Artan Nati/
Të jetosh në demokraci, është një ëndërr që shumë njerëz e ëndërrojnë, por shumë pak e jetojnë. Demokracia funksionale thekson ndarjen e pushteteve, një gjyqësor të pavarur dhe një sistem kontrollesh dhe balancash midis degëve të qeverisë .Shkaqet kryesore të prapambetjes demokratike përfshijnë mungesën e mbështetjes publike për demokracinë, pabarazinë ekonomike dhe tensionet sociale, politikat populiste dhe ndikimin e jashtëm nga politikat e fuqive të mëdha, fenomene të cilat ne i ndeshim në Shqipëri. Demokracia në Shqiperi, si dhe vende te tjera, shpesh prodhon mbivendosje pushtetesh dhe mosrespektim të të drejtave te njeriut. Lind pyetja: përse eshte ky ndryshim kaq i madh ? Ne kemi pasur deri diku zgjedhje të pranueshme nga komuniteti ndërkombetar dhe kemi pasur një qeveri legjitime si edhe disa vende te tjera te ballkanit, por rezultatet nga demokracitë tona kanë qenë zhgënjyese. Cfare e ben të mundshme funksionimin normal të demokracisë në vendet perendimore? Të kuptojmë këtë fenomen, mendoj se duhet të kuptojmë si lindi dhe cilët ishin faktorët që bënë të mundur që demkracia të evoluonte. Siç shpjegon filozofi iluminist Benjamin Constant, demokracia ne Greqinë e lashtë nënkuptonte diçka tjetër: që secili (në fakt, çdo qytetar mashkull) kishte të drejtë të merrte pjesë në qeverisjen e komunitetit. Asambletë popullore të Greqisë së lashtë kishin fuqi të pakufizuara. Të drejtat e një individi nuk ishin të shenjta as në teori dhe as të mbrojtura në fakt. Demokracia greke shpesh nënkuptonte, në frazën e Constantit, “nënshtrimin e individit ndaj autoritetit të komunitetit”. Kujtojmë se në shekullin e katërt p.e.s në Athinë, ku thuhet se demokracia greke ka gjetur shprehjen e saj më të vërtetë ,asambleja popullore, me votën demokratike, vrau filozofin më të madh të epokës për shkak të mësimeve të tij. Ekzekutimi i Sokratit ishte demokratik por jo liberal.
Nëse rrënjët greke të lirisë perëndimore shpesh mbivlerësohen, ato romake neglizhohen. Kur Herodoti shkroi se grekët ishin “një popull i lirë”, ai nënkuptonte se ata nuk ishin skllevër nën pushtimin ose dominimin e huaj, një ide që ne sot e quajmë “pavarësi kombëtare” ose “vetëvendosje”. Romakët theksuan një aspekt tjetër të lirisë: që të gjithë qytetarët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë sipas ligjit. Ky konceptim i lirisë është shumë më i afërt me atë perëndimor modern dhe fjala latine për të, libertas, është rrënja e perdorur sot gjeresisht në perëndim që ështe demokracia liberale. Ndërsa Greqia i dha botës filozofinë, letërsinë, poezinë dhe artin, Roma na dha fillimet e qeverisjes së kufizuar dhe të shtetit ligjor. Republika Romake, me qeverinë e saj të ndarë (tre degë), zgjedhjen e zyrtarëve me mandate të kufizuara dhe theksin mbi barazinë sipas ligjit, ka qenë një model për qeveritë europiane si dhe në krijimin e Republikës Amerikane. Deri më sot konceptet dhe termat politike romake qëndrojnë në të gjithë botën perëndimore: senat, republikë, kushtetutë, prefekturë.
Zakaria bën një dallim të rëndësishëm midis demokracisë dhe liberalizmit, konstruksione që shpesh ngatërrohen. Demokracia është një proces për zgjedhjen e liderëve dhe ka të bëjë me pjesëmarrjen popullore. Të thuash se një shtet është demokratik do të thotë të thuash pak për mënyrën se si qeveriset në të vërtetë.
Liberalizmi, në të kundërt, ka të bëjë me normat dhe praktikat që bejne te mundur jetën politike. Një shtet, qe quhet liberal, është ai në të cilin të drejtat individuale janë parësore. Ai mbron individin , jo vetëm nga abuzimet e një tirani, por edhe nga abuzimet e shumicës demokratike. Kudo që lind i-liberalizmi merr një formë të njohur: më shumë korrupsion, kufizime më të mëdha te organizimit dhe fjalës se lire, kufizime ndaj shtypit, ndëshkim kundër kundërshtarëve politikë, shtypje e pakicave. Të gjitha këto gjëra janë të këqija, por nuk janë domosdoshmërisht jodemokratike. Rusia e Putinit është e mbushur me politika represive dhe joliberale dhe megjithatë Putini është jashtëzakonisht popullor mes rusëve. Ai është, si shumë tiran, një populist
Nëse një vend zhvillon zgjedhje konkurruese, shumëpartiake, ne i quajmë ato demokratike. Kur pjesëmarrja e publikut në politikë rritet, për shembull përmes dhënies së të drejtave të grave, ajo shihet si më demokratike. Sigurisht që zgjedhjet duhet të jenë të hapura dhe të ndershme dhe kjo kërkon disa mbrojtje për lirinë e fjalës dhe të tubimit. Të kesh demokraci do të thotë subjektivisht “një qeveri e mirë”, e bën atë analitikisht të padobishme. A nuk kemi ne në Shqiperi një qeveri të zgjedhur me votë të lirë (m.gj.s shpesh me ndihmën e oligarkëve dhe mediave të tyre, ashtu si edhe opozita kur ishte në pushtet ), por është e gjithë pushtetshme dhe që nuk respekton të drejtat e individit dhe favorizon oligarkët.
Tragjedia e vendit tonë ishte se kulturalisht ne i përkisnim kultures bizantino-otomane, politikisht ishim në lindje dhe gjeografikisht jemi ne europë. Kjo bëri të mundur që tranzicioni në Shqipëri të ishte shumë i gjatë dhe me trauma dhe konflikte të ashpra.
Ndryshimet e mëdhaja qe ndodhën në Shqipëri në vitet 90 përfaqësonin një “revolucion borgjez” pa një borgjezi, një revolucion demokratik që do të duhej të ndërtonte kushtet e ekzistencës së tij. Kushtetuta jonë dhe ligjet u kopjuan në mënyrë mekanike nga perëndimi dhe kjo u bë nga lart poshtë dhe përjashtoi pjesëmarrjen popullore. Kjo është një nga arsyet kryesore të destabilizimit te vendit dhe mosfunksionimit normal të strukturave, procedurave dhe mekanizmave kushtetuese. Aktualisht ne jetojmë në një vend demokratik, por jo liberal. Ne kemi një shtresë të mesme të konsoliduar, por gjithmonë të kërcënuar nga mungesa e zbatueshmerisë së ligjit. Rreziku më i madh janë praktikat korruptive të qeverise me oligarkinë vendase në kurriz të shtresave të mesme dhe të varfëra.
Nga të gjitha sa thamë më lart, mund të themi që Shqiperia e ka kaluar periudhën e tranzicionit, ose është në prag të kalimit te tij, por kuptohet që ne kemi disa probleme serioze per tu bërë demokraci liberale të standarteve europiane. Kuptohet ne shqiptarët në vecanti dhe ballkanasit në përgjithesi, kemi trashëguar një kulturë bizantino otomane që ka një bazë 500 vjecare të pushtimit otoman dhe përkatësisë bizantine të vendit tonë para pushtimit otoman. Por mund te themi se kjo nuk na ka penguar ne shqipëtarëve të jemi të suksesshëm kudo në bote përvec se në Shqiperi, pra është detyrë e qeverisë dhe politikanëve tanë të krijojnë ambient të favorshëm për lulëzimin e individit .Aktualisht ne në Shqiperi kemi një kapitalizëm te sponsorizuar nga shteti. Oligarkët tanë janë në aleancë të hapur apo të fshehtë me qeverinë, politikanët, sistemin e drejtësisë dhe të fortët e vendit si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel kombëtar. Në të gjitha bashkitë e vendit oligarkët , në bashkepunim me pushtetin dhe drejtësinë, drejtojnë gjithë jetën politike dhe ekonomike të vendit. Afera e inceneratorëve e tregoi këtë në mënyrë fare të qartë. Sic ka thënë James Madison: “Akumulimi i të gjitha pushteteve, legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, në të njëjtat duar, qofshin të njërit, të disave apo të shumë, qoftë të trashëguar, të vetëemëruar apo të zgjedhur, me të drejtë mund të quhet vetë përkufizimi i tiranisë”. Pikërisht kjo është situata qe ne jetojmë sot ne Shqiperi. Sidoqoftë nuk mund të themi se situata është e pashpresë, thjesht duhet të kuptojmë se përse ndodhemi në këtë gjendje dhe c’duhet të bëjmë të dalim nga kjo situatë.
Sipas James Bryce, “Nuk ka provë më të mirë të përsosmërisë së një qeverie sesa efikasiteti i sistemit të saj gjyqësor”. Mendoj se ky eshte kyci i suksesit apo dështimit të kalimit nga demokracia joliberale në demokraci liberale të vendosur në europë dhe shtetet e bashkuara.
Kuptohet mënyra si funksionon demokracia në Shqipëri dhe sistemi oligarkik kapitalist që mbizotëron në vend, nuk janë aspak të favorshëm dhe premtues për ndërtimin e një sistemi të pavarur drejtesie në vend. Sigurisht, ne jemi nisur dhe po shkojmë drejt këtij destinacioni, por mund të marri nje kohë te gjatë. Aktualisht, duket sikur yjet janë rreshtuar në favorin tonë, me përjashtim të politikanëve dhe oligarkëve vendas si dhe mediave të zotëruara prej tyre.
Si rrallë në historinë e vendit tonë, ne kemi përkrahë dy faktorët më të fuqishëm në botë, SHBA dhe Komunitetin Europian. Dhe jo rastësisht, SHBA kanë kembëngulur dhe investuar për ndërtimin e sistemit të drejtësisë të pavarur sipas sistemit amerikan. Investimi amerikan tek SPAK dhe BKH tregon qartë seriozitetin e tyre per ta kthyer Shqiperinë në një demokraci liberale. Fatkeqësisht dëgjojmë nga politikanët tanë dhe mediat për dështim të sistemit të drejtësisë të investuar nga komuniteti nderkombetar, për dështim të implementimit të sistemit demokratik në Shqipëri. Kuptohet ata janë në hall të madh por ashtu sic thotë Jim Hightower : “Demokracia nuk është diçka që ndodh, e dini, vetëm në kohë zgjedhjesh, dhe nuk është diçka që ndodh vetëm me një ngjarje. Ai është një proces ndërtimi i vazhdueshëm, por duhet të jetë gjithashtu pjesë e kulturës sonë, pjesë e jetës sonë”. Demokracia nuk është një destinacion por një proces dhe ky proces tashmë është i pandalshëm.