-Nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në Bruksel, që duhet të sjell pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë/
PRISHTINË, 1 Mars 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, e ka mbajtur takimin e dytë konsultativ me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mjeteve të informimit për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, për të cilin tha se do të jetë i pavarur, i paanshëm dhe gjithëpërfshirës. Sipas tij, ky forum do të krijojë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur në mes komuniteteve në Kosovë dhe nuk do të jetë zëvendësim i dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, që duhet të sjell pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ai është një proces tjetër, i ndarë prej këtij që po nisim këtu. Por, ky proces këtu, e vërteta dhe pajtimi në Kosovë, do të jetë ndihmues për arritjen e marrëveshjeve të reja dhe për pajtim ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi presidenti Thaçi.Presidenti Thaçi ka folur edhe për rekomandimet e përgjithshme të takimit të parë konsultativ për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, të mbajtur në 13 shkurt 2017.“Komisioni do të organizojë edhe takime publike, programe mediale dhe sesione informative për të promovuar punën, gjetjet dhe rekomandimet e komisionit. Do të themelojë edhe komisione ‘grassroot’ që do të ndihmojnë pajtimin në nivel komunal, si dhe do të sponsorizojë përpilimin e politikave që do të mbështesin implementimin e rekomandimeve të komisionit”, u shpreh presidenti Thaçi.Presidenti theksoi se është e natyrshme që ky komision do të ballafaqohet edhe me sfida si thyerja e konspiracionit të heshtjes së komuniteteve, fitimi i besimit të viktimave dhe i besimit të të gjitha komuniteteve, këmbëngulja në implementimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të komisionit dhe të tjera.“Sfidë do të jetë edhe komponentja rajonale pasi ka viktima që jetojnë jashtë Kosovës”, u shpreh ai.Presidenti Thaçi theksoi se institucionet shtetërore kanë vullnetin institucional e njerëzor që të ndriçojnë të kaluarën dhe të shërojnë plagët e së kaluarës dhe komisioni ka përkrahjen e protagonistëve ndërkombëtarë, veçanërisht të BE-së, të OSBE-së dhe të UNDP-së./b.j/