Presidenti Meta, Kryeparlamentari Veseli si dhe Kryeministrat Ramush Hardinaj e Edi Rama, marrin pjesë në përurimin e shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes së Prizrenit/
-Në Prizren, në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare, drejtues të Shqipërisë e Kosovës përurojnë shtatoret e tre liderëve historikë, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu/
PRIZREN, 25 Nëntor 2018-Gazeta DIELLI/ Në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në vitin e 140 vjetorit, sapo u përuruan sot pasdite shtatoret e tre liderëve historikë, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Përurimi u bë nga drejtuesit më të lartë institucionalë të Shqipërisë e Kosovës, presidenti Ilir Meta, kryeministrat Edi Rama e Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentari Kadri Veseli. Ata edhe vendosën kurora lulesh në shtatore, e më pas të gjithë të pranishmit i përshëndeti me një fjalë rasti kryetari i Prizrenit Mutahir Haskuka.
Fjalë rasti mbajtën edhe presidenti Meta, kryeparlamentari Veseli dhe kryeministrat Rama e Haradinaj, derisa ishin të pranishëm edhe përfaqësues tjerë shqiptarë nga trojet etnike.
Në 10 qershor në qytetin e Prizrenit janë zhvilluar veprimtaritë e ditës së jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare, të nisura në Prishtinë në 8 qershor me një konferencë shkencore ndërkombëtare, organizuar nga akademitë e shkencave të Shqipërisë e Kosovës./b.j/
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë sot në përurimin e shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes historike të Prizrenit.Me rastin e 140-vjetorit, në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përuruan pasditen e së dielës shtatoret e tre udhëheqësve historikë të saj: Ymer Prizrenit, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshit.Në veprimtarinë që u organizua nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të festimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrave të kabineteve qeveritare të Kosovës e Shqipërisë, etj.
Në përshëndetjen e tij, Presidenti Meta theksoi: “Për mua është një nder dhe kënaqësi e veçantë që të jem sot në Prizren vetëm pak muaj pasi përuruam fillimin e përpjekjeve për vendosjen e këtyre shtatoreve. Shpreh kënaqësinë që në një kohë kaq të shpejtë është realizuar kjo vepër e jashtëzakonshme dhe e shkëlqyer.
Dua të përshëndes qeverinë e Kosovës, por edhe të gjithë artistët, të cilët kontribuuan që Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi dhe Abdyl Frashëri të “rikthehen” në Prizren dhe me këtë rast, të na bashkojnë të gjithëve për të nderuar atë akt të jashtëzakonshëm që ata kryen 140 vite më parë.
Aq më tepër që jemi mbledhur në një ditë nëntori, në një atmosferë të jashtëzakonshme të festave tona, të cilat lidhen jo vetëm me këtë Vit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, por njëkohësisht edhe me 110-vjetorin e Alfabetit të njësuar të Gjuhës Shqipe dhe natyrisht, edhe me festën tonë, që na bashkon të gjithë shqiptarëve kudo në gjithë botën, me atë të 28 Nëntorit, Festën e Flamurit Kombëtar.
Faleminderit të gjithëve për këtë angazhim mjaft serioz! Le të përfitojmë nga ky çast për të bërë thirrje të forcimit të bashkëpunimit, dhe të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në interes të prosperitetit të kombit tonë, por njëkohësisht edhe të përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve për forcimin e perspektivës sonë europiane dhe të gjithë popujve të tjerë në këtë rajon!”
***
SHQIPTARËT, TË VENDOSUR TA REALIZOJNË TË DREJTËN
“Kushdo që dyshon se ne nuk do ta ndjejmë rrugën përpara, se nuk do ta dimë atë rrugë dhe nuk dimë t’i marrim veprimet e duhura, gabon. Nëse jo për tjetër, na mësojnë sot heronjtë këtu dhe na mëson e kaluara jonë. Ne jemi të vendosur që ta realizojmë të drejtën tonë, të drejtën e Kosovës, ashtu sikurse shqiptarët në trojet e veta do të realizojnë të drejtën e vet”. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në përurimin e shtatoreve të tre liderëve historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, ngjarje kjo e organizuar në kuadër të shënimit të Vitit Mbarëkombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nën patronatin e Kryeministrit. Fillimisht personalitetet e larta shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë, zbuluan dhe bën homazhe tek shtatoret e tre liderëve historik, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi.
Kryeministri Haradinaj tha se vepra e sotme, shtatoret e heronjve, janë pjesë e përgjegjësive të marra nga Kosova në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të heroit tonë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.“Një vit më parë kur e kemi nisur këtë vit bashkë me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë, kemi hartuar një plan veprimi dhe sot shohim njërën nga ato të arritura, shtatoret e heronjve tanë”, tha kryeministri Haradinaj.Para të pranishmëve të shumtë, personalitete të larta të Republikës së Shqipërisë, zyrtarë të institucioneve vendore, kryeministri Haradinaj ndërlidhi ngjarjet që kanë peshë në ditën e sotme, duke filluar nga Viti Mbarëkombëtar i Skënderbeut dhe porosia që dërgoi ai për popullin e vet, për Perandorinë e atëhershme Otomane, por edhe për kontinentin, pjesë e së cilës jemi.“Ajo porosi nuk është shuar asnjëherë, por u rikthye fuqishëm këtu ku jemi sot, për shqiptarët edhe njëherë më 1878. Nuk u shua etja për liri dhe guximi për të luftuar për të drejtën tonë, dhe atë e gjejmë më 1912 në Vlorë, me Pavarësinë e Shqipërisë. Por, jo vetëm kaq. Nuk u shua në pjesën e atdheut të robëruar dhe ashtu sikur Skënderbeu në kohën e vet, ashtu sikur Lidhja Shqiptare e Prizrenit, po ashtu edhe UÇK-ja e Kosovës, guxoi të dalë kundër perandorisë së atëhershme, pra perandorisë jugosllave, një perandori që me dekada i kishte shtypur shqiptarët padrejtësisht në trojet e veta”, tha kryeministri Haradinaj.Më tej, kryeministri Haradinaj theksoi se në ditën e sotme, e mira e kësaj porosie është se nëse nuk heqim dorë nga e drejta jonë, ajo do të bëhet realitet.Nga një fjalë, në përurimin e shtatoreve të tre liderëve historik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshi, e kanë mbajtur edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.Të pranishëm ishin edhe ministra, deputetë, udhëheqës fetarë, dhe shumë personalitete të tjera e qytetarë të Komunës së Prizrenit.
***
Veseli në Prizren: Të bashkuar si sot, të lartësojmë veprat e baballarëve të kombit
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, me rastin e vendosjes në qytetin e Prizrenit të shtatoreve të tre drejtuesve të shquar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni dhe Sulejman Vokshi, ka thënë se këto shtatore përjetësojnë një moment vendimtar në historinë tonë kombëtare: momentin kur këta tre burra të mëdhenj e bashkuan kombin përball rreziqeve të kohës. Duke e konsideruar këtë ditë, të veçantë për Prizrenin dhe gjithë kombin shqiptar, Veseli tha se në mesin tonë po kthehen të përjetësuar tre baballarë të kombit, të cilët nisën rrugëtimin me idenë e lirisë dhe të shtetit kombëtar të shqiptarëve.Por, shtoi Veseli, kjo ditë nuk do ta kishte këtë hijeshi, pa një histori tjetër të veçantë të kombit tonë, e cila ndodhi këtu e 21 vjet më parë, pra ballafaqimi i parë frontal i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, udhëhequr nga Komandanti Legjendar Adem Jashari, e cila për herë të parë poshtëroi në mënyrë disfatiste ushtrinë dhe policinë serbe.“Sot ne shqiptarët kemi shtete, kemi liri, identitet e krenari, por kemi edhe partnerë, në rrugëtimin tonë drejt integrimeve euro-atlantike. Do të vazhdojmë kështu si sot, të bashkuar, për të përkujtuar dhe lartësuar çdo herë veprat e atdhetarëve dhe baballarëve të kombit. Njëkohësisht, edhe për të dëshmuar se jemi të përgjegjshëm dhe të vëmendshëm për të gjitha sakrificat që janë bërë, si dhe për të ruajtur e çuar përpara amanetin e heronjve dhe martirëve të kombit. Lavdi e përjetshme heronjve të atdheut”, tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.
7 Attachments