DANIEL GAZULLI (1942 – 2012)/
Nga Fritz RADOVANI/
Kështu të njoha!/
Nuk dij se ke ndryshue!/
Gjithnjë kur të kujtoj…/
Më duket se më thue: /
“Jam në udhëtim!..”/
Poezia Yte më ban me t’ “Besue”…/
O Miku im…/
NGA DANIEL GAZULLI:/
NË UDHËTIM/
Në udhëtimin tim,/
sovran i një shpirti të çliruem nga prangat,/
që shpesh të venë urrejtja dhe smira,/
u përpoqa t’i jepja kuptim jetës,/
ndërsa lodhesha në shkronja të pjerrta librash të vjetër,
apo përpiqesha të deshifroja vështrimin shpërfillës të yjeve
në shoqninë e një heshtjes që gdhente dhimbjen mbrenda meje;
mendimet treteshin deri atje përtej ku nuk arrijti kurrë
syni i njeriut; rrezatimi i tyne depërtonte
tej çdo rontegeni në galaktika mjegullore
dhe gjithë bota që më rrethonte tashma ishte mbrenda meje:
drita përshkonte çdo skutë të errtë
e më davariste trishtimin.
Udhëtoja në detin e jetës mes dallgëve të Fatit,
që përditë më ngushtonte horizontet
e më burgoste andërrat e shkronjat m’i ndryshkte,
përkrah udhëtarësh të tjerë me frikën e së nesërmes në bebëze,
me andërrën e Lirisë në qerpik, kthye tashma në një mirazh,
që zhdukej porsa binte mbramja
dhe mbylleshim në një dhimbje memece.
Po kurrë nuk e humba Zotin e Shpresës e të Qetësisë
dhe vazhdova udhëtimin drejt Tij pa lutje të më dhuronte
ma shumë se orët, ditët, vitet e jetës, që bujarisht më kishte dhanë,
ndërsa i gëzohesha edhe një luleje të egër
çelë në mes rrenojave të faltores së shembun nga dora e padijes;
nuk prita si ata që çdo mëngjes
presin vejushat të dalin nga shtëpia
e pastaj përhumben në ekstazë para një gote rakie pa meze
në ajrin e ndotun nga tymi i duhanit;
udhëtimin vazhdova shtegut në mes pyllit të zhytun në mjegull,
sepse e largët nuk do të ishte drita jetëdhanëse e diellit,
që ban të drejtohet e të gjelbrojë edhe atë bimëzën që nën gur
ka kalue e mardhun dhe e zbehtë dimnin.
Udhëtova bashkë me shpirtin e dhimbjes e të mundimeve
në kërkim të Zotit të Shpresës e të Dritës,
që ndriçon në thellësi të qenies së secilit.
***
Shenim nga FR: Me 12 Nandor 2012, na la një nga Figurat e Nderueme të Gazullorëve, që vetem koha, do të sjellin Vlerat e Përjetëshme të Danielit Gazullit tek brezat e rij.
Melbourne, Nandor 2015.
lekmirakaj says
Te mendojsh se askush nuk i afroj keto figura qe do nderojshin komunitetin katolike per ti perfaqesu ne politiken shqiptare.Pa dashtje te shkon mendja me pyet,a thue zgjedhja e elementit katolike si perfaqesues ashte ba e qellimshme?….?