
Dr. Evarist Beqiri/
Sagës së Pavarësisë po i vinte fundi. Ismail Qemal Vlora dhe delegatët u nisën nga Trieste drejt brigjeve shqiptare, më 19 nëntor me anijen austriake “Brünn”. Në mbrëmjen e 20 nëntorit 1912, nën dritën e hënës vezulluese që po shkëlqente në brigjet shqiptare, pranë Kepit të Rodonit ose Kepit të Skënderbeut, ata zbritën tek anija tjetër austriake “Wurmbrand”, ku kaluan natën para zbritjes në Durrës. Nën yjet e netëve magjike të vjeshtës shqiptare, Providenca kishte parashikuar që ata para se të kurorëzonin misionin e tyre të shenjtë në Vlorë, duhet që të bënin një ndalesë të fundit, pikërisht para Kështjellës dhe Kishës së Heroit tonë Kombëtar, në Rodon. Heroi kombëtar i dha bekimin hyjnor Ismail Qemalit, në vjeshtën e artë të shqiptarizmës. ![]()
Ja si e kujton këtë çast një pjesëmarrës në këtë ngjarje, Dhimitër Zografi: “Në të njëjtën ditë me delegatët e Bukureshtit mbërritën në Trieste edhe Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin. Ata sollën lajmin se Vlora ishte bllokuar nga grekët, ndaj duhej të niseshin menjëherë drejt Durrësit pa u mbyllur ende kjo rrugë. Në dispozicion të delegatëve shqiptarë, Austria kishte vënë vaporin special “Graf Wurmbrandi”.” Misioni i tyre do të kishte mbrojtjen e Austrisë dhe Italisë. Në Trieste blenë armë dhe municione dhe u nisën drejt Shqipërisë.
Në Durrës, Ismail Qemali nuk dëshironte të vonohej aspak. Ai shpjegoi gjendjen aktuale të Shqipërisë. “Turqia i lau duart nga Ballkani,” – u tha ai, – “por që Shqipëria të mos bjerë në një robëri tjetër duhet të ngrejmë flamurin dykrenor kuq e zi, dhe të shpallim vetëqeverimin e Shqipërisë të mirëpritur edhe nga Fuqit e Mëdha…”. Një çast gjithë mbledhja mbeti e hutuar. Ajo që dëgjuan nga goja e Ismail Qemalit ishte mes së besueshmes dhe të pabesueshmes.
Faktikisht, asnjëra nga Fuqitë e Mëdha nuk kishte ndërmend që të na falte Pavarësinë. Nëse ajo nuk do të bëhej në atë moment të fundit, nuk do të mund të realizohej më kurrë. Nëse Ismail Qemal Vlora nuk do të kishte mbledhur patriotët nga mbarë trojet shqiptare atë fund nëntori në Vlorë, me siguri që Shqipëria do të copëtohej njëherë e mirë midis fqinjëve grabitqar.
Prandaj, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë duhej të bëhej me çdo kusht, gjallë a vdekur. Vetëm në këtë mënyrë Fuqitë e Mëdha do t’i njihnin të drejtat legjitime të shqiptarëve. Sepse nëse ka diçka që historia e njerëzimit na mëson, është fakti që çdo betejë për lirinë njerëzore është fituar me anë të forcës.
Pavarësia e Shqipërisë i ka themelet tek lufta shekullore për liri, tek sakrificat dhe gjaku i derdhur ndër shekuj nga shqiptarët. Austro-hungarezët e mbështetën Ismail Qemalin, sepse ishin të vetëdijshëm që ai ishte i vetmi udhëheqës që mund t’i përbashkonte shqiptarët në këtë moment historik. Ata u pajtuan me krijimin e Shqipërisë së pavarur, pavarësisht përmasave të saj. Fuqia e perandorisë austro-hungareze ndikoi që çështja shqiptare të gjente një zgjidhje, qoftë kjo edhe e pjesshme. Megjithatë, trojet shqiptare u copëtuan brutalisht, duke lenë jashtë kufirit gjysmën e popullsisë etnike shqiptare.
Ismail Qemali, me trishtim, do të shprehej: “Në qoftë se shqiptarëve nuk do t’u mjaftojnë forcat për të zmbrapsur sulmin e padrejtë [të fqinjëve], […] , atëherë ata nuk do ta humbin shpresën se kombet e qytetëruara të Europës dhe sidomos Fuqitë e Mëdha, të cilat … do ta njohin drejtësinë e synimeve tona. … Edhe nëse diplomacia nuk do t’i njohë menjëherë të drejtat e shqiptarëve, koha do t’i njohë ato patjetër më vonë.”.
Në intervistën e dhënë për gazetën më të madhe austriake të kohës “Neue Freie Presse”, në Vjenë më 8 nëntor 1912, Ismail Qemali shpalosi idetë e tij për politikën që do të ndiqte shteti shqiptar në raport me fqinjët ballkanikë. Ai e krahason pretendimin e Serbisë për të pasur një port në Adriatik, njësoj sikur Zvicra e rrethuar me male, të thoshte se, meqë nuk ka dalje në det, nuk mund të ekzistojë dot në qoftë se nuk i jepet porti i Gjenovës.
Ismail Qemali deklaron më tej se, Shqipëria e pavarur do të jetë një shtet me rreth dy milionë e gjysmë banorë. Ky shtet duhet të përfshijë të tërë Vilajetin e Shkodrës, pjesën shqiptare të vilajetit të Janinës, pjesën shqiptare të Manastirit, pjesën perëndimore të Manastirit përreth Ohrit, Dibrën, Elbasanin, Korçën, sanxhakun e Pejës me Gjakovën, sanxhakun e Prizrenit, një pjesë të Sanxhakut të Shkupit dhe një pjesë të sanxhakut të Prishtinës. Duke marrë si model “fanarin e lirisë” në botë ShBA-të, Ismail Qemali tha se: “Kryeqyteti i Shqipërisë mund të ishte Elbasani, për arsye të pozitës së tij qendrore, por rol të madh mund të luante edhe Vlora, ku mundtë shkonte hekurudha. Elbasani mund të jetë Uashingtoni, ndërsa Vlora, Nju Jorku ynë.”