

Dr. Bexhet Asani/
Në Qendrën Kulturore Shqiptaro Amerikane u kremtua dita e verës, dita më e hareshme e festave të motmotit. Këtë vit 2022 është viti i 6 që festohet dita e verës në këtë Qendër. Nismëtarë të kësa feste ishin prof. Bexhet Asani dhe Astrit Zhaku. Tanimë kjo festë për struganët është bërë traditë. Këtë vit (2022) për të festuar ditën e verës, morën pjesë mbi 300 fëmijë e të rritur. Zonjat strugane përveç qahijave, kuleçve dhe gurabijeve tradicionale që kishin përgatitur për ditën e verës, ato kishin përgatitur edhe ushqime strugane dhe ëmbëlsira. Gëzimi i fëmijëve ishte i madh, po ky gëzim shihej edhe në fytyrat e të rriturve. Në rajonin e Strugës dhe të Ohrit fëmijët shqiptarë shkojnë shtëpi më shtëpi në fshat për vezë të ziera apo të pa ziera, rrinë para derës duke imituar zogjtë ciu-ciu-ciu gjersa të dalë zonja e shtëpisë t’ u japë vezë, disa kokrra misër të zier, gështenja të ziera, mollë, sheqerka etj. Për të gjithë të pranishmit mësueset Zera Musli dhe Gonxhe Meta kishin përgatitur veroret apo martinkat siç i thonë në trevën e Strugës. Verorja (një pe i kuq dhe një me i bardhë të përdredhur) vihet te byzylyku i dorës së djathtë me qëllim që dora të mos ndalohet së punuari gjithë verës! Programin e udhëhoqi Faton Arifi. Përshëndeti kryetari Astrit Zhaku. Për rëndësinë e ditës së verës foli prof. Bexhet Asani. Në këtë festë të gëzuar të kryemotit ishin të pranishëm poetesha me origjinë çame zonja Arjana Fetahu Gaba, shkrimtarja Sabije Veseli, poeti dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë z. Mhill Velaj dhe poeti Idriz Çelaj nga Kosova. Ata përshëndetën të pranishmit dhe uruan që kjo traditë shumë e lashtë të vazhdojë të festohet edhe në të ardhmen. Për pjesëmarrësit e shumtë përveç vezëve të ngjyrosura me lëvoret e qepëve u shtrua një drekë e begatshme sipas traditës.Festën e ditës së verës e përcolli kamermania e pasionuar Ike Bajrami.Në vazhdim po ju prezentoj një album me fotografi të ndryshme nga dita e verës në Nju Xherzi dhe në Strugë.B.A.