Nga Bardhyl MAHAMUTI/
Mediet e kontrolluara nga pushteti politik i Beogradit aktualizuan temën e konstruktuar nga Shërbimi Sekret i Serbisë për gjoja lidhjen e personaliteteve më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me organizatat terroiriste islamike. Kësaj radhe në shënjestër të akuzave serbe ishte Daut Haradinaj. E shoh të arsyeshme ta botoj si shkrim të veçantë këtë temë, të cilën e kam trajtuar në librin tim, për të nxjerrur në shesh domosdoshmërinë e zhveshjes së kësaj propagande politike dhe mediatike që fatkeqësisht mund të ketë ndikim te njerëzit që nuk e dinë se çka ka ndodhur në Kosovë para dy dekadash.
Lus mediet që e shohin të rëndësishme zhveshjen e kësaj propagande me fakte të pakontestueshme ta publikojnë këtë shkrim.
* * *
Misionet diplomatike të Jugosllavisë kishin shpërndarë në të gjitha vendet me peshë në skenën politike ndërkombëtare materialin e përgatitur nga shërbimet sekrete të Serbisë, nëpërmjet të cilit “informonin” se “më tepër se 1000 mercenarë të huaj nga Shqipëria, Arabia Saudite, nga Jemeni, nga Afganistani, nga Bosnja e Hercegovina dhe nga Kroacia ishin të angazhuar në radhët UÇK-së.” (“Vlada Srbije: Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovu i Metohiji”, Beograd, shtator 2003; botimi në versionin serb f.9, në versionin në gjuhën frënge, f.207 dhe në versionin në gjuhën angleze, f.199)
Për ta “shitur” më lehtë stigmatizimin e luftës çlirimtare të Kosovës si të ishte një luftë fetare, autorët e “librave të bardhë” shpërndanë gënjeshtrën se gjoja “në Konferencën e 18-të Islamike, të mbajtur në Pakistan në vitin 1998, separatizmi shqiptar në Kosovë ishte cilësuar si “xhihad” dhe të gjitha vendet myslimane ishin ftuar për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane! (…) Në përputhje me këtë thirrje një numër islamikësh fanatikë nga Afganistani, Algjeria, Egjipti, Çeçenia, Irani dhe nga vende të tjera iu përgjigjën thirrjes dhe u përfshinë në shtabet e njësive komanduese të UÇK-së në Kosovë si instruktorë për stërvitje speciale ushtarake të disa formacioneve të UÇK-së.” (Vepra e cituar më lartë, botimi në versionin serb f. 41, botimi në versionin në gjuhën angleze f. 36)
Përmes kësaj gënjeshtre synohej të manipulohej ajo kategori e njerëzve që kishin frikë nga fondamentalizmi islamik dhe nuk kishin njohuri për zhvillimet reale. Në të njëjtën kohë, kjo gënjeshtër u shërbente politikanëve të llojit të Jean-Marie Le Pen-it që “frikësonin” evropianët me rrezikun që u kanosej të islamizoheshin nga Kosova e pavarur, apo gazetarëve dhe publicistëve që kërkonin të stigmatizonin mbështetjen që i jepej luftës çlirimtare të Kosovës sikur të ishte luftë me konotacion fetar.
Të vetëdijshëm se realiteti ishte krejtësisht ndryshe, sajuesit e kësaj gënjeshtre shpresonin se informatat nuk do të verifikoheshin. Të gjithë atyre që u ka interesuar e vërteta për pohime të tilla, kanë pasur mundësi të vërtetojnë se Konferenca e 18 Islamike nuk u mbajt në Pakistan, siç pretendohej në këtë «Libër të Bardhë», por në Arabinë Saudite dhe në datat 13-16 mars 1989 [La dix-huitième conférence islamique des ministres des affaires étrangères Riyadh, Royaume Diarabie Saoudite, 6 au 9 Cha’abane 1409-H, (13-16 mars 1989) http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/18/18%20icfm-main.htm]. Pra, dhjetë vjet para Luftës së Kosovës! Madje, jo vetëm lufta e Kosovës që nuk ka mundur të përmendet dhjetë vjet para se të fillojë por, në këtë Konferencë Kosova nuk është përmendur fare.
Sa i përket Pakistanit, në këtë shtet është mbajtur Konferenca e 21-të Islamike nga 25-29 prilli 1993. [La vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères (Session de l’unité et de la coopération islamiques pour la paix, la justice et le progrès Karachi, République islamique du Pakistan 4-8 Zul-Oaada 1413 ( 25-29 avril 1993)].
Pra, edhe Konferenca islamike në Pakistan është mbajtur para shpërthimit të luftës në Kosovë dhe rrjedhimisht nuk kishte mundësi që të kualifikohej si “xhihad” një luftë që ende nuk kishte filluar. Gjatë Konferencës islamike të mbajtur në Pakistan në vitin 1993, në kuadër të rezolutës 7/21-P, kushtuar situatës në Bosnje e Hercegovinë, në pikën 28 të saj, përmendet edhe Kosova. Përmes kësaj rezolute “kërkohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes, tani më të tendosur, në Kosovë, në Vojvodinë, në Sanxhak dhe në Republikën e Maqedonisë.” (Rapport et résolution sur les affaires politiques, les minorités musulmanes, les questions juridiques, et de l’information adoptés par la vingt-et unième conférence islamique des ministres des affaires étrangères. Shih : http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/21/21%20icfm-political-fr.htm )
Siç shihet qartazi, qëndrimet e shprehura në këtë rezolutë nuk dallojnë aspak nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit i OKB-së. Përkundrazi, janë më pak të ashpra se qëndrimet e shprehura përmes rezolutave të Këshillit të Sigurimit.
Ndërsa në vitin 1998, në kohën kur zhvillohej lufta në Kosovë, Konferenca Islamike mbajti mbledhjen e radhës në Katar. Gjatë sesionit të 25 të kësaj organizate u miratua rezoluta 19/25-P që kishte të bënte me situatën në Kosovë (Session Du Conseil Des Ministres Des Affaires Etrangères des Etats membres de l’OCI, 15-17 mars 1998. Shih :http://www.oic-oci.org/french/conf/fm/25/Resolutions25-P.htm#19).
Kjo rezolutë nuk përmbante asnjë cilësim të luftës së Kosovës si “xhihad” apo “thirrje drejtuar vendeve myslimane për çlirimin e territoreve të pushtuara myslimane”, siç gënjente propaganda serbe.
Propaganda për gjoja lidhjet e UÇK-së me ideologjinë e ekstremizmit fetar islam dhe për gjoja “instruktorë të fondamentalizmit islamik, që stërvitnin ushtarët e UÇK-së”, nuk gjeti mbështetje të gjerë, siç kishin shpresuar udhëheqësit e propagandës së regjimit të Beogradit. Përveç disa artikujve në gazeta, të cituara në librin tim, ku shihej ndikimi i kësaj propagande, përpjekjet për të paraqitur UÇK-në si “organizatë terroriste me pikëpamje fondamentaliste islamike” kishin dështuar. Zhgënjimin e autoriteteve serbe për këtë dështim e shprehu publikisht ministri i Informacionit të Republikës së Serbisë, Goran Matić-i. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Međunarodna politika” ai deklaroi se “është e pabesueshme se si fondamentalistët islamikë cilësohen si terroristë vetëm kur vrasin amerikanë. Ndërsa, kur vrasin qytetarë të pafajshëm të Jugosllavisë ata cilësohen si luftëtarë të drejtësisë.” (Radio Jugoslavija, «Double standard?», 29.08.1998. Shih :http://www.srpska-mreza.com/Kosovo/atrocities/Klecka-2.html).
Dështimi i propagandës për “instruktorë fondamentalistë islamikë që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” dhe sidomos qëndrimet e institucioneve ndërkombëtare kundër dhunës së forcave të armatosura policore dhe ushtarake serbe e tërbuan pushtetin e Beogradit.
Ky tërbim mori përmasat e një histerie, veçanërisht pas denoncimit që William Walker-i i bëri vrasjes së civilëve shqiptarë në fshatin Reçak. Kualifikimi i Walker-it se ajo që kishte ndodhur në këtë fshat “ishte krim kundër njerëzimit” dhe se “ata që kishin dhënë urdhër për këtë krim duhej të jepnin llogari para drejtësisë” bëri që “instruktorët e fondamentalizmit islamik që stërvitnin ushtarët e UÇK-së” të harroheshin përkohësisht nga propaganda e Beogradit. Ata u “zëvendësuan” me “instruktorë ose specialistë me mbiemra amerikanë ose anglezë që kishin ardhur të stërvitnin ushtarët e UÇK-së…”. Sipas qëndrimit të ri propagandistik të regjimit serb, “ekspertët që stërvitnin ushtarët e UÇK-së kanë mundur të jenë instruktorë të Walker-it ose mercenarë të shërbimeve dhe të organizatave të tjera anglo-amerikane.” (Večernje novosti, artikulli i cituar, «SLUČAJ RAČAK PET GODINA POSLE …». shih:
http://www.novosti.rs/vesti/naslovna/aktuelno.69.html:154641-SLU268AJ-RA268AK-PET-GODINA-POSLE-INSCENIRANOG-MASAKRA–Laz-u-sluzbi-tomahavka—4
Në Kapitullin e tretë të librit tim është trajtuar hollësisht manipulimi me gjoja “zbulimin e listës së 126 terroristëve” të brigadës që kishte Shtabi i UÇK-së në Reçak).
Ata që kanë lexuar librin tim u kujtohet zhurma që bënë patologët e ekipit mjekoligjor serb për gjoja “zbulimin” se “tri kufomat e paidentifikuara në Reçak kishin shenja në trupat e tyre që dëshmonin se nuk kanë qenë myslimanë ose pjesëtarë të popujve që bëhen synet pas lindjes.” (RTV Serbisë, dokumentari « Kosovo : Račak Laži i istine ». Shih: https://www.youtube.com/watch?v=eS7scYW6el4).
E tërë puna e “synetit” sillej rreth strategjisë që “komploti antiserb” t’u atribuohej “shërbimeve të huaja sekrete” të shteteve perëndimore.
Krahas stigmatizimit të shërbimeve sekrete amerikane dhe britanike, si të implikuar në “përgatitjen e terroristëve shqiptarë”, nuk mungojnë autorët që implikojnë edhe shërbimin sekret francez [Pierre Péan, Kosovo: une guerre “juste” pour un Etat mafieux, (Një luftë e “drejtë” për një shtet mafioz)f.121-141] dhe atë gjerman [Réseau Voltaire, «L’UÇK, une armée kosovare sous encadrement allemand» (UÇK-ja – Ushtria kosovare nën drejtimin gjerman) http://www.voltairenet.org/article615.html ] në lidhjet me UÇK-në.Për ta kompletuar akuzën se gjoja “komploti kundër Serbisë vjen nga jashtë”, shteti serb denoncoi edhe “tolerancën” e shteteve të demokracive perëndimore në raport me “terroristët shqiptarë”. Këto akuza u drejtuan në veçanti kundër “tolerancës” së autoriteteve gjermane dhe zvicerane. Sipas «Librit të bardhë» “autoritetet gjermane ia kishin lënë UÇK-së kazermat e braktisura të NATO-s (në Hanover, në Nüremberg, në Bon dhe në Frankfurt) dhe qindra kampe të azilkërkuesve, ndërsa autoritetet e Zvicrës, i paskëshin lejuar “kampet paramilitare private, sallat e gjuajtjes me armë dhe klubet e sporteve luftarake për nevojat e UÇK-së.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” botimi në gjuhën frënge f. 209, botimi në gjuhën angleze f.204, ndërsa versioni elektronik në gjuhën serbe, f.9).
Me një fjalë, sipas propagandës serbe, shumë shtete perëndimore ishin mobilizuar në komplotin kundër Serbisë!Përkundër asaj se pas krimeve në fshatin Reçak “instruktorët anglo-amerikanë” dolën në rrafshin e parë propagandistik të regjimit të Milosheviqit, ndërrimi i “instruktorëve islamikë fondamentalistë” me “instruktorët anglo-amerikanë” nuk e hoqi tërësisht propagandën serbe që synonte përafrimin e UÇK-së me grupet terroriste islamike. Në të gjitha ribotimet e mëvonshme të “librave të bardhë” ky stigmatizim mundohet të mbahet gjallë duke u ilustruar me “argumente të reja”.
Duke shpresuar se konteksti i ri ndërkombëtar, i krijuar pas atentateve të 11 shtatorit 2001, ishte i favorshëm për të shpërndarë propagandën e moçme të “lidhjeve” të UÇK-së me ideologjinë “fondamentaliste islamike”, propaganda e pushtetit të “ri” të Beogradit aktivizoi arsenalin e vjetër propagandistik. Në botimin e vitit 2003 të “Librit të bardhë” u përsërit deklarata e Milosheviqit në fjalën hyrëse të procesin gjyqësor kundër tij se gjoja “në vitin 1995 Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Shqipëri, si mysafir i presidentit të atëhershëm, Sali Berishës.” (Fondi për të Drejtën Humanitare, Beograd, Serbi, Procesi kundër Slobodan Milosheviqit, Traskriptet e seancave:
Fjala hyrëse e të akuzuarit Slobodan Milosheviqit, 15 shkurt 2002).
Shërbimet sekrete serbe shpërndanë “informatën” se gjoja “në atë kohë janë formuar bazat për mbështetje logjistike dhe për përkrahje financiare të organizatës Al Kaeda dhe celulat e saj në Kosovë dhe në Metohi.” (Libri i cituar “Vlada Srbije: Albanski terorizam …” f.40). Sipas kësaj propagande, përveç Bin Ladenit “në atë takim kanë qenë të pranishëm edhe Muhamet Al-Zawahiri, vëllai i ideologut të Al Kaedas, Ajman Al-Zawahiri-t, ndërsa nga pala shqiptare, përpos presidentit Berisha, të pranishëm ishin edhe Bashkim Gazideda, ish-shef i policisë sekrete të Shqipërisë, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj…” (Po aty)
Shpërndarja e kësaj dezinformate synonte pezmatimin e opinionit publik perëndimor e në veçanti opinionin amerikan që kishte mbështetur luftën kundër regjimit të Milošević-it. Gënjeshtra se Osama Bin Laden-i kishte qëndruar në Kosovë dhe se gjoja kishte krijuar bazat e Al Kaedas në këtë pjesë të Evropës ishte gënjeshtra më skandaloze që trilloi Shërbimi Sekret Serb. Fatkeqësisht, edhe pse shumica e autorëve që e përmendin këtë “informatë” theksojnë se është “e pabesueshme që Bin Laden-i të ketë qëndruar në Shqipëri” (shoh referencat në librin tim), kjo “informatë” gjeti një vend të konsiderueshëm në mediat dhe në veprat e autorëve të ndryshëm perëndimorë. Dhe si e tillë, ajo paraqet një mundësi për vazhdimin e manipulimeve me lexuesit e painformuar.