
Prof.dr. Pal NIKOLLI/
Në historinë e zhvillimit hapësinor, pak dukuri janë aq magjepsëse sa koncepti i ngjeshjes hapësirë – kohë (space – time compression). Ky proces, i cili përshkruan se si risitë teknologjike dhe infrastrukturore e zvogëlojnë kohën e nevojshme për të tejkaluar distancat fizike, ilustrohet në mënyrë brilante përmes evolucionit të hartave izokrone të Shteteve të Bashkuara të Amerikës përgjatë një shekulli e gjysmë. Duke marrë si pikë nisjeje bregdetin lindor (kryesisht Nju Jorkun), udhëtimi drejt perëndimit pësoi një metamorfozë radikale: nga një ekspeditë e gjatë dhe e rrezikshme disamujore, ai u shndërrua në një lëvizje rutinë prej vetëm pak ditësh ose orësh.
1. Epoka e fërkimit maksimal hapësinor: Vitet 1800–1830.
Në agun e shekullit të XIX, Amerika ishte ende një kontinent gjigand ku gjeografia diktonte kushtet e saj mbi njeriun. Në vitin 1800, nën dominimin e plotë të transportit tradicional me kalë dhe karrocë (stagecoach), fërkimi hapësinor ishte në kulmin e tij. Vijat izokrone, që bashkojnë pikat me kohë të barabartë udhëtimi, shfaqen tejet të ngjeshura pranë bregut lindor. Kalimi i rajonit të Liqeve të Mëdha kërkonte 2 deri në 3 javë, ndërsa arritja në bregun e Paqësorit zgjaste mbi 6 javë deri në disa muaj, duke e bërë perëndimin një horizont pothuajse të paarritshëm për masat.
Deri në vitin 1830, megjithëse filluan të shfaqeshin përmirësimet e para rrugore (turnpikes) dhe rrjetet e kanaleve artificiale si Kanali Erie, struktura makro – gjeografike e udhëtimit mbeti thuajse e njëjtë. Izokronet treguan një fryrje të lehtë drejt Perëndimit të Afërt (Midwest), duke sinjalizuar rritjen e shpejtësisë në rrugët ujore, por kalimi transkontinental mbetej ende një sfidë që matje me javë të tëra.
2. Thyerja e madhe hekurudhore: Viti 1857.
Viti 1857 shënon një revolucion të vërtetë hartografik dhe gjeografik. Zgjerimi i vrullshëm i rrjetit hekurudhor me avull e “shkallmoi” rezistencën e hapësirës. Izokronet pësuan një shpërndarje dramatike dhe, për herë të parë, metrika e matjes ndryshoi rrënjësisht: shkallëzimi nuk bëhej më me “javë”, por me “ditë”.
Pjesa lindore dhe ajo qendrore e SHBA-së u lidhën brenda një periudhe kohore prej 1 deri në 2 ditësh. Edhe pse në këtë periudhë hekurudha transkontinentale nuk kishte përfunduar ende plotësisht, kombinimi i trenit me sistemet e tjera ndihmëse e uli kohën e udhëtimit drejt Kalifornisë në vetëm 3 deri në 6 ditë. Hapësira gjeografike filloi të “tkurrej” me një shpejtësi të paprecedentë.
3. Homogjenizimi i hapësirës moderne: Viti 1930.
Në shekullin e XX, shfaqja e automobilave dhe ndërtimi i një rrjeti kombëtar autostradash i dhanë goditjen përfundimtare distancës kontinentale. Harta e vitit 1930 tregon një rrafshim pothuajse të plotë të vijave izokrone, të cilat tashmë shtrihen lirshëm në të gjithë territorin. Shkalla e matjes zbriti në nivelin e orëve.
Pothuajse e gjithë gjysma lindore dhe qendrore e kontinentit u bë e aksesueshme brenda 12 deri në 24 orëve, ndërsa kalimi i plotë nga oqeani në oqean u reduktua në vetëm 2 deri në 3 ditë. Automobili solli jo vetëm shpejtësi, por edhe liri individuale të lëvizjes, duke e kthyer rrjetin e transportit në një sistem kapilar që prekte çdo cep të vendit.
Përfundim: Aksesueshmëria anizotropike.
Nga pikëpamja teknike, këto harta dëshmojnë se aksesueshmëria nuk është asnjëherë izotropike (e barabartë në çdo drejtim). Vijat izokrone nuk formojnë harqe gjeometrike perfekte; ato deformohen, zgjaten dhe tërhiqen përgjatë korridoreve kryesore të lëvizjes (lumore, hekurudhore dhe rrugore). Në këtë mënyrë, hartografia e ngjeshjes hapësirë – kohë vërteton aksiomën e njohur se teknologjia e transportit nuk e ndryshon distancën fizike në kilometra, por e “asgjëson” atë në kohë, duke i shndërruar udhëtimet e gjata e të mundimshme në kapituj të thjeshtë të jetës së përditshme.
