Humor i jetuar.
Skicë.
Kadri Tarelli/
Një fund jave e muajit Maj, 1957. Ditë e shtunë pas dite u ndodha tek berberi fare pranë shtëpisë. Mendova se s’do gjeja njeri, por mu desh që të prisja tre-katër të tjerë para meje.
– E çuno, si e kam Qamilin? – më pyeti Shyqo berberi, si për t’i thënë të tjerëve se ishte mik i babës tim. –Mirë! – i thashë unë dhe po shikoja ku mund të ulesha.
Sapo u sajua një copë vend në stolin e gjatë, në derë u duk Xhepi, një burrë rreth të 50-tave, diku shitës në një dyqan të vogël në bulevardin që shkon drejt Pallatit të Sportit. (Atëherë nuk ishte ndërtuar ende). Unë si fëmijë 13-vjeçar, i lirova vend dhe mbeta përsëri në këmbë.
– E xhepo, si po ndjehesh! Besoj se u gëzove që ta hoqën emrin nga lista, për t’u çuar në Amerikë? – E ngacmoi berber Shyqo, i bindur se Xhepi do shpërthejë.
– Ore Shyqo! Një gjë më bën përshtypje: në vend që në listë të ishe ti i pari, që e rrope këtë popull duke i prerë leshtë e kokës, më venë emrin tim, që s’më zenë këmbët dhe, për të gjetur ca zarzavate dhe fruta, më pas për t’i shitur, e në fund kur nuk i ble kush, t’i hedh në kazan se kalben e marrin erë. – Xhepi si tip nevriku, që s’pranonte as pluhur mbi veshë, vazhdoi: – More Shyqo! S’të kam pyetur më parë: Ku e çon leshin që qeth gjithë ditën, apo si ai miku yt që e mbledh në qese dhe në darkë i mburrët të shoqes: shiko sa lesh kam grumbulluar sot?.
Berberi qeshi me të madhe. Edhe ne qeshëm. Ja dinte huqin, por nuk e priste këtë shaka të hidhur, megjithatë nuk e bëri veten. Vetëm qeshte, duke menduar ç’ përgjigje do t’i jepte. Në këto fjalë e sipër, ndërhyri një klient, që nga theksi i fjalës dukej shkodran, i cili i dha bisedës ton humori:
– Unë jam Palushi prej Shkodre. Jam mik i ftuar në një dasëm këtu në Durrës, e po du me u ba i bukur, meqënse do të jem krushk në darken e nuses. Nesër martojmë djalin e vëllaut. Sa për ato që the ti shoku Xhep, edhe na në Shkodër kena një berber që vepron si ai durrsaku juaj, i cili vetëm lesh i tregon të shoqes, sepse lekët i mban vetë. Po një gjë nuk e morra vesh, atë punën e Amerikës. Xhepi i ngeli pështyma në fyt. Nuk e priste një kthesë të tillë. Ç’të ishte ky i huaj që u përzje në këtë muhabet me shumë zarar!? – Hej bela, – tha me vete, duke i hedhur një sy qortues Shyqos.
Berber Shyqo u zverdh në fytyrë. Ndërhyri për të ndërruar këtë bisedë me rrezik: – Ore Xhepi, sa gota ke pirë? Si duket të pëlqeu rakia, besoj ballë kazani. Ku e kishin sajuar, më duket se marrin në Përmet? – U bë një heshtje e shkurtër, sepse Xhepi, pasi i hodhi një shikim të shpejtë mikut shkodran, që ju duk burrë i fisëm, e vazhdoi bisedën, por tashmë serioz. – U pa puna! Duhet thënë troç muhabeti, që mos ketë keqkuptime, – mendoi në çast:
– Që thua ti lum z…., – në çast u kujtua që duhet fjalë shok, jo zotni. – Që thua ti lum shoqnia si i thoni ju në Shkodër, këtu në Durrës para një muaji e ca dit, në klubin “Danubi”, rreth 200.m afër Stacionit të Trenit, u bë një mbledhje e madhe me të gjithë tregtarët e Durrësit. E kam fjalën për tregtarët e vegjël, se të mëdhenjtë, ëhë…., sapo mbaroi lufta, u bënë proletarë, pasi shteti i konfiskoi gjithë pasurinë, madje edhe shtëpitë. Që thua ti, në atë mbledhje isha thirrur edhe unë edhe ky burri madh që nuk e lëshon gërshërën nga dora, veç pret lesh. Salla ishte mbushur plot. Kishte përfaqësues nga qeveria vendore, madje edhe një i deleguar nga qeveria lart, nga Tirana. Ajo që u kuptua, ishte se qeveria do ta vazhdojë reformën, duke na futur ne tregtarët e vegjël në “Kolektiva tregtarësh”, pra si të themi: tregtarë gjysëm privat. Nuk e kishim dëgjuar më parë këtë fjalë dhe ende nuk e dimë si do të jemi edhe privat edhe kolektiv. Deri këtu ishim mirë në mbledhje. E mblodhëm mendje që do të ketë ndryshime dhe kaq. Në fund u ngrit i deleguari nga Tirana, i cili me fjalë të mëdha po na mbushte mendjen se Partia në qendër veç për ne mendon, aq sa nuk e zinte gjumi për të na bërë të lumtur, ashtu si kllasën punëtore dhe fshatarësinë që “me vullnet”, po kolektivizohet çdo ditë në mbarë vendin. Ai nuk u ndal me kaq, por vazhdoi të përmendë emrat e tregtarëve të vjetër të Durrësit, që ishin shpronësuar, duke i quajtur kapitalistë që i kanë thithur gjakun këtij populli. Partia ia tregoi vendin atyre, por ama nuk i la pa punë. Mendoi edhe për ata, jo si në Neë Jork të Amerikës, ku ka aq e kaq të pa punë. “Ja shikoni se ç’ shkruan gazeta e sotme, për papunësinë dhe binduni”. Delegati u duk që ishte i kënaqur më fjalë e tij dhe me qetësinë që mbizotëronte në sallë.
Xhepi nuk e preu fjalën: – Mbledhja vazhdoi me pyetje dhe diskutime. Heshtje që nuk zgjati shumë, sepse “Shejtani” u zgjua. Nuk dua t’i kujtoj emrin e atij që u ngrit dhe tha me bollëk lavdërime për Partinë dhe qeverinë tonë. Në fund këputi një lloj propozimi, që na habiti e na la pa mend të gjithëve. Po ne qëndruam seriozë, asnjë nuk qeshi me atë budallallëk. Ai, pasi shau e shau sa i hante krahu, të gjithë tregtarët e mëdhenj, tha: “Mendoj se nuk është vonë, që Partia në qendër, me propozimin e masës këtu poshtë në bazë, të veprojë sa më shpejt të jetë e mundur, t’i ndëshkojë rëndë, të hartoj listat e të gjithë tregtarëve durrsak dhe t’i degdisë në Amerikë, ku të vdesin për bukë, sepse nuk do të gjejnë dot punë”. Kaq, dhe u ul qetësisht si shenjtor në “qetësinë” durrsake, duke parë majtas e djathtas, shokët të nxirë në fytyrë.
Pas këtij “Propozimi”, mbledhja u mbyll shpejt. Nuk dihet ç’ do të bëhet, po ky berberi ynë më ka futur frikën, se në atë gjoja në listë më kanë futur edhe emrin tim. Unë nuk i besoj shumë, po edhe s’i dihet. Jam bërë si i dytë nga mendja. çdo ditë dal këtu tek Porti, mos ka ardhur ndonjë anije e madhe e na nisin për në Amerikë. Këta të qeverisë nuk e prishin terezinë, veç kur vjen korrieri tek dera e të thotë: “Nesër bëju gati se do të lëvizësh”. Pa një, pa dy, veç kur e sheh veten në karrocë apo ndonjë makinë të vjetër, pa ditur ku do të vendosesh. Unë, sa për vete e kam përgatitur çantën me ndërresa, madje kam marrë edhe brisqe e sapun, se mbase nuk gjej dot në Amerikë.
Shkodrani i ulur në karrigen e berberit, dukej nga pasqyra që po qeshte si nën buzë, pa i dhënë të kuptojë durrsakut se nuk kishte dëgjuar kurë më parë një humor të tillë, kaq të guximshëm, kaq të bukur dhe të vërtetë. Ai nuk po fliste, veç dukej se po mendonte me vete: “Kot mburremi, se vetëm ne shkodranët bëjmë humor të hollë. Durrsakët, me këtë histori na e kaluan”. U ngrit, ndërkohë Shyqo i shkundi qimet që kishin mbetur mbi xhaketë, dhe pyeti si pa të keq: – Ku është ky klubi që mban raki të fortë, se ne në Shkodër veç raki të butë na japin?
Xhepi e kapi në ajër ftesën për ta pirë së bashku nga një gotë. U ngrit rrëmbimthi, e kapi mikun shkodran nga krahu dhe u drejtuan për tek kafe “Ylli” përballë berberhanes. Ktheu kokën dhe thotë:
– Shyqo! Mos ma mbaj radhën, se do vij nesër ta pres leshin.
Berberi ynë, u ul si i dërmuar në karrige. Fatmirësisht që u mbyll kështu kjo bisedë me rrezik koke, për vetë atë dhe mikun e tij Xhepin.
Kadri Tarelli
Vjeshta e dytë 2021.
Shënim: 1. Emrat e heronjve janë të rastësishëm, por toponimet janë të vërteta të njohura nga qytetaria durrsake. Disa kanë mbetur, disa kanë ndërruar emër dhe shërbim.