Në katalogun e diplomave origjinale të Arkivit Historik të Dubrovnikut, ruhet diploma e Gjon Kastriotit, lëshuar me 25 shkurt të vitit 1420. – Vetë Gjon Kastrioti bën përcaktimin e territorit të sundimit të tij. – Leximi dhe transkriptim i ri i origjinalit. – Korrigjim i gabimeve dhe lëshimeve të botuesve të deritanishëm të kësaj diplome. – Sfondi historik. – Vlera dhe rëndësia e këtij dokumenti burimologjik nga shekulli XV-të.
Prof. Dr. Musa Ahmeti
Në katalogun e diplomave origjinale të Arkivit Historik të Dubrovnikut, me signaturë nr. 793 ruhet diploma e Gjon Kastriotit, lëshuar me 25 shkurt të vitit 1420 me këtë shënim: “Gjon Kastrioti u jep favore tregtarëve dubrovnikas dhe përcakton tatimet doganore.” Diploma është e shkruar në letër të cilësisë së lartë gjysmëkarton dhe është e vulosur. Boja e përdorur për shkrimin e saj nuk ka nevojë për koment, sepse i ka rezistuar pa asnjë dëmtim 601 vjetëve të kaluara. Letra e kësaj diplome nuk ka filigranes (shenja uji) edhe pse ndonjëri nga ata që ka shkruar për të ka pohuar në mënyrë të gabuar se ka shenja filigranes!
Diploma që po botojmë me këtë rast është e njohur nga studiuesit dhe historianët, po për herë të parë ajo botohet së bashku me faksimile cilësore të cilat specialistët e medievistikës dhe paleografisë së sllavishtes së vjetër, mund t’i lexojnë lehtësisht (shih ilustrimin nr. 2). Përveç kësaj botimi është shoqëruar edhe me aparat kritik, përkthim në gjuhën shqipe, transkriptim e transliterim. Logjika e studimit përcjellës e bazuar në të gjitha këto elemente shkencore mund të ndiqet lehtësisht jo vetëm nga studiuesit, por edhe nga amatorët e interesuar në këtë fushë dhe historidashësit.
Botimi sipas metodave bashkëkohore, me një editim kritik, i shoqëruar me faksimile, me transkriptim në sllavishte të vjetër, dhe i përkthyera rishtas shqip, por edhe i shoqëruar me komente përkatëse përmbajtësore, duke shmangur për aq sa është e mundur “detajet e lodhshme” të diplomatikës, sfragjistikës, heraldikës, sigjilografisë e paleografisë, është një mënyrë që këto dokumente burimologjike për historinë mesjetare shqiptare të fillimshekullit XV të jenë të sakta e të përdorshme për të gjithë të interesuarit.
Kjo diplomë prezantohet për herë të parë në këtë formë të plotë para studiuesve, medievistëve, historianëve dhe specialistëve shqiptarë, por edhe lexuesit të gjerë, me faksimile, me transkriptim [tejshkronjëzim] në alfabetin cirilik (shih ilustrimet 4 e 5), e përkthyer në shqip e komentuar dhe e shoqëruar me një studim përkatës.
Deri sot ajo është botuar nga disa studiues: L. Thalloczy, Zvei Urkunden…, , 1899, v. XXI, f. 95 dhe në: Illyrisch-Albanische Forschungen…, 1916, vëll. I, f. 146; S. Novaković, Zakonski spomenici…, 1912, f. 793, nr. 10; L. Stojanović, Stare srpske povelje…, 1934; J. Radonic, Đuradj Kastriot…, 1942, f. 2, nr. 2; Burime, 1962, f. 233, nr. 152, botohet përkthimi shqip i diplomës pa u shënuar emri i përkthyesit; T. Geci, Gjon Kastrioti..., në: Fjala, tetor 1968, f. 18 dhe po ai: Mbi sfragjistikën…, 1969, f. 241, boton përkthimin shqip me faksimil; K. Frashëri, Skenderbeu…, 2002, f. 83 boton vetëm faksimilin që është i palexueshëm; K. Frashëri, Skenderbeu dhe lufta…, f. 18-19, boton transliterimin në sllavisht dhe përkthimin në shqip (pa shënuar e emrin e përkthyesit në shqip) së bashku me faksimilin që është i palexueshëm, 2005, f. 19; dhe së fundmi edhe: Gj. Berisha, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në fondet e Arkivit Shtetëror të Dubrovnikut, 2018, f. 70-71. Në të gjitha këto botime ka lëshime dhe gabime të natyrave të ndryshme. Ne jemi përpjekur t’i korrigjojmë ato, gjithnjë duke u mbështetur në origjinalin e diplomës e jo duke bërë përshkrim të përshkrimeve ose duke kopjuar punën e të tjerëve.
Nuk jemi marrë kësaj radhe me botimet në shqip dhe autorët që kanë botuar këto përkthime, apo në një rast edhe një “transkriptim” të saj e as me botimet shumë të dobëta të faksimileve të origjinalit (përkatësisht ato janë krejt të palexueshme), për shkak se të gjitha botimet e bëra, të kësaj diplome janë me shumë gabime, duke qenë se këta autorë shqiptarë nuk e kanë njohur sllavishten, e aq më tepër nuk kanë pasur njohuri për paleografinë e sllavishtes mesjetare dhe leximin cirilik e glagolitik, pra ata kanë marrë tekstin e diplomës të botuar e transkriptuar nga të tjerët, botuesit e huaj jo shqiptarë, pa u thelluar në studimin e tij, përkatësisht pa korigjuar apo përmirësuar gabimet e bëra në botimet e mëhershme.
Teksti i diplomës është i shkruar në 11 rreshta e jo në 10 siç është pohuar deri sot (shih faksimilin e origjinalit, ilsutrimi nr. 2). Diploma është e shkruar në sllavishte të vjetër, me grafema cirilike me elemente të glagolicës, me ngjyrë të zezë, me shkrim të imët, në kursiv, që vende-vende lexohet me vështirësi, sikurse mund të vërehet edhe nga ilustrimet që po botojmë (shih ilustrimin nr. 2).
Ajo ka qenë e palosur në tri pjesë të barabarta vertikalisht dhe një herë horizontalisht. Nga thyerjet e palosjes, letra është dëmtuar në rreshtin e pestë e gjashtë, por dëmtimet janë të vogla dhe nuk paraqesin problem në lexim. Dëmtime të vogla, të parëndësishme ka edhe te palosja e parë dhe e dytë si vertikalisht ashtu edhe horizontalisht. Kjo diplomë është restauruar në fund të shekullit XIX (shih ilustrimin nr. 3) me një letër të thjeshtë, të bardhë jo me shumë kudjes, por restaurimi nuk ka mbuluar asnjë shënim që ndodhej në pjesën verso (të pasme) të diplomës. Në anën verso të diplomës ka dy rreshta tekst, si duket shënim i kohës së mbërritjes së diplomës në Dubrovnik.
Teksti është në gjuhën latine: “Leter de dominio Juan Chastroi (sic!) sano chonduso ali merch” ka edhe plot 12 vula. Nga shekulli XIX janë 11 vula të gjitha në formë vezore dhe një e rrumbullakët e madhe e fillim shekullit XX, (shiko ilustrimin nr. 3) të gjitha janë vula zyrtare të Arkivit Historik të Dubrovnikut nga shek. XIX e XX.
Përsa i përket shkrimit, siç ishte zakon i kohës, ajo ka shkurtesa të shumta, të cilat i kemi zbërthyer në transkriptim [tejshkronjëzim]. Në kllapa të vogla “()” kemi vënë grafemat që mungojnë në fjalët përkatëse sipas leximit të sotëm të sllavishtes, ndërsa në kllapa të mëdha katrore “[]” kemi vënë grafemat e shkurtesave të fjalëve që ishte praktikë e kohës, kurse në kllapa të drejta “||” kemi vënë numrin e fillimit të rreshtit të tekstit të diplomës. Në transkriptim [tejshkronjëzim] kemi ruajtur të gjitha shenjat e interpunktimit të kohës. Nuk është bërë asnjë ndërhyrje apo përmirësim i ndonjë grafeme apo fjalë: gjithçka është lënë siç është në origjinal.
Transkriptimi [tejshkronjëzimi] i diplomës origjinale të lëshuar nga kancelaria e Gjon Kastriotit është shumë i vështirë jo vetëm për studiuesit, medievistët e historianët, që nuk janë specialistë të paleografisë sllave, sidomos asaj cirilike dhe glagolike, por edhe për ata që kanë përvojë të gjatë në transkriptime [tejshkronjëzime] të këtij lloj shkrimi. Shkurtesat e shumta dhe grafia e imët dhe në disa raste, shenjat e veçanta të shkruesit (scribes-it) (që për ne nuk është i njohur deri tani), vështirësojnë edhe më shumë transkriptimin [tejshkronjëzimin]. Kjo diplomë që ka karakterin e një dokumenti publik mban në vetvete të gjitha karakteristikat e dokumenteve të kësaj epoke historike.
Dimensionet e diplomës janë: horizontalisht 29.2cm e vertikalisht 16.5cm [29.2 x 16.5cm]. (Dimensionet e dhëna deri me sot nuk kanë qenë të sakta e korrekte). Dimensioni i tekstit të diplomës është horizontalisht 21cm dhe vertikalisht 10cm [21 x 10 cm]. Është evidente se letra në të cilën është shkruar diploma e Gjon Kastriotit ka qenë me dimensione më të mëdha. Në rastin tonë teskti është shkruar në letër në formën horizontale të saj e jo vertikale siç ishte praktikë e kohës.
Në fund të tekstit, paksa në të majtë është vula e Gjon Kastriotit. Vula është e rrumbullakët e shtypur në dyll të kuq, në nje copë letër të veçantë që është e vendosur mbi letrën origjinale. Copa e letrës ka dimensione 3cm x 3cm dhe është më e trashë se letra e diplomës.
Ndërsa dimensionet e vulës janë 1.2cm x 1.2cm, me një perimetër prej 3.2cm që lë të kuptohet se është një vulë e vogël, ngjashëm me vulën e ashtuquajtur “sekrete” të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut. Kjo vulë, e themi me sigurinë më të mëdha, është më e hershme se sa data e lëshimit të dokumentit që po shqyrtojmë, 25 shkurtit 1420, por ne deri sot nuk kemi ndonjë gjurmë të saj. Po ashtu është e sigurtë se vula “matrica” origjinale është prej metali, por prej cilit metal nuk mund ta pohojmë, sepse deri me sot nuk është gjetur “matrica”.
Vula është e mbuluar pastaj me një letër të hollë e cila e vështirëson shumë identifikimin e elementeve të saj, qoftë të figurës në brendësi apo të shkrimit anash. Vula është e dëmtuar dhe me shumë vështirësi mund të bëhet identifikimi i figurës që është në pjesën e brendshme të saj. Sipas asaj që vërehet sot, në gjendjen e tanishme të vulës, në brendësi është figura e Shën Mërisë me një fëmijë në krah, me kokë të kthyer paska në të majtë. Nga grafemat e rrethit të vulës me shumë vështirësi dallohen vetëm tre: “C” … “A” … “T”, që janë të alfabetit latin e jo cirilik, grafemat e tjera është e pamundur të identifikohen.
Analiza paleografike e diplomës
Në fillim është i shënuar invokacioni simbolik, pastaj pason invokacioni verbal dhe datimi. Invokacioni simbolik, i paraqitur me shenjën e kryqit, tregon nënshtrimin e pushtetit real të Gjon Kastriotit ndaj atij kishtar, duke treguar besnikëri absolute ndaj kishës.
Invokacioni verbal, që përdoret në këtë dokument, është karakteristikë e shpeshtë e përdorimit te dokumentet e tilla të kësaj kohe, e në veçanti atyre të shkruara me grafema sllave apo të lëshuara nga kancelaritë sllave. Me këtë i rritej vlera dokumentit duke dëshiruar që të arrihej qëllimi për destinimin e tij. Në këtë rast, është i shprehur në formën: “Unë Gjoni dhe fëmijët e mi i paguajmë…”
Menjëherë në vijim është intitulacioni që në këtë rast është i gjatë dhe shtrihet në 4 rreshta në origjinal: “Besimi i Zotit tim, Gjonit e bijve të mi, për të gjithë tregtarët e shumë të dashurit qytetit të Dubrovnikut, të cilët dëshirojnë me ardhë në tokën time në Shufada ose ata që dëshirojnë të tregotjnë në tokën time ose ata që dëshirojnë të kalojnë nëpër tokën time në tokën e Gjergjit ose të zotit despot. Dhe kështu u kam dhënë besimin (sigurinë, m.a.), që nga momenti kur mbërrijnë në tokën time në Shufada, nëse atyre u bëhet ndonjë dëm apo u shkaktohet ndonjë e keqe (fatkeqësi, m.a.) në tokën time e rrugës deri në Prizren.” Pra me këtë rast Gjon Kastrioti u konfirmon dubrovnikasve lirinë e kalimit nëpër teritorin e sundimit të tij dhe shkon edhe më tej, duke u garantuar edhe rrugën deri në Prizren që nuk ishte pjesë e sundimit të tij. Pra u garanton kalimin nëpër rrugën që shkon nga sundimi i tij deri në Prizren, gjë që do të thotë se kjo pjesë e rrugës nuk ishte nën sundimin e tij.
Zakonisht, në këtë kohë, datimi shënohet në fund të tekstit, që në rastin tonë në këtë diplomë edhe është shënuar në formën: 25 shkurt 1420. Te datimi kemi dy momente interesante që duhen veçuar: a) scribesi ka shënuar vetëm muajin shkurt me grafema si tërësi, ndërsa numrat e tjerë, vitin dhe datën i shënon me grafema sipas praktikës së kohës dhe momenti i dytë b) grafemat të cilat janë ekuivalent i numrave të datave, scribesi i ka shënuar me një vizë (᷉) sipër grafemave.
Kurse dispozicioni, si pjesa më e rëndësishme e aktit diplomatik, i cili në vetvete ngërthen objektin moral dhe material, që i dedikohet pranuesit, na paraqitet në formën kur Gjon Kastrioti pohon: “Dhe kështu u kam dhënë besimin (sigurinë, m.a.), që nga momenti kur mbërrijnë në tokën time në Shufada, nëse atyre u bëhet ndonjë dëm apo u shkaktohet ndonjë e keqe (fatkeqësi, m.a.) në tokën time e rrugës deri në Prizren, unë Gjoni dhe fëmijët e mi i paguajmë (dëmshpërblejmë, m.a.),” dhe vazhdon me një konkretizim dhe saktësim që është shumë domethënës kur pohon Gjoni se: “për këtë ligj të doganës kam biseduar me mikun tim dhe vëllaun tuaj Pjetrin, që në tërë territorin e tokës sime të paguhet doganë” për të vazhduar pastaj: “Dhe kështu u kam dhënë besimin (sigurinë, m.a.), që nga momenti kur mbërrijnë në tokën time në Shufada, nëse atyre u bëhet ndonjë dëm apo u shkaktohet ndonjë e keqe (fatkeqësi, m.a.) në tokën time e rrugës deri në Prizren, unë Gjoni dhe fëmijët e mi i paguajmë (dëmshpërblejmë, m.a.)” gjë që paraqet një moment interesant, ku një fisnik shqiptar (Gjon Kastrioti) jo vetëm që jep fjalën, por ai këtë fjalë e shkruan dhe e bën normë ligjore në një akt diplomatik ndërkombëtar.
Kurse në ekspozicion (narracion) janë sqaruar rrethanat aktuale të shkrimit të një akti të tillë diplomatik dhe saktësohet se para kujt u shkrua dhe cila ishte pozita e tij: “Për të gjitha këto është dëshmitar udhëheqësi Pjetër” pra prerazi pohohet bashkërenditja e kushteve të qëllimit të veprimit e lëshimit të diplomës.
Përforcimi zakonisht fillon me simbol, që në këtë rast nuk e kemi, por kemi vulën e vogël të Gjon Kastriotit.
Diploma nuk ka nënshkrim autograf të Gjon Kastriotit, gjë që është moment interesat që lë të kuptohet se Gjoni nuk e shkruante sllavishten, por diploma është shkruar në kancelarinë e tij nga scribesi që shërbente për gjëra të tilla, e ishte praktikë e kohës që ndeshet edhe te fisnikët e tjerë shqiptarë si te Balshët, Dukagjinasit, Topiasit, etj.
Vendi ku u lëshua diploma.
Sipas shënimit të rreshtit të parafundit në origjinalin e diplomës, ajo u lëshua më 25 shkurt të vitit 1420, por në të nuk është shënuar vendi se ku u lëshua. Ne mendojmë se kjo diplomë u lëshua në Shufada. Te një përfundim i tillë vijmë për vetë faktin se Gjon Kastrioti pohon: “në vendin tim në Shufada” gjë nuk e pohon për asnjë vend tjetër të sundimit të tij, cilidoqoftë ai. Megjithatë përcaktimi i vendit të lëshimit të diplomës mbetet i hapur për studime të tjera të thelluara të kësaj periudhe në burime ende të pabotuara.
Toponimet
Në diplomë kemi katër toponime: Shufadanë, Prizrenin, Dubrovnikun dhe Radunjën. Shufadaja ishte nën sundimin e Gjon Kastriotit dhe ishte port e qendër doganore në grykëderdhjen e Matit; Prizreni komunë e njohur nën sundimin e Gjergj Brankoviqit, Dubrovniku – shënohet në këtë formë në origjinal e jo në formën mesjetare Raguza është komunë e pavarur dhe Radunja e pushtuar nga turqit. Pra toponimet janë të njohura dhe nuk paraqesin asnjë vështirësi për identifikimin e tyre.
Etnonimet
Kjo diplomë përmban këto etnonime: Gjon Kastrioti si zot i sundimit të Shufadasë dhe lëshues i diplomës, ku në krah të tij janë edhe të bijtë, emrat e të cilëve nuk shënohen shprehimisht. Ne mund të hamendësojmë, nëse përmendim cilindo nga emrat e të bijve, pra nuk mund të themi me saktësi nëse ishin të katër bijtë e tij apo vetëm disa prej tyre, psh. tre bijët e tij, etj. Pastaj në vijim flitet për Gjergjin – është fjala për sundimtarin serb Gjergj Brankoviqin – i cili në këtë kohë sundonte një pjesë të mirë të Kosovës dhe aty menjëherë është shënuar despoti, ku bëhet fjalë për despotin serb: Stefan Lazareviqin. Këto etnonime të fundit, së bashku me toponimën e Radunjës, kanë rëndësi të shumëfishtë, sepse përmes tyre mund të arrijmë të saktësojmë kufijtë e sundimit të Gjon Kastriotit në vitin 1420. Duke njohur sundimet e sundimtarëve të lartëcekur nga burime të tjera të kohës si sllave ashtu edhe ato perëndimore, nxjerrim përfundimin se Prizreni nuk ishte nën sundimin e Gjon Kastiotit.
Prizreni nuk ishte në vitin 1420 pjesë e sundimit të Gjon Kastriotit e aq më pak seli e tij.
Shkak për pohimet se Prizreni ishte pjesë e sundimit të Gjon Kastriotit e deri te ato më ekstermet se ishte kryeqendra e sundimit të tij është mosleximi i një fjale në rreshtin e katërt të origjinalit të diplomës, përkatësisht është tejkaluar pa lexuar fjala “rrugë” në shqip dhe në origjinal sllavisht “puta” (shih faksimilin e origjinalit, ilsutrimi nr. 2 dhe transliterimin e transkriptimin tonë) nga botuesit e derisotëm.
Përkthimi sipas origjinalit është: “nëse atyre u bëhet ndonjë dëm apo u shkaktohet ndonjë e keqe (fatkeqësi, m.a.) në tokën time e rrugës deri në Prizren” e jo siç është përkthyer deri sot: “në rast se i bëhet ndonjë dëm ose ndonjë e keqe nëpër vendin tim deri në Prizren” (përkthimi i 1967, f. 233, nr. 152, e botim i vitit 2005, f. 19, nr. 6) dhe sipas përkthimit të vitti 1968: “në rast se i bëhet ndonjë dëm ose ndonjë e keqe nëpër këtë vend deri në Prizrend”. Në shikim të parë, një fjalë e parëndësishme, po në të vërtetë saktësimi i saj është shumë i rëndësishëm për vetë përcaktimin e kufijve të sundimit të territorit të Gjon Kastriotit në vitin 1420. Pohimet e deritanishme për këtë gjë janë bërë nga pakujdesi i leximit të origjinalit të diplomës nga studiues të huaj, ndërsa studiuesit shqiptar duke mos njohur sllavishten, e aq më pak paleografinë sllave, vetëm kanë kopjuar botimet e të tjereve e ato me shumë gabime.
Një moment i veçantë është përkthimi në shqip i kësaj diplome. Me sa na është e njohur, kjo diplomë është përkthyer në shqip në vitin 1967 (nuk e dimë me saktësi emrin e përkthyesit, e ky përkthim është ribotuar edhe në vitin 2005, prapë pa emrin e përkthyesit) dhe më 1968 nga T. Geci. Të dy përkthimet janë të ndryshme, lënë për të kuptuar sikur bëhet fjalë për dy dokumente të ndryshme e jo për të njëjtin dokument. Si shembull po sjellim vetëm emrin e udhëheqësit dubrovnikas, Pjetër, i cili në këtë diplomë na paraqitet në dy funksione: të dëshmitarit-përmbaruesit dhe të udhëheqësit – e jo sikur deri me sot, në përkthimet shqipe, i është vënë mbiemri “Çelniku” që në fakt përkthyesit nuk e kanë kuptuar se është fjala për titull, përkatësisht fjala për udhëheqës, e jo mbiemër personal.
Ne kësaj radhe siç theksuam edhe më lart nuk do merremi me asnjërin përkthim, përkatësisht me gabimet e shumta të tyre, por, po sjellim përkthimin e ri, integral të mbështetur në origjinalin e diplomës, duke ofruar edhe transliterimin dhe transkriptimin të shoqëruar me faksimilet e origjinalit. E bëjmë këtë për t’ju mundësuar të gjithë të interesuarve, studiuesve, historianëve, lexuesve e të tjerëve që vetë të gjykojnë për të gjitha sa pohuam më sipër. Dëshirojmë të theksojmë se edhe më këtë diplomë ka ndodhur gabim i ngjashëm si me diplomën e vitit 1368 të Aleksandrit të Kaninës, ku për herë të parë përmendet emri Kastriot, që botuesi i parë i saj duke harruar një presje (,) pa e lexuar, kishte ndërruar kuptimin përmbajtësor të saj.
Dëshirojmë të falenderojmë në mënyrë të veçantë arkivistin e Arkivit Historik të Dubrovnikut dr. Nikša Selmanin për gatishmërinë e tij dhe ndihmën e dhënë gjatë tërë këtyre viteve të kërkimeve tona në këtë arkiv si dhe ndihmën profesionale për analizmin dhe zbërthimin e enigmave të kësaj diplome dhe të tjera të familjeve fisnike feudale shqiptare.