Shkruan:Ilir Levonja-Florida/
Ne nuk e njohim turpin ambasador. Pse flet kot më kot. Çfarë është turpi? E kemi humorin e qejfit shqiptar. Le të flasim një çikë me tone të larta. Nuk e di? Ta them unë. Tek ne nuk njihet turpi. Pasi zgjat fare pak. Tri ditë. Turpin e hamë me bukë ne. I këpusim edhe një gotë verë. Për qejf.
Po deshe inat, po. Atë e njohim. E kemi me shumicë aq sa na nevrikosen edhe vetullat. Sytë na flakërojnë. Nuk e kemi për gjë të vrasim vëllain. Qoftë edhe për një gjerdhishte. A e di se çfarë është gjerdhishtja. Një lloj muri më i fortë se muri kinez. Bëhet me kallama luledielli të tharë. Me thupra. Ose rakita. Ose kallama gardhi i themi ne. I kemi edhe ato me shumicë. I hoven rrugëve nëpër lagje. Jo baçeve. Rrugëve ore rrugëve. Rrugës ku kalojmë. Ato dhe ferrat. Dhe garrupet e zhavoreve. Gurëve.
Se nga ana e brendshme, ua presim këmbët. Nuk kanë se si të vinë nga baçja. Vetëm nga rruga. Mundësisht t’ia marrin shpirtin asaj, rrugës ku kalon vëllai apo fqinji.
Dhe e di, kur shkon në rrethinë, tek ndonjë mik a ndonjë shokë. Nga ata që banojnë në periferi. Kur kanë hovur kallamat qiellit. Kallamat dhe ferrat. Sidomos në pranverë. Të duket sikur po u futesh pyjeve me fidanë kaçubash të reja. Gjarpërojnë për qejfin e më të fortit. Jo të ligjit. Si ato në pyjet tropikale. Plot djersë e gjinkalla të bëjnë.
Ja më këto bëhen gjerdhishtet. Më kësi lloj kallamash. Me kësi lloj rakitash. Kanë në mes edhe nga një hu. Na duhet kur na nxehet gjaku. E shkulim fët e fët dhe varda, vëllait. Por tani ç’është e drejta i ka ikur koha. E kam fjalën për hurin. E kemi zevëndësuar me kallashnikovin e socialrevizionistëve. Nuk e di këtë? Reforma e madhe agraro-bujare e zotit shqiptar, ajo e vitit 1997. Na ra për rrisk. Shkurt nga dhjetë të tillë për frymë.
Lëre më pastaj edhe tritolin. Atë e kemi si llokumet. Ta qerasim me qejf. Sidomos kur je veti i shtatë në makinë. Qoftë me nënën, me gruan, kalamajt. Nuk duam t’ia dimë. Kemi gjak ne. Jo për gjë.
Por le t’i lëmë gjerdhishtet. Se ato janë pjesë e njerëzimit të madh. Popullit. Turmës. Le të flasim pak mes nesh. Mes veti. Ne shtresat e larta. Balli i këtij vendi. Balli i kuq, i gjelbër. Gjaku blu. Baballarët i kemi me nga një dhomë e kuzhinë. Nuk e di?. I ndërtuam me orë punë. Në bazë ndërrmarrjesh. Boll e kanë. Ata për vete janë të kënaqur. Ne bijtë e tyre kemi nga tri a katër vila. I bëm me të ardhura rrufe. Me zgjuarsi. Me zotësi. Sepse ne, nuk jemi si prindërit tanë. Ata e zjejnë kafen në bombla gazi Elka. Nga ato të Zamira Kitës. Mirë tu bëhet se nuk ditën për veten e tyre. Ngelën duke u ankuar për pensionet e ulta. U vret gojën buka. E kanë gojën akoma me amalgan. Dhe tela protezash. Ne flasim e qeshim me porcelan. Kafen e pimë me ttatuazhe qumështi. Vdesim për shqiponjën.
Ne jo vetëm që kemi kapur bollëkun. Modernitetin. Por edhe tangallëkun. Ne kemi edhe qenusha. Të japim leksione. Të tregojnë se sa e rëndësishme është jeta kur shëtit një qen. Kurse prindërit tanë i mbanin përjashta. Herë të lidhur e herë të zgjidhur. Nuk ditën. Injorantët. Kafsha është shpirti i butë. ne tani, ndaj ulemi studiove ndryshe, shpinë drejt, këmbë mbi këmbë. Dhe kur jemi me minifund, rrimë pak menjëanë. Me qenushin. Të veshur me Armani. Ne, fëmijët e parafabrikateve.
Turp. Po çfarë turpi. Po ec aty se tri ditë zgjat. Ndaje shtatë herë një qytet. Jepu kush të jep një dorë para. Jepi çfarë të dojë. Do tokë? Jepi. Do shtëpinë e atij tjetrit? Jepja? Punë e madhe se kush jeton aty. Do tender? Jepi. Do të dalë nga burgu? Nxirre. Mjaft që të marrësh një dorë leku. Çfarë do fol? Do televizion? Do gazetë? Do çmime? Do të bëhesh vip? Të rregullosh jetën? Kollaj. Bëhu LSI-ist. Gdhihesh doktor, profesor, inxhinjer…., madje edhe amerikan. Madje edhe personel i Ambasadës tënde ambasador. Çfarë të keqe ka. Nuk di anglisht? Kollaj. Të japim brenda orës edhe gjuhën angleze. Çfarë do vetëm fol. Krimin më monstruoz të kesh bërë, lirohesh për i çikë. Si djal i mirë lagjeje. Çfarë do. Do të bëhesh familje dëshmori. Pa problem fare. Gjej një kushuri të shtatëmbëdhjetë. Mjafton të jetë vrarë në kohën e luftës. Le të ketë qënë në banjo. Të bëjmë dëshmor. Do të bëhesh kulak? Pa problem. Gjej një nga kushurinjtë që ka thënë, nuk bëjnë specat e fushës. Në kohën e Enverit. Dhe kaq. Nuk ka gajle sepse ti je zëmëruar me atë, kushuririn. Ku di gjë ai. Ai le të hajë trahana. Çfarë do tjetër?
Turp?! Po çfarë turpi. Ec mos e vrit mendjen. Le të jesh betuar shtaqind herë si demokrat. Gdhihesh që nesër socialist. Po qe se ke dhe ca lekë nga trotuaret e Italisë së natës. Apo nga dritat e kuqe të Hollandës. Aq më mirë. Jepu gjysmat fshatit. Se ia marrim prapë me një tender sa për shtatë rrugë. Që do u bëjmë budallenjëve kur të vi fushata tjetër. Aq duan ata. Sa t’u lyesh buzën përsipër. Lekët futi në xhep ti. Janë të tuat. Ta dimë ne. A, kemi burrni për këtë. Dhe po u ndave nga ne sivjet. Nuk ka gjë, se do e sjelli puna që të bashkohemi prapë. Ja kështu. Dhe gdhihesh deputet. Çfarë? Do të shajnë gazetarët? U japim nga një çmim? Pikërisht pse të kanë sharë. U japim dhe ca fonde për ndonjë a dy vjetë. Dhe aq. Ja turp është ky? Eshtë zotësi. Se kot nuk themi ne, bëj mirë sa ke në dorë. Lëre çfarë flasin për ligj shqiptarët. Ligji i tyre, është ky çfarë thashë. Bëj mirë sa ke në dorë. Kaq. Unë ty e ti mua etj.
Turp? Jo, inat. Me inat po. Ndaj mbaje mend mirë, mister ambasador. Turpi është pjesë e një faqe njerëzore. Ku e drejta është universale. Po aty nuk ekziston një e tillë. Aty është e universalizuar në emra konkret. Dhe kjo traditë, vjen nga një traditë e vjetër pagane e jona, mbi perënditë. Pavarsisht se sot jemi më myslimanë apo më katolikë se popujt nga kanë ardhur këto besime. Dhe pavarsisht se ata pionerë të besimeve në Shqipëri, ata nuslimanë të mirë, apo katolikë të mirë, apo ortodoksë të mirë…, që i kujtojmë sa për tu mburrur. I kemi varrosur me kohë. Po të na japi Kina lekë, ne bëhemi edhe si të dojë ajo, budistë apo kinezë komunistë. Kështu që ato të lutura në sheshe, apo qirinjtë e mesnatës janë pjesë e shout të sojit shqiptar. Me baballarë tmerrësisht të varfër dhe djem tmerrësisht të pasur.
Pastaj, duket sikur e ke me shaka. Kur thua…, kur deklaroni që ka (një) deputet të inkriminuar. Me sa duket nuk e di (dini) historinë tonë. Atë që është i yni, është me ne. Ja kështu. Ashtu si puna e çmimit me gazetarin. Të quajmë kriminel kur nuk je me ne. Po, po pasi bëhesh me ne, je i kulluar. Je kristal, qelibar. Dhe ne të tjerët, ne meleonat…, turma kujton se nuk e besojmë që kështu është? Njëqind përqind. Dorën në zjarr e fusim, deri në rrëzë të sqetullës. Për atë qelbësirën vritemi e bëhemi copa. Pra nëse gazetarit i japim çmimin. Qelbësirës i japim lavdinë. Ndaj shkoqur…, me gjithë mend qënka vetëm një aty brenda? Sikur nuk vete. Kaq. Dhe nuk është aspak turp.
Jakov from Israel says
Te lumte zoti Levonja ! Ke guxim qytetar dhe te vleresoje per kete .Por sic e ke thene edhe ti ,atje cdo gje eshte relative –edhe turpi ,qe eshte bere i modes ,moda allaRamaMeta .Hajdute profesioniste dhe aktore me te mire se gjithe famozet e Hollywoodit .Oratore te persosur dhe mashtrues te nivelit te larte qe premtojne Parajsen ,por jane gati te dergojne ne Ferr edhe babane po qe se nuk i perkrah .Nje profesorit tim i kane pervehtesuar pronen e tij ne nje fshat –prone den babaden dhe dikush ,nje horr ka oparaqitur dokumenta noterjale se kjo i takon atij .Po ben cmos i shkreti te gjej te drejten ,por ku gjendet e drejta ne Shqiperine socialiste ku dominojne ne qeveri lamashet e cdo kallepi –drogaxhinje ,hajdut te deklaruar ,trafikante njerezish ,perfitues nga prostitucioni .Ska me nevoje per diplloma po te kesh dajo kalin e betejes .Mos u lodh me kot zoti ambasador se do te gjesh se fundi vetem qenin e ngordhur te Tares .
Fritz Radovani says
Nje shkrim i kohes sotme dhe te neserme. Per dje “nuk dij” cka me thane!!! Te lumte pena!