Shënime për librin “Ura e Mbretit Shën Luigj” të Thornton Wilder,përkthyer nga Pirro Dollani/
Nga Teuta Mulaj/ Nevada/
Ditët e fundit doli në qarkullim libri “Ura e Mbretit Shën Luigj” i autorit të shquar amerikan Thornton Wilder, përkthyer nga Pirro Dollani, botim i “Botimet Living.”
Ky roman, botuar më 1927 u prit me shumë interes nga lexuesit dhe kritika në mbarë botën. Në vitin 1928 romani fiton Çmimin “Pulitzer”, pa përmendur disa çmime të tjera. Në 1998 u rendit i 37 në një listë të 100 librave më të mirë të shekullit XX, të përpiluar nga Amerikan Modern Library. Revista e madhe “Time Magazine” e përfshin në një listë të 100 librave më të mirë të shkruara në gjuhën angleze, prej vitit 1923 deri në 2005.
Ky libër ka mbi 105 edicione, dhe është ekranizuar dy herë. Është botuar në mbi 40 gjuhë të huaja. Në kohën kur u nderua me Çmimin Pulitzer, më 1928, pra, në më pak se një vit, nga dita e botimit, kishte 17 ribotime dhe ishin shitur rreth 300 mijë kopje, kurse në mars të 1958 libri arriti shifrën 2 milion kopje.
Baza filozofike e këtij romani është inspiruar nga bisedat e autorit me të atin, priftin e devotshëm, dhe mbështetur në Ungjillit të Lukës, 13:4 “. . . ata të tetëmbëdhjetë mbi të cilët ra kulla e Siloamit dhe i vrau, a mendoni se ishin më shumë fajtorë se gjithë të tjerët, banorë të Jeruzalemit?”
Libri fillon me mesditën e së premtes të datës 1714 kur ura që lidhte Limën dhe Kuzkosin, një nga urat më të bukura të Perusë, u shemb dhe të pesë këmbësorët që po ecnin mbi të, përfunduan në humnerë. Atë Xhuniper, prifti i mirënjohur i kishës pranë urës, në çast pyet veten: “Pse u ndodhi atyre të pestëve? Nëse do të kishte një plan në univers a ndonjë element karakteristikë në jetën e njeriut, sigurisht që mund të zbuloheshin brenda atyre jetëve që u shuan aq papritur. Dhe ai filloi hulumtimin në jetën private të atyre pesë njerëzve.
Personazhet janë gdhendur me mjeshtëri. Veprimi i librit, drama, dashuria e intriga, dhe disa nga karakteret më të rëndësishme e kanë origjinën e vetë në njohjen e thellë të letërsisë frënge nga Th. Wilder. Markeza de Montemajor, që zë aq shumë vend në libër, me botën, personalitetin apo letrat e famshme të saj, është modeluar sipas një figure historike dhe pikërisht sipas Madam Sevigne, (Maria de Rabutin-Chantal, 1626-1696, e famshme për letrat e saj).
Aktorja e famshme La Perichole dhe dashuria e saj famëkeqe me Guvernatorin e Perusë, Don Andreas, është mbështetur në një komedi të shkurtër të Prosper Merimesë, “Le Carosse du Saint-Sacrement”.
Lejtmotivi i romanit është dashuria, dashuria e madhe, dashuria për njeriun, dashuria për jetën. Mesazhin e fuqishëm që përcjell “Ura e Mbretit Shën Luigj” e ka bërë më të prekshëm citimi i kryeministrit britanik Toni Blair në një shërbim përkujtimor për viktimat e sulmit në World Trade Center. “Ka një tokë të të gjallëve dhe një tokë të të vdekurve dhe dashuria është ura, e vetmja mbijetesë, i vetmi kuptim.”
Letërsia e Thornton Wilder është e madhe, e mirënjohur në gjithë botën, dhe e vlerësuar tre herë me Çmimin Pulitzer, American National Book Award dhe çmime të tjera.
Këtë autor dhe libër të madh e sjell në shqip përkthyesi tashmë i mirënjohur, Pirro Dollani. E kam lexuar “Ura e Mbretit Shën Luigj” në original dhe në shqip. Përkthimi është briland. Është ruajtur me një fanatizëm stili i autorit, e njëjta forcë dhe nuancë e mendimit, është qëmtuar dhe përzgjedhur me kujdes fjala e duhur, me tingëllimin më të bukur në shqip. Ky është i njëmbëdhjeti libër përkthyer nga Dollani. Ai e nisi rrugën me përkthimin nga shqipja në anglisht të librit të Kadaresë “Coffeehouse Days”. Përkthyesi spikat me shijen e tij në përzgjedhjen e librave, ka klasë e finese në përkthimin e tij, profesionalizëm dhe elegancë. Ky përkthyes i ka sjellë lexuesit shqiptar libra të korifejve të letërsisë amerikane, shumë pak ose aspak të njohur më parë tek ne, si psh. William Trevor, Alice Munro, Richard Powers, Ann Patchett, etj.
“Ura e Mbretit Shën Luigj” është një nga librat më të preferuar për mua që do t’ua rekomandoja miqve të mi dhe lexuesve të etur për letërsinë e madhe.