(Një rezyme e trishtme)/
Nga Rexhep Kasumaj,Berlin/
Pas çdo rrokullime, trazuese a përmbysëse, një pasmendim i distancuar rreh të rikonstruojë imazhin e saj. Në mbresëlënjen për turbullirat e Prishtinës, pas një nate reflektimi, do t’më thadroheshin tri pamje të habitshme kontrastike.
1.E para kje shpërpjestimi i madh mes palëve në udhë e sheshe. Askund nuk më ka rënë të shoh në përplasje të tilla, disaherë më shumë policë sesa demonstrues!
Përse? Sepse, me gjasë, oligarkët jepnin kumtin e trëmbjes, jo nga “fëmijët e gurëve”, veç nga Akuza e tyre. Por a fishket ideja dhe a fshehet faji nga tymi a mburojat?
2.Mandej, dhe pamja e dytë do të shfaqej poaq groteske në absurdin e saj. Ndërsa kudo të shket këmba gropave dhe gjithçka të vret syrin në ambientin e irnosur kryeqytetas – mbanë tjetër, si një kontrastim pervers, në ndjekje të kundërshtarëve politikë dolën tërbueshëm aradhë e karro policie plot arrogancë e shkëlqim mondan. Dinastët e barrikaduar primitivë, ngasin ashtu, ti përgjasojnë Botës së lirë me mjetet moderne të rendmbajtjes, por vijojnë të mbeten dëshpërimisht e kundërta, fundërrina e saj me kulturën e shtetit dhe moralin e shërbesës.
3.Dhe e treta, do rezultonte sërish përjashtimore. E si mund të ndodhte ndryshe? Ishte metaforë e vetë miljeut që shenjëzonte. Zotimet rituale të guvernantëve për një Republikë të “Egal-Libertesë”, ku shejtnohen vlerat e qytetnisë europiane, do ti trathtonin represaljet e brutale të komandove të maskuar ndaj atyre që, si lisat, ishin shenjuar për tu prerë: në rrugët e mësuara me qizme tiranësh, në trotuaret paqësore, në shtëpitë që gëzojnë të drejtën e denjësisë. E kjo shpaloste, tutje, dy dimensione t’ndryme të së keqes: ndërhyrja e paralajmëruar e, më pas, e porositur, si shpërdorim privat i monopolit të forcës dhe tjetra – urrejtja aq barbare e njësitëve specialë për rivalët e zotërve të tyre, që i shndërronte ata në falanga të fashistizuara regjimesh të Slobodanit të afërt a Trujillos së largët..!
Fantazma e tyre, me ç’duket, endet akoma hakmarrshëm në horizontet e Republikës së brishtë. I pari me dhunën e mashtrimin, kurse i dyti me qejfërinë shpërfillëse e guacën e fildishtë autokratike..!Bota është zvogëluar dhe qiejëve të saj transmigrojnë, tashmë, përvoja e hire që nxijnë a ndrijnë jetën…