Nga Gezim ALPION/ Birmingham, Angli/
Përshëndetje Përkrahës të Peticionit,/
Sot tre vjet më parë filluam peticionin online për Rrugën e Arbërit.
Nuk kemi asgjë për tu gëzuar në këtë përvjetor. Ëndrra dibrane për rrugën është binjake me ëndrrën shqiptare për demokraci. Në çerek shekullin e fundit kaotik është e admirueshme që dibranët akoma kanë forcë të ëndrrojnë. Dhe mirë bëjnë.
Rruga e Arbërit është me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Kur të bëhet! Tani për tani, kjo rrugë në ndërgjegjen e shqiptarëve është treguesi më domethënës i nivelit të seriozitetit të shtetit, i mënyrës se si qeveris partia në pushtet, dhe i shkallës së efektshmërisë së opozitës.
Ja bilanci i rrugës, që filloi zyrtarisht në vitin 2005, edhe pse për të nuk kishte dhe akoma nuk ka një projekt serioz: Edhe ato segmente që quhen të përfunduara nuk përmbushin standardet ndërkombëtare. Në tre vitet e fundit qeveria aktuale ka arritur të përfundojë vetëm 464 metra. Fondet e rrugës nuk janë gjëkundi.
Siç premtuam në fillim, ne e kemi mbajtur dhe do ta mbajmë peticionin jashtë politikës. Për ne nuk ka rëndësi se cila parti apo aleancë politike është në pushtet.
Ne kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë të kërkojmë të takohemi me Kryeministrin. Dhe kjo jo thjesht për të dorëzuar peticionin, një akt formal që përbën obligim si për ne ashtu edhe për z. Edi Rama ndaj më shumë se 10,000 nënshkruesve online dhe në formularë. Takimi do të mundësoj edhe fillimin e një dialogu konstruktiv.
Ne do të kthehemi së shpejti në Shqipëri për të vazhduar dialogun që filluam në Maj 2014 me përfaqësues të pushtetit lokal, deputetë të Dibrës dhe drejtues të shtetit dhe politikës në Tiranë. Shpresojmë që një nga takimet të jetë edhe me Kryeministrin me të cilin jemi të gatshëm të dialogojmë në çdo kohë brenda këtij mandati.
Duke ju falenderuar për përkrahjen tuaj të vazhdueshme, ne ju sigurojmë edhe një herë se nuk do të pushojmë së lobuari për këtë vepër deri sa të përfundohet.
Me respekt,
Gëzim Alpion
Në emër të Grupit të Lobimit
Birmingham, Angli, 18 Mars 2016
_____________
Peticionin mund ta nënshkruani këtu: http://chn.ge/1NZeyGu