Shkruan: Skender BLAKAJ/
Kërkesa e logjikshme e Presidentit të zgjedhur të SHBA-së, zotit Barack Obama, për mendim të shërbimeve inteligjente për kandidatët për titullarë shteti a nuk na kthen te historia e qeverive tona që nga Vlora e deri në ditët e tashme, dhe te tema e dosjeve, e pëshpëritur dhe e bërtitur aq shpesh, por e ngelur në vend. Në mos nga frika e vetë krerëve të shtetit që të futen nëpër rëntgen të tillë. Ndërtimi i institucioneve shtetërore të pandikuara nga njerëz të agjenturave të huaja, është kërkesë elementare. Ose shteti bëhet si kali që e ushqejmë vetë dhe i hipin të tjerët. Shembulli më tipik në historinë tonë sigurisht që është Esat Pashë Toptani, i cilësuar gjithnjë si sinonim i tradhtarit të kombit të vet, por që aq shpesh ishte ministër, dyfish ministër e guvernator Shqipërie, i pranuar edhe nga forcat e huaja. Këto ditë lexova shkrimin e gjatë të një historiani serb për Esat Pashën, bazuar në dokumente me burim nga qeveritë serbe me të cilat ishte aq i lidhur pashai toptanas. Normalisht që shkrimi tenton ta nxjerrë pashain si njeri me vizion, i cili e ka preferuar më shumë bashkëpunimin me Serbinë, qoftë edhe duke bërë “disa” lëshime territoriale, që gjoja shteti i tij të mos ishte instrument i huaj, sidomos i Austro-Hungarisë. Komandant në Shkodër, mbas rrethimit serbo-malazez, dhe përkundër mbrojtjes heroike të banorëve dhe të garnizonit të gjeneralit turk Hasan Riza Pasha, E. P. Toptani e vret pashain turk, e dorëzon qytetin e Shkodrës dhe me ushtarët e vet tërhiqet prej aty. Kjo ishte tradhti aq e gjykuar ashpër në opinionin shqiptar, por njësoj, ky në shtator të vitit 1913, në Durrës, shpallet guvernator i Shqipërisë. Lidhjet me Serbinë i forcon edhe më shumë përmes diplomatit të saj në Durrës. Në fillim të vitit tjetër imponohet në krye të delegacionit që ia dorëzon kurorën e Shqipërisë princ Vidit në Gjermani. Në qeverinë e Vidit, figura qendrore, ministër i Ushtrisë dhe ministër i Brendshëm, bëhet pikërisht vegla e Serbisë, E.P. Toptani. Në marrëveshjen me Nikolla Pashiqin në Nish, kishte pranuar dogana, ushtri, institucione e deri edhe union të përbashkët me Serbinë, me kusht që ushtria serbe ta mbrojë personin e tij sa herë t’i rrezikohet pozita politike në vend. E kishte marrë obligim edhe mbrojtjen e “Serbisë” së zgjeruar, nga “rebelët” shqiptarë. Kur ndodhin lëvizjet kryengritëse antiserbe në veri të Shqipërisë, Esat Pasha shpejt e njofton qeverinë serbe se po niset me forcat e veta kundër fiseve katolike, se do ta mposhtë Shkodrën dhe se do t’i burgosë krerët e Kosovës, Isa Boletinin, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, që të mos i bëjnë telashe Serbisë në ato vise. Gjatë luftërave ballkanike, Serbia e merr veriun dhe Shqipërinë e mesme dhe e mbron “sundimin” e Esat Pashës në Durrës e rrethinë. Plasja e Luftës së Parë Botërore e përmbys situatën. Kur Austro-Hungaria i vërsulet Serbisë, mbasi serbët vrasin Franc Ferdinandin, qeveria serbe, përfshirë edhe mbretin, tërhiqen nëpër Shqipëri drejt detit tek anijet e aleatëve. Në dimrin e 1915/16, në këtë rrugë nisen 220.000 ushtarë dhe në Korfuz arrijnë nja 139.750, kurse nga turma prej nja 200.000 të ikurish serbë para ushtrisë A/H, arrijnë vetëm nja 60.000. Çfarë kishin pësuar shqiptarët nga kjo turmë e egër dhe e uritur, vështirë të përmblidhet këtu. Autori serb thotë që humbjet do të ishin shumë më të mëdha sikur të mos i mbronte e të mos i ndihmonte gjatë rrugës E. P. Toptani me njësitë e tij. Kur ushtria serbe kalon në frontin e Selanikut edhe ky i bashkëngjitet me 1000 ushtarë dhe mbas bisedave me mbretin serb aty dhe me N. Pashiqin në Nish, merr obligimet për vete, po edhe premtimet e tyre për postin e tij pas luftës. Ndër obligimet ishte edhe përzierja e ushtarëve të tij me ushtrinë e me uniformat serbe në luftë kundër “rebelëve” shqiptarë në Kosovë. Në prag të Konferencës së Paqes në Paris, i shkruan kryetarit të SHBA-së, Vudrou Uillson se vetëm shteti jugosllav mund ta garantojë integritetin dhe pavarësinë e vendit të tij, Shqipërisë. Delegacionin e jugosllavëve në Paris e kryesonte N.Pashiqi, dhe Esati “ynë” kishte vajtur pranë padronit të vet “të mbronte” Shqipërinë si e donin serbët. Më 13 qershor të vitit 1920, studenti dhe patrioti shqiptar Avni Rrustemi e vret para hotelit “Kontinental”. Interesant është po ashtu përfundimi i këtij shkrimi: me nderimet më të larta ushtarake, Esat Pasha u varros në varrezat “Tje” afër Parisit, bashkë me ushtarët serbë.
Ku e la E. P. Toptani lidhjen me Beogradin, e vazhdoi Ahmet Beg Zogu, dhe nga luksi i hoteleve të atjeshme, serbët e instaluan në pushtet në Tiranë më 1924. Nolin e ithtarët e tij Zogu i dëboi e i vrau ku i gjeti.
Pjesa më e tmerrshme e këtij rrëfimi është vazhdimi i marrëdhënieve edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore e mbas saj, pothuajse me të njëjtin nënshtrim shqiptar e me të njëjtat kërkesa jugosllave. Beogradi ndërron taktikë, dërgon mugoshët e popoviqët që ta instruktojnë një parti e një ushtri e jo vetëm ndonjë toptan a zogoll. Partizanët e Shqipërisë, bashkë me ata të Kosovës e të Serbisë, mbi bazën e premtimeve vëllazëruese, dhe të konfederatës ballkanike, egërsisht bënë spastrimin e nacionalistëve dhe të antikomunistëve shqiptarë në Kosovë. Pastaj vazhduan sundimin e gjatë komunist, këndej e andej kufirit. Viktimat e atij sundimi ishin me mijëra. Në viset shqiptare në Jugosllavi ndodhën në kohën e miqësisë më të madhe të Tiranës me Beogradin, të Enverit me Titon. Prijës të lëvizjes antikomuniste e antiserbe, të NDSH-së sidomos, u dënuan e likuiduan barbarisht. Një numër, shpëtimin e kërkonin kryesisht nëpër Greqi. Që Shqipëria të mos bëhej leckë në prapanicën e Beogradit, e shpëtoi prishja Tito-Stalin. Shqiptarët mbetën robër të ideologjisë andej e robër të dyfishtë në Jugosllavi, me një grusht veglash qorre të Beogradit. Pas skëterrës njëqindvjeçare nën Serbinë, Kosova doli, u bë shtet dhe krerët e saj e prishen gjumin dhe duhet ta mbrojnë Kosoven shtet. Komunistët e egjër tash mund të jenë vetëm dëshmitarë të thinjur të krimeve, po dishepujt e tyre vetëm hapja e plotë e dosjeve mund t’i nxjerrë toptan si minjtë nga talla e pushtetit ku po struken.