-Nishani-Thaçi: Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënia vëllazërore dhe institucionale, bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike/
-Kryeministri Mustafa vlerësoi lartë kontributin e Presidentit Nishani për Kosovën, Shqipërinë dhe më gjerë/
-Edhe kryeparlamentari Veseli priti presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani/
PRISHTINË, 11 Maj 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në vizitën zyrtare shtëtërore në Kosovë u prit sot në Sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi me intonimin e Himnit Shqiptar e Himnit të Kosovës dhe me Gadën Ceremoniale të FSK-së të rreshtuar për nder të tij.
Gjatë takimit, Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishanit, në emër të qytetarëve të Kosovës, Presidenti Thaçi i ndau Medaljen Urdhri i Lirisë, duke vlerësuar se, ai ka dhënë një kontribut të lartë për lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
“Shqipëria dhe Kosova do të vazhdojnë të kultivojnë marrëdhënia vëllazërore dhe institucionale, bazuar në vlerat e përbashkëta euroatlantike.
Askush nuk mund të ndalë të ardhmen tonë të përbashkët në Bashkimin Evropian, i cili mbetet synimi ynë i vetëm”, u deklarua në takim.
Edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani.
Njoftimi dërguar nga Kryeministria thekson se, gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohjen e Qeverisë dhe të qytetarëve të Kosovës për kontributin e madh që Presidenti Nishani ka dhënë për Kosovën, gjatë mandatit të tij në krye të shtetit shqiptar.
Duke vlerësuar përkrahjen e madhe të Shqipërisë gjatë kësaj periudhe, kryeministri Mustafa theksoi rolin e veçantë pozitiv dhe unifikues të Presidentit Nishani në proceset zhvillimore në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njoftoi Presidentin Nishani edhe për zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe përkushtimin e tij për avancimin e mëtejshëm të zhvillimit ekonomik, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, integrimet euroatlantike dhe proceset tjera për zhvillimin e shtetit.
Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin për fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë në të gjitha fushat.
Presidenti Bujar Nishani, falënderoi kryeministrin Mustafa për punën dhe përkushtimin e tij për fuqizimin e shtetit të Kosovës si dhe avancimin e bashkëpunimit me Shqipërinë.
Presidenti Nishani foli për proceset aktuale në Kosovë, në Shqipëri dhe më gjerë, duke theksuar besimin e tij për avancimin e proceseve demokratike dhe euroatlantike.
Presidenti Bujar Nishani theksoi, po ashtu, përkushtimin e mëtejshëm për të kontribuuar për avancimin e proceseve në Kosovë, duke vlerësuar lartë lidershipin e kryeministrit Isa Mustafa në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Poashtu, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, i cili gjendet për vizitë në Kosovë, në përmbyllje të mandatit të tij si president.
Njoftimi dërguar nga Kuvendi thekson se, kryetari Veseli dhe presidenti Nishani diskutuan për zhvillimet e fundit politike në të dyja vendet, të cilat gjatë muajit të ardhshëm pritet t’u nënshtrohen proceseve zgjedhore parlamentare.
Veseli e Nishani theksuan nevojën që këto procese të përcillen me pjekuri politike, duke dëshmuar edhe njëherë kulturën demokratike tashmë të rrënjosur si traditë në spektret politike të të dyja vendeve.
Duke e falënderuar presidentin Nishani për kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, si dhe përkrahjen e dhënë Kosovës në afirmimin dhe njohjen ndërkombëtare, gjatë gjithë mandatit të tij, kryeparlamentari Veseli theksoi përkushtimin e tij për të çuar më tej këto relacione, në të gjitha fushat dhe hapësirat e pashfrytëzuara.
Veseli tha se e ardhmja e përbashkët e të dyja vendeve është në Bashkimin Evropian, si vullnet dhe orientim i përbashkët qytetar dhe institucional.
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, përgëzoi kryetarin Veseli për tejkalimin e sfidave me të cilat është përballur legjislativi i vendit dhe e gjithë jeta parlamentare në Kosovë, duke i trajtuar ato me pjekuri dhe maturi.
Nishani konfirmoi mbështetjen e Tiranës zyrtare në procesin e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të saj.
Bwhet e ditur se, gjatë të premtes, në Asamblenë Komunale të Drenasit mbahet ceremonia e seancës solemne, ku Presidenti Nishani do të shpallet Qytetar nderi i Komunës së Drenasit.
Po ashtu, Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani do të shpallet edhe Qytetar Nderi i Prizrenit. Ky titull i ndahet për kontributin që i ka dhënë Kosovës