
Teza # 5
“Çamët ishin turko-shqiptarë”
Një nga manipulimet më të qëllimshme që përdori shteti grek për të justifikuar dëbimin e shqiptarëve të Çamërisë ishte përhapja e tezës se “çamët nuk ishin shqiptarë, por turko-shqiptarë”.
Ky manipulim nuk ishte thjesht një lojë terminologjie. Ishte një strategji për të mohuar identitetin etnik shqiptar të çamëve myslimanë, duke i identifikuar si mbetje të Perandorisë Osmane dhe për rrjedhojë të huaj, të padëshiruar dhe të dëbueshëm.
Si u shpik një identitet i rremë për të fshirë një komb
Që nga vitet ’20 e në vijim, në dokumente administrative, raporte ushtarake, deklarata zyrtare dhe madje edhe në shtypin grek të kohës, shqiptarët myslimanë të Çamërisë përshkruheshin shpesh me etiketën “τουρκαλβανοί” (turko-shqiptarë).
Përse?
Për të fshirë përkatësinë e tyre shqiptare, për t’i identifikuar me osmanët si “pushtues të dikurshëm”, dhe për t’i paraqitur si të huaj në tokën ku kishin lindur, jetuar dhe ndërtuar për shekuj.
Por kjo tezë është historikisht e rreme
1. Marrëveshja e Lozanës i përjashtoi çamët nga shkëmbimi me Turqinë
Në janar 1923, Greqia dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje për shkëmbimin e popullsive me bazë fetare. Megjithë përpjekjet e qeverisë greke për ti përfshirë çamët në këtë shkëmbim popullsie, reagimi i çamëve dhe patriotëve shqiptarë në qeverinë shqiptare bëri që Turqia të përjashtonte çamët nga shkëmbimi, sepse nuk ishin turko-shqiptarë, por shqiptarë myslimanë pra, qytetarë të Greqisë që nuk kishin lidhje me Turqinë.
2. Çamët kishin vetëdije dhe trashëgimi shqiptare
• Gjuha: shqipja ishte gjuha amtare.
• Zakonet, emrat dhe kultura ishin shqiptare.
• Shumë çamë kontribuan në Rilindjen Kombëtare Shqiptare, në Kongresin e Manastirit, dhe në Shpalljen e Pavarësisë më 1912.
“Turko-shqiptar” – një etiketë për të legjitimuar spastrimin
Etiketa “turko-shqiptar” nuk ishte term etnografik. Ishte një instrument politik:
• Përdorej nga autoritetet greke për të mohojë kombësinë shqiptare të çamëve myslimanë.
• Përdorej në propagandë për të nxitur urrejtje ndaj tyre, duke i paraqitur si “turq të mbetur”, të dyfishtë: të huaj si shqiptarë, dhe të rrezikshëm si “turq”.
Në shumë raporte të EDES-it dhe në ligjëratën zyrtare të kohës, dëbimi i çamëve përshkruhet si “spastrimi i Thesprotisë nga turko-shqiptarët”.
Ndërrimi i identitetit përmes fesë është krim simbolik
• Kombësia nuk zëvendësohet me fenë.
• Të quash dikë “turko-shqiptar” sepse është mysliman është diskriminim i drejtpërdrejtë, dhe mohim i identitetit kombëtar.
• Është një formë e gjenocidit kulturor: fshirje e identitetit përmes përvetësimit terminologjik.
Çamët nuk ishin turko-shqiptarë. Ata ishin shqiptarë. Dhe për këtë arsye u dëbuan.
Etiketa “turko-shqiptar” u përdor për të mohuar të kaluarën, për të justifikuar dhunën dhe për të fshirë një popull nga harta.
Feja nuk fshin gjuhën. Nuk fshin origjinën. Dhe nuk fshin të drejtën për të qenë shqiptar në Çamëri.
Alket VELIU