TË DUA KOSOVË
Lisat në Kosovë
Janë liria që mbiu në gjak
Me krahë të hapur drejt qiellit…
O Zot!
Lules në Fushë-Kosovë
Ende i rrin vesa e motit
Në petale,
Siç fëmijës
Loti i harrohet në faqe
Kur hutohet me gënjeshtrën e të rriturve.
(Djallëzi e pabesë!)
Hej Kosova e gënjyer
Ti je Shqipëria ime e vërtetë,
Dhe unë jam i gatshëm të vdes
për të vërtetën,
Kurdoherë!
Oj Kosovë,
Zemër, lule, motër…
Të dua
Pasha luftën
Që vajzat
djem t’i bëri!
TEKTONIKA E SHPIRTIT
Çel pranvera
në zemër të vdekjes
Siç çel zogu
Nga vdekja e vezës
Apo bari nga ikja e vesës
Çel jeta
Nga vdekja e vdekjes
( Dhe dashuri)
Por veç një gjë nuk çel më kurrë:
Zemra që ka vdekur brenda zemrës
( Ah, jo më).
JE GJITHKUND E S’JE ASKUND
Ku je moj sybukura e viteve të gjallërisë?!
Pyesin fjalët që duan të bëhen poezi
Pyesin ato që duan të bëhen ti!
Të sheh nata
Sytë i pjellin yje
Të sheh drita në ëndërr
Dhe formën tënde merr!
Ti e ngut vjeshtën
Piqen mollët, rrushi…
Pastaj e ngut dimrin
Dhe bëhesh lule pranvere;
Oh, ti e ngut jetën
Sa një ëndërr e bën
Pastaj zhdukesh
Dhe poezitë e mia dalin nëpër natë
Me vargje mungestare
Të kërkojnë deri në hënë
Por ti harron të jesh diku
Plot harrime është jeta
Kryeharrimi-vdekja
Mos harro, e dashur!
Azgan Berbati u lind në Tropojë. Është diplomuar në Bachelor dhe Master Shkencor, në profilin: Inxhinier Agromjedisi dhe Ekologji. Ka përfaqësuar studentët në Qeverinë e Universitetit (senatin akademik) dhe në Komisionin Institucional Zgjedhor. Është licensuar si trajnues në disa projekte. Në vitin 2017-të ka fituar çmimin e parë “Poezia më e mirë” në konkursin e zhvilluar nga Klubi Letrar Pena e Re-Tiranë. Është bashkëautor në disa antologji, revista letrare, bashkëpuntor i shtypit periodik, etj. Në vitin 2019-të ka botuar librin me poezi “Britma E Heshtjes”. Është caktuar anëtar jurie për Festivalin Kombëtar (rinor) Letrar Tiranë, vlerësuar me medalje dhe certifikatë mirënjohje. Me librin Britma E Heshtjes ka marrë pjesë në Panairin e Librit Shqiptaro-amerikan në Stamford-SHBA, prill 2024. Është anëtar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë në SHBA.