Një javë pas përmbytjeve që goditën rajonin e Tetovës, në zonat e prekura ka filluar të bëhet vlerësimi i dëmeve. Anëtarët e komisionit për vlerësim thonë se, po bëjnë regjistrimin e të gjitha dëmeve, me qëllim që të mos mbetet asgjë pa u kompensuar. Ata kërkojnë nga banorët t’iu paraqesin të gjitha dëmet që kanë pësuar.
“Ekipet tona kanë për detyrë të kryejnë vlerësimin e dëmeve, që kanë pësuar shtëpitë, makinat dhe gjërat e tjera. Shpresoj që brenda ditës së sotme, të mund të evidentojmë dëmet në Reçicë të Vogël, ndërsa duke nisur nga e hëna, pasi të pastrohet terreni, do të bëjmë regjistrimin e dëmeve edhe në fshatin Shipkovicë. Për gjithçka që është dëmtuar duhet të informohen ekipet vlerësuese. Edhe nëse diçka është larguar nga vendi ku është dëmtuar, mjafton që banorët të na njoftojnë për dëmin”, tha Deni Gjorçevski, përfaqësues i Byrosë për ekspertizë gjyqësore.
Sipas të dhënave të para, nga përmbytjet janë dëmtuar 500 shtëpi dhe dhjetëra makina, ndërsa dëme kanë pësuar edhe tokat bujqësore. Shteti premton se do të kompensohet i gjithë dëmi, por banorët janë skeptikë pasi – sipas tyre, – evidentimi i dëmit në terren nuk po bëhet si duhet.
“Ne kemi pësuar një dëm prej rreth 10 mijë eurosh. Ekspertët thonë që vendi duhet të pastrohet, kurse nga komuna thonë se nuk duhet të pastrohet. Këtu kanë qenë kompjuteri, televizori, kuzhina dhe gjëra e tjera që kanë pësuar dëme. Nuk po dimë çfarë të themi, sepse ata nuk e pranojnë atë që themi ne”, tha një banor. Në terren kanë dalë edhe ekipet e Institutit për Mbrojtjen Shëndetësore, për të kryer dezinfektimin e vendbanimeve, që u prekën nga përmbytjet. Përfaqësuesit e Ministrisë së Shëndetësisë njoftojnë se janë marrë të gjitha masat kundër epidemive.Sh.K