Prof. Sylë Ukshini/
Nëse dikush akoma ka iluzione se autoritetet e Beogradit janë të interesuar për paqe dhe normalizim të raporteve fqinjësore, atëherë duhet ta dëgjojë këtë intervistë të Vuçiqit, i cili krejt hapur e bënë të qartë kërcënimin ndaj Kosovës, duke aluduar se Serbia duhet të mësoj nga ish-presidenti dhe presidenti aktual i Azerbejxhanit, babë e birë, Haydar dhe Ilham Aliyes, të cilët pritën të krijohen rrethanat gjeopolitike për të rikthyer krahinën e Nagorni Karabahut: “Ata pritën 27 vjet për rrethana të veçanta gjeopolitike” për ta rikthyer Nagorni-Karabahun në Azerbajxhan.
Kosova nuk guxon të hesht ndaj këtij qëndrimi të Serbisë! Duhet të reagojë edhe NATO dhe Perëndimi, pasi kjo qasje e Serbisë është kërcënuese edhe për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan. Apo lëviz drejt Ballkanit strategjia e re ruse, pas asaj që ndodhi në Nagorni Karabah?
Tërheqja e paraleleve mes Kosovës dhe rastit të Nagorno-Karabah, vjen vetëm pas dy muaj e ca nga agresioni ushtarak serb mbi (Banjskë), ku as Shtetet e Bashkuara dhe as BE-së nuk morën ndonjë masë ndëshkuese ndaj Beogradit. Ka qenë e qartë se mungesa e ndonjë mase ndëshkuese ndaj Beogradit do të ndikoj në trimërimin e politikës hegjemoniste.
Në nëntor të vitit të kaluar Vuçiq dhe Alijev në Beograd dhe nënshkruan Memorandumin për themelimin e Këshillit për Partneritet Strategjik. Për të reduktuar varësinë nga gazi rus, Serbia, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, po ndërton një gazsjellës për në Bullgari, i cili është pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, i cili do të sjellë gaz nga Azerbajxhani.
Midis Serbisë dhe Azerbajxhanit marrëdhëniet bilaterale janë në një “nivel shumë të lartë” dhe gjithashtu Vuçiq nuk kalon rast pa falënderuar Azerbejxhanin për “respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë”. Pos tjerash, kjo lidhje vjen edhe për faktin se Azerbajxhani nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Dhe në vend se komuniteti ndërkombëtar t’i kundërvihet kësaj qasje hegjemoniste, ai vazhdon të mbështesë “krijimin e Asociacionit të Komunave Serb të Republikës së Kosovës. Shtrohet pyetja, pse Kosova duhet të ndjek një projekt të tillë kur Serbia nuk shfaq prirje as minimaliste për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Nëse tani e përdor paralelen e Nagorni Karabahut si mundësi që duhet ndjekur, nëse do të thirret në modelin e dy gjermanive që përfundoi në riunifikim.
Rasti i Gjykatës Speciale ka treguar se Kosova nuk duhet të jetë naive, pa njohje të ndërsjellë Kosova nuk ka asnjë detyrim të bëjë asociacionin, aq më pak kur Serbia tregon hapur se ka synim invazionin ushtarak, për çka blen dhe armatoset në katër anët. Më shumë se për asociacion, Kosova ka nevojë për njohje nga të gjitha vendet e BE-së dhe nëse për asgjë, një hap i tillë do ta bënte Brukselin një ndërmjetës të paanshëm.