Astrit Lulushi/
Fjala tradhtar rrjedh nga latinishtja tradere, fjalë për fjalë “me dorëzu”. Tregtia, tradita dhe tradhëtia rrjedhin të gjitha nga e njëjta rrënjë – është fjalë e shekullit XV për atë që tradhton tjetrin kundrejt një shume të hollash, në fillim, sepse më pas u bë edhe falas.
Meqenëse po flasim për tradhti, në vitin 1882, amerikani Jesse James, i jashtligjshëm, u qëllua dhe u vra nga një anëtar i bandës së tij. I lindur në Misuri, James u bë i jashtligjshëm së bashku me vëllain dhe dy kushërinjtë e tij pas Luftës Civile. Për 16 vitet e ardhshme ai dhe bashkëpunëtorët e tij kryen grabitje dhe vrasje në të gjithë mesperëndimin amerikan. Megjithë reputacionin e bandës, simpatia e publikut – e përforcuar nga një tentativë për jetën e tyre nga Agjencia e Detektivëve Pinkerton të Çikagos në 1875 që plagosi nënën e Jesse-it – i ndihmoi ata të shmangnin autoritetet për më shumë se një dekadë.
Por grabitja e një banke në mes të ditës, në 1876 përfundimisht çoi në rënien e tyre. Në ikje, kushërinjtë e Jesse James, u qëlluan nga policia dhe u detyruan të ktheheshin në shtëpi në fermën e tyre familjare për t’u fshehur. Me një shpërblim të vendosur nga agjentët për jetën e tij, Jesse filloi të organizonte një bandë të re, por nuk arriti të gjente bashkëpunëtorë aq besnikë sa kishin qenë kushërinjtë e tij. Në mëngjesin e 3 prillit 1882, ai i ftoi rekrutët e tij të rinj në shtëpi për të organizuar grabitjen e tyre të radhës, por ndërsa u kthye për të rregulluar një foto në mur, Robert Ford, një nga anëtarët më të rinj të bandës, e qëlloi nga mbrapa. Shpërblimi në para për jetën e Jesse-t, dukej se kishte qenë shumë tërheqës.