Për Shqipërinë, ky projekt parashikohet të jetë një ndër investimet më të mëdha të huaja deri tani, me vlerë prej rreth 1 miliard euro.
Nga Ilir Ikonomi /Zeri i Amerikes/
Përfaqësues diplomatikë të vendeve që do të përfitojnë nga projekti TAP, gasjellësi që do të furnizojë Evropën me gazin azerbajxhanas, thanë në Uashington se ky projekt i hap një të ardhme të rëndësishme sigurisë energjitike dhe zhvillimit. Ata i bënë komentet në një konferencë për shtyp:Përfaqësues diplomatikë të Shqipërisë, Greqisë, Italisë dhe Azerbajxhanit në Uashington thanë se shpresojnë që projekti TAP të vihet në jetë sa më shpejt në këtë rajon të uritur për zhvillim.
Për Shqipërinë, ky projekt parashikohet të jetë një ndër investimet më të mëdha të huaja deri tani, me vlerë prej rreth 1 miliard euro.
Ambasadori i Shqipërisë, Gilbert Galanxhi tha se sot për sot Shqipëria varet nga trillet e natyrës për nevojat e saj energjitike:
“Nëse bie shi ose borë, ne kemi energji, përndryshe nuk kemi. Prandaj ky projekt është shumë i rëndësishëm për diversikimin e burimeve të energjisë, sepse tani ne kemi një mjet të sigurtë për zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri,” tha zoti Galanxhi.
Gjatë fazës së ndërtimit, TAP-i do të hapë vende pune në Shqipëri dhe do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës.
Zoti Galanxhi tha se për këtë arsye projekti gjeti miratim të përgjithshëm në Shqipëri, pa dallime partiake:
“Duhet të theksoj sot se qeveria shqiptare i dha mbështetje të plotë politike projektit. Jo vetëm qeveria por edhe opozita e asaj kohe, e cila do të jetë shumicë qeverisëse në shtator. Pra, marrëveshja e nënshkruar mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, dhe më pas marrëveshja e nënshkruar me TAP-in, u miratua njëzëri në parlament.”
Gazsjellësi Transadriatik, ose Korridori Jugor i Gazit, vendos një lidhje të drejtpërdrejtë mes tregut azerbajxhanas dhe atij evropian të gazit. Më 28 qershor të këtij viti, konsorciumi Shah Deniz zgjodhi TAP-in për furnizimin e klientëve në Greqi, Itali dhe Evropën Juglindore.
Për sa i përket Shqipërisë, ajo shpreson të ketë përfitim të ndjeshëm, sepse gazjellësi do të përshkojë territorin e saj, duke filluar nga Bilishti në kufirin me Greqinë dhe duke kaluar në veri të Fierit me një shtrirje prej 209 kilometrash deri në Adriatik, në zonën e Semanit, për të përfunduar në Itali.
Projekti TAP i jep një shtytje përpara aspiratave për integrim evropian të Shqipërisë, e cila shpreson që brenda këtij viti të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ndërkaq, furnizimi i vendit me gaz i përket fazës së dytë të projektit, sepse Shqipërisë i duhet fillimisht të zhvillojë tregun e saj të gazit.
Në kushtet e vështirësive me të cilat përballen vendet e Evropës juglindore, sidomos Greqia, projekti TAP është parë si nxitës i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik, prandaj miratimi i tij është bërë me shpejtësi dhe nuk ka hasur pengesa në asnjërin prej vendeve të interesuara. Secili prej këtyre vendeve shikon përfitime.
“Për Greqinë, TAP-i do të jetë katalizator për të krijuar vende të reja pune, për të shtuar të ardhurat dhe begatinë. Ky projekt është gjithnjë e më i rëndësishëm, në kushtet e gjendjes së vështirë financiare të vendi,” tha Kristos Panagopulos, ambasador i Greqisë në Uashington.
Edhe Italia e ka pritur me entusiazëm projektin, i cili do të hyjë në territorin e saj përmes Detit Adriatik.
“Ky projekt forcon pozitën e Italisë si pikë nevralgjike për energjinë në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye qeveria italiane është mjaft e angazhuar për të ndjekur nga afër të gjitha fazat e zbatimit,” u shpreh Lorenzo Galanti këshilltar i ambasadës së Italisë.
Italia është tregu i tretë më i madh i gazit në Evropë dhe sot për sot varet shumë nga Afrika e Veriut për furnizimin me energji.
TAP-i ka mbështetjen si të Bashkimit Evropian ashtu edhe të Shteteve të Bashkuara.
Ndërtimi i Gazjellësit është planifikuar të fillojë në vitin 2014 dhe pritet të zgjasë katër vjet.