
Në dy vjetorin e kalimit nga kjo botë e baba Arshi Bazait
Nga Dervish Eliton Pashaj
Gjashtë vjet pranë, baba Arshiut, këtu në teqenë e famshme të baba Rexhebit në Detroid, teksa i kundroj sot, më duken si gjashtë ditë-netë të mrekullueshme ku me të vërtetë askurrë nuk e kuptova se ku mbylleshin qiejt e kësaj bote dhe ku hapeshin qiejt e botës tjetër, mistike, drithëruese deri në qelizën e fundit të shpirtit. Tek e shihja ashtu në mendim të thellë, në lutje, në ato vite që pasi kishin lënë shekullin sfidonin mileniumin e ri, baba Arshi Bazai më ngjallte më shumë se emocione dhe shpresë. Me ngjallte sidomos krenari kur shkoja ndër mend se ky bir i vuajtur i Labërisë, ky dervish i teqesë emblematike të Kurorës së Malit, edhe pse i kishte kaluar të njëqind vitet, rrezatonte ende me një forcë mahnitëse , urtësinë e bektashinjve shqiptarë, në këtë vend të bekuar, por kaq të zhurmshëm dhe multifetar siç është Amerika. Rrezatonte përmes fjalëve të buta që i dilnin nga shpirti dhe merrnin udhë siç marrin zogjtë e marsit në Sevasterin plot ujëra e gjethe. Në një hadith kudsi thuhet se “Besimtari më afrohet Mua pa pushim edhe me lutje nafile dhe paskëtaj Unë nuk e ndaj nga vetja. Pasi t’i dua, bëhem për ‘ta veshi që i dëgjon, syri që i sheh, dora që i zë dhe këmba që i ecën. I jap ç’të më kërkojë dhe nëse mbështetet plotësisht tek Unë, e mbroj nga gjithçka”. Shumë autorë mistikë, janë në të njëjtën ide se nafilet e kryera me zemër, pasi të jenë kryer detyrimet me sinqeritetin më të madh në çdo element të tyre, përbëjnë kushte për mirësi të shkëlqyera të Krijuesit. Për të merituar këto vlera të rralla, sigurisht ne kemi zhvilluar ndjenjat tona shpirtërore dhe mbajtur kurdoherë në ekuilibrin e duhur dëshirat e tjera që lidhen me gjërat vdektare të kësaj bote. Përmes kësaj maturie unike, besimtari i vërtetë në çdo qëndrim apo lëvizje i hedh hapat e sigurt sipas vullneteve hyjnorë dhe asgjë tjetër e rrejshme , sado epshndjellëse të jetë, nuk mund të derdhë mjegull e suferinë në këtë udhëtim ku vullneti i njeriut të sinqertë është i shkrirë në vetë vullnetin e Krijuesit. Jeta e Arshi Bazait nuk është gjë tjetër veçse një ndërthurje emblematike e porosive hyjnore me realitetin e bektashizmit në Amerikë, në gjysmën e shekullit që lamë pas. Po punoja dikur në oborr të teqesë ndërsa babai çapitej në itinerarin e zakonshëm, nga dera e teqesë në tyrbe, ku kujdesej, lutej e llafoste shpesh me myrshidine tij, baba Rexhebin. Isha lodhur nga vapa, , kur aty erdhën dy-tri vizitorë dhe unë duke i udhëhequr për në teqe u thashë si me të qeshur: “Pa shikoni ç’kam bërë sot!”. S’e kisha parë babanë që ishte pranë, por kur mora t’i qerasja miqtë, ndjeva zërin e tij. Siç ishte zakoni, i lashë miqtë në dialog me babanë. Vonë në mbrëmje, pasi kishim ngrënë bukë baba Arshiu me atë zërin e lartë më tha tek rrinim të dy së bashku: “Dervish, gjithçka që bëhet për t’u dukur, humbet shpejt. Si ajo vesa në gusht. Gjithçka që bëhet pa u dukur, mbetet për jetë”. Pastaj më solli ndër mend atë thënien e bukur të Haxhi bektash Veliut që tetë shekuj më parë kumtonte: “O dervish, dije se veliu i Allahut është Nuhu i kohës së vet. Ndihma e tij, është anija që i shpëton robërit prej ujërave që mbysin. Por në rrjedhën e furishme, një trup i fuqishëm edhe mund t’ia dalë mbanë, ndërsa mbajtja në padije është mijëra herë më e rëndë. Sepse nëse humbet aty, nuk del dot më, në dritë. “Krejt dijen që do marrësh, e mbylli bisedën baba Arshiu, ruaje si xhevahir e mos e mburr se e kemi pak zakon ne vlonjatët.” Kisha vënë re së në çdo bisedë, këtu në kafeoxhakune teqesë, ndërsa fliste butë but, babait i ndrinin sytë. Veçanërisht kjo dritë, dukej të zbriste prej syve dhe mbushte kafeoxhakun, kur vizitorët ishin të vjetër në moshë. Sigurisht kishin çfarë të kujtonin, ndaj dhe orët kalonin pa u ndjerë. Dikur, dikush prej vizitorëve tha duke psherëtirë: “Eh mor hejvallah, s’paguhej kopshti i mollëve aherë!” Dhe nisi të tregonte se kur vileshin mollët, vinin rreth 20 të rinj e të reja dhe i vendosnin në arka, shumë i shisnin, të tjerat i ruanin për vizitorë. Dhe 400 rrënjët e mollëve kishin vetëm një kujdestar, baba Arshiun. Ç’të jetë kjo lidhje kaq e thellë me pemët , e pyesje veten duke parë babanë me tërë ato vite mbi supe. Pastaj, kur lexova më shumë për bektashizmin në botë, kur mësova se çfarë mrekullie frutore kishin mundur të ngrinin dede Ahmeti dhe dervish Reshati në Drizar, kur pashë me sytë e mi se çfarë pune bëjnë në Shqipëri sot dervishët dhe baballarët, mendova se dashuria e tyre për drurët, sidomos për brezat e besimtarëve, do të mbetet një vullnet hyjnor i pa përsëritshëm. Një muaj para se të ikte nga kjo botë, baba Arshiu u kujtua që ishte nëntor dhe më porositi të mbjell disa selvi. I donte shumë ata drurë. Unë i thashë me shaka, po ç’të duhen o baba, shiko shëndetin një herë, pa ato i rregullojmë. Më pa në dritë të syrit dhe tha: Dëgjon dervish e bëj ç’të them! M’u kujtua ndërkaq një thënie e profetit tonë të bekuar kur thoshte se, nëse shoh që po afron kiameti, e ke një fidan në dorë, mbille atë…Një varg i Dritero Agollit më ka mbetur në mend: Detin e çmoj, por çmoj dhe një pikë ujë! Baba Arshi Bazai, deri në çastin e mbramë të kësaj bote, vërtetë jetoi pa bujë. Për mua, krejt ata bektashianë që e njohën, që ja dëgjuan zërin dhe këshillën e urtë, ai do të mbetet burim i kulluar nga deti i kristaltë i dijeve të tij. Ne do t’i vëmë buzët në këtë burim sa herë të kemi etje shpirtërore. Do desha që këtë mendim ta mbyll me vargjet:
Në zemër rri qetësia e liqeneve që flenë,Netëve ku hëna digjet si qiriu,Fjalë të pathëna vijnë përmes ujërash,Fjalë që i kuptojmë veç unë e baba Arshiu.