Teodor Ruzvelt 27 Tteor 1858- 6 Janar 1919/
NGA ARISTOTEL MICI/ Massachusetts/
Është shumë domethënës fakti që busti i presidentit Teodor Rusvelt ndodhet i gdhendur mbi shkëmbin malor Mont Rushmor tok me bustet e Georg Washingtonit, Thomas Jefferson dhe të Abraham Linkolnit.
Teodor Rusvelti njihet si një nga presidentet amerikanë më aktivë. Ai pati një jetë shumë interesante. Qe njeri i zgjuar, gazmor, punëtor dhe trim i madh. Një biograf i tij në një libër tregon për T.Rusveltin se: “ Ai ish një kaubois, një hero në luftë, komiser policie, governor dhe President”.
Teodor Rusvelt u lindi më 27 tetor të vitit 1858. Ai vinte nga një familje e pasur e New Yorkut me prejardhje holandeze, e cila qe ngulitur në Manhatan qysh në shekullin e XVII.. I ati qe një afarist i shquar, kurse e ëma qe shumë e pashme dhe njihej si gruaja më e bukur e gjithë qytetit. Kur ish fëmijë qe shëndetdobët; sëmurej shpesh nga astma. Prindërit kujdeseshin për shëndetin e tij gjithnjë, duke e kurajuar për ushtrime fizike të ndryshme, me qëllim që të bëhej sa më i fortë e i kalitur. Kur e vizituan te një mjek okulist, u kuptua se edhe shikimin nuk e kishte të mirë. Për atë gjendje të syve doktori i dha atij një palë gjyslyke të trasha. Sa i vuri në sy ato syze, u gëzua, sepse e kuptoi me një herë përmirësimin e të parit. “Syzet sikur po më hapin një botë të re “ tha ai me një herë. Kurse shokët e moshës së tij, tek e panë me ato syze me qelqe aq të trasha, aq deshën, për t’i ngjitur nofkë te re. Deri atëherë e kishin quajtur “frikacak” dhe “ngordhalaq”, ndërsa tani e tutje do ta thërrisnin edhe “Four Eyes” domethënë “Njeriu me katër sy”. Po megjithë atë ,Theodor Rusvelti i vogël, Tedi, si e therrisnin shkurt me përkedheli, po rritej e po forcohej, duke e marrë veten gjithnje e më mirë nga koha në kohë.
Ne vitin 1876 hyri ne Universitein Harvard, ku u shqua si student serioz e këmbëngules.
Në moshën studentore u njoh me një vajze shumë të bukur, Alicce Lee [ Li], me të cilën ra me një herë në dashuri. Po nuk ish e lehtë të lidheshe me një vajzë si Alice Lee. Ajo kish prindër te pasur e shumë të njohur në qytet, të cilët do të dëshironin ndonjë jurist të famshëm, ose ndonjë bankier si dhëndër për vajzen e tyre, në vend të një studenti, që nuk kish hedhur ende hapat e pera në jetë. Tedit iu desh një vit përpjekje, deri sa i mbushi mendjen Alice Lee dhe me ne fund i fitoi zemrën. Ata u martua ditën e datelindjes së tij, 27 tetor 1880.
Në moshë të re Tedi u diplomua jurist dhe kur qe 23 vjeç zgjidhet anëtar i Assamblesë së Shtetit të New Yorkut në Albani, duke qenë ashtu më i riu nga të gjithë të zgjedhurit. Kjo arritje do të ish fillimi i karrierës së tij të gjatë politike.
Ne vitin 1883, si kaubois i apasionuar, ai do të shkonte ne Dakota Territori, për të gjuajtur buaj të egër dhe kafshë të tjera. Në këtë kohë, si njeri i guximshëm, Tedi do të investonte gjysmën e parave të tij për një fermë të madhe lopësh. Pikërisht, në këtë kohë, kur ish aq i zënë me punët e fermës së re, mori një telegram, që e njoftonte se nusja i kish lindur vajzë dhe ashtu ai qe bërë baba. Po disa orë më vonë mori një telegram të dytë, që e njoftonte se nusja e tij kish pasur lindje të veshtirë dhe ndjehej shumë keq. Ai i la gjithë punët dhe u nis me nxitim për në shtëpinë e tij. Kur mbrrijti, e gjeti të shoqen shumë rëndë. Ajo dha shpirt në krahët e tij, ditën e Shën Valentinit, me 1884, duke e lënë me një foshnje jetime, të cilën në kujtim të gruas do ta quante me emrin e saj Alice. Po atë ditë do ta gjente edhe një fatkeqësi tjeter, do t’ i vdiste edhe e ëma nga semundja e tifos. Në mes të atij dëshpërimi te thellë, Tedi Rusvelt do të thoshte për vetëveten: “Mua m’u shua drita e jetës për gjithëmonë.”
Në atë gjendje pikëllimi Teodor Rusvelti vendosi të largohej tutje në drejtim të Perëndimit, andej nga hapësirat e Dakotës, duke ia lënë beben foshnje së motrës Anna. Ashtu ai shpresonte se midis kauboisve, duke u marre me aventurat dhe trimeritë e tyre në gjuetinë e kafshëve të egra, duke kalëruar e duke bërë jetë të ashpër tok me ta, do të harrohej midi tyre dhe do ta mundëte trishtimin. Po malli për vajzën e vogël nuk e linte të qetë dhe ashtu po thuajse në çdo muaj merrte trenin dhe vinte në shtëpinë e tij për ta parë. Ndër kohe ai qe takuar me një shoqe të femijërisë së tij të herëshme, Edith Karrow. Tani ata qene bërë më shumë se sa miq. Ai i shfaqi asaj deshirën që ajo të bëhej bashkëshortja e tij. Ajo e priti me kënaqësi atë propozim. Të lumtur që e donin njeri tjetrin, ata në muajin dhjetor të vitit 1886 do të shkonin deri në Londër për të bërë martesën. Si dhuratë martese Tedi do t’i falte nuses së tij shtëpinë e re, madhështore me 23 dhoma në Sagamore Hill. Ajo shtëpi u quajt ashtu për nder të princit indian të një fisi, që pat qënë vendosur atje. Gjatë dimrit të atij viti, Rusvelti nuk vajti në fermën e Dakotës, ku po bënte një kohë shumë e keqe, me borë dhe ngrica të jashtëzakonshme. Nga dimri i ashpër i atij viti i ngordhën bagetia. Me këtë humbje ekonomike mori fund edhe bisnesi tij si fermer.
Mirëpo Teodor Rusvelti ish njeri me temperament aktiv, me karakter të fortë, që nuk jepej nga humbjet si një ëndërrimtar sentimental. Ai ish tip kurajoz e guximtar. Si i tillë, atë vit, me 1886, ai do të kandidonte për postin e majorit të qytetit të New Yorkut. Nuk u dëshperua edhe pse humbi në zgjedhjet bashkiake. Kohën nuk e humbiste kot. Ne ate fazë të jetës e kapi pasioni për të shkruar libra me ngjarjet e kauboisve në Perëndim të vendit. Kish ambicjen letrare që librat të ishin sa më tërheqës. Dhe ia arrinte qellimit. Qysh ne vellimet e para pat sukses. Librat i shiteshin shpejtë. Shrimet e tij bënin jehone. Ai qe bërë ashtu person publik. Kish botuar 26 libra.
Nga viti 1889 deri në 1898, Tedi do të bënte tre punë të ndryshme zyrtare. Në fillim nisi si nëpunës në Komisionin e Shërbimeve Civile në Washington. Presidenti Beniamin Harrison, duke parë aftësitë edhe cilesitë e tij e emroi atë me detyrë nëpunsie në Kmisionin e Shërbimeve Civile. Kurse ne vitin 1895 ai do te rikthehet ne qytetin e tij ne New York, ku do te udhëhiqte Komisariatin e Policise. Si njeri parimor, orientoi oficerët dhe gjithë policinë për të vendosur rregull, qetësi dhe drejtësi. Kur qëllonte që ndonjë oficer policije shpërdoronte funksinin që i qe besuar, ai mbante qëndrim të rreptë dhe të prerë. Populli i New Yorkut shtoi besimin dhe respektin për policinë si edhe për Komisarin e saj. Ne vitin 1897, presidenti William McKinlei do ta emëronte Tedin në një punë të re, do ta ngarkonte me detyrën e asistent sekretarit të navigacionit, pra të marinës luftarake.
Ndërsa një vit më vonë, me 1898, ai do të fitonte famën e vertetë si një personalitet i ri i kombit amerikan. Ishte koha kur Kuba vuante ende zgjedhën spanjole dhe nuk po fitonte ende pavarsinë..Presidenti McKinlei, në ato rrethana u deklaroi luftë sunduesve spanjolë. Atëherë Teodor Rusvelti e la detyren në marinë, me qëllim që të shkonte ne vijën e parë të luftës. U bë kolonel në ushtri. Pikërisht atëherë i lindi ideja që të krijonte një regjiment të kavalerisë amerikane.
Për të formuar këtë repart luftarak, Teodor Rusvelti u bëri thirrje gjithë të njohurve të tij guximtarë, në radhë të parë shokëve kaubois, ish studentëve trima të Harvardit, si edhe miqëve luftarakë indianë. Me një herë erdhën e u grumbulluan më shumë se një mijë burra, te cilët formuan regjimentin “Teddy’s Rough Riders”,që do të thotë “Kalorësit e Ashpër të Tedit”.
Të gjithë ishin trima të egër, që suleshin në beteja si stuhi e papërmbajtur. Këta kalorës të vrullshëm, siç shkruan Gary Blackwood në librin “Rough Riding Reformator” u nisën më se të vendosur drejt frontit në ishullin e Kubës, duke kënduar këngën e tyre marciale:
“Rough,rough, we ‘re the staff !
We want to fight,and can’t get enough”
Vargje këto që në një përkthin të lirë kanë kuptimin:
Të ashpër, të ashpër, ne jemi një staf !
Duam të luftojmë, dhe nuk themi mjaftë!
Tedi dhe vullnetarët e tij kalorës zbarkuan në portin Daiquiri të Kubës. Sapo mbrrijtën, morën urdhërin për të sulmuar kodren San Juan Hill, qe ish pika më strategjike nga ana e spanjolëve. Beteja e pergjakshme filloi më 1 korrik,1898. Sulmi i kalorësve të Tedit, ashtu siç pritej, qe vërtetë i rrufeshëm. Nga plumbat e spanjolëve në atë betejë u vranë me dhjetra kalorës vullnetarë. Po më në fund kalorësit e ashpër, me Kolonel Tedin në krye, arriten majën e kodrës. Spanjolët ia mbathën vrapit. Amerikanet dolën fitimtarë, duke e marrë tërësisht në duart e tyre pikën më dominante për gjithë frontin, pozicionin e quajtur San Juan Hill.
Disa javë më vonë lufta në ishull mori fund. Spanjolët dolën të humbur, kurse Kuba fitoi pavarësinë. Ndërsa Kolonel Tedi qe bëre hero. Beteja e përgjakshme e San Juan Hillit më 1 Korrik e kishte bërë atë të famshëm në gjithë Amerikën. Atë ditë të shenuar, e cila e ngriti në qiell dhe i dha përmasa legjendare, ai do ta quante “Dita e madhe e jetws time “ ( The great day of my life”.)
Kur Teodor Rusvelti u kthye atë vit nga Kuba fitimtar, popullariteti i tij qe i jashtëzakonshëm. Gjithë gazetat shkruanin me simpati për të, për “Kolonel Tedin”, për “Heroin e San Juan Hillit”. Po atë vit ai vuri kandidaturën për guvernator të New Yorkut dhe fitoi. Populli i New Yorkut zgjodhi Kolonel Tedin 40 vjeçar për guvernator të tij më 5 nëntor 1898 Më 2 janar te vitit 1899 ai filloi detyren e guvrenatorit, kryeqeveritarit për gjithë shtetin e New Yorkut, duke pasur me vete simpatinë e mbarë popullit. Me të marrë këtë postë, ai nisi të mendonte me kujdes se si do të mund të zgjidheshin shumë probleme të karakterit ekonomik dhe social, qe qenë krijuar nga ardhja e madhe e imigrantëve prej shumë anëve të botës. Me mijëra njerëz ndodheshin pa banesa dhe në shumë shtëpi mungonte uji, drita dhe ngrohja. Ndër kohë T. Rusvelti vuri re se disa bisnesmenë të pasur, të prirur nga ideja e fitimit maksimal, nuk trajtonin mirë punëtorët. Silleshin veçanrisht keq me gratë dhe femijët, që punësonin, duke mos ua dhënë pagën sipas punës që bënin. Si guvernator i drejtë e parimor, Tedi Rusvelti mori masa që të eleminoheshin dhe të shmangeshin nga jeta sociale këto dukuri negative, që viheshin re në kompani të ndryshme. Në të njëjtën kohë ai gjeti mundësira për të hapur sa më shumë vende pune, me qëllim që të përmirësonte jetën ekonomike të mijëra njerëzëve që dëshironin një punë, për të marrë një pagesë dhe të mbijetonin.
Në vitin 1900, kur Mckinley do të futej në garën elektorale për të dytën herë, ai propozoi Kolonel Tedin, që ta kandidonte si zëvendss president. Për efekte të fushatës elektorale Tedi udhëtoi dhe foli me popullin në shumë qytete të ndryshme. Fjalimet e tij të zjarrta nguliteshin në mendjen dhe në zemrat e njerëzve. Ligjëratat e tij me llogjikën e tyre bindëse ia bën më të lehtë fushatën elektorale Mc Kinleit, që të zgjidhej për së dyti president, kurse vetë Tedi u zgjodh zëvendës i tij.
Në shtator të vitit 1901, ndërsa ish duke bërë një vizitë në Buffalo, presidenti McKinlei u qëllua me revolver dhe pas tre ditësh vdiq. Atëherë në bazë të kushtetutës, Teodor Rusvelti duhej të zinte vendin e tij. Kështu ai u bë presidenti më ri i Amerikss.. Ishte 42 vjeç.
Teodor Rusvelti, me karakterin e tij dinamik dhe aktivitetet praktike, me nxitjen e bisneseve të reja nga njera anë dhe përmirësimin e kushteve të punës nga ana tjetër, po fitonte gjithnjë e më shumë një popullaritet të ri si reformator i vendosur dhe guximtar. Jo me kot nje nga biografët e tij, do ta quaj atë “Rough Riding Reformator” që do të thotë “Kalorësi i Ashpër Reformator”. Kjo cilësi e tij u duk më shumë, kur ai u ngrit kundër trusteve ilegale,që përpiqeshin të fitonin në menyrë të padrejtë në dëm të shtetit e të shoqerisë. Eshtë e rëndësishme të theksojmë se organet gjyqësore e përkrahënin dhe e mbështesnin T. Rusveltin në ato masa të rrepta administrimi. Në fushëën e jetës sociale është me rëndësi të përmendim rolin ndërmjetësues të këtij presidenti veçanrisht në kohën e grevës së madhe të minatorëve të qymyrit në muajin Maj të vitit 1902 në Pensilvania, kur 140 000 minatorë lanë punën dhe shpallën grevë. Siç shkruhet në Enciklopedine Amerikane “World Book -2000” opinioni publik ish në favor të punëtorëve grevistë, të cilët kërkonin pagesa më të larta dhe kushte më të mira pune. Greva po zgjaste dhe rezervat e qymyrit po pakësoheshin. Spitalet, shkollat, artizanati dhe industria donin lëndë djegëse. Dimri po afronte. Në atë situatë të acarur, presidenti Rusvelt iu drejtua të dyja palëve për një konferencë të përbashkët. Ai propzoi që çështjet e grevës të zgjidheshin pas bashkëbisedimit nga një arbitrazh. Minatorët ranë dakord, kurse pronarët refuzuan. Atëherë Presidenti Tedi Rusvelt, pa u trembur nga krerët e monopoleve, vendosi me autoritetin e kryetarit të shtetit që të vepronte pa hezitim për zgjidhjen e situatës bllokuese. Ai nuk u lëkund edhe kur e quajten ( trust – booster) domethënë shkatërrues i monopoleve. Si një lider vizionar dhe i paanshëm, në atë gjendje të vështirë për vendin, ai e ndjente se duhej të përdorte pushtetin ekzekutiv që i jepte ligji. Tedi Rusvelti i besonte pushtetit të fortë ekzekutiv ( I believe in a strong executive) . Duke kuptuar qëndrimin e paepur të Presidentit Rusvelt, monopolistët reflektuan në mënyrë të arsyeshme. Kështu, kur presidenti u deklaroi atyre se do të merrte masa me anë të ushtrisë, ata u tërhoqën. Atë kohë Morgan ndihmoi për arritjen e kompromisit dhe çështja u zgjith më në fund me mirëkuptim,duke u plotesuar kerkesat e natyrëshme të grevistëve.
Teodor Rusvelti ishte per ekonominë e tregut, për konkurencën e lirë; ai përkrahte pronën private dhe pronën e madhe të monopoleve. Po duke pasur respekt të veçantë për zhvillimin e pronës private, ai mendonte që shteti të mos ishte indiferent ndaj kësaj prone, sidomos ndaj monopoleve. “Monopolet – thoshte T.Rusvelti – duhet t’u nënshtrohen rregullave qeveritare, sepse njerëzit në mënyrë instinktive ndjejnë që korporatat e mëdha, tw cilat, pot w mos kontrollohen nga qeveria, ato arrijnë ta venë qeverinë nën kontrollin e tyre.” – .[ The monopolies, Roosvelt said, had to came under government regulation because the people instinctively recognize that unless the great corporation are controlled by the govrnment, they will themselves completly control the government]
Teodor Rusvelt qe i pasionuar edhe pas lundrimit detar dhe anierisë. Në kohën e tij u ndërtuan ndër kantieret detare të Amerikës anije të mëdha, nga më të mëdhatë në botë. Lidhur ngushtë me fuqizimin e Amerikës si fuqi e madhe detare në botë duhet përmendur edhe aksioni i guximshëm i Teodor Rusveltit për hapjen e Kanalit të Panamasë. Qysh në qershor të vitit 1902, T. Rusvelti arriti të merrte miratimin e Kongresit për të realizuar këtë ide. Po nuk mjaftonte vetëm dëshira e Presidentit dhe aprovimi i Kongresit për të filluar projektimin e asaj pune me përmasa kolosale. Kanali do të hapej në tokën e Panamasë, prandaj duhej marre vesh se çfarë mendonin vendesit? Në të vërtetë panamezët donin, ata ishin dakord me idenë e hapjes se atij kanali, po kundërshtonin kolumbianët, të cilët e mbanin Panamanë si koloni. Problemi u vështirësua kur senati i Kolumbisë refuzoi në mënyrë të prerë këtë mendim. Panamezët, që donin hapjen e kanalit, u egërsuan. Kur Tedi Rusvelt pa zemrimin e tyre dhe kuptoi se ata e deshironin hapjen e kanalit, u bëri të ditur se ai do të gezohej, po ta shikonte një ditë Panamanë shtet të pavarur. Dhe vërtetë panamezët qenë të një mendje me Presidentin amerikan. Me 3 nëtor te vitit 1903 ata bënë revolucion. Ai qe i shkurter, po i suksesshëm. Më në fund, me 6 Nëntor, Panamaja shpalli pavarësinë e saj. SHBA njohen Republikën e Panamasë. Kështu u sheshua rruga për hapjen e Kanalit të Panamasë. Puna nisi me 1904 dhe do të zgjaste 10 vjet. Kanali do të kishte 64 km. gjatësi. Për të u investuan 350 milionë dollarë. Pra nisi të vihej në jetë dëshira e Teodor Rusveltit që anijet amerikane të shkonin nga Atlantiku te Pacifiku drejtë për drejtë, përmes kontinentit, pa kaluar anash e përqark Amerikës së Jugut.
Gjate periudhës që Teodor Rusvelti po udhëhiqte jetën amerikane si president , pra që pat zevendesuar presidentin e vrarë McKinlei, ai kish qënë i zënë me çështje madhore, me probleme që kishin dashur zgjuarësi, largpamësi, po edhe guxim, siç ishin krijimi i fronteve të punës, ngritje e nivelit të mirëqënies, fuqizimi i forcës detare, fillimi i punimeve për hapjen e kanalit të Panamasë e të tjera. I pushtuar tërësisht me angazhime të tilla, ai e kish lënë si pas dore fushatën elektorale për postin e presidentit, që kish mbrrijtur. Po kjo nuk donte të thoshte se në thellësi të ndërgjegjes ai nuk e kish ngacmimin e ambicjes për t’u bërë president i Amerikës pësëri, veç të ish i zgjedhur me aftësitë e tij dhe për cilesitë e tij. Deri atëherë ai ish vetem nje zëvendës i McKinleit, “An accidental president”- thoshte ai me vete. Kurse ai donte të qe një president i zgjedhur. Po a ish e mundëshme. Ai e dinte se bosët e medhenj republikanë-, si Mark Hanna, Senator Platt, Morgan edhe të tjerë nuk e donin atë. Sipas Jean Fritz “Ata anonin nga njerëz me bisnes te madh, qe të formonin një force konservative të fuqishme në Partinë Republikane, duke luftuar që të ishin sa më të lirë, për të bërë sa më shumë para që të ish e mundur, si do që të ndodhte, demtohej ose jo populli .[They sided with men from big business in forming a strong conservative force in the Republican Party, fighting for the right to be free and make as much money as they could, whether it harmed people or not] . Duke e ditur atë realitet, në kohën kur po afronin zgjedhjet,Teodor Rusvelti ndoqi rrugën më të zgjuar politike, atë të mirëkuptimit me ta, të qetësimit dhe të konsultimit. Për këtë aresye taktike ai ftoi në Shtëpinë e Bardhë bisnesmenin më të madh të kohës, Morgan, që të bisedonte me të dhe të qartësonte horizontin politik për ardhmërinë e Amerikës. Në këtë mënyrë ai arriti të zgjidhet unanimisht si kandidat për president për Partinë Republikane. Kjo kishte rëndësi të madhe, kurse për përkrahjen dhe mbështetjen e mbarë popullit ai nuk kish asnje dyshim; ai ish heroi i ditës, që jepte shpresa për çdo njeri si edhe për Amerikën në përgjithësi. Me 8 nëntor 1904, permes një popullariteti të jashtëzakonshëm, Teodor Rusvelt u zgjodh president i Amerikeës me një fitore të thellë, që nuk qe parë tek pararendësit e tij në të gjitha fushatat elektorale.
Teodor Rusvelt u shqua edhe në politikën e jashtme. Me nivein e një politikani largëpamës, ai e kuptoi se për Amerikën kishte mbaruar periudha e “Doktrinës Monro”, e shpallur me 2 dhjetor të vitit 1823, kur Amerika u deklaroi shteteve të Europës se nuk duhej të lakmonin më vendet e Hemisferës Perndimore, pra të synonin ato toka të kontinentit amerikan si në jug dhe në veri. Cdo përpjekje për të zaptuar terrene në hapësirat e Amerikës, do të quhej agresion dhe SHBA do të vepronin ushtarakisht . Mirëpo në fillim të shekullit të XX Amerika qe rritur dhe forcuar ekonomikisht dhe ushtaraklisht edhe më shumë. Atëherë Presidenti Teodor Rusvelt deklaroi se
Amerika në atë kohë, më 1904, nuk ishte vetëm një fuqi kontinentale, po qe bërë edhe një fuqi botërore. Me politikën e tij të njohur “Roosevelt Corollary” Amerika i njihte vetes të drejtën që të ndërhynte në konfliktet midis kolonizatorëve europianë dhe vendeve koloniale të Amerikës Latine si në Kuba, Santo Dominhgo, në ishujt e Karaibeve, në Amerikën Qenrore dhe në Amerikën e Jugut. Me një fjalë, kuptohet se me politikën e jashtme të Teodor Rusveltit, për kolonizatorët europianë kish ardhur koha që ata duhej të largoheshin nga territoret e Amerikës Latine.
Duke qënë njeri me temperament energjik dhe tip guximtari, disa intelektualë të kohës, midis te cileve edhe Mark Tuein, benin humor me President Tedin, duke thënë se ai kishte nje “prirje luftëdashesi” [ a warlike disposition]. Po në vjeshtën e vitit 1905, ai pati rastin t’u tregont atyre të kundërtën. Qe koha kur ish ndezur Lufta Ruso-Japoneze për shkak të Mançurisë. Tedi as hyri në luftë dhe as mbeshteti ndonje nga palët në konflikt. Për më tepër ai u bëri thirrje të dy qeverive ndërluftues t’i zgjidhnin problemet me anë të një marreveshjeje paqësore. Për fat të mirë qeverite e të dy vendeve pranuan propozimin e Teodor Rusveltit. Atëherë ai i ftoi përfaqesuesit e të dyja palëve të vinin në Portsmuth te shtetit New Hampshir për një konferencë paqësore. Qysh në fillm të dialogut President Tedi, si ndërmjetës, vuri re se të bëje paqe me ata njerëz ishte më e vështirë se sa të bëje luftë. Po me gjithatë ai u tregua i durueshëm dhe i mirësjellur me të dy palët.
Më në fund ndërmjetësimi tij elastik dhe me takt bëri efekt. Kompromisi qe arritur dhe ashtu u firmos edhe traktati i paqes me 5 shtator, 1905. Për këtë aktivitet diplomatik me aq rëndësi për politikën ndërkombëtare, Presidentit Teodor Rusvelt, në vitin 1906, do t’ i jepej Çmimi Nobel për Paqen. Ai qe i pari amerikan që fitonte ate çmim deri atëherë. Natyrisht kjo ish një surprizë për ata, që e përflisnin si luftëdashes.
Teodor Rusvelt qe edhe një admirues i natyrës. Ai i njohu bukuritë e natyrës dhe madhështinë e saj qysh në moshë të re, që kur gjuante e kalëronte si kaubois në hapësira dhe në pyje të pafund . Si president ai i kushtoi shumë vemendje mbrojtjes dhe ruajtjes së pyjeve dhe kafshëve të egra. Kujdes i veçantë, porosiste dhe urdhëronte ai, duhej treguar sidomos për zogjtë këngetarë dhe ata me pupla të bukura, pendët e të cilve lakmoheshin nga zonjat dhe zonjushet, për të zbukuruar kapelet galante. Jo me kot Teodor Rusvelti u quajt edhe “conservation President”, pra “Presidenti i Konservimit” të na natyrës. Gjatë kohës, kur drejtoi ai në Shtëpinë e Bardhë, u vendos që të ruheshin dhe te mbroheshin me ligj 150 pyje nacionale, 5 parqe nacionale si edhe 55 lloje zogjësh. Po ashtu u sanksionua me ligj që të ruheshin edhe monumentet nacionale me rëndësi përkujtimore.
Teodor Rusvelt edhe pasi e mbaroi detyrën e presidentit dhe u largua nga Shtëpia e Bardhë, mbeti njeri parimor, korrekt, i drejtë dhe largëpamës. Sipas studjuesit te tij Luis Auchincloss, T.Rusvelti nuk e shikonte me sy te mire neutralitetin politik të presidentit Wilson ne fillimte Luftes se Pare Boterore.Wilsoni nuk ish ende i mendimit që të akuzonte Gjermaninë e Kaizerit si përgjegjesen e vetme per konfliktin botëror. Duke analizuar invasionin brutal të Belgjikës nga ana e Gjermanisë, ai u tha gjithë miqëve te tij: “Gjermania është absolutisht në gabim”- ”Germany is absolutely wrong” . Për këtë rast ai deklaronte, “se po te kisha qënë president, do të kisha shkuar në ndihmë të Belgjikës dhe brenda tridhjetë ose tridhjetë e një Korrikut do te veproja”.
Teodor Rusvelti ish njeri i aksionit dhe guximtar. Ai e shoqëronte gjithmonë fjalën me veprimin. Kështu, kur Amerika mori pjesë në Luftën e Parë Botërore me anën e Antantës, kundër Gjermanisë pushtuese, Teodor Rusvelti, jo vetëm e mbështeti këtë vendim të qeverisë amerikane, po ai regjistroi emrin e tij që të shkonte në luftë, me një regjiment vullnetar kavalerie. Po qeveria amerikane, duke pasur parasysh moshën e tij të thyer dhe gjendjen fizike të renduar, nuk e lejoi të vinte ne front. Per këtë Teodor Rusveltit nuk i erdhi mirë; me gjithë atë, ai e qetësonte veten, kur katër nga djemtë e tij ndodeshin në luftë, pertej Oqenit, në Europë. Njeri nga ata, Quinti, qe shërbente si pilot ne front, u vra me aeroplan në një betejë ajrore, më 14 Korrik 1918.
Ne këtë kohë gjendja shëndetësore e Teodor Rusveltit po keqësohej. Njeri sy e kish lënë dhe dëgjimin nuk e kish mirë. Gjashtë muaj pas vrasjes së djalit, më 6 Janar 1919, Teodor Rusvelti mbaroi si në gjumë nga një trombozë gjaku në zemër. Një biograf i tij thotë se ai nuk vdiq ashtu si do të dëshironte, ai do të kish dashur të binte në një betejë në luftë, ose duke gjuajtur luanë në xhungël, a po bisone në pyjet e pafund te Amerikes veriore.
Teodor Rusvelt viq duke lënë pas emrin e një personaliteti të famshëm në historinë amerikane. Ai qe i pari president që vinte nga radhët e trimave kaubois. Qe i pari president që udhëtoi me nëndetese. Qe i pari president që fluturoi me aeroplan .Qe i pari president që udhëtoi jashtë shtetit gjatë kohës së detyrës si kryetar i shtetit. Qe i pari amerikan që fitoi Cmimin Nobel për Paqen. Qe i pari president që deklaroi se SHBA s’janë më një shtet i mbyllur, por një Fuqi e Madhe Botërore. Me vizionin e Presidentit T. Rusvelt, Amerika doli në arenën botërore si një superfuqi ekonomike dhe ushtarake, duke tejkaluar, kështu Doktrinën Monro. Per gjithë meritat e tij në drejtimin e shtetit amerikan, për zhvillimin e ekonomisë dhe fuqizimin e gjithë forcave ushtarake për mbrojtjen dhe fuqizimin e prestigjit botëror të Amerikës, emri i Teodor Rusveltit nderohet nga gjithë populli amerikan.Vendlindja e tij në Neë York dhe vendi ku ai bëri shtëpinë e vet në Sagamore Hill janë shpallur qendra historike. Ne ishullin Teodor Rusvelt, në lumin Potomak në Washington DC ngrihet një statujë madhështore në kujtim të tij. Teodor Rusvelt është gjithashtu nje nga katër presidentët fytyrat e të cileve janë gdhendur në malin Mount Rushmore* në shtetin Sauth Dakota.
* Sipas Enciklopedise Amerikane :“World Book” 2000 – Mont Rushmore është një përmendore e madhe për katër presidentet më të famshëm të Amerikes: G. Washington, Th. Jefferson, A.Linkoln. Ky monument gjendet në Black Hills te shtetit te South Dakota. Kjo pëmendore është 150 metra e lartë. Atë e ideoi skulptori amerikan Gutzon Borglum. Për gdhendjen e këtij monumenti Gutzon Borglumit iu deshen 14 vjet punë. Skulptori në fjalë vdiq ne 1941, pa e realizuar krejt veprën , po atë e perfundoi i biri skulptorit me emrin Linkoln……..
BIBLOGRAFI
Auchinclos L.: “Theodore Roosevelt”, Times Book- Henry Holt, NY, 2001, F. 129
Blackwood G. : “Rough Riding Reformator”, Marshall Cavendish”, NY., 1988.
Carnes M, Garraty J. : “The American Nation”, Parson, 2006. Divine R. , Breen T. : “America- Past and Present”, vol. II, Parson, NY, 2005
Enciclopedia Americane, World Book, 2000- 2003
Fritz J. : “Bully for You”, Putnam’s Sons, NY, 1991.
Pots S : “Theodore Roosevelt”, Makato, Minesota, 1996
Sundel C. : “Four Presidents”, Sun Publishing, Worcester, MA.
Whitney D. “The American Presidents”, Bookspan, Ny, 2001.
Hektor Zoto-NADIA ZOTAJ says
THANK YOU I NDERUAR PROFESOR.MESOVA SHUME GJERA QE NUK I DIJA PER HISTORINE E SHBA,VECANERISHT PER Z.PRESIDENT T.RUZVELT.SI GJITHNJE SHKRIMET TUAJA JANE SHUME TE VLEFSHME.ME RESPEKT NADIA ZOTAJ.