Në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u zhvillua të premten me 14 prill në Nju Jork, është vlerësuar lart marrëveshja e 19 prillit, e arritur ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq në Bruksel.
Ajo është cilësuar si historike nga të dy kryeministrat, derisa sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon, por edhe ambasadorët e vendeve anëtare të KS-së, kanë bërë thirrje për zbatimin sa më të shpejtë të saj.
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se marrëveshja konfirmon dhe ruan sistemin unik dhe legal të Kosovës, si autoritet të vetëm legal në vend.
Ai, gjithashtu, ka potencuar se marrëveshja mbron të gjitha komunitetet, duke iu ofruar atyre siguri fizike dhe humane.
Ndërkaq, kryeministri serb, Ivica Daçiq, në këtë seancë ka thënë se Serbia është e vendosur që t’i vërë pikë së kaluarës, e cila siç është shprehur ai, nuk mund të ndryshohet.
Daçiq ka theksuar se marrëveshja e prillit, është e para e këtij lloji e arritur ndërmjet dy palëve dhe se në të ardhmen, sipas tij, do të bisedohet për kthimin e personave të zhvendosur dhe pronës.
Kryeministri serb është shprehur se të gjitha raundet e negociatave janë zhvilluar pa paragjykim ndaj çështjes së statusit të Kosovës, duke shtuar se Serbia ka treguar gatishmërinë e saj për të shkuar përtej gjendjes së tanishme.
Ndërkohë, pasi e ka vlerësuar si sukses historik marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Ban Ki-Moon ka ftuar të dy palët që të hapin kanalet e komunikimit dhe të bëjnë përpjekje për zbatimin e marrëveshjes.
“Ajo është arritje historike. Si rezultat i saj, perspektivat për të kapërcyer trashëgiminë e konfliktit të kaluar dhe për të arritur pajtim, stabilitet dhe prosperitet janë më të mëdha se kurrë”, ka deklaruar Ban Ki Moon.
Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç e hapi fjalimin duke thënë se gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës është sipas tij mjaft e brishtë. Ai foli për incidente të shpeshta, për të cilat tha se janë shtuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Duke folur për dialogun me Kosovën, zoti Daçiç tha se vendi i tij ka investuar përpjekje të konsiderueshme dhe ka treguar elasticitet të madh. Ai tha se Serbia do të vazhdojë të udhëhiqet nga besimi i fortë se negociatat mund të sjellin një zgjidhje pranueshme për të gjithë.
Kryeministri Daçiç tha se Serbia ka shpresa të mëdha nga takimet e ardhshme të ekipeve për zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel. Serbia, tha ai, e shikon shumë të rëndësishme që, ajo që është arritur, të vihet në praktikë duke pasqyruar vullnetin dhe synimet e negociatorëve. Statusi i serbëve në Kosovë, tha zoti Daçiç, duhet të përcaktohet qartë.
Kryeministri i Serbisë tha se procesi i kthimit të personave të zhvendosur në Kosovë ka qenë shumë i ngadaltë dhe i vështirë. Të kthyerit po mbështeten më shumë me fjalë sesa me vepra, tha ai.
Procesi i kthimeve, tha zoti Daçiç, është bërë më i vështirë nga fakti se sistemi i sundimit të ligjit në Kosovë ka mangësi serioze dhe nuk ka qenë në gjendje të sigurojë mbrojtjen e duhur në veçanti të pakicave.
Zoti Daçiç bëri thirrje që mandati i UNMIK-ut në Kosovë të mbetet i pandryshuar. Roli i UNMIK-ut në stabilizimin e situatës në rajon është i pazëvendësueshëm, tha zoti Daçiç.
Kryeministri serb u ankua se zyrtarëve dhe figurave të njohura publike të Republikës së Serbisë vazhdohet t’u mohohet hyrja dhe qëndrimi në Kosovë.
Zoti Daçiç tha në mbyllje se megjithë këto probleme, nuk ka dyshim se në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës është arritur përparim historik. Serbia, tha ai, është e vendosur t’ia lërë të kaluarën së kaluarës. Ajo që mund të bëjmë ne, theksoi Kryeministri Daçiç, është t’i japim formë të tashmes dhe të ardhmes.
Në fjalimin e tij, Kryeministri Hashim Thaçi i bëri një paraqitje të hollësishme marrëveshjes së 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel, të cilën ai e quajti një moment vendimtar dhe historik.
Ai tha se vendi i tij vazhdimisht ka treguar mbështetje për dialogun politik me Serbinë. Edhe qytetarët, tha kryeministri Thaçi, kanë shprehur shpresën se marrëveshja do t’i shërbejë paqes dhe qëndrueshmërisë.
Zoti Thaçi përgëzoi edhe homologun e tij, kryeministrin serb, Daçiç për angazhimin e tij në arritjen e marrëveshjes.
Kryeministri Thaçi tha se marrëveshja Kosovë-Serbi ka një rëndësi përtej Ballkanit Perëndimor. Kyç për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, tha ai, është zbatimi në praktikë i marrëveshjes.Kryeministri i Kosovës tha se qeveria e tij do të jetë e angazhuar për zbatimin por kërkoi nga Serbia që të jetë gjithashtu e angazhuar dhe të bindë serbët në veriun e Kosovës ta pranojnë marrëveshjen. Ai tha se zbatimi është thelbësor sidomos për serbët në veri të Kosovës. Zoti Thaçi tha se zbatimi në kohë i marrëveshjes ka rëndësi të madhe për të eliminuar aktivitetin kriminal në veri.Duke folur për çështjet e sigurisë, zoti Thaçi tha se policia e Kosovës ka bërë përpjekjet për të shtuar sigurinë për kishat serbe dhe objektet e tjera fetare dhe kulturore.Kryeministri Thaçi tha se integrimi në Bashkimin Evropian është përparësi shtetërore e vendit të tij. Ai tha se Kosova është në rrugën e duhur për të hapur negiociatat e marrëveshjes së asocim – stabilizimit me BE-në këtë vit dhe për të nënshkruar marrëveshjen e liberalizimit të vizave.Në fund, kryeministri Thaçi theksoi se marrëveshja e arritur në Bruksel duhet ta shtyjë Këshillin e Sigurimit të shqyrtojë miratimin e një rezolute të re për t’i dhënë fund misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) në Kosovë.
Në emër të Shteteve të Bashkuara, Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Susan Rice i inkurajoi të dyja palët që të zbatojnë marrëveshjen e arritur dhe që t’ua shpjegojnë qytetarëve të të dyja vendeve.
Zonja Rice tha se me këtë marrëveshje Kosova dhe Serbia po japin një shembull bashkëpunimi në rajon. Ajo vlerësoi përparimin e Kosovës në vendosjen e shtetit ligjor.(Kortezi RFL & VOA)