. Nuk është e tepërt të themi se rivalët politikë janë duke pritur edhe ndonjë ndërhyrje direkte nga përtej Atlantikut për të rrëzuar përfundimisht përpjekjet e Kurtit për një qeveri të re të ndërtuar prej tij. Duhet shtuar fakti se rrëzimin e Kurtit e dëshirojnë njëheraz, por për arsye të ndryshme, edhe qeveritë e Beogradit dhe të Tiranës. Këtë të dytën dhe emrin e kreut të saj, me shumë elegancë nuk e përmendi kurrkund as ish-drejtori i VOA, Elez Biberaj në analizën e para dy ditëve mbi idenë e tij se marrëdhënia e veçantë e Kosovës me SHBA, nën qeverisjen Kurti është shndërruar në një marrëdhënie të ndërlikuar. Është fakt se aventurieri politik i Tiranës i ka bërë boll dëme Kosovës me nismat e ndërmarra për të siguruar kredo politike ndërkombëtare për qeverinë e tij. Thënë të gjitha këto, Albin Kurtit i duhet të hedhë tutje gërshërët, dhe të përpiqet tanimë me gjilpërë t’i qepë vetes një kostum të ri, të një politikani jo vetëm të gatshëm për kompromis me opozitën për krijimin e një qeverie të re, por të përulur para nevojës urgjente që ka Kosova për një zë të përbashkët të të gjithë faktorëve politikë të vendit përballë sfidave dhe rrethanave të reja gjeopolitike.