-Kryeministri Haradinaj në bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg: Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes/
PRISHTINË, 19 Dhjetor 2018-Gazeta DIELLI/
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar sot një bisedë miqësore telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg.
Përmes kësaj bisede, kryeministri Haradinaj ka thënë se është i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi dhe se e ka informuar Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK.
“Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetin Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj e ka garantuar Sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të transicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin e tij dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe globale.
Kryeministri Haradinaj vlerësoi se Kosova do të punojë ngushtë me NATO-n, për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes./b.j/