Nga: Hamid Alaj – New York/
Veshja e nusërisë krajane-allaturka është trashëgimi e trevës së Krajës që e ka ruajtur origjinën e vet edhe brenda shukullit XX, mbase edhe më parë, e deri në ditët tona. Ajo paraqet një thesar të çmuar të kulturës tradicionale të trevës në fjalë, e cila po i kanoset rreziku i zhdukjes së saj nga vërshima e kohëve moderne.
Kjo veshje me ngjyrat e saja dhe dekoracionet e larmishme si dhe estetika e sajë i ngjanë një petku magjik që mund të zgjojë kurreshtjen e artistëve ashtu siç ka zgjuar kurreshtjen e mjeshtreve krajane, të cilat e kanë qëndisur me gjilpërë duke formuar këtë veshje si formatike të ruajtjes së sajë në formë suveniri.
Bukuria e kësaj veshje tradicionale e nusërisë krajane (allaturka) që i ngjanë një petku magjik, ajo shfaqet e qetë për bartëset e saj. Mirëpo, kurë e shpalosë pjesë-pjesë këtë dekor ke të bëshë me supriza, me shumë mendime, me shumë gjykime etj., se si është krijuar dhe është ruajtur deri në ditët e sotit gjithë ky dekor i kësaj veshje, edhe pse me ndryshime të shumta që ajo ka kaluar nga dekada në dekadë. Një nga suprizë e tillë është edhe për ditët tona, që kjo veshje gjithnjë e më tepër po ruhet dhe po trashëgohet edhe në diasporen krajane, si në Amerikë, Australi, Gjermani e kudo ku ka krajane, e cila ja dinë vlerë dhe bukurinë e sajë.
Kjo veshje është një trashëgimi e kulturës materiale, të cilën vasha krajane e ruan me fanatizëm, pa i’u shmangur asaj, kurse për nga zbukurimet e saja ajo është si pjesë e kulturës shpirtërore e vashave krajane, të cilat e kanë krijuar, dekoruar e dhënë formën e sajë të duhur, gjë që ka bërë të mundur mbajtjen gjallë të kësaj veshje, në radhët e tyre. Ajo jo vetëm është e pranishme në trevën e Krajës, por siç kemi cekur edhe më parë, ajo ruhet dhe trashëgohet edhe në diasporën krajane. Sot kjo veshje është, pothuaj se më e pranishme në diasporën krajane se sa në vetë trevën e Krajës, prej nga është e trashëguar në diasporë. Po thuaj se nuk ka vashë krajane që kurë martohet nuk e veshë këtë veshje kur bëhet nuse, ndoshta jo ditën e nusërisë së sajë, por patjetër që e veshë për fotografi kujtimi, apo edhe për trashëgimi, me të cilën identifikohet prejardhja e sajë. Kur shohim ndonjë vashë krajane me veshjen e “nusërisë krajane (allaturka)”, çdo krajani i cohet zemra pesh, çdo krajani ia kujton vendlindjen e vet Krajën, çdo krajani ia kujton ato ditët e dasmave të hershme krajane , kur një dasëm e tillë , kur përcillej nusja, ajo ishte e veshur me një veshje “allaturka”. Sot kjo nuk ndodhë në trevën e Krajës. Kjo nuk ndodhë as në diaporë, sepse aty nuk ka ndodhur kurrë, por sot në diasporë kjo veshje po ruhet dhe kujtohet edhe më shumë se në vetë Krajën, prej nga rrjedh trashëgimia e saj në diasporë.
E gjithë veshje e “nusërisë krajane (allaturka)” është produkt i punëve nga vetë dora e vajzës krajane, pra e punëdorës shtëpiake. Materialet e kësaj veshje kryesisht janë nga mëndafshi dhe pambuku. Dikur, secila shtëpi krajane e kishte tezjehun e vendosur horizontalisht ku endnin gratë për përgaditjen e veshjes së nusërisë krajane. Ato, përpos që endnin, qendisni, qepnin pjesë të kësaj veshje dhe thurnin në grep materialet e nevojshme të sajë.
Vashat krajane dinë t’i ruajnë traditat e tyre të pasura, si në kulturë, në fushën shpirtërore, në folklor etj., poashtu edhe në veshjet e tyre, e në veçanti veshjen e “nusërisë krajane (allaturka)”. Ajo gjithmonë është trajtuar si element kryesorë i kulturës shpirtërore e asaj materiale të vashës krajane, gjegjësisht të përkatësisë etnike të sajë.
Kjo veshje ka shumë karakteristika të rëndësishme në përbërjen e sajë, por njëra ndër to është për tu veçuar, mbulesa e kokës “kaferxhiku”, i cili është i punuar nga mëndafshi me ngjyrë të kuqe ose me ngjyrë rozë (bajbakame), i dekoruar dhe në fund të pëlhurës së mëndafshit ka thakë që lëshohen poshtë shpinës së nuses. Në përbërjen e “kaferxhikut” bënë pjesë edhe kapuçi i vogël i cili vendoset mbi kokë dhe ka ngjyrë rozë (bajbakame), ose të kuqe, qe duhet të jetë e kundërta e ngjyrës së “kaferxhikut”. Pastaj, për tu veçuar është edhe vargu i madh me lira ari (teste me florinj), pa të cilat kjo veshje as që mund të paramendohet se do ta mbërrijë vlerën e sajë estetike për nga stolit që ajo përmbanë në kuadrin e vet.
Paraqitja e veshjes së nusërisë krajane te bartësja e sajë, bëhej sa më dinjitoze dhe ishte diçka e veçantë, andaj krajanija, konkretisht prindërit e saj, kompenzonion me vetëdije të plotë, sepse një sakrificë e tillë ekonomike për vajzën e vet (për t’ia përgaditur veshjen e nusërisë), konsiderohej si një gjë tradicionale apo detyrim shpirtëror ndaj fëmisë (vajzës) së vet, gjë së cilës nuk mund t’i shmangësh lehtë. Duke qenë kaqë e shtrenjtë dhe kaqë e çmuar në vlera materiale dhe ato shpirtërore, kjo veshje u bë shenjë e dashur e përkatësisë së vajzës krajane e sidomos atyre që e bartin atë.
Mund të themi se ruajtja e kësaj veshje në diasporën krajane, si pasuri shpirtërore e vajzës krajane, si përkatësi etnike të trevës nga rrjedh ajo, veshja e “nusërisë krajane (allaturka)” është një veshje tradicionale që tregon për: relacionet në shoqërinë krajane, për ëndrrat, dëshirat, aspiratat, për të ruajtur traditën e vet, etj., të çdo vajzë krajane që ta ketë dhe ta ruajë si relike të origjinës së sajë, edhe pse sot kjo mund të konsiderohet si e tillë.
Nga: Hamid Alaj
New York