PRISHTINË, 6 Korrik 2015.-Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme të Republikë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar për një vizitë zyrtare në Itali.
Zëvendëskryeministri Thaçi do të zhvillojë një takim pune me ministrin e Jashtëm dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Paolo Gentiloni, me të cilin do të bisedojnë për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon si dhe bashkëpunimin e Kosovës me Bashkimin Europian.
MPJ kosovare thekson se, nënshkrimi i MSA-së, bashkëpunimi rajonal me theks në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, lufta e përbashkët kundër radikalizmit dhe terrorizmit si dhe përmbushja e obligimeve ndërkombëtare nga ana e Kosovës, janë temat që do të diskutohen në takim.
Italia është ndër shtetet e para që ka njohur Kosovë, është mbështetëse e madhe e Kosovës dhe anëtare e “Quint”-it, grupit të pesë shteteve perëndimore që përkrahin Kosovën në procesin e integrimit euroatlantik./B.J/