TINGUJ EROTIKË/
Nga Anton Çefa/
TE DERA E JETËS TË KAM PRITË/
Ndër ninza agimesh/
vezullon universi i blertë i jetës./
Atje te dera e saj/
të kam pritë,/
Evë e Afërditë!/
Shpirt prej arome trëndafili,/
trup prej tuli bore të përndezun,/
më ke pritë,/
Evë e Afërditë!/
Te dera ku brenga e mallit rri zgjuar
e ernat përkdhelin gjijtë e andjes njerzore,
jemi takue,
njerëzorja Evë,
hyjnorja Afërditë!
***
ÇDO GJA ASHT SHPIRT
Çdo gja asht shpirt,
dashunia ime!
Shkëlqen shpirti në synin tand
lind e pikon etja
me lotin që rrëshqet qepallash.
Tulipani në buzët e çeluna,
hiret joshse të trupit alabastër,
lutja e duarve të shtrira drejt meje
janë shpirta të dehuna malli,
dashunia ime.
Afërditën e lindi
shpirti shkumëzues i detit,
dashunia ime!
***
BRYMË E BORË
A je brymë, moj, a je borë
mall i brishtë e brengë e bardhë.
Brishtësi me pah prej bryme
bardhësi me zdritje bore.
Brymë e borë
ti bukuria!
***
PRANIA JOTE
Prania jote –
zjarm i kallun në ditë-netët e mia –
i shuen kuptimin kohës.
Koha s’ka ma emën
as dita e nata kuptim.
Prania jote
hapsinës i jep formën e nji vendi
ku jemi vetëm ne të dy.
Lumturinë kot e kërkojmë jashtë nesh.
E jetojmë kur përqafimet tona
treten në damarë ekstaze,
kur na humb vështrimi i sendeve,
kur s’ndigjojmë as britma
as zane që shprehin lutje
e as dëshira,
kur s’ndigjojmë as heshtjen.
***
TI
Ti që në dekorin e dhimbjes sime,
me duer të brishta,
vizaton fytyrën tande
si padashtë,
ti që në brigjet e andrrës sime
hedh nji klithmë pulbardhe,
si pa u kujtue,
ti që me kurmin tand t’përflakun
përndez delire në damarët e mi,
si pa u mendue,
je vetë dashunia
e unë jehonë e saj.
***
NËSE…
Nëse për me kuptue jetën
më duhet dhimbja,
nëse për me kuptue dhimbjen
më duhet dashunia,
nëse për me kuptue dashuninë
më duhesh ti,
atëherë ti
dashuni, dhimbje,
jetë je.
***
GJETHET E ULLINIT
Gjethet e ullinit përcjellin puhiza
valësh ere
e vezullime drite të mëngjestë
si sytë e tu
kur rrëshqitas bien mbi mue
e më trazojnë.
***
NË GJURMËT E TUA
Në gjurmët e tua ngas,
ti diku je,
si tubëz rrezesh drite
errësirën flak.
Kush të mësoj
orkidave t’ua vjedhësh bukurinë?
Për mue dikur
ngjyrë e kaltër e andrrimit
e sot
vetëm gjurmë e nji kujtimi.
***
NJI DRITË
Pertej pamjes sime
nji dritë që shihet
nuk shihet
më prekë,
nuk më prekë
retinën e synit.
E ndjej, nuk e ndjej
gjallërinë e saj gjithmonë në lëvizje,
dridhet, nuk dridhet
rrugicave të errta
të qenies.
Dritë që shihesh,
nuk shihesh,
e ndjej, e perndjej
gjallërinë tande gjithmonë në shtegtim.
E ndjej, e përndjej
në dridhjet ma të mshehta
të pulsit
të ndjenjës
të shpirtit.
E ndjej, e përndjej
në dridhjet ma të shpeshta
të frymës
të fjalës
të jetës.
Përtej pamjes sime
valë që kapen,
nuk kapen
prej synit
ndriçojnë, hijesojnë
çdo skutë
të vetdijes
të andrrës
të dalldisë.