PDSH dhe kandidati i saj për president Iljaz Halimi tubimet e radhës të dielën i kanë zhvilluar në rajonin e Tetovës.Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi para të pranishmëve sqaroi se cili është qëllimi i kandidimit të Halimit për president dhe çfarë do të arrihet me këtë. “Në Maqedoni ka rreth 900 mijë votues që nuk janë maqedonas. Nëse të gjithë angazhohemi për kandidatin tonë më13 prill, mund të ndryshojmë historin. Ne shpresojmë se do të kalojmë pragun prej 300 mijë votuesve dhe pastaj gjithkush që do të hyjë në raundin e dytë të zgjedhjeve do të duhet të bisedojë me ne”, deklaroi Thaçi.
Thaçi ka theksuar se në rast se PDSH vjen në pushtet do të heq përmendoren e Car Dushanit në sheshin e Shkupit si dhe do të bëj ndarjen proporcionale të buxhetit të shtetit. “Në bisedime njëri ndër kushtet do jetë Car Dushani të fluturoj në hava, shtëpia e oficerëve sërb të eleminohet nga themelt e Burmali Xhamisë, të denacionalizohet të gjitha pronat e Bashkësisë islame. BDI për gjashtë vjet ndau pushtetin me VMRO-DPMNE, ndërsa tani sillen ndaj tyre sikur ndaj kundërshtarëve. Nëse ne do të fitojmë do të angazhohemi që të asgjësojmë këtë veprim nga skena politike. Lideri i BDI-së Ahmeti thotë se kot po angazhohemi dhe po punojmë në këtë fushatë, por unë do ta pyesja ate se ku është ligji për pjesëtarët e UÇK-së, përdorimi i gjuhës shqipe, proceset evrointegruese, ndërtimi i bibliotekës dhe teatrit në Tetovë si dhe ujësjellësin në Tetovë”, theksoi Thaçi.
Në tubimin qendror në Poroj të Tetovës, kandidati Halimi kërkoi mbështetje duke theksuar se votimi i një kandidati shqiptar është me rëndësi për vendin. “Mbështetja juaj është me rëndësi, për shkak se me kandidimin tim tregojnë se shqiptarët jemi popull autokton në këto treva dhe se kanë kuadro të afta për të udhëhequr vendin”, theksoi Halimi.
Ai ka folur edhe për përfaqësimin e dobët të shqiptarëve nëpër institucione, ku me theks të veçantë është kabineti i presidentit. “Në këtë drejtim unë do të angazhohem në rritjen e përfaqësimit në mënyrë të denjësishme në kabinetin presidencial dhe institucione tjera”, theksoi Halimi.
Karavani zgjedhor i PDSH sot ka vazhduar edhe në rajonin e Sarajit sin ë Radushë, Rashçe, Svillare dhe Kondovë. Thaçi në Kondovë theksoi se edhe hoxhallarët duhet të angazhohen që të vije në pushtet një shqiptarë musliman i cili do i zgjedh problemet e shqiptarëve.(Ina)