Kryeministri Haradinaj dhe kryeministri Rama nisin organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut/
TIRANË, 27 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/Tiranë, 27 shtator 2017/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur sot me nderime të larta në Tiranë nga kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, që është edhe vizita e tij e parë jashtë vendit.
Tek Pallati i Brigadave, kryeministri Haradinaj është pritur me ceremoni ushtarake. Pas kësaj, nën kryesinë e dy kryeministrave, është mbajtur takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë, do të bashkoj edhe më tej shqiptarët.“Kosova ka një rrugë të vështirë të krejt etapave të veta, por çdoherë e ka ndjerë që nuk është vetëm. Edhe në momentet tona më të vështira nuk kemi mbetur vetëm. Pra, populli i Shqipërisë, bashkëkombësit tanë kanë qenë me ne në çdo kohë” ka thënë kryeministri Haradinaj.
Viti i Skënderbeut do të nis me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.
“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.
Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve tjera ku jetojnë shqiptarët.
Shqipëria, mbështetëse në proceset euroatlantike të Kosovës/-Presidenti Meta e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për marrjen e përgjegjësive të reja, duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit shqiptar për Kosovën/
-Kryeministri Haradinaj: Institucionet e Shqipërisë zë i fuqishëm në shtimin e njohjeve për Kosovën/
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur në takim nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.Fillimisht, presidenti Meta e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për marrjen e përgjegjësive të reja, duke premtuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit shqiptar për Kosovën.Presidenti Meta e siguroi kryeministrin Haradinaj se Republika e Shqipërisë do të jetë mbështetëse në proceset euroatlantike të Kosovës, duke vlerësuar rolin e tij në këto procese të rëndësishme për Republikën e Kosovës.Kryeministri Haradinaj vlerësoi lartë rolin dhe kontributin e institucioneve të Shqipërisë, duke veçuar edhe rolin e presidentit Meta në ngritjen e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.Poashtu, kryeministri kosovar tha se bashkëpunimi rajonal do të jetë në axhendë të Qeverisë së Kosovës gjatë këtij mandati, me theks me Republikën e Shqipërisë.Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj kërkoi që institucionet e Shqipërisë të jenë zë i fuqishëm në shtimin e njohjeve për Kosovën, dhe mbështetëse në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kryeministri Haradinaj u prit në takime të ndara nga Basha e Berisha/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës në Shqipëri është pritur në takime të ndara nga kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha dhe nga ish -Presidenti dhe ish- kryeministri, Sali Berisha. Gjatë takimit kryetari Basha e ka uruar kryeministrin kosovar për marrjen e detyrës së re, duke i ofruar përkrahje edhe më tutje në proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës, në këtë fazë. Kryeministri Haradinaj gjatë takimit me kryetarin Basha, shprehu mirënjohjen për përkrahjen që ka marrë në vazhdimësi ai dhe Kosova, nga institucionet dhe partitë politike të Shqipërisë, në të gjitha fazat e rëndësishme, si para po ashtu edhe pas pavarësisë.
Ndërkaq, ish kryeministri Berisha, e ka uruar kryeministrin Haradinaj për detyrën siç tha ai jashtëzakonisht të rëndësishme, për punët që e presin përpara për t’i zgjidhur për Kosovën dhe për mbarë shqiptarët. “Pavarësisht nga kufijtë që kemi, interesat në shumë drejtime janë të njëjta. Kam besim të madh që z. Haradinaj dhe Qeveria e tij do të realizojnë një agjendë e cila është në interes më të madh të popullit të Kosovës, por dhe mbarë shqiptarëve”, tha Berisha.Kryeministri Haradinaj, tha se Kosova ka pasur nder që z.Berisha ta thërras president. “Kemi bashkëpunuar në çdo kapacitet tjetër dhe si kryeministër i Shqipërisë, si kryetar i PD së. Në Kosovë e kemi ndjerë dashurinë e presidentit Berisha për Kosovën. E ndjejmë edhe sot. Poashtu jemi vërtetë të nderuar ta ndajmë një kohë bashkë duke pasur parasysh që ka udhëhequr me Shqipërinë në procese të transformimit të vet, në procese jetike të anëtarësimit në NATO dhe në procese tjera. Njëkohësisht kosovarët përjetësisht do të jenë falënderues presidentit Berisha që në kohën e qeverisjes së tij me Shqipërinë rruga e kombit është bërë realitet”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj u takua me Princin Leka II
Në vazhdën e takimeve që ka zhvilluar në Shqipëri, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Rezidencën e familjes Mbretërore është pritur edhe nga Princi Leka i II-të, nga i cili pranoi urimet më të përzemërta për zgjedhjen e tij në krye të Qeverisë së Kosovës.
” Ndjehem shumë mirë të pres kryeministrin e Kosovës z.Haradinaj pikërisht në Vitin e Skënderbeut, në Rezidencën e familjes Mbretërore. Ne jemi shumë krenar që kemi një kryeministër që është duke i shërbyer Kosovës me dinjitet, një atdhetar i vërtetë që e do Kosovën. Pikërisht është duke punuar për çështjen kombëtare. E vlerësoj shumë vizitën tuaj kryeministër. Uroj të keni sukses në detyrën tuaj, në shërbim të kombit shqiptar. Jam dhe do të mbetem gjithmonë në shërbim të Kosovës dhe në mbështetjen tuaj”, tha ai.Për kryeministrin Haradinaj tradita për ta vizituar familjen mbretërore, për ta vizituar mbretin Leka më herët, tani prapë mbretin Leka është një traditë e cila buron prej ndjenjës që kemi për rrugën tonë si komb, në shtetndërtim dhe në institucione. “Mbretëria shqiptare na bënë nderë në të gjitha dimensionet, kudo që jemi shqiptar marrim vetëm të mira. I jam mirënjohës mbretit Leka, zonjës Elia, për një angazhim të vazhdueshëm për çështjen shqiptare, qoftë për përfaqësimin e shqiptarëve, vlerave të shqiptarëve, por edhe për tema që lidhen me pozicionin e Kosovës si njohje, si anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ishte një kënaqësi e veçantë. Kemi qenë dhe do të mbetemi çdoherë bashkë”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj u prit nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramos Ruçi
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, është pritur në takim të veçantë nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, me bashkëpunëtorë.Gjatë takimit kryetari i Kuvendit, Ruçi e përgëzoi kryeministrin Haradinaj për detyrën e re në udhëheqje të Qeverisë së Kosovës, duke vlerësuar lartë dinamikën e re qeverisëse, të vendosur që në fillim të mandatit.Me këtë rast kryetari Ruçi theksoi gatishmërinë e institucionit që drejton që edhe më tutje të vazhdojë bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në avancimin e agjendës evropiane.Nga ana e tij, kryeministri Haradinaj vlerësoi rolin e legjislativit shqiptar në ndihmën dhënë institucioneve të Kosovës dhe në shtetndërtimin e saj.”Institucionet e Shqipërisë kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të çmuar për Republikën e Kosovës në të gjitha periudhat, dhe kjo na inkurajon që të vazhdojmë edhe më tutje shkëmbimin e përvojave”, tha kryeministri Haradinaj.