Nga Dritan Haxhia /
Edhe disa javë na ndajnë prej muajit Nëntor ku si përherë shqiptarët, kudo ku janë, festojnë një prej ditëve më të shënuara në historinë e kombit shqiptar, ditën e themelimit të shtetit të parë shqiptar. Krahas aktiviteteve të tjera, në festimet e këtij viti Pan Federata Vatra është duke përgatitur edhe një aktivitet të tjeter te vecantë që do shfaqet për bashkëkombasit tanë.
Për herë të parë, me ftesë të Pan Federatës Vatra, vjen në Nju Jork një shfaqje, e teatrit shqiptar, interpretuar në anglisht nga aktorët Herion Mustafaraj dhe Era Makoci. “They never knock” është një produksion i “Albanian Theater in Translation” misioni i të cilit është promovimi dhe prezantimi i historisë dhe kulturës shqiptare përmes shfaqjeve teatrore te qytetarët e huaj dhe te brezi i të rinjve shqiptarë në diasporë. “They never knock” sjell përmes notave komi tragjike, ironies, sarkazmë dhe një humori që shkon deri në grotesk një copëz jete nga periudha e diktaturës komuniste në Shqipëri. Për të njohur më mirë këtë kohë, historitë dhe personazhet prej të cilëve është frymëzuar autori i kësaj vepre Pan Federata Vatra ka ftuar autorin, z Armand Bora për të zhvilluar pas shfaqjes një bashkëbisedim të hapur.
Shfaqja do të prezantohet në Producers Club Theaters. 358 West 44th Street. NY në datat 23,24,25,30 Dhjetor si dhe në datat 1,2 Dhjetor. Ne daten 28 Nentor ne “Rotonda” ne Pelham Park Ne Bronx,
Bashkë me ftesën për t’ju bashkuar këtij aktiviteti të rëndësishëm, duke ftuar miq dhe të njohur të tjerë, shqiptarë dhe amerikanë, po ju japim edhe disa detaje të tjera rreth shfaqjes, autorit dhe dy aktorëve pjesëmarrës në këtë projekt. “They Never Knock” është ndërtuar mbi historinë e një çifti intelektualësh që presin të arrestohen nga sigurimi i shtetit. Të mbyllur në apartamentin e tyre të vogël, me valixhet dhe orenditë e tjera të bëra gati ata presin që dikush të trokasë në derën e tyre. Duke pritur ardhjen e policisë bashkëshortët përpiqen që të zbulojnë arsyen dhe motivin e arrestimit të tyre. Në dialog me njëri tjetrin ata i kthehen dhe rikthehen disa herë jetës së tyre për të kuptuar se ku kanë gabuar dhe për çfarë i akuzojnë. Kaq i fortë dhe i pamëshirshëm është gjykimi që ata i bëjnë vetes së tyre sa në një moment të kësaj historie ata transformohen në hetues për njëri tjetrin, kurse apartamenti i tyre kthehet në një zyrë të vërtetë hetuesie. Në të dy skenat e hetuesisë personazhet tregojnë se dobësinë dhe pafuqinë e tyre për tu përballuar me hetuesin. Ata nuk janë heronj. Ata janë dy njerëz të thjeshtë që kanë dëshiruar të ndërtojnë një jetë të qetë dhe larg telasheve të mëdha, por që këtë nuk mundën t’a realizonin. Në skenën finale personazhet rikthehen përsëri në lëkurën e personazheve të parë dhe kuptojnë se janë të dobët dhe të pafuqishëm për t’u përballur me hetuesin. Në panik dhe frikë, të dy fillojnë të kërkojnë ndihmë për shpëtim. Askush nuk vjen ti ndihmojë. Vetëm heshtje. Me kokën e mbuluar dhe sytë e mbyllur, personazhet kuptojnë dhe shpallin me zë të dridhur se njerëzimi ka vdekur duke e mbyllur kështu rrëfimin e tyre. Ky tekst sjell një histori dhe tema mbi të cilat shoqëria shqiptare ka nevojë të disktutojë dhe reflektojë në mënyrë serioze dhe të plotë. Mendësi, sjellje dhe veprime që manifestohen edhe sot në politikë dhe veprimtari të tjera publike tregojnë se shoqëria shqiptare nuk ka mundur të ndahet plotësisht nga e shkuara komuniste. Diskutimet dhe debatet që nxit kjo shfaqje janë me vlerë dhe rëndësi edhe për brezin e ri sidomos atë në diasporë dhe gjuha angleze në të cilën do realizohet kjo shfaqje do bëhet një urë lidhese dhe komunikuese midis brezave të rritur dhe formuar në epoka të ndryshme. Përjetimi i frikës racionale dhe irracionale ndaj Sigurimit dhe policisë sekrete ka lënë gjurmë në psiqikën e kombi dhe diskutimi mbi këtë temë ndihmon për të kuptuar më qartë sjelljen e kombit sot e nesër.
Grupi realizues
Armand Bora, autor dhe regjisor i shfaqjes ka një eksperiencë të gjatë dhe të pasur skenike. Z. Bora është autor i më shumë se 30 produksioneve skenike jo vetëm në Teatër, por edhe në Opera, Film dhe Television si autor dhe moderator i disa programeve të fokusuar te kultura. Produksionet e tij skenike janë shfaqur në skenat e disa vendeve të Europës si Greqi, Kroaci, Francë, Holandë deri edhe në Australi, në teatrin “La Mama” në Melburn. Armand Bora është gjithashtu autor i 6 teksteve skenike dhe drejtues i kursit të regjisë skenike në Universitetin Europian të Tiranës.
Herion Mustafaraj, e ka nisur udhëtimin e tij artistic në film dhe teatër në moshën gjashtë vjecare me debutim në filmin “Beni ecën vetë”. Ky film shënon edhe fiillimin e një bashkëpunimi të gjatë dhe të suksesshëm në filmat e disa prej regjisorëve më të njohur të kinematografisë shqiptare, ku Herioni ka krijuar karaktere të paharrueshëm. Pas përfundimit të studimeve për aktrim në Akademinë e Arteve në Tiranë ai vendoset ne Shtetet e Bashkuara për ta vazhduar aty karierën e tij artistike. Në Shtetet e Bashkuara ai është angazhuar në disa projekte teatrore të realizuara në Boston, Nju Jork dhe Los Anxheles. Gjithashtu, të spikatur janë edhe disa role në kinematografi të realizuara në produksione të nndryshme amerikane si “Cash Only,” “Being American,” “Trace,” “Killerman”, “Out of a Dream” dhe “Love.” Filmi “Bird Poop” gjithashtu mban emrin e tij si autor, producent dhe interpretues I një prej personazheve të këtij filmi. “The Shot,”, me skenar, regji dhe produksion të tij shënon filmin e tij të pare edhe si producent në industrinë kinematografike. Me këtë film, ai ka sjellë në ekranin e kinemasë së pavarur, si një përrallë nostalgjie, mrekullinë që solli shpikja e fotografisë në vitet 1900.
Era Makoci bashkohet me projektin tonë, nga një sfond jokonvencional i ndërthurur thellë me teatrin. Një “Theater Child,” (ajo praktikisht u rrit në prapaskenë ku të dy prindërit e saj ndërtuan karrierën e tyre teatrale). Era studioi regji skenike në Universitetin e Arteve në Tiranë. Pas rënies së komunizmit, në fillim të viteve nëntëdhjetë, ajo migroi në Shtetet e Bashkuara, ku ndoqi një Bachelor of Arts in Political Science në Columbia University, e ndjekur nga një diplomë Juris Doctor në Universitetin Yeshiva. Ajo jeton në Nju Jork prej gati tre dekadave, ku punon si avokate. Përvoja e saj e larmishme dhe kujtesa emocionale e asaj që është të jetosh në një diktaturë dhe, në të vërtetë, duke pritur një trokitje në derë nga Policia e Sigurimit të Shtetit, sjellin një kontribut unik aktrimi në këtë projekt.
Produksioni synon që ta shfaqë këtë projekt edhe në disa skena të tjera në Shtetet e Bashkuara si edhe në disa vende të tjera të Europës perëndimore. Të gjithë ata që do të dëshironin të kontribuonin duke e mbështetur financiarisht këtë projekt produksioni ofron hapësira të ndryshme promocioni si për shfaqjet në Nju Jork ashtu edhe për shfaqjen në Tiranë.
Të gjithë dashamirësit dhe të interesuarit mund të telefonojnë në numrin 646 468 8482 ose të shkruajnë në adresë email dritanhaxhia@gmail.com