Alfons Grishaj/
Nisja dhe bitisja tragji-komike
Atë ditë që vdiq Enveri, vdiq “patriotizmi”. Gojët e liga thonë se para vdekjes, Enverit iu shfaqën lakuriq, Aleksandra Kollontai dhe Clara Zetkin. Ndërsa Mehmeti, iu fanit duke rrahur një trumë të qelqtë që në vend të ujit rridhte gjak, bash mbi “pemën e miqësisë” që pat mbjellur Enveri, Krushovi dhe vetë ai. “Haluçinacioni” i frymës fundit të mëkatarit sjell evokime të jetuara që vë në siklet dhe më mizorin. Por britma e Enverit nuk erdh nga Mehmeti mbi trumë, por nga foto e ngjallur e Dom Nikoll Gazulli, i cili me një buzëqeshje hyjnore vijëzonte me shkop hartën e ferrit ku do kalonte diktatori. Dukej sikur i thoshte:“Askush nuk është i përjetshëm, përveç Hyut të gjithpushtetshëm!” Enveri me sy të zgurdulluar ra nga shtrati duke thirrur: “Ah, Gazull tradhëtari!” Nexhmia, duke fshirë hundët dhe lotët e kristalta si zhigu i votrës, iu drejtua të pranishmëve: “Shokë, siç e shihni, Enveri dhe në momentet e fundit të jetës lufton me armiqtë!” Ramizi dhe shokët e partisë shikuan njëri-tjetrin! Mbase shoqja Nexhmie kish roitur? Aty nuk ishte asnjë njeri veç shokëve të partisë…
Po ç’rëndësi kishte se kush iu shfaq Enverit, ndërsa Shqipëria u mbush në lot. Kordoneve të frymorëve u dalloheshin brinjët dhe organet si harllucave kur nuk i sheh dielli, të cilët ulërinin për vdekjen e “legjendarit”. Dhimbja kish pushtuar Shqipërinë, Dardaninë dhe viset e tjera. Oh, dhimbje që e ke emrin mjerim! Vdiq “Heroi i Popujve të Jugosllavisë”(dekoratë e dhënë nga Tito), udhëheqësi që kishte një makinë dekorata prej Rusisë, Kinës, Jugosllavisë, Bullgarisë, Rumanisë etj. Njeriu që pas luftës gëzoi gradën Gjeneral- Kolonel pa qenë asnjë ditë në shkollë ushtarake dhe pa shkrehur asnjë pushkaliqe! Njeriu që pati shumë shokë: Qemal Stafa, Vasil Shanto etj, por më të dashurit mbetën, Miladini dhe Mugosha. Aderencë e çapkënllëkut francez, Enveri ia dhuroi Dardaninë Titos, me një zemërgjerësi të paparë, sikur të kish falur rrethinat e Zallit Kirit. Mbase prapa këtij vendimi qëndronte fjala e popullit: “Më mirë i pari në fshat se i fundit në qytet?
Udhëheqësi “legjendar” nuk pyeti për imperialisto-revizionistët e planetit, sepse pati pas vetes, “ushtrinë e popullit ushtar”, të cilët ishin stërvitur ndër beteja të mëdha (imagjinare)
qindra milionëshe. Mjaftonte bilbili i harabelit që trimat të zinin llogoret. Muskujt e tyre skalitur ndër aksione mund t’i kishte zili Hollyood, Wallt Disney dhe teatrot e kukullave që po t’i pikasnin do i punësonin menjëherë kundrejt pagesave marramendëse.
Sa ish gjallë Enveri, u kujdes me “dhimbje” atërore për të gjithë shokët e tij, duke i çuar një e nga një pranë Luciferit, për t’ia mbushur mendjen Engjëllit rebel se udhëheqësi i partisë dhe popullit do i bëhej shpejt krahu tij i djathtë në luftë kundër Zotit.
Ç’nuk bëri heroi? Një ndër gjërat më të arritura ish lufta e hapur kundër të shkolluarve në perëndim. Ai u erdh hakut se e “meritonin”. I futi nëpër galera dhe porsa u vinte dita për të dalur së andejmi ua shtonte lejeqëndrimin me një zemërgjerësi të paparë. Të shkolluarit në perëndim ishin drita e dijes, por Enveri i quante, “terri i kllasës kapitaliste”. Po i hante partia ato dokrra? Po ç’u duhej fshatarëve drita e mendjes kapitaliste kur partia u solli dritën komuniste në skajet më të larta, bash në shtëpitë e tyre ku nxinte kandili i vajit të gurit? Mos harroni! Terri kish sjellë aksidente në familje. Bile raste flagrante…ku disa teze u ankuan për dhëndurët…E pra, partia zgjodhi njëherë e mirë që aksidente tilla të mos ndodhnin më.
Pas vdekjes Enverit, komunistët dhe inteligjenca ishin të shqetësuar si do i vente halli Shqipërisë që do pushtohej nga imperialisto-revizionistët, dhe të mirat që solli socializmi do të mungonin: tavolinat e bollshme, gomerët, mushkat dhe qerret do zëvendësoheshin me rolls-roysat, benzat, maseratit etj. Gjalpi i dalë nga dybeku do zëvendësohej me gjalpin Irlandez pa shije që përdorej nga gjithë armiqtë e socializmit. Buka e shëndetshme me këmbë dhe bishta minjësh do zëvendësohej me pogaçe dhe llojra buke të stilit Italian dhe atij francez.
O booboo, krosantet e rrezikshme me çokollatë dhe gjalpë do helmonin fëmijët, rininë dhe të moshuarit! Gradaçelat e trashëguara nga komunizmi prej 70-80 metër katrorë do zëvendësoheshin me karakatina që hyn e nuk del dot pa shenja dalluese. Parfumi origjinal i djersës traktoristëve dhe bujqërve (punëtorëve dhe intelektualëve që ndrisnin nga aksioni në aksion), do zhdukej nga parfumëra artificiale, ku kllasa zgjedhur do tërbohej nga neveria e kudërbimit marramendës. Paraja do zëvendësohej me monedha të shtrembëra pakuptim. S’do shihej më drapër e çekan,punëtorët me grurë, as bukuria përrallore e portreteve dhe peisazheve socialiste që mbanin gjallë artet vizuale. Por më keq akoma, koha do të shkonte prapa me orën e perëndimit. O pikë e zezë! Po a do durohej ky çnderim?
Enveri i dinte të gjitha. Një ndër tre persona i kishte hafije, por përsëri nuk ishte i sigurtë, prandaj bëri një buker të madh 28 mijë kilometra katrorë që shqiptarët të jetonin grumbull në harmoni në një koloni të vetme, stil jetese eusociale si bubërrecat. Siguria e kolonisë kishte dhe një arsye tjetër: qoftëlarg dhe të bëhej ndonjë mëkat, ngelej brenda kolonisë. Gratë dhe meshkujt ishin kurdoherë nëpër aksione, fusha, male e këneta.
Të rraskapitur nga lodhja binin në shtrat pa u përqafuar, pa bërë dashuri! Ama fëmijët lindnin të shëndetshëm! Në familje bëhej llogaria e muajve dhe baballarët dilnin borxh…
Fjala e Trockit, kish zënë vend duke çliruar shumë gra komuniste nga sindromi fajit: “Në komunizëm, gratë duhet të jenë të lira se nuk janë pronë e askujt”. Pra, kështu partia krijoi,“Njeriun e Ri!” Megjithatë, gratë shqiptare tradicionale talleshin me aforizma të tilla, të cilat me kujdesje shqiponje (shqiponjat janë monogame) ruajtën familjen në standartin më të lartë moral njerëzor.
Po si do adoptohej “Njeriu i Ri” pa tela e kufi në kapitalizmin mizor dhe të pamëshirshëm? Tmerri që kishin përfshirë ekranin e TV shqiptar, i cili shfaqte vuajtjet e popullit kapitalist: pabukë, të paveshur, të palarë, paujë e drita, terr nëpër rrugët NY, London, Paris, Romë etj. A nuk ishte Çarli Çaplin, që shfaqte në beze tmerrin e kapitalizmit? Po sa vuajti ai burrë për bukë misri?…Vetëm biografët dhe historianët e kinematografisë i dinë sakrificat e tija, sidomos kur ai zieu shollin e këpucëve dhe e hëngri. E tmerrshme! Artistët e Hollivudit vuanin shumë… një nga ata qe dhe Çaplin! Biles dhe sot ca aktorë duan të largohen nga“fashisti” Trump, që u zgjodh me 4 milion e ca vota më tepër se Kamala, apo siç i thonë Indianët,“Lotus”, ku fatmirësisht s’ka asgjë të përbashkët me definicionin e këtij emri (lules Lotus), i cili mbetet simbol i pastërtisë, fuqisë dhe rilindjes.
Frika më e madhe shpërtheu nga informacioni i tmershshëm që, 70-800 persona në 100,000 frymë, vuanin burgjet e kapitalizmit. O booboo! Në Amerikë, në 50 vite u ekzekutuan 1594 të burgosur për krime “kot”. Kurse vëllau i madh Kina, ekzekutonte 8000 të burgosur në vit. Shqipëria jonë e madhe komuniste ishte prapa me planin që kishin realizuar vëllezërit kinezë dhe imperialistët amerikanë. Në atë kohë të artë, Shqipëria mezi dënoi 700-800 mijë të burgosur në dy milionë banorë…Jo si në perëndim që, në 50 vite (siç shkrojta më lart), Amerika dënoi me vdekje 1594 persona, e cila ishte një shifër katastrofike për një popullsi “të vogël” si Amerika. Kurse partia jonë e madhe me një popullsi të stërmadhe, në 47 vite, me kujdes human dënoi me vdekje , 5500 persona! Ku pyeste partia jonë heroike për 36000 të burgosur dhe 5500 vrasje politike kur shumica tyre ishin analfabetë dhe nuk dinin ku i binte politika me shtëpi? Dhe më tepër, si një vend i civilizuar socialist, përse partia duhej të shqetësohej për 700,000 të burgosur “ordinerë” që hapnin tarraca, këneta dhe punonin brenda galerive për të ndërtuar socializmin fitimtar?! Gojët e liga thonin, ishte strategji e partisë për të disiplinuar një popull dembel që dhe t’i paguaje me para, asnjëri nuk do shkonte për të lulëzuar kënetat dhe nxjerrë minerare nga malet kokëforta që jetonin kayundarët dhe malokët e pagdhendur. Plani për të ndërtuar “Socializmin me forcat tona” punoi për bukuri. Askujt nuk i ra ndërmend që shumica atyre kokëderrave mëkatarë ishin dhuratë e planit.Kanalet,arat,galeritë u mbushën me lotë, djersë e gjak. Po përse komunizmi duhej të pyeste për hajdutët dhe politikanët e rrezikshëm? Ordinerët dhe politikanët në përgjithësi kishin bërë namin,duke thyer ligjet e diktaturës proletariatit, si, p.sh. kishin vjedhur lule dielli,shalqi, pronën e vet të konfiskuar nga partia, bukë si Zhan Val Zhani, kobure të ndryshkura, një palë goma këpucësh, një burrofresko, dy paketë cigare, një kile vaj, një byrek. Kurse për huliganët që binin në dashuri me komuniste, thyenin ndonjë xham, godisnin me grushte apo pinin dy gota raki thumbash, persona të tillë i sikterisnin në internime ose burg me afat të shkurtër.
Po t’i pyesje në burg ajkën e raskapitur “politike”,çfarë do të thotë politikë?…98% e tyre nuk dinin fare ku i binte me shtëpi kjo fjalë, porse politikë kishin bërë ama! Ata ishin armiq të rrezikshëm të partisë, sepse shpreheshin nën jorgan me fjalë të poshtra anti-komuniste si, “bukë e keqe”, “përditë aksione”, “nuk di çfarë tu jap fëmijëve për darkë”, “brigadier i poshtër”, “poezi hermetike”, “s’kam ku të shkoj tjetër,ose të vras veten ose ti bie kufirit” etj…Po a kish shprehje më të mëdha politike se këto…që nuk gjindeshin asgjëkundi në tekste, katedra dhe shkollat më të famshme politike në planet?
Rrezikshmëria e theksuar shoqërore qëndronte në “diplomat” e universitetet e fushave, maleve dhe arnaut kalldrëmit!
Arma sigurimit ndihmoi shumë në sterilizimin popullsisë të tillë politike e ordinere. Gjithmonë sypatrembur e vigjilentë, rryp zhbërthyer rrinin të gatshëm për të ndëshkuar armiqtë e kllasës, ku nganjëherë zbulonin armiq dhe njëri-tjetrin! Po si do të ruhej Shqipëria Socialiste ndryshe me një popullësi miliona e miliona banorë që pothuajse të gjithë e njihnin njëri-tjetrin?
Civilizimi ynë ishte për tu pasur zili : ekzemplar marksist-leninist, ateizëm, altruizëm neronian, klemencë sadiste, luftë klasash, bjeri i fortë të ligut. Vulgu Marksist vegjetonte… Dhe pse Marksi shau dhe shaloi popullin shqipfolës duke lartësuar serbët dhe sllavët, ai u adhurua përulshëm për mjekrën e argjendë dhe bishtalecat e zinj që i zbukuronin fytyrën. Thuhej se duheshin dy berberë për t’ia qethur e rruar mjekrën, prandaj ai e la fole morrash. Kish gjë më magjepse se kjo?!
Prandaj dhe morrizmi ishte kujdesi i socializmit kundër kapitalizmit, ku vuanin dhe vuajnë ende miliona njerëz pashtëpi, pabukë duke vdekur rrugëve. Viktima ushqyese për qentë dhe minjtë që shëtisin pa teklif nëpër qendra urbane. Epidemi që nuk ekzistonte në Shqipëri. Jo more! Partia i kish marrë masat duke mos lënë këmbë qeni e sorre. Sorrat ngjallnin zi, kurse qentë ulërinin netëve duke u paraprirë lajmeve për vdekjet gjatë territ ku fluturojnë shpirtërat…Po durohej kjo gjendje? Organizatat bazë ngritën grupe pushkatimi nëpër lagje për të ekzekutuar qej e sorra! Trimat që merreshin më këtë detyrë të vështirë, vendosnin gjahun në një tel ku u lakohej pas shpine dhe varej mbi gjoks si dekorata. Sa krenari ndihej në mesin e pushkatarëve që e quanin detyrë mbi detyrat. Punë që fitonin pikë me spastrimet e qenëve, sorrave, maçokëve e maceve të përdala. Pati dhe raste që në vend të qenit vritej ndonjë kopuk që endej nëpër kazana, por askush nuk mërzitej. Përkundrazi ndodhira të tilla kishin bonus për gjahtarët që mburreshin: “Ekzekutuam një tradhëtar në kufi!” Kështu, ata merrnin dekoratë trimërie,ndonjë mijë lekë (Një Dollarë) që për atë kohë ishte gjysma e rrogës së një punëtori.
Enveri qe largpamës se, e mbajti popullin shqiptar brenda në fortifikata, rrethuar me tela e bunkerë që të mos depërtonin huliganët politikë të kapitalizmit e soj e sorollop huliganësh që do ua nxirrnin sytë shqiptarëve për lugët e floririt,diamantët që popullësia i posedonte me shumicë. Largpamësia e tij shkoi deri aty sa bëri tufëzimin e bagëtive ku nuk mbeti lopë, gjel, pulë e derr në oborre private. Kjo solli një pastërti sterile që e lakmonin të gjithë kundërshtarët e perëndimit. As Hitleri s’e bëri dot me hebrejtë atë çfarë bëri Enveri me gjënë e gjallë që i mbante frymën popullit me thikë në asht.
Ish-Drejtori i “Shtëpisë Qëndrore”, Pirro Lena, tregonte që, Enveri thoshte :“Unë e njoh mirë këtë popull!Ky popull do dajak dhe një kafshatë bukë se, po u bënë zengjinë…na piu e zeza!”
Rrëfenja e tufëzimit
Atë kohë, në një fshat të Shkodrës ndodhi një akt i papreçedent i një katundari që kishte shumë fëmijë dhe nuk dinte si t’i ushqente në dimër. Prandaj fshatari kish vendosur të mbante një derr brenda në shtëpi kundër ligjit në fuqi. Komshiu, “dera e xhenetit”, e diktoi dhe informoi operativin. Atë ditë në zyrën e operativit ndodhi dhe sekretari i partisë R.S. , një person liberal që babain e kish pasur nxënës të Harri Fulsit (armik i betuar i partisë). Sekretari Partisë e lajmëroi fshatarin se sigurimi do t’i bënte reprezalje dhe nëse gjendej derri ai do përfundonte në burg. Fshatari në hall të madh e pyeti shokun sekretar se si mund t’ia dilte mbanë.Ai (sekretari që e kishte shumë qejf rakinë) pamëdyshje e mësoi, ti jepte derrit për të pirë dy dopjo raki dhe pasi t’a bënte tapë t’a fuste brenda në bauel. Fshatari që kishte frikë se me dy dopjo mund t’a vriste derrin dhe fëmijët mund t’i mbesnin pa ngrënë gjatë dimrit, i dha një dopio raki dhe jo dy siç e këshilloi sekretari.
Ditën tjetër, policia i hyri brenda në shtëpi fshatarit duke e kontrolluar. Sekretari një shpirt njeriu, u ul mbi bauel dhe ndezi një cigare për të pritur përfundimin e kontrollit. Mirëpo derrit filloi t’i dilte pija dhe filloi të godiste lehtë kapakun e baules mbi të cilën ishte ulur R.S. Sekretari i zënë në bef filloi të ngrinte zërin, duke folur për luftën e Partisë kundër armiqve etj. Me një ton autoritar që ia jepte pozicioni iu drejtua policëve :“E shikoni, ju thashë se ky burrë këtu nuk i fsheh gjë partisë…jo më një derr!” Njëri nga policët e pa sekretarin që nuk po i rrinte prapanica rehat ngaqë derri godiste lehtas kapakun e baules ku rrinte ai,prandaj polici kurioz pyeti: “ Shoku sekretar, më duket se nuk po ndihesh rehat mbi bauel?” Sekretari iu përgjigj, “kam një majasil akut që s’po më lë rehat!” Polici hapi sytë me habi(se ishin “policë të shkolluar” atëherë) dhe deshi të thoshte diçka, por sekretari ia mbylli, duke i urdhëruar që të dilnin jashtë se përveç thashethemit dashakeq (që shqiptarët e kishin me shumicë gjatë kohës partisë) nuk kish asgjë tjetër në atë shtëpi. Reprezalja e policisë përfundoi me duar bosh. Të nesërmen, sekretari “tradhëtar” e kritikoi ashpër fshatarin për dozën e vogël të rakisë që i kish dhënë derrit, i cili mund t’i mirrte në qafë të dy. Në atë kohë,shumë komunistë ishin të tillë, ku dhe pse partia u kish besuar, ata ia dridhnin partisë…Hëm, jazëk!
Një rast tjetër i ngashëm ndodhi në Xhabie, Shkodër. Pas informacionit nga hafijet e lagjes, policia u pregadit seriozisht me skafandra dhe qen kufiri,automatikë e antiplumba. Për siguri, policët morën dhe një makinë të blinduar, sepse Informacioni ishte i pastër si drita e diellit që derri ishte sa një kalë dhe mund t’u sillte telashe të mëdha. Në sekret të plotë, policët mbërritën në katin e pestë ku jetonte Rr.Sirma,pronari i derrit. Ai si njeri i regjur i bëmave, kish pikasur lëvizjet e dyshimta, dhe pa menduar dy herë e hodhi derrin nga ballkoni i katit të pestë, që për fat binte nga ana e kundërt e rrugës ku ishin parkuar makinat e policisë. Derri dha frymën e fundit prej fluturimit spektakolar të pronarit. Pasi policia u largua më duar bosh. Rr…u ul me vrap mbi derri e gjakosur e pajetë. E vajtoi, pastaj e përkëdheli duke i shpëtuar dy pika lot. I detyruar nga rrethanat bëri gostën e derrit (tradicion kristian) para se të vinte dimri. Derri i vrarë në mënyrë hollivudiane u shijoi aq shumë familjes sa, Rr… filloi humorin shkodran….Pasi pinë dhe nga një dopjo Juniperus, uruan policinë që shpejtuan gostën e derrit. Ndodhira të tilla ishin të përditëshme në atë kohë bollëku që nuk kishte çfarë hante maçoku pas darke…
Shpresa që vdiq rrugës
Ardhja Ramizit, krijoi një shpresë si shkëndia e drurit të keq. Porsa erdhi në fron, frymëzoi dhe njëherë “batalionet”, duke iu betuar popullit: “Bar do hamë,por marksizëm-leninizmën nuk e tradhëtojmë kurrë!” Inteligjenca brohoriste,“Parti-Enver jemi gati kurdoherë!” Po kur plasën ambasadat…askush nga brohoritësit nuk ndejti të shijojë të mirat e socializmit envero-ramizist. Të gjithë ikën! Aty u nervozua keq “gjeniu” Kadare, i cili ua tha troç shqiptarëve: “Jeni jashqitje!”Bravo i qoftë. Mençuria, humanizmi e besnikëria shfaqen pikërisht në raste tilla. Ai ishte dhe mbeti besnik i Enverit dhe Partisë.
Pas vdekjes, partia e shpërbleu duke ulur flamurin në gjysmë shtizë tri javë (më falni, tri ditë) moreeee! Sa prekëse?!
Injorantët kur hasin narrative laksative binë në dashuri me Djallin, sepse Zoti u duket legjendë përtej besimit dhe arsyes. Kjo ngjason me pemën me rrënjë të shkurta që thahet pa njohur hijen e vet.
Lëvizja Demokratike filloi me 14 Janar 90 në Shkodër,vazhdoi me 8 Dhjetor në Tiranë, dhe vdiq po në Shkodër me, 2 Prill 1991. Pas ardhjes PD-së në pushtet, u bënë ndryshime thelbësore: qeveria u fali shqiptarëve apartamentet që paguanin prej vitesh gjatë regjimit komunist, hapi kufinjtë, futi Shqipërinë në të gjitha organizmat ndërkombëtare dhe më pas, NATO. Qeveria PD bëri shqiptarët të dalin pa viza si qytetarë të Europës lirë.
Pati dhe nga ata që bënë plaçkë…Erdhën me çorape të shqyera dhe zdralë në thembra , u bënë me vila e mercedezë. Por ata qenë të pakët, por që fatkeqsisht kompromentuan gjithë klasën politike të djathtë, ku shumë prej tyre mezi nxirrnin bukën e gojës. Atëherë lind pyetja: po socialistët çfarë bënë për popullin? Asgjë !Përveç privatizimit (plaçkitjes) të çdo gjëje me vlerë të atdheut tonë të mjeruar. Lidershipi i PS ra në dashuri me Aleksandra Vuçiqka dhe Aleksia Sorra, duke u kthyer shpinën vëllezërve e motrave dardanas dhe popullit shqiptar.
Pyetja është e thjeshtë: “Të jenë vallë shqiptarët kaq teveqelë sa përulen para gjithkuj?
I puthin dorën herë grekëve, herë serbëve, herë turqëlinjve, herë digli-majmunit, por asnjëherë nuk i shtrijnë dorën vëllezërve të vet shqiptarë të opozitës?!
Tragjedi në penelatë
Kjo tragji-komedi vazhdon prej 79 vitesh! Shqipëria ende nuk po e gjen dot fillin e humbur.A ka pamje më të pastër, narrativë më dinake dhe ndjesi më të trishtë se kjo?
Kur t’a kuptojnë shqiptarët vaskën e dryshkur, dritaret kryeulur dhe dyert e mbyllura, pasioni dhe brohoritjet do u kthehen në vaj. Peneli i piktorit do jetë gozhdë në derën e çdo shqiptari ku bastunet dhe trastat e të huajve (për një jetë të “detyruar”) do varin xhaketat bash në gozhdën e pabesisë që pikon gjak-arratie. Fyelli i tjetërsuar baritor do psonisë konglomeratë në rrugë, duke lënë pas mijëra vite krenari. Rraca jonë e pastër do kryqëzohet në kufirin e instiktit dhe jo traditës. Inteligjenca e shitur për një copë bukë nga flip-flapet e pista të rehatisë momentale do jetojë banalitetin e psonisur deri në pleqeri ku fshikullon kamxhiku i kompleksit të fajit dhe frika e ndëshkimit të Zotit.
Tani qeveria sorrasiane e Tiranës, zvarritet mallkim kalldrëmeve dhe asfalteve, duke hyrë plasave dyerve si në kohën e Moses në Egjypt. Mallkim që shqiptarët e pranojnë prej vitesh me përulësi tragji-komike. Piktori ka marr hijen e Genghis Khan, i cili thoshte:“The greatest happiness is to vanquish your enemies, to chase them before you,to rob them their wealth,to see those dear to them bathed in tears, to clap to your bosom their wives and daugters”. Prandaj “Temuxhini” jonë zhgërryhet në idera delirante, duke u bërë në të njëjtën kohë, i rrezikshëm dhe qesharak!
Para disa javësh, Gen.Wesley Clark, bëri një takim në Michigan për të endors Harris.
I pyetur për piktorin delirant, General Clark, u shpreh:“Ai është i papërgjegjshëm! Na detyroi të largohemi nga Shqipëria, sepse ua dha kinezëve biznesin tonë. Clark,kur mori vesh për izolimin e Sali Berishës, tha:“Po më habisni!Sali Berisha është burrë i madh. Kjo është fatkeqësi për demokracinë atje!” Po këtë nuk e tha dokushdo, por ai që luftoi për Dardaninë, një ndër burrat më të famshëm të ushtrisë amerikane.
Por Temuxhini jonë nuk ndalet! Për të futur sherrin në sheriatë dhe hequr vëmendjen nga Dardania, ikja biblike, vuajtja dhe mungesat e mëdha jetike në Shqipëri, Temuxhini hodhi idenë: “Teqe Bektashjane Enklavë.” Sipas Naltmadhnisë tij (që po e lartëson Shqipërinë me shejtanë e kurva, oborrtarë-e, plaçkitur atdheun tonë të mjeruar), i cili jep lajmin që, në Shqipërinë e madhe duhet dhënë një pëllëmbë qivur “Baba”Mondit, ëndërrimtarit për t’u bërë Pasha, i cili në Shqipëri, do luaj “Propaganda Fide” (që dikur të krishterët, “Propaganda Fide”e përdorën për të mbrojtur vlerat e katolicizmit…), ku aksidentalisht apo me qëllim…kjo lloj përpjekje minimizon vlerën e Islamit në Shqipëri. Por ja që shpirtërorët besimtarë të vërtetë Bektashianë si, Baba Dr.Eliton Pashai etj, nuk janë me orën e Baba Mondit, por me shpirtë-shejtninë e Haxhi Bektashit, i ndritë shpirti!
Ky rast, kalon “biological boundary” që nuk e kalojnë dot as kafshët, as shpendët dhe as peshqit, por vetëm marruqët tanë që bëjnë veprime mbikafshërore. Për me keq, ata thejnë rëndë KODIN PENAL, ku në një shtet normal do rrezikonin burgim të përjetshëm. Po pyet Temuxhini ? Ai merr përpara kafshë e fosile, dinozaura, njerëz e rrugë, gradaçela e kasolle, të mbjella e të korra, dete e male, sidomos politikanët kundërshtarë, duke lënë në livadhin e tij, vetëm delet që blegërijnë, beeeee!!
Përpjekjet e dështuara, vërtetohen mësëmiri me futjen në burg të Salianit, djaloshit me të ardhme politike, lider i ri në shpresën e ndryshimeve të mëdha. Raste të tilla e bëjnë më të trishtueshme situatën. Mendoj se, në politikë, kundërshtari dinjitoz duhet të respektohet si rregullator i vakumit, korrektor i gabimeve dhe rrëshqitjes politike, frymëzim i ardhmënisë më të mirë, vizionit të balancave të drejtave lirisë dhe hapësirës civilizuese njerëzore. Thyerja e këtyre rregullave bazë të demokracisë dhe prosperitetit, përmblidhen me një fjalë: renegatizëm. Siç kam shkrojtur dhe më parë, renegatët janë figura shumë të dobëta, të cilët, për të mundur kundërshtarin përdorin të gjitha format për t’ia arritur qëllimit…si, në rastin e futjes në burg të, Sali Berisha dhe demokratit të ri Saliani, duke lënë jashtë hekurave kriminelë me damkë. Arrestimi i ish-Presidentit dhe Kryeministrit Meta, shënoi nivelin më të ulët të civilizimit dhe profesializmit policesk në Shqipëri.
Ilir Meta mund të jetë gjithçka, po kurrë kriminel dhe vagabond, siç e trajtoi qeveria e Temuxhinit. Ai ishte President dhe Kryeministër, Kryetar Parlamenti, Ministër i Jashtëm, prandaj duhet të trajtohej si një personalitet deri në momentin që gjykata t’a cilësojë fajtor. Nëse prokuroria kërkon të bëjë rolin e akuzës dhe gjykatësit, drejtësia merr fund dhe shteti ligjor vdes. Padrejtësi të tilla gjenerojnë revolta, dhe si pasojë,logjika politike kthehet në produkt rruge, ku në shenjë proteste digjen karriget para parlamentit. Nesër mund të digjet dhe Shqipëria, mund t’i bëhet dhe ndonjë atentat kriminelëve në pushtet. Po kujt do i sherbejë kjo katrahurë përveç Serbisë dhe armiqve të kombit? Në bazë të experiencës, dhuna ndjell dhunën, e cila mund të sjellë gjithçka, mbase dhe rrëzimin e pushtetit absolut, po kurrë demokraci! Sepse dhuna ka prapa praktikat e kohës shkuar, të asaj kohe që solla më lart…ku ndryshoi përgjithmonë psikologjia e popullit më të vjetër në planet!
Dy këshilla dhe një thirrje
Përfaqësuesit e opozitës me në krye PD duhet të jenë më të vëmendshëm në takimet e diasporës, të cilës duhet t’i shtrohet një draft i detajuar si për kulturën e votimit (që është thelbësore), por dhe për rrugëtimin e bashkëpunimit, ku përfshihet përqindja e përfaqësimit në të gjitha organet politike, parlamentare e qeveritare. Kështu, serioziteti i përfaqësimit bëhet rregullator në marrdhëniet diasporë-atdhe.
Prandaj, opozita duhet të tregojë fuqinë e vet gjeneruese konstruktive për të treguar forcën e demokratëve dhe të djathtës shqiptare në organizime superiore, duke dhënë përgjigjen e duhur farsës brigando-renegatëve.
Mos harroni! Nëse brigando-renegatët shohin lidershipin e fortë, zbythen! Po e pikasën në lëngim, mblidhen si krimbat për t’ia ngrënë mishin dhe palcën. Veprime të tilla nuk krijojnë habi, sepse këtë tradicion ua kanë lënë të parët që erdhën nga mjerimi i urrejtjes, shkrojtur nga Eugen Pottier (Internacionalja), dhe kompozuar nga Pierre De Getyer. Ndërsa patriotët e vërtetë duhet të shpëtojnë çfarë është e mundur prej katilëve. Duhet të jenë sa më të kujdesshëm për të ruajtur pjesën e atavismes kundërshtare shartuar në kohën mëkatare…Kjo jo për mëshirë, por për të ruajtur emrin e shqiptarit, genin e gjakut tonë. Plaçkitësit, le të ulërijnë mbi shpinë të vegjëlisë në jargavitjen e monitoruar. Le të bëjnë presione dhe le t’i thurin lëvdata vetes për përjetësi. Definicion i lirisë tonë ndaj ligësisë do të jetë gjaku jonë i pastër që do bëhet imperative i zgjimit dhe kurajos civile në një Shqipëri pa brigando-renegatë dhe kleptomanë! Prandaj vota e ndërgjegjshme, shpirtërore e morale e çdo qytetari në emigrim dhe atdhe është një armë e fuqishme demokratike për të ndryshuar planet ogurzeza të një klani amoral dhe skizofrenik që zhvirgjëroi Shqipërinë, plaçkiti çdo pëllëmbë tokë turistike (që ishte perlë botërore), abuzoi dhe abuzon me tendera dhe çmime tre fish më të larta se rrugët e Europës.
Krimi më i pafalshëm për këtë qeveri të degraduar, mbetet dhënia e pensioneve qesharake pleqve sa për një darkë të varfër bash atyre që u rreshkën dhe u mpakën duke djersitur në çdo cep të atdheut. Kjo nuk ka të bëjë me krahun e majtë apo të djathtë, por me vlerësimin e djersës dhe shpirtin e humbur të një populli që u skllavërua nga një klan monstruoz për t’u plaçkitur dhimbshëm nga klani tjetër kleptokrat.
Prosperiteti banal i “Shllavarisë”, implimentuar në Shqipëri nga Temuxhin dhe të tjerë, mbetet aktakuza më e madhe krimiale e shekullit XXI, e cila një ditë do të ekzekutohet nga shqiptarët e dinjitetshëm patriotë.
Mendoj se, nuk janë darkat politike dhe deklaratat e varfëra për lustër të politikanëve të huaj që tregojnë vizionin dhe personalitetin e një udhëheqësi, por vetëm prosperiteti dhe standarti i jetesës së popullit që ai përfaqëson tregon natyrën reale të lidershipit.
Mallkuar qoftë i majtë dhe i djathtë që nuk zgjohet nga gjumi për t’i thënë stop kësaj katrahurë delirantësh të madhështisë tragjike-komike që lundron prej 79 vitesh!
Miqtë tanë shprehen: “Shpresa të vogla…Jo memorje! Korrupsioni është bërë kancer për Shqipërinë, ndërsa shqiptarët ndihen komod më këtë fenomen që rrezikon ekzistencën e popujve.”
Kombet rriten dhe qytetërohen nga vizioni e politika afrimit dhe krijimit të mundësive për të jetuar, jo nga politikat e frikësimit për të nesërmen, depresionit dhe papunësisë që matematikisht sjell shpopullimet në udhëkryqin ogurëzi. Çdo zgjim në kohë sjell shpresën për ndryshimin e madh historik. Vonë është vetëm ateherë kur mbi tokë perëndon dielli përgjithmonë!
Këpucët më komode të lënë në rrugë pas një kohe, jo më opingat apo shkarpat!