LIBËR TEPËR INTERESANT QË NGRE PYETJE EKZISTENCIALE MBI FATIN DHE NATYRËN NJERËZORE/
Nasi Lera: “Të gjithë premtojnë Parisin”, botimet Toena, Tiranë 2015./
Shkruan: Mikel GOJANI/
Shkrimtari Nasi Lera është i njohur jo vetëm në Shqipëri,por edhe në Kosovë dhe më gjerë. Që në vitet ’70 publikut lexues të Kosovës i ka rënë t’i lexojë tregimet dhe novelat e tij, ndërsa më vonë edhe romanet.
Nasi Lera u lind në Korçë më 1044, ku mbaroi shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, në degën letërsi dhe gjuhë shqipe. Ai tërhoqi vëmendjen e lexuesve dhe të kritikës letrare që në tregimet e para për nivelin e tyre të lartë artistik. Veprat e tij u vlerësuan menjëherë me çmime në konkurset kombëtare si dhe me “Çmimin e Republikës”. Disa prej tregimeve të Nasi Lerës u përkthyen në bullgarisht, rusisht, hebraisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, anglisht. Ka botuar këto vëllime me tregime: “Bora e fundit”, “Era e pishave”, “Nisemi djema”, “Ditë nga ky shekull”, “Sytë e dashurisë”, “Treni ecte drejt dëborës”, “Duaje emrin tënd”, “Ulërimë e heshtur”, si dhe romanet: “Gjaku i prillit”, “Të jetosh kohën”, “Orët e qytetit të vogël”, “Balada e vetvetes”, “Nata e premierës”, “Ana Zh., “Njeri pas stinë”, “Sytë e Sofisë”, “Të gjallë dhe të vdekur”. Romani “Të gjithë premtojnë Parisin është romani i tij i fundit, përkatësisht i dhjeti me radhë.
LERA, SHKRIMTARI QË NË KËTO VITE KA PROVUAR ME FORCË SE KRIJIMTARIA E MIRË LETRARE ËSHTË NË PËRPUTHJE ME HESHTJEN FISNIKE TË AUTORIT DHE ME TË KUNDËRTËN E ZHURMËS SPEKULATIVE QË MBIZOTËROJNË LETRAT SHQIPE.
Një krijimtarinë e shkrimtarit Nasi Lera, një vend me rëndësi zënë edhe përkthimet e shumë librave të letërsisë botërore, përkatësisht përkthimet e shkrimtarëve nobelistë, si E. Heminguej, A. Kamy, J. Saramago, G.G. Marquez, A. Zhid, Le Clezio, M.V. Llosa, J. Kavabata, Kenzaburo,, si dhe të aurotëve të mëdhenj si M. Kundërsa, M. Duras. M. Turnie, Akutagava, S. De Bavuar, M. Gallo, D. Merezhkovski etj.
Shkrimtari Nasi Lera në letërsinë shqipe vjen me romanin e tij të dhjetë të titulluar “Të gjithë premtojnë Parisin”, që është një nga romanet e tij më interesant dhe më të arrirë. Nëpërmjet këtij romani autori Lera e dëshmon energjinë e tij të pandërprerë krijuese në fushën e formës së vargut të gjatë, si dhe përvojën e tij artistike në këtë fushë të letërsisë.
Romani i fundit i Nasi Lerës I titulluar “Të gjithë premtojnë Parisin, vjen si një libër tepër interesant që ngre pyetje ekzistenciale mbi natyrën njerëzore, nga dhuna, te vrasja e ndërgjegjes, ndjesa e dashuria. A është kjo e fundit iluzion, apo jo gjithherë? Pyetje që lë alternative dyshuese. Ky libër i ri dëshmon se Lera ka shumë për të thënë me stilin e tij, duke i ofruar lexuesit, që di si t’i josh me fabulat e tij tepër interesante, duke mos ia zhgënjyer pritshmëritë, me një tjetër dramë njerëzore, duke e tëhollur më shumë fillin që ndan realen nga dëliri, ëndrrën nga e përditshmja, dramën nga dashuria… Ai përshkruan njeriun, njeriun që ende në shoqërinë shqiptare përballet me shkaqe dhe fenomene që kanë tejkaluar kohën.
Lajtmotivin e këtij romani tepër interesant nuk mund ta zbërthejë kush më mirë se sa shkrimtari, publicisti dhe kritiku shqiptar Rudolf Marku.
Në parathënien e librit Rudolf Marku shkruan: “Nasi Lera është një shkrimtar që në këto vite ka provuar me forcë se krijimtaria e mirë letrare është në përputhje me heshtjen fisnike të autorit dhe me të kundërtën e zhurmës spekulative që mbizotëron letrat shqipe.
I shkruar si historia e një vajze që ka marrë pjesë në një reality shou (Kështjellari) dhe e dashurisë së saj me shkrimtarin e vetmuar që përpëlitet të shkruajë romanin e vet – një alter ego i vetë autorit – romani kthehet gradualisht në historinë e patreguar të tmerrit të realitetit shqiptar, të denatyralizimit të këtij realiteti: personazhet, të gjithë së bashku, kushtëzojnë fatin tragjik të karaktereve të romanit.
Më tepër se në romanet paraardhës të Nasi Lerës, “Të gjithë premtojnë Parisin”, është shkruar nën një kontroll të admirueshëm artistik, qoftë edhe një fjalë e vetme nuk është e tepërt. Karakteret zhvillohen, nuk tregohen. Gjuha është poetike, por kjo nuk e pengon autorin të tregojë tmerre të vërteta. Në të kundërtën, poetikja e prozës e bën brutalitetin më të dukshëm. Dialogu duket se është dhe mjeti më i fuqishëm shprehës i autorit. Një roman i plotë, tronditës, bashkëkohor, tragjik, një simfoni pa asnjë notë të vetme false… shprehet shkrimtari Marku.
NË KËRKIM TË NJË JETE TË RE LETRARE
Romani “Të gjithë premtojnë Parisin” i prozatorit Nasi Lera, është një roman tepër tërheqës, që gjatë gjithë leximit lexuesin e mban peng në pritje të ngjarjeve që ndodhin. Edhe kësaj here autori tjerr fabulën e fateve njerëzore, shpirtin e të përvuajturit për shkak të njerëzve tepër të çuditshëm dhe të mistershëm. Rrëfimi dhe ngjarjet që ndodhin japin mesazhin më të keq dhe, po ashtu përçon edhe një mesazh tjetër teper interesant që jep për të kuptuar se njeriu gjithherë është dhe mbetet qenie e mistershme.
Nasi Lera ka ndërtuar një realitet romanesk duke sjellë debatin e sotëm të njeriut përballë famës dhe njeriut përballë realitetit. Simoni dhe Eva, edhe pse dy botë të ndryshme, gjejnë një arsye për t’u bashkuar. Më shumë se dashuri është dëshira për t’i dhënë kuptim vetvetes.
Lajtmotivi i romanit rrjedh nga dashuria e një vajze të keqpërdorur në një “reality shou”, me emrin Eva, me një shkrimtar Simonin. Të dy kanë nevojë për njëri-tjetrin si një pohim kundër jetës boshe mbushur me vrazhdësi dhe zhgënjim, me rëndomtësi dhe mashtrim. E para, e mbytur nga province që i merr frymën, andaj dhe në kërkim të një tjetër jete dhe ëndrre bie pre e mashtrimit dhe iluzionit, e manipuluar nga disa spekulacione mediatike argëtuese që njeriun e shndërrojnë në lodër, kurse jetën reale në spektakël të neveritshëm e argëtim pervers për të tjerët. I dyti, i mbytur nga mediokriteti i ambientit kinse intelektual me shtirjet, aromat dhe “salcërat” e shoqërisë së zgjedhur, e të ashtuquajturve “VIP-a”, ku blofi dhe buja mbulojnë thelbin, ndërsa rituali i promovimeve të veprave shndërrohet në një pretekst për vanitet ose “gravitet” social. Shkrimtari Simon kërkon fjalinë e parë të romanit të ri, pra një jetë të re letrare. Mirëpo, shkrimtari Simoni e ka shumë zor t’i gjejë fjalët e para për të filluar romanin dhe ka frikën që romani do të përfundojë pa filluar në mungesë të gjetjes së fjalëve për të filluar romanin. Dhe shkrimtari, Simoni e ka shumë të vështirë t’i gjejë ato fjalë që do t’i mundësonin fillimin e këtij romani që kishte paraparë për ta shkruar. Megjithatë Eva e mbush optimizëm se do t’i gjejë fjalët e për fillimin e romanit të ri.
-Kur do të fillosh të shkruar?- tha Eva.
Simoni vështroi i menduar nga dritarja.
Më duhet të shkoj në disa vende, të bëj disa foto dhe do të doja që atje ku do të shkoja të binte dëborë.
– Po sikur të mos bjerë dëborë?
– Do të më vije keq, – tha Simoni.
Eva F. Ndjeu se midis saj dhe Simonit do të futej romani, të cilit i kishte dhënë fjalinë e parë. Ai mund ta printe Simonin, sa ta harronte edhe atë. Nuk duhet të mërzitem edhe po më harroi duke shkruar romanin, tha me vete Eva F. Dhe rrëshqiti ngadalë nga shtrati, për të mos zgjuar Simonin që me siguri shihte në ëndërr dëborën që do të binte në faqet e romani… (Fq. 179).
Eva, mbushur plot pezëm e dëshpërim nga shpërdorimi që i është bërë, kërkon dhe ajo një dashuri të dytë, atë të vërtetën. Jeta, rastësia, fati apo shiu (simboli i trishtimit) i bëri bashkë. Dhe shkrimtari i gjeti të dyja të munguarat e tij të mëdha: fjalinë e parë të romanit dhe shpirtin e vet binjak, dashurinë. Të dy ata, Eva dhe Simoni, thuajse të refuzuar nga rregullat e shoqërisë së mbytur nga snobizmi dhe dukja, gjejnë atë që është thellësisht njerëzore: dashurinë e dëlirë si lumturi dhe përfalje reciproke, si largim nga e pista, e vrazhdët, drejt përbaltjes të së mirës, të ëmblës, fisnikes, asaj që rri mbërthyer e heshtur brenda vetes dhe pret çastin fatlum të shndërrimit të trishtimit dhe vetmisë në gëzim dhe solidaritet, ashtu sikurse bora e dimrit mbulon poshtë vetes bulbin e ri të gjelbërimit.. Pas një dashurie dhe lumturie, fatin Evës, shkrimtari e ngreh me fatin tragjik të saj, me përdhunimin që i bëhet prej dy njerëzve të papërgjegjshëm me sjellje rrugaçërie. Gjithçka merr kahe tjetër nga ajo që kishte qenë deri me atëherë, gjithçka kthehet në poshtërinë një ndjenjë tepër të ulët të asaj ndjenje që kishte ndodhur më herët, tepër të të bukur dashurie që Evës i kishte lindur për Simonin. Ishte kjo hakmarrja e njerëzve të fortë e të kamur përse ajo nuk pranonte të shiste trupin dhe bukurinë e pastaj të flakej si shumë simotra të tjera më parë. Përkundrazi, ajo kërkonte dinjitet, kërkonte të regjentë dashurinë e mohuar e të tallur publikisht. E reja që sjell Nasi Lera me Evën është shkrirja shumanësie e saj: vetmia, iluzioni, zhgënjimi… Këto ushqejnë një dashuri të dytë, tanimë të vërtetë, të thellë, ku lind një frutë tjetër trefarësh: besimi, respekti, mirënjohja. Dhe kështu, një dashuri e gënjeshtërt, spekulative dhe e manipuluar që lind diku në një “spektakël”, në një “reality shou”, zëvendësohet nga një dashuri tanimë e vërtetë, e njëmendtë për shkrimtarin shpirtgjerë Simon.
Dy dashuri, por krejt të ndryshme në thelbin e tyre: e para e dështuar dhe e keqpërdorur nga një tjetër (apo të tjerë !), e dyta e realizuar dhe e mbushur me respekt nga partneri (Simoni). Eva e kërkoi lumturinë, por lumturia erdhi veçse një çast, për t’u shqyer nga tmerri dhe vrazhdësia. Bukuria nuk respektohet, ajo veçse shfrytëzohet në mënyrë të pacipë e tepër, tepër të egër dhe në mënyrë të vrazhdët.
“Eva F. Nuk e përfytyronte dot veten larg Simonit. Ajo ishte e lumtur që donte Simonin. Edhe Simoni ishte i lumtur që donte Evën. Dhe asgjë nuk kishte për të ndodhur, sikur ata të dy të ishin takuar në rrethana të tjera. Po a mund të takoheshin në rrethana të tjera dhe të ta dashuronin njëri – tjetrin si dashuroheshin ata, a mund të takoheshin në një kohë tjetër dhe a ekzistonte me të vërtetë një kohë tjetër? Ata u takuan në atë kohë kur mund të takoheshin dhe unë them se rolin kryesor në atë që ndodhi e ka koha dhe vetëm koha. Dhe në qoftë se ka një fajtor, ai është koha me njerëzit që i japin asaj fytyrën e tyre. Eva dhe Simoni nuk ishin fytyrat e kohës. Ata as që mendonin të ishin fytyrat e kohës, ata mendonin të ishin fytyrat e dashurisë së tyre. Kaq u mjaftonte për të qenë të lumtur dhe për të përballuar jetën… dhe gjithçka ndodhi për faj të dëborës…” (fq.285).
Por lumturinë e tyre e shkel egër me këmbë pikërisht e vrazhdët, pjesa e llumit. Pjesa fisnike (Simoni) apo ajo estetike (piktori), ani pse e mbrojnë (i pari) apo i përgjërohen (i dyti), në një shoqëri problematike dhe e zhytur dhe e mbytur nga paragjykimi dhe ndotësira, ata nuk mund ta çlirojnë dot atë nga vargonjtë e gabimit, e fatit dhe sidomos e hakmarrjes në formën e poshtërimit, përkatësisht përdhunimi i dhunshëm i Evës, që i shuan ëndrrën e lumturisë.
NJË IRONI TË HOLLË, MADJE TEJET FSHIKULLUESE
Përveç fuqisë së përshkrimit, stilit të veçantë estetiko-artistik dhe fjalëve së tepër të skalitura, autori ngërthen edhe një ironi të hollë, madje ajo bëhet tejet fshikulluese teksa hidhtas përqeshen p.sh. veprimet e marrëzishme të shtetit zhytur në varfëri, kur Instituti i Policisë nxjerr në ankand për shitje qentë, duke përcaktuar madje një procedurë tejet të rregullt dhe “serioze” për mënyrën e blerjes, kaparin e lëshuar më parë, rregullat e ankandit etj., sikur të kishim të bënim me shitje të ndonjë prone publike shumë të rëndësishme… Sakaq, rrëfimi është i shumëllojshëm, ka disa histori jetësh njerëzore, sikurse edhe mënyra diverse të ligjërimit. Aplikohet me sukses situata dialogjike në formën e një rrjedhe pa praninë e narratorit, duke i dhënë kështu ritëm veprimit. Ose futen shpesh përsiatje me natyrë filozofike që e lartësojnë dhe zbukurojnë mendimin; do të kujtoja, bie fjala, ato për lumturinë, raportin e njeriut me natyrën, kafshën, borën, shiun, detin; ose ç’është bukuria, fuqia jetësore dhe estetike e saj etj. Mbase shkrimtari mund të futej më herët në rrugën e subjektit të zgjedhur, sepse ka një vonesë dhe shpenzim energjie për përshkrime ndodhish e situatash që edhe mund të reduktoheshin. Fletët për episodet e fshatit Dardhë të Korçës dhe gjithë çfarë ngjet e thuhet aty, janë nga më të bukurat.
Nasi Lera fabulën e romanit e ka skalitur përmes personazheve që here jetojnë e here plandosen gjatë zhvillimit të ngjarjeve që përshkohen në roman. Janë këtu emrat e Ambasadorit një figurë që dëshiron të dijë shumë për vajzën që hyn në lokal, e nuk thotë asgjë për të shkuarën në shërbim gjatë kohës nën diktaturë. Në vend që të zbardhë ndonjë gjë për atë çfarë ka përfaqësuar në emër të shtetit të dikurshëm, ai kujtohet veç për një vajzë në Paris, që i ka mbetur diku thellë në kujtesë ashtu, e patakueshme. Si për të thënë, që sytë e një vajze në kohën e tij të largët kanë qenë më të rëndësishëm se gjithë jeta e tij diplomatike e një vendi që s’kish asgjë për të thënë veç kotësisë. Aty gjendet edhe personazhi tjetër sh-marinarit Kipe dhe Ardi, që me rolin e tyre ngërthejnë shumëçka interesante dhe krijojnë një botë të pasur prozaike. Në libër defilojnë edhe protagonistë të tjerë,, të cilët përmes dramave që zhvillojnë i japin shpirt prozës së trajtuar.
Lirisht mund të themi që shkrimtari Nasi Lera te romani “Të gjithë premtojnë Parisin” ka arritur të gjitha vlerat motivore, po ashtu edhe ideoartistike, i cili edhe një herë përmes këtij romani dëshmon së proza e tij është me interes shumëdimensional për lexuesit, por edhe për letërsinë shqiptare përgjithësisht.