Në Shqipëri, një gjykatës i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, ish anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u ndalua nën akuzën e korrupsionit, pasi dyshohet se ka lehtësuar dënimin për një të dënuar, në këmbim të shpërblimit financiar. Në banesën e tij gjatë kontrollit u gjend një sasi e madhe parashë (174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë).
Hetimet ndaj gjyqtarit Miri, kishin nisur pas vendimit të dhënë në favor të Gentian Dodës, i akuzuar për vrasje në vitin 1997 dhe I dënuar nga Gjykata e Shkallës së parë me 20 vite burg. Doda ishte arratisur jashtë vendit dhe në 2012 ai u ekstradua nga Shtetet e Bashkuara. Pas ekstradimit ai rinisi një odise të re ligjore me procese gjyqësore që kaluan disa shkallë, derisa në qershor të viti të kaluar, Apeli i Tiranës ja ndryshoi akuzën nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje të rëndë”, vendim i cili çoi më pas në lirimin e tij nga burgu. Vendimi u mor nga një treshe gjyqtarësh, e kryesuar pikërisht nga Miri, në përbërjes të së cilësh ishin Agim Bendo dhe Flutura Skënderi, njëri prej të cilëve ka qenë kundër ndryshimit të akuzës.
Sipas policisë e cila së bashku me Prokurorinë për Krimet e rënda, kreu operacionin për ndalimin e gjyqtarit “në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash”.
Për arrestimin e Mirit pritet tani autorizimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ndërkohë që sipas policisë “hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar”.(Sipas VOA)